Specialistët e refuzuan për dy vjet, Bashkia tentoi t’i hapte rrugë me PDV dhe më pas shembi pjesë të monumentit. Miratimi i hotelit 14.75 metra shkel kriteret e VKM-së nr. 771 dhe krijon precedent për zhdukjen e gjithë zonës muzeale.
Hoteli 14.75 metra në Gjuhadol nuk lindi në fund të korrikut 2026. Projekti përfaqëson fazën e fundit të një historie që ka nisur të paktën dy vjet më parë, kur strukturat e specializuara të trashëgimisë kulturore kundërshtuan ndryshimin e volumit, lartësisë dhe arkitekturës së objekteve ekzistuese.
Refuzimet nuk e mbyllën projektin. Ato ndryshuan rrugën që ndoqën institucionet dhe zhvilluesi.
Fillimisht, Bashkia Shkodër tentoi të miratonte një Plan të Detajuar Vendor për zonën nga Kisha e Fretërve deri te kompleksi ku parashikohet hoteli. Sipas materialeve të siguruara, PDV-ja e kthente këtë segment të Qendrës Historike në zonë me ndërtime gjashtë dhe shtatëkatëshe. Një grup qytetarësh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile kundërshtoi planin dhe e detyroi bashkinë të tërhiqej.

Pas dështimit të PDV-së, objekti vazhdoi të degradohej. Persona ende të paidentifikuar publikisht ndërhynë pjesë-pjesë në ndërtesë, ndërsa institucionet që duhet ta mbronin nuk ndaluan dëmtimin. Ky veprim krijoi kushtet që rrënoja të paraqitej më vonë si objekt pa mundësi restaurimi.
Bashkia Shkodër ndërhyri më pas duke shembur pjesë të çatisë dhe të mureve, me argumentin se ndërtesa rrezikonte jetën e kalimtarëve. Por bashkia nuk kishte detyrë ta kthente rrezikun në shembje. Ajo duhej të njoftonte strukturat e trashëgimisë, të siguronte perimetrin dhe të kërkonte konsolidimin e objektit. Ndërhyrja e saj e përkeqësoi gjendjen dhe i dha projektit të ri një justifikim shtesë për rindërtimin.

Këtu lind pyetja kryesore administrative: kush e lejoi degradimin, kush urdhëroi shembjen dhe mbi cilën ekspertizë teknike u mbështet Bashkia Shkodër?
Projekti i paraqitur më pas nuk rikthen vëllimin historik. Ai shton një kat mbi ndërtesën qendrore dykatëshe, nga dy kate mbi objektet anësore njëkatëshe dhe e zhvillon krahun drejt rrugës “Luigj Gurakuqi” deri në katër kate. Lartësia kalon nga 7.63 metra në 14.75 metra.

Neni 10 i VKM-së nr. 771/2020 kërkon respektimin e raporteve urbanistike dhe vëllimore, trajtimit arkitekturor, pamjeve të jashtme dhe volumit ekzistues. Projekti nuk respekton asnjërin prej këtyre kufijve.
Ndërtesa e re nuk prek vetëm parcelat e investitorit. Ajo dominon ndërtesën e Shoqërisë Kulturore “Rozafat”, Banesën e Dabërdakëve dhe siluetën tradicionale të Gjuhadolit. Specialistët e DRTK Shkodër dhe të sektorit të arkitekturës në IKTK e kanë dokumentuar këtë konflikt me matje, fotografi dhe krahasime grafike.
Nëse drejtuesit e miratuan projektin në fund të korrikut, ata duhet të shpjegojnë se cilën dispozitë zbatuan dhe cilin argument teknik përdorën për të rrëzuar specialistët e institucioneve të tyre.
Miratimi krijon rrezikun më të madh për Qendrën Historike. Çdo pronar mund ta përdorë këtë vendim si precedent: e lë objektin të degradohet, kërkon ndërhyrjen e bashkisë, ruan një pjesë të fasadës dhe ndërton disa kate pas saj. Në këtë mënyrë, institucionet nuk e shkatërrojnë Gjuhadolin me ndërtime pa leje. Ato e shkatërrojnë me vendime, firma dhe leje./ Pamfleti
Shkruar nga Pamfleti


Leave a Reply