13 vetë humbën jetën në Maqedoni, kur një autobus me pasagjerë që udhëtonte nga Shkupi për në Gostivar, ra në humnerë në fshatin Llaskarcë, në dalje të Shkupit, në drejtim të Tetovës.
Ministri i Shëndetësisë, Veno Filipçe njoftoi për numrin e viktimave nga spitali i qytetin të Shkupit, duke thënë se shtatë vetë kishin vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa pesë të tjerë nëpër spitale.
Në spitalin e Shkupit janë dërguar 25 vetë, prej të cilëve tre me lëndime më të lehta dhe do të lëshohen në shtëpi, sipas ministrit.
Në Qendrën klinike janë pranuar pesë persona të tjerë, një nga ta grua shtatëzënë, por me lëndime më të lehta.
Ministri i Rendit, Oliver Spasovski dhe zëvendesi i tij Agim Nuhiu shkuan në vendin e ngjarjes.
Ekipe policore, të ndihmës së shpejtë dhe zjarrfikës ndodhen gjithashtu në vendngjarje. Banorët e fshatit kanë ndihmuar po ashtu me makineritë e tyre për ta ngritur autobusin dhe në shpëtimin e pasagjerëve.
Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit të autobusit, që i takonte kompanisë Durmo Turs nga Gostivari.
Policia po punon në identifikimin e personave të vdekur dhe të lënduar.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply