1. A besoni se prokuroria do të hetojë lidhjet e bandave kriminale me zyrtarët dhe deputetë?
Av. Idajet Beqiri: Besoj shumë te ligji. Besoj shumë te sistemi juridik që po reformojmë dhe po rindërtojmë. Besoj shumë te institucionet e akuzës dhe te pushteti gjyqësor. Duam apo nuk duam të pranojmë, është një fakt i pamohueshëm se këto institucione po e marrin veten, po binden një herë e mirë se rrokopujës dhe dallkaukllëkut mbi 25 vjeçar, të gatuar nga politika dhe një numër politikanësh grabitqarë dhe antishqiptar, i ka ardhur vdekja. Fundi i marrëzisë i mbi 25 vjetëve me radhë tashmë po duket në horizontin shqiptar. Vërtetë jemi me sovranitet shtetëror dhe institucional të kufizuar, por atë pjesë të sovranitetit që kemi humbur, e kanë marrë në dorë dhe po e vënë në përdorim çdo ditë dhe kudo, dy faktorët më të rëndësishëm të garancisë së lirisë, të paqes, të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të të drejtave të njeriut, SHBA dhe BE. Këto dy faktor i kemi të pranishëm kudo. Proçesi i vettingut, zbatimi i tij, është shpikja e tyre. Ata po i qëndrojnë në kokë edhe realizimit deri në fund të spastrimit rrënjësor të sistemit gjyqësor dhe të organit të akuzës në Shqipëri. Ata janë kudo në institucionet tona. Ata direkt dhe indirekt janë futur edhe te thelbi i Prokurorisë tonë. Për rrjedhoj, natyrshëm dhe hap pas hapi, cilido bandit e kriminel që ka bërë zullume të dënushme në këtë vend, i veshur me pushtet apo jo, fundin do t’a ketë tragjik. “Hak pa marr dhe borxh pa larë”, themi ne shqiptarët, nuk ka. Asnjë bandë kriminale, asnjë bandit kriminel, zyrtarë të lartë, të mesëm apo të vegjël, deputetë apo më lartë e më poshtë, nuk do të mbes pa marr dhe pa paguar borxhet e rënda që u kanë shqiptarëve. Unë besoj shumë në këtë gjë…
2. A mendoni se Policia e Shtetit mban përgjegjësi për aktivitetin e Laboratorit të drogës në Has?
Av. Idajet Beqiri: Krim dhe kriminalitet, të rëndë, shumë të rëndë apo edhe të lehtë, ka kudo në botë. Ka edhe në shtetet më të fuqishme të botës me demokraci të përparuar dhe me shtet ligjor e institucione tepër të konsoliduar. Rëndësi ka se si, me çfarë predispozicioni, me çfarë mjetesh, me çfarë përgjegjësie dhe përgjegjshmërie institucionale dhe kombëtare u qasesh atyre për t’i luftuar dhe zhdukur nga faqja e dheut. Policia e Shtetit Shqiptar, fal edhe qëndrimit çekan mbi kokë të faktorëve ligjzbatues amerikan dhe evropian, të cilët nuk duan në Shqipëri, në këtë vend pjesë delikate të Lindjes së Perëndimit të Europës, të kenë “një shtet kanceroz” dhe të falimentuar, çdo ditë e më shumë po shkojnë në lartësinë e detyrës. Ajo dhe punonjësit e saj, edhe nga zori, po përgjegjësohen se nuk mund të sakrifikohet më për interesat e banditëve kriminel të politikës shqiptare, por sakrificat duhen për shtetin e së drejtës dhe për Shqipërinë evropiane. Mirë është që territori i vendit të kontrollohet, e keqja të mos ngulet me lehtësi, si në Has, në Xibrakë apo diku tjetër, ku ngritën “folen” e sigurtë laboratorët e drogave cilësore. Syri, veshi, reflekset, ndjeshmëria e Policisë së Shtetit duhet të jenë të tilla, që ky lloj kriminaliteti dhe të tjerat më të rënda apo më të lehta, të mos kenë guximin të shfaqen në territorin shqiptar. Policia e Shtetit e zbuloi dhe e goditi Laboratorin e drogës në Has. Ti japim për këtë meritat, ta inkurajojmë për veprime edhe më të suksesshme në luftën kundër krimit dhe kriminelëve. Të mos hedhim “gjilpërën në mullarin e kashtës”… dhe pastaj të humbasim ditë e netë për të gjetur këtë “gjilpërë” që vet e hodhëm “në kashtë”!
3. A u hetua deri në fund laboratori I Drogës në Xibrakë për ndonjë implikim të politikanëve me Trafikantët?
Av. Idajet Beqiri: Laboratori i drogës në Xibrakë ishte pasojë e lënijes së krimit dhe të kriminelëve “hazat”! Ai, ashtu si mjaftë krime të tjera të organizuara, ashtu si mjaftë kriminel të rrezikshëm ordinerë dhe politik, e kishin shtratin e ngrohtë. Këtë privilegj jua kishte dhënë politika mbi 25 vjeçare antishqiptare dhe pro krimit dhe kriminelëve. Për rrjedhoj, goditjet që u bënë në Xibrakë ishin të natyrës “kuajt që u zunë me presh në dorë, do të shijnë lëmin”, siç e “shin”, në fakt. Mirpo organet e prokurorisë dhe vet gjykatat, deri dje, por ende edhe sot, nuk e kanë frymën, përgatitjen, guximin ligjor dhe qytetar, që t’u shkojnë krimeve të tilla te organizatorët, te frymëzuesit, te mbështetësit, te ideatorët, te përfituesit e dorës së parë. Ato mjaftohen dhe kënaqen me pak, e konsiderojnë qarkun e funksionit të tyre të mbyllur, vetëm duke dënuar fakirët shërbëtor, të cilët përfitojnë vetëm pjesën e mbijetesës së çirakut!
Gazeta Telegraf, e martë, 30 tetor 2018.


Leave a Reply