Romani i tij i lexuar pjesë-pjesë më parë se të botohej, natyrshëm nuk mbetet një `i panjohur’ për lexuesit që e ndjekin prodhimtarin më të qëlluar, dhe kjo jo vetëm falë moshës së tij. Autori në fjalë është autor i më se shtatëmbëdhjetë librave në poezi, prozë, publicistikë e monografi. Është autori që shënon ardhjen e këtij romani, këtij libri të veçantë për mënyrën e tij të trajtimit të gjërave. Kështu libri i Palit, vjen në një kohë që ai ndjehet mirë në tërë krijimtarinë e prodhuar me këtë risi që i ngjizet një të punëpalodhurit të letrave.
Por normalisht `lindja’ e librit të Palit, është edhe një lindje e një morie urimesh në grupet e tij të internetit, që vijnë nga zemra dhe dimensioni i tij shpirtëror i vendlindjes, Qeparoit e shpërndahen anembanë gjithë hapësirës ku pena dhe jeta e Petraq Palit ka shëmuar vazhdimësinë e të Atit të tij Janko Pali, të cilësuar `rilindasi’ i papërsëritshëm dhe njeriu që la vlera të padikskutueshme në mjaft fusha. Mjafton të citosh këtu se Janko Ll. Pali ishte emri që gatoi jo vetëm rrugën e tij, jo vetëm ardhmërinë e mjaft terminologjive të fushës së edukimit në Qeparo, por edhe udhërrëfyesi i gjallë dhe i heshtur për të birin. Janko Ll. Pali lindi në 20 korrik 1898 në fshatin Çoban Ishah, të Izmirit (në Anadoll), vdiq më 12 shtator 1994. Janko LL Pali, emër i dashur e i njohur i Bregdetit Jon, i përket plejadës së nderuar të figurave të shquara të kulturës, politikës dhe atdhedashurisë shqiptare. Kështu një shtyllë letrare e edukuar në kudhrën “Pali” natyrshëm nuk mund të mbetej e `krimbur’ apo `e mykur’ edhe kur krimbat e dukshëm e të padukshëm të kohërave kanë synuar ta dëmtojnë vitesh atë.
Vetë shkrimtari Petraq J. Pali shprehet: “Vitet i pershkova ashtu siç erdhen… Dhe neper vitet e mia, eshte edhe jeta ime me zigzaket dhe grafiket e saj pale pale stivohen, me ngjarje me data me lot trishtimi dhe te rralla gezime, te cilat stampuar ne celuloidet e trurit tim, perbejne dhe arshiven jete, natyrisht te jetes sime.!…”

Ndërsa unë së fundi jam dëshmitar i mjaft rrëfenjave dhe fateve të treguara nga miku i tij ditëve me uniformë ushtarake, Njazi Ademi, fakte që të përlotin dhe të detyrojnë të ulërish në disa raste, fate që ngjizen tek jeta e një `trupshkurtëri’, njeriut durimtar Petraq Pali, por mendjendriturit që diti të transformojë vuajtjet dhe shënimet, edukatën dhe mësimet në dobi të letrave shqipe. Ajo që ka pësuar që në rininë e tij, ku nofkohej si `djali i pabindur i Profesorit’, të shton më shumë respektin për autorin e mjaft librave. Se kështu ai duhej të kishte kujdes edhe kur `vishte rrobat e mbrojtjes së Atdheut’, pra kur ai ishte i detyruar të vishej me jeshilllëkun e propagandës për të cilën vepra e të atit dhe edukata e ushqyer kishte mendim tjetër, se donte demokraci dhe botën me liri të fjalës.
Kështu rritej dhe edukohej Petraq Pali, njeriu që në shkrimet e tij më pas do të betohej se do të shtonte skedinat e të Atit, “Mësuesit të Merituar” e tejet të respektuar…
Libri i tij morri dritën e tij dhe është në duart e lexuesit. Miqtë janë të parët që krenohen. Kështu vijnë edhe urimet dhe romani merr jetëudhën e tij…
Dhe menjëherë në rrjetet sociale urimet vluan. U shtuan komentet. Komente që vinin nga emra dhe miq të autorit. Shkrimtarja dhe poetja Fatime Kulli shkruan “Urime zoti Petraq!”; Mariola Memushi shton më tej “xhaxhi Petraq urime te metejshme…..do t’a lexoj me patjeter…”; shkrimtari dhe poeti Thanas Jani citon “Urime Petraq Pali! Gjithmonë i palodhur për të treguar! Suksese!”; shkrimtari dhe poeti Myrteza Mara shkruan “Petraqi vetem gjera te mira di te bej! Klubi i shkrimtareve “Petro Marko” nderohet me krijues te tille. Promovimi i shkrimtarit Petraq Pali do te organizohet se shpejti ne qytetin bregdetar te Vlores! Urime!”; pastaj është Spiro Naqo që shprehet se “Një roman shumë i bukur, “Misteri i kosovares’ së bukur”. Urimet më të mira, i dashur Petraq, për këtë roman plot vlera! Natyrisht, Klubi i shkrimtarëve “Petro Marko”, krenohet me njerëz si shkrimtari e poeti i talentuar Petraq J. PALI. Kënaqësi, për të gjithë anëtarët e këtij klubi! Suksese të mëtejshme, në krijimtarinë letrare.” Në anën tjetër është Luan Çipi që citon tek “Fjala e Lirë”: “një libër më shumë se interesant dhe, si thotë autori i parathënies së tij, shkrimtari Përparim Hysi , një libër me plot “enigma”… Ngjarjet zhvillohen në Shqipëri, rrokin një periudhë të gjatë kohe me shumë personazhe nga Shqipëria, Dardania dhe më tej ku trajtojnë një temë interesante, që lidhet me gjakmarrjen.
Ajo që të bën më shumë përshtypje pasi e lexon romanin, është fakti shumë rrënqethës: jeta për disa njerëz lë pasoja aq dramatike, sa ndoshta nuk t’i lë as lufta.
Në gjithë këtë histori të trishtueshme e dramatike, pothuajse i gjen: edhe dashurinë e sinqertë deri në vetëmohim; edhe pabesinë; edhe luftën e ashpër të klasave; edhe kanunin e përçudnuar tanimë edhe vetëmohimin për një dashuri të vrarë; edhe atë aktin madhor… (Le ta ruajmë misterin për lexuesin)”.. .. Pra, “le ta ruajmë misterin për lexuesin” nënvizon Luan Çipi!
Dhe misteri vjen që në titull. Një mister që shpërndahet gjerë e gjatë që në kopertinën e këtij romani me dritëhije që veniten nën një të portokalltë jo pak të bujshme nën fuqinë e të zezës vrastare e asaj që zvenitet tek bardhë e zija e qafimit që në krye të idesë. Në këtë kontekst vjen teksti me të cilin autori nis e koncepton një perceptim që herë shfaqet e herë sundon deri në një labirinth ku mosdepërtesa në venat e jetës janë një arsye shtegtimi mes vetë sipareve të padukshme të jetës.


Leave a Reply