(Baki Ymeri është poet, patriot dhe reformator i kulturës shqiptare. Te personaliteti i këtij malësori, dallojmë një shpirt fisnik dhe zemër bujare, që është i mishëruar me fijet e fildishta të atdhedashurisë. Zbulimet e tij janë një ndihmesë e madhe që do t‘u çelin rrugë edhe autorëve tjerë, të gjurmojnë, studiojnë dhe krijojnë një bibliotekë të re të korpusit tonë kulturor, shkencor dhe patriotik.)
Shkruan: Dedë Preqi
Më pëlqejnë njerëzit që lexojnë, komunikojnë dhe shkruajnë. Artikujt dhe librat e botuar, përfaqësojnë një provokim magnetik që përhapin dritën e diturisë. Dihet se Bukureshti historikisht ishte një vatër e zjarrtë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, përmes së cilës kanë vepruar shumë veprimtarë dhe dijetarë të shquar të kulturës dhe letërsisë sonë në mërgatë. Veprat e tyre frymëzuan gjenerata të tëra, dhe ato i vazhduan edhe veprimtarë të tjerë, siç vepron sot, poeti, publicisti dhe përkthyesi Baki Ymeri. Këtë njeri do ta quaja iluministi shqiptar i Bukureshtit të ditëve tona, i një atdhetari të zellshëm dhe krijues i palodhshëm që lë gjurmë në botën magjike të letrave shqipe. Ai është bërë shembull i shkëlqyer për gjeneratat e reja, për ta vazhduar imazhin tonë në funksion të vazhdueshëm, që të mos ndërpriten asnjëherë urat e miqësisë kulturore ndërmjet popujve si vlera të vjetra dhe tradicionale.
Krejt aktiviteti i B. Ymerit është një gërshetim ndërmjet brishtësisë dhe forcës. Duke e studiuar veprimtarinë e tij, konstatojmë se malësori i Sharrit aspiron për një punë të frytshme dhe kolosale, me mbresa të pasura letrare, atdhetare dhe intelektuale. Autori përqëndrohet ekskluzivisht në tema të angazhuara, sepse shtypit i nevojiten reportazhet, intervistat dhe portretet e veteranëve dhe krijuesve tanë, jo vetëm në diasporë. Në spektrin tematik ballafaqohemi me tema shumë interesante vlerash të dobishme. Lënda e tyre mund të imponohet dhe përjetohet si një e vërtetë aktuale dhe e përhershme, si një botë magjike që gjakon pas esencave të natyrës njerëzore, duke aspiruar me tërë qenjen e vet, prej një arkitekti dhe mjeshtri të urave të shëndetshme të miqësisë kulturore ndërmjet gjuhëve, njerëzve dhe popujve.
Përmes shkrimeve të tij, gjen gjurma shqiptare në Bukuresht, Krajovë, Konstancë, Brailë e gjetiu. Dëshmi është portali i Zemrës Shqiptare, Botës sot, Gazetës Nacional, Gazeta Kritika, Fjala e Lirë, Republika, Gazeta Ditore etj. Autori ka një garsonierë të vogël të ngarkuar me vlera të vjetra e të rralla (koleksione të pasura librash, letrash, gazetash, revistash, dorëshkrimesh, fotografishë). Shumicën e artikujve dhe materialeve që ka botuar dhe i boton sot e kësaj dite nëpër gazeta e revista të ndryshme shqiptare, përveç se e pasurojnë kartotekën tonë kulturore, autori investon edhe elemente tjera të nevojshme, duke gjurmuar vlera të panjohura të autorëve të mëdhenj të rilindësve tanë, sidomos kur vjen fjala për kryeveteranin e atdhetarizmit shqiptar në Rumani, Nikolla Naço-Korça. Zbulimet e tij janë një ndihmesë e madhe që do t‘u çelin rrugë edhe autorëve tjerë, të gjurmojnë, studiojnë dhe përfeksionojnë një bibliotekë të re të korpusit tonë kulturor, shkencor dhe patriotik, me studime, fejtone e libra shumë të rëndësishme.
Baki Ymeri është pjesë aktive e disa simpoziumeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, veprimtar i dalluar i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, iniciator për themelimin e Shoqatës së Miqësisë Rumuno-Shqiptare, kryeredaktor dhe editor i revistave „Shqiptari“ dhe „Kosova“ në Bukuresht. Nja dy filoserbë të Rumanisë e kanë sulmuar në shtyp, duke e shpallur „irredentist“ pse militon për kauzën kosovare në shtypin rumun. Një butak tjetër deshi ta hedhë në gjyq pse e demaskoi në shtyp, por poetët i mbron Zoti dhe engjëjt. Veprimtaria e Baki Ymerit është plot e përplot me aktivitete të rëndësishme të kulturës dhe letërsisë, i cili nuk rendi pas famës, por madhështinë kombëtare e arriti duke synuar gjithmonë qëllimet parimore për një moral ideal, që përmes sakrificave e përjetimeve të ndryshme të kohës, të fitohet liria njerëzore si një fitore e brendshme dhe e jashtme e njeriut, duke i dhënë prioritet komunitetit shqiptar të Rumanisë, mërgatës sonë, afirmimit të Kosovës letrare dhe lirisë sonë kombëtare.
Baki Ymeri vjen nga Shipkovica e bukur që shtrihet në zemër të Sharrit. Rrjedh nga një familje fisnike e bujare. I ati i tij ishte një veprimtar i flaktë i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, ndërsa e ëma e tij, iu adaptua ambientit shqiptar që e deshti me gjithë zemër, paralelisht me gjuhën shqipe, traditat tona dhe flamurin shqiptar. Pushtuesi sllav në trojet shqiptare gjithherë i kishte në shënjestër dhe i përgjonte ata të cilët nuk pajtoheshin me robërinë dhe zgjedhën e huaj, e një ndër ta ishte edhe i biri i Ajvaz Vokës, një intelektual liridashës që nuk do të pajtohet kurrë me robërinë e pushtuesit të egër, me ç’rast akuzohet dhe denohet nga Gjykata komuniste e Shkupit me 6 vjet burg të rëndë „për veprimtari armiqësore kundër pushtetit socialist jugosllav“ (1976). I ndjekur nga pushteti i asaj kohe, Bakiu duhej të largohet nga vendlindja e tij, duke u vendosur fillimisht në Vienë a pastaj në Bukuresht, por aktiviteti i këtij djaloshi në shërbim të lirisë dhe atdheut nuk ndalet kurrë. Themi djalosh, edhe pse më 1 Gusht të vitit të ardhshëm i mbush 70 pranvera. Që nga viti 1971 e deri më sot, ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon pa ndërprerë me shtypin shqiptar të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë dhe mërgatës shqiptare, por edhe me shtypin e huaj, posaçërisht me atë rumun.
Nëse doni të shkoni në Bukuresht, pregadituni për një udhëtim të mbarë me ballin lart. Atje do gjeni një bibliotekë fantastike, ndoshta më të pasurën në diasporë, siç qe shprehur diplomati Avni Dervishi para disa vitesh. Duke e përvetësuar me shumë sukses gjuhën rumune, qysh para 40 vitesh, Bakiu iu rek përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, duke përkthyer mbi 50 autorë të njohur shqiptarë, duke dhënë dhe kontribute tjera të panumërta në publicistikë. Rëndësinë e përkthimeve e përmendin edhe një numër i konsideruar intelektualësh tanë nga Kosova dhe Shqipëria. Pas studimeve (Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë), vazhdoi specializimin në Vjenë dhe Bukuresht (1974/75), duke jetuar e krijuar edhe sot e kësaj dite në kryeqytetin e Rumanisë, duke dhënë me notën brio provimet dhe referatet e doktoratës (Relacione kulturore rumuno-shqiptare), duke vazhduar traditën e rilindësve tanë në këtë vend, duke dhënë një kontribut të çmuar për çështjes shqiptare në vendin ku rilindësit tanë bënë përpjekje titanike për përhapjen e zjarrit të pashuar të atdhedashurisë shqiptare.
Baki Ymeri e ka dëshmuar me vepra konkrete veprimtarinë e vet, duke e gërshetuar jetën e tij me çështjen fisnike të atdhetarizmit shqiptar. Ky njeri, tërë jetën vet ia kushtoi kësaj kauze sublime, pa heshtur dhe pa u lodhur. Intelektualët rumunë, e quajnë Poet i dashurisë, Shqiponja e Dardanisë në trojet rumune, Mik i madh i kulturës, Dashamir i njerëzimit. Te personaliteti i këtij malësori, dallojmë një shpirt fisnik dhe zemër bujare, që është i mishëruar me fijet e fildishta të atdhedashurisë. Te ky njeri e gjejmë edhe një karakteristikë të jashtëzakonshme si kundërshtar i madh i ekstremizmit fetar. Relacionet e shqiptarit me Zotin janë shumë të rëndësishme për të mbajtur gjallë vlerat shpirtërore që na i falën të parët tanë. Baki Ymeri ka një përvojë të gjatë e të pasur prej mërgimtari, duke përjetuar ngjarje të ndryshme në kushtet dhe rrethanat e vështira, gjithmonë duke tentuar të bëjë diçka pozitive, duke mos ndenjur duarkryq, duke bërë atë që është e mundshme për të mirën e çështjes kombëtare.
Artikujt e botuar të autorit janë vlera mbi vlera. Ato shënojnë thesarin e letrave shqipe, të cilat kanë valenca studimi dhe mësimi. Kështu krijohet respekti, krenaria dhe nderi. Baki Ymeri është zëri i vetëdijes sonë kombëtare në diasporë. Bukuria e shpirtit të tij s’ka limit, sepse kush preokupohet për Atdheun, do të mbetet përjetësisht në memorjen tonë e të gjeneratave të ardhshme. Bashkëpunimi kulturor midis dy vendeve mike ishte shumë i hershëm. Ndërmjet shqiptarëve dhe rumunëve, faktorët objektivë dhe aktivë i dëshmojnë librat, broshurat, abetaret, gazetat dhe dokumetet e vjetra të rilindësve tanë, që sot i shpalos me një kujdes të madh publicisti dhe atdhetari Baki Ymeri. Dokumentet dhe fotografi e artikujt mbi gazetat e vjetra shqiptare që na i sjell, shndërrohen në faktorë të jashtëzakonshëm të bashkëpunimit pozitiv në planin kulturor dhe miqësor ndërmjet dy vendeve. Prandaj, edhe kjo formë e bashkëpunimit kulturor do të ndikojë që Rumania ta njohë Kosovën sipas rekomandimeve të Bashkësisës Europiane, si shtet të pavarur, të lirë dhe sovran.
Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare në diasporë
Në janar të vitit 1971, shkoi në Bukuresht për të kontaktuar farefisin, dhe i gjeti atje bijtë dhe bijat e rilindësve tanë. Baki Ymeri viteve të fundit është organizator i parë i tryezave të miqësisë rumuno-shqiptare. Vetë termi tregon rrethin dhe marrëdhëniet e moçme të këtyre dy popujve të farefisnuar gjatë historisë, të cilët i lidhi ideali dhe jeta shoqërore dhe kulturore. Në kuadrin e këtyre tryezave, dashamirë të mëdhenj të Kosovës tregojnë më shumë se një përkushtim dhe dashuri ndaj kulturës sonë. Shumica sosh janë poetë dhe prozatorë që shkruajnë me admirim për poetët shqiptarë, të cilët mirren vullnetarisht me analizat dhe përkthimet e tyre, ashtu sikur që anasjelltas, mirret dhe përkthysi dhe publicisti i njohur shqiptar, zt. Baki Ymeri, përfaqësuesi i parë i Kosovës letrare në gjuhën rumune.
Nuk do të thotë se autori e bën një punë të madhe, nëse e përkthen një libër, në qoftëse nuk i japim rëndësi të karakterit letrar, por duke e përkthyer një libër në një gjuhë tjetër, ke dhënë një shembull të traditës dhe kulturës së popullit tënd në rend të parë, i ke ndihmuar kulturës letrare në rend të dytë, dhe në rend të tretë ke treguar talentin tënd, prej poeti dhe përkthyesi. Traditat e tryezave të miqësisë janë të lashta dhe shumë të vazhdueshme, duke pasë parasysh njerëzit me vyrtyte të larta atdhetare e kulturore, paraqesin urat dhe rolin e ambasadorëve të të dy vendeve mike. Një ndër ambasadorët e tillë që ka sot diaspora shqiptare në Rumani, është edhe përkthyesi dhe publicisti Baki Ymeri, që meriton më shumë se një dekoratë të artë, për kontributin e dhënë deri më tani, në fushën e përkthimeve dhe publikimeve të ndryshme të karakterit letrar dhe kulturor.
Baki Ymeri është autor i disa veprave origjinale dhe redaktor apo i autor i parathënies së disa autorëve nga Kosova dhe diaspora shqiptare. Ka botuar 7 vëllime poetike, 25 antologji me autorë të përbashkët, 3 monografi mbi diasporën shqiptare. Ka botuar 200 numra të revistave „Shqiptari“ dhe „Kosova“ në një tirazh të lartë, duke i shpërndarë gjithandej në botë. Ka përkthyer mbi 100 vëllime poetike të autorëve tanë dhe rumunë, duke shkruar në ndërkohë mbi 1.000 artikuj të ndryshëm, të botuar në gazeta e revista të panumërta. Vlen të ripërkujtojmë faktin se autori është një zbulues i madh librash, letrash, fotografishë, dorëshkrimesh e dokumentesh origjinale të rilindësve tanë. Disa nga to (më të rëndësishmet) ia ka dhuruar Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Këto janë të një vlere të madhe për studiusit e sotëm, për të njohur më mirë aspiratat, kulturën dhe shoqatat e Rilindjes kombëtare në mërgatë. Autori është anëtar i zellshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, lauerat i disa Mirënjohjeve të ndryshme, i nominalizuar nga Institucioni Biografik Amerikan „Njeriu i Vitit 2001“. Është i përfshirë në Fjalorin Enciklopedik të Personaliteteve të Rumanisë. Posedon një numër të konsideruar shpërblimesh dhe mirënjohjesh nacionale dhe internacionale.
Mirënjohje për Shqiptarin dhe botuesin e saj
Sipas Halil Haxhosajt, emri i Baki Ymerit është një dritë e ndezur në zemër të Bukureshtit. Ai është rilindasi i kohës moderne, i dekadës së parë të shekullti XXI që është shekulli i shqiptarëve. Bakiu është dritë e artë e prezantimit të letërsisë sonë në rumanishte dhe anasjelltas. Përkthimet e tij janë qirinj që ndriçojnë të gjitha kendet, por edhe majat e letërsisë bashkëkohore shqipe. Dhe për të gjitha këto ai është meritori, ai është trubaduri, ai është shpirti dhe zemra e kësaj letërsie, sepse ua bën të njohur dhe të dashur lexuesve rumunë. Puna e tij për afirmimin e letërsisë dhe shqiptarët në Rumani është tejet e çmuar dhe shumë e frytshme. Kjo shihet në shumë aspekte, madje edhe në botimin e revistës “Shqiptari”, që botohej qysh në kohën e Rilindjes Kombëtare. Kjo revistë ishte një abetare për shkollat e para shqipe që u hapen në shqitari, pra në të gjitha trojet shqiptare. Këtë rrugë je duke e vazhduar me sukses, por edhe me bindje, intelekt dhe vrull shqiptari që ka në gjakun e tij. Emri i tij do të shkruhet me shkronja të arta në kulturën shqiptare të diasporës, në përgjithësi, dhe të asaj të shqiptarëve të Rumanisë në veçanti. I lumtë mendja, pena dhe elani që ka! Sikur të ishin gjallë, këtë tribun të atdhedashurisë shqiptare do ta përgëzonin edhe Nikolla Naço, Asdreni, Lasgushi, besa edhe shumë të tjerë.
Sipas Skënder Zogajt të famshëm, Baki Ymeri është poet, patriot dhe reformator i kulturës shqiptare: „Këtij njeriu i buzëqeshi fati të përkthejë e botojë mbi 100 poetë shqiptarë nëpër revistat rumune, dhe mbi 50 libra poetësh nga Kosova dhe diaspora shqiptare. Fjala është për vëllime mono apo dygjuhëshe që vlerësohen me reçensione të favorshme në të dy gjuhët. Është një dukuri e rrallë e afirmimit të kulturës shqiptare që na gëzon shumë, sepse për autorin nuk ka gjë më të madhe se sa kur e kënaq lexuesin, e që në rastin e përkthyesit, kënaqësia është e shumëfishtë, sepse përkthyesi është lexuesi special, prandaj e falendëroj nga zemra edhe për vlerësimin që kanë bërë kritikët rumunë, jo vetëm për librin tim, duke e shumëfishuar në këtë mënyrë subjektivizmin e miqësisë sonë të vjetër.“
Baki Ymeri është dhjatë emancipimi, gjithmonë në funksion të diasporës sonë. Ai është oksigjeni i saj, përmes të cilit i freskon me gjak të bekuar damarët e letërsisë dhe kulturës sonë. E përgëzoj edhe unë për botimin e rregullt të revistës „Shqiptari“, që tashmë është bërë shumë prestigjioze. Revista e tij në funksion të diasporës sonë, është një dhuratë atraktive e cila i shërben afirmimit të kauzës shqiptare në botë, prandaj botuesi i saj ka merita të mëdha për të gjitha këto evenimente shumë të rëndësishme. Revista „Shqiptari“, sipas poetit Neki Lulaj, është një model i përsosur i mërgatës shqiptare dhe asaj europjane, ndërsa për Baki Ymerin kam përshtypjen se një ditë studjuesit shqiptarë do të gjurmojnë nëpër arkivat e ndryshme bibliotekare dhe elektronike, duke e zgjedhur si objekt studimi këtë veprimtar të zellshëm të diasporës sonë. Puna e tij për gjurmimin dhe afirmimin e vlerave kombëtare nuk paguhet as me flori. Revista respektive ka vlerate veta sublime. Është një kontribut i çmuar, një tribunë e vjetër, e bukur dhe e pasur të diasporës sonë.“
Ana nga Tirana shkruan: „Baki Ymeri është një vullkan i pashuar i patriotizmit shqiptar, flamurtar i atdhedashurisë dhe pronar i penës së artë. Miqësia me të më duket si një dhuratë e veçantë. Poezitë e tij janë magjike, fenomenale dhe kryevepra të artit. Ndoshta e ekzagjeroj me komplimente të këtilla, por unë e çmoj si poet dhe patriot, përkthyes i përsosur dhe legjendë e diasporës sonë. Duke përkthyer e shkruar për të tjerët, ende nuk e ka konsoliduar veprën e tij letrare e publicistike, por e parandjej se botimet e tij në Internet dhe në shtypin e shtypur, do të jetojnë brez pas brezi, dhe do të frymëzojnë gjenerata të tëra.“


Leave a Reply