Nga Dokumentari
Gazetarja Luli Progni, pas suksesit me “Aziz” sjell një tjetër video-dokumentar rrënqethës për Gac Çunin, muzikantin shkodran që mbylli sytë në moshën 30-vjeçare në burgun e Burrelit.
Gac Çuni është kompozitor i këngës shumë të dashur për Shkodrën, “Kaçurrelat e tu”. Si u shua zëri i djaloshit shkodran në qelitë e burgjeve komuniste; dëshmia e vëllait dhe mikut të tij të qelisë, në çastet e fundit të jetës; si u kthyen në Shkodër këngët e Gacit, nga bashkëvuajtësit e tij. Historia dhe brenga e Gac Çunit për vajzën me kaçurrela…
Nga Luljeta Progni
Gac Çuni ishte një djalosh shkodran, që këndonte si askush tjetër në qytet. Ishte rritur në një ambient familjar e shoqëror ku muzika nuk mungonte kurrë. Në familjen e tyre miqtë priteshin gjithmonë me këngë.
Mbrëmjeve, bashkë me vëllain e tij, Lazrin, e shokët që i bashkonte muzika, Gaci merrte kitarën e këndonte. I këndonte lirisë, qytetit të tij të dashur, Shkodrës, i këndonte të bukurës, dashurisë.
Gac Çuni, lindi në Shkodër më 6 korrik 1926. Filloi arsimimin në shkollën “Skënderbeg” Shkodër, vazhdoi studimet për 4 vjet në gjimnazin e Jezuitëve dhe 4 vjet të tjera në gjimnazin e shtetit. Vitin e fundit u sëmur rëndë nga tuberkulozi, disa muaj para përfundimit të shkollës dhe nuk arriti të diplomohej. Pasi u përmirësua nga shëndeti, nisi punë si mësues në Malësinë e Mbishkodrës, në Kastrat.
E donin dhe e admironin të gjithë. Miqtë e tij tregojnë se ishte tip sportiv, i shkathët, i zgjuar, shumë miqësor, i paqtë, por mbi të gjitha me një pasion të rrallë për muzikën. Në moshë të re kishte mësuar t’i binte kitarës, e më pas ishte angazhuar në korin Scuola-kantorum të Kishës Françeskane.
PJESË NGA DOKUMENTARI
…..
Sapo ka hyrë prilli. I dhjeti që kur Gaci është mbyllur në qelitë e errëta. Shkodra me rrugicat e saj vazhdojnë ta presin…Edhe për 4 muaj do të rikthehej sërish në qytet sepse kishte përfunduar dënimin. Zëri i tij do të kthehet…
Vëllai i tij Lazri kishte shkuar për ta takuar sepse nuk e dinte se së shpejti Gaci do të lirohej. Për shkak të disa faljeve, Gaci do të lirohej në pranverën e vitit 1956. Kur Lazri e mori vesh se do të lirohej i vëllai u gëzua shumë por e pa të shqetësuar Gacin… kishte një hall të madh se nuk kishte tesha të bukura me veshë kur të lirohej…
Ja çfarë tregon nga biseda e tij e fundit me Gacin, vëllai i tij Lazri, në një bisedë radiofonike të viteve ’90, me kompozitorin e njohur Zef Çoba:
Shkova, dhe e takova. Më thotë: Tashti shkoi e shumta, mbeti e pakta. Mor’ vëlla… Mir’po, u ngurru, nuk mujte me m’dëftu. I thashë: Më dëfto, ça ke?
M’thotë që: Sikur të dal, nuk kam do tesha. Iu përgjigja: Kam unë, mos ki merak.
Donte të kthehej elegant, sa më i bukur e i gëzuar… kushedi sa kohë e kishe ëndërruar atë moment kur me kitarën në dorë t’ia niste këngës në krye të rrugicës te dugajt e reja… e atje në dritare do t’i dilte kaçurrelja…
Po Gaci nuk ka shumë kohë. Është mbërthyer nga meningjiti dhe temperatura e lartë nuk i ndalet…. duhej vetëm një penicilinë që t’ia ulë temperaturën por xhelatët nuk duan t’ia japin. Gacin e mban gjallë gëzimi se do të shkojë te shtëpia, të nana e kaçurrelja… E ka mundur dhimbjen për dhjetë vjet në ato biruca të frikshme torturash e s’ka se si të dorëzohet tani në fund për dy javë… por jo se trupi i ligsht i Gacit ka mbaruar… nuk ka më fuqi të mposhtë sëmundjen… është duke pirë cigare përbri shokut të tij të qelisë, Xhevatit. Papritur Gaci nis e mbështetet për mur deri sa rrëzohet përtokë, i lëshon duar e këmbë si të mos ishin të vetat… cigaren e ka në cepin e buzës. Xhevati shoku i tij i dhomës e sheh se Gaci po shkon drejt fundit.

Ja si i tregon çastet e fundit të Gac Çunit, shoku i tij në qelinë e burgut të Burrelit, Xhevat Meka:
Me Gacin kam ndenj’ n’Burrel, n’një dhomë, gati 5-6 vjet, se ai vdiq përpara, para se me dal’ ne. Ka kenë benjamini i dhomës, e këna dashtë fort. Vdiq prej Meningjitit. S’ kishim ku me i gjetë penicilinat se kushtonin 1 mijë lekë copa. S’kishim paré për me i ble’. Ka vdek’ në duart e mia. Ka pas përbri edhe Arshi Pipën. E të tjerë, por sidomos Arshinë, se dhe ai e donte fort. U këput. Pa prit, pa mendu. Tue pi duhan ka kenë. Ma harroi edhe emrin.
Më pyeste: A je Xhevati ti, a jo?
-Mos u tall Gac!
E pashë… At’herë u shtri. U shtri e filloi… njihet i dekuni, se jena mësu atje me pa tu dek’. Shtrin duart e këmbët…
At’herë i thashë: Kujtoje Zotin se po t’ndihmon!
-S’di, tha. -Po të mësoj unë.
Unë mbaja mend “T’falemi Mari”, megjithëse jam mysliman. I thashë: Unë po e lexoj, po e them me gojë, ti më ndiq! Mendoj se aty vdiq…
Kur e kam hap batanijen për me e vesh’, me e pastru, me e la, me teshat që ato që kishte e të tjera, që i falshin edhe shokët. E bamë si nuse… Veç ësht’ mbushur dhoma me avull. Katërdhet e katër mund ta ketë pas’ temperaturën. Kaq i sëmurë qe! Përnjiherë vdiq. Menjiherë e këputi. At’herë, mbasi e vesha krejt… I pata premtu’ ma përpara, me kohë, se e kishte afër me dal’ prej burgut, unë kisha shumë vjet me ba, i thashë: Gac, unë s’kam me dal’ gjallë, s’ma merr mendja se dal gjallë. Po t’jap një letër e çoja nënës. Ça të ket’ rujt tesha t’i fali ty se m’bahet qejfi.
Edhe e përgatita atë letrën. Kur vdiq, atë letër ia kam fut’ në xhep. I thashë: Merre me vete dhe jepja nënës atje, se edhe ajo do të ketë vdekur… Takoheni ndokund.
Tingujt e këngëve të tij të krijuara në burg, kanë ardhur prej kohësh në qytetin e Shkodrës, por Gaci nuk u kthye kurrë më në qytet..

Ata që i mbijetuan burgut të Burrelit i mësuan këngët e Gacit dhe i përçuan anembanë. Por një prej tyre, kënga “Kaçurrelat e tu”, ishte e parapëlqyera.
Ahmet Kopliku, një prej bashkëvuajtësve të Gacit, i përcolli notat dhe tekstet e këngëve të Gac Çunit tek Shyqyri Elezi, i cili ishte një këngëtar tjetër shkodran, që s’mund të këndonte në skenë, sepse tre vëllezërit dhe i ati ishin të burgosur politikë, por e këndoi këngën nëpër dasmat e gëzimet familjare. Sapo i ra në dorë kënga “Kaçurrelat e tu”, Shyqyri Elezi e këndoi në dasmën e parë dhe kënga u përhap nëpër qytet për t’u kënduar ashtu fshehurazi, por shpejt zuri vend mes këngëve më të dashura të qytetarëve shkodranë. Kënga u ngjit në skenën e vet dhe mbeti aty për t’u kënduar edhe sot me aq pasion e dashuri nëpër serenata, dasma e gëzime, si një ndër më të bukurat këngë për dashurinë.
* Dokumentar i realizuar nga kujto.al arkiva online e krimeve të komunizmit

http://www.newsbomb.al/vdiq-ne-lule-te-jetes-si-u-shua-zeri-i-djaloshit-shkodran-ne-burgjet-vrastare-te-komunizmit-deshmite-tronditese-dhe-kenga-per-vajzen-me-kacurrela-qe-e-di-i-madh-e-i-vogel-video-149202


Leave a Reply