Presidenti amerikan Donald Trump falënderoi të mërkurën Arabinë Saudite për uljen e çmimit botëror të naftës, një ditë pasi tha se Uashingtoni nuk do t’i kthejë shpinën Riadit, pavarësisht nga përgjegjësia që ka për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi i cili jetonte në SHBA.
Në një postim në twitter nga vendpushimi i tij në Florida, zoti Trump vlerësoi sauditët, për dërgimin e sasive të mjaftueshme të naftës në tregjet botërore për të mbajtur çmimet nën kontroll.
“Çmimet e naftës po vazhdojnë të ulen,” shkruante zoti Trump në Twitter. “Gjë e mrekullueshme. Është si një masë e madhe për uljen e taksave për Amerikën dhe botën. Gëzojuni 54 dollarëve për fuçi ndërsa ishte 82. Faleminderit Arabia Saudite, por le të shkojmë edhe më poshtë!”
Përpara largimit nga Uashingtoni për festën e Falënderimeve, zoti Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se siguria kombëtare dhe interesat ekonomike mbizotërojnë mbi çdo shqetësim për të drejtat e njeriut. Ai tha se një kthim shpine ndaj Arabisë Saudite, pavarësisht vrasjes së Jamal Khashoggit “do të ishte një gabim i tmerrshëm”.
“Do të qëndrojmë me Arabinë Saudite,” tha zoti Trump. Ai vuri në dukje kundërshtimin që mbretëria i bën Iranit si dhe blerjet nga ana e saj të pajisjeve ushtarake amerikane që nënkuptojnë sipas tha “me qindra mijëra vende pune dhe miliarda dollarë investime”.
Rusia dhe Kina “nuk do ta marrin atë dhuratë,” tha zoti Trump përpara se të shtonte se çmimet e naftës do të rriteshin nëse marrëdhëniet e SHBA-së me sauditët do të prisheshin.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, në një intervistë për një stacion radiofonik, mbrojti qëndrimin e zotit Trump, duke vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara i kishin vendosur sanksione 17 shtetasve sauditë që besohet se ishin përfshirë në vrasjen e gazetarit.
Këto deklarata pasuan raportet e CIA-s, e cila ka arritur në përfundimin se princi saudit i kurorës, Mohamed Bin Salman dha urdhër për vrasjen e gazetarit.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply