
Kryetari i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, Gjin Marku, u ndalua nga Antikrimi Ekonomik i Tiranës, pasi akuzohet se ka lëshuar një vërtetim hasmërie për një 27-vjeçar, që do kërkonte azil në Kanada. Dokumenti ku pasqyroheshin të dhëna në lidhje me hasmëritë që shtetasi Abdullah Skeja dhe familjarët e tij kishin me një familje tjetër në Dibër, u zbulua në Aeroportin e Rinasit. Ngjarja k
Gjin Marku, kryetari i Komitetit të Pajtimit të Gjakut
a ndodhur në momentin kur i riu po tentonte të udhëtonte nga Shqipëria, transit drejt Francës, me destinacion të fundit Kanadanë. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë dje se, në kuadër të operacionit të koduar “Azilanti”, u krye ndalimi i shtetasve Abdullah Skeja, 27 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Farkë dhe Gjin Markut, 55 vjeç, nga Lezha, me detyrë kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar. “Procedimi penal në ngarkim të tyre filloi në kuadër të operacionit ‘Azilanti’, ku është bërë i mundur bllokimi në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas i shtetasit Abdullah Skeja, i cili posedonte dokumente të lëshuara nga ana e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, si vërtetime hasmërie në të cilat pasqyroheshin të dhëna në lidhje me hasmëritë që ky shtetas dhe familjarët e tij kishin me një familje tjetër në Dibër dhe kërkonin azil në Kanada me dokumente të falsifikuar”, thuhet zyrtarisht nga Policia e kryeqytetit. Ndërsa pas shoqërimit të misionarit të faljes së gjaqeve, Gjin Marku, Policia sekuestroi edhe dokumente të tjera të firmosura prej tij, që dyshohet se do përdoreshin për azil.
ARRESTIMI
Procedimi penal nga Antikrimi Ekonomik i Tiranës, që u mbyll me 2 të ndaluar, nisi pasditen e të dielës, kur në Aeroportin e Rinasit u ndalua 27-vjeçari Abdullah Skeja, i cili po tentonte të udhëtonte drejt Francës. Në momentin kur Skeja ka kaluar kontrollin e parë, oficerët e Rinasit i kanë gjetur një dokument të firmosur nga kreu i Pajtimit të Gjaqeve, Gjin Marku, ku deklarohej se në vitin 1947 stërgjyshi i Skejës kishte vrarë një person në Dibër dhe që nga ajo kohë familja e tij ishte në hasmëri. Për këtë arsye, ai kërkonte që të udhëtonte drejt Kanadasë për të kërkuar azil, me pretendimin se në Shqipëri ndihej i rrezikuar. Por në bazë të urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, për verifikimin e çdo dokumenti të dyshimtë dhe arrestimin e personave që përfshihen në kërkesat false për azil, oficerët e Rinasit pas konstatimit të këtij dokumenti e kanë kthyer Skejën në kontrollin e vijës së dytë. Nga verifikimet e vlefshmërisë së dokumentit është zbuluar se ai ishte i falsifikuar dhe menjëherë është kryer shoqërimi i tij dhe i misionarit të gjaqeve, Gjin Marku.
GJIN MARKU
Në dhjetor të vitit 2011, kryetari i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve, Gjin Marku, bashkë me Pashko Popajn, anëtar i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve, u dërguan për ndjekje penale në Prokurorinë e Shkodrës, pasi akuzoheshin se kishin lëshuar vërtetime false për persona që kanë kërkuar azil në Belgjikë e Suedi.
Vizat
Belgjika dhe Suedia kanë shprehur shqetësimin e tyre pranë autoriteteve shqiptare në lidhje me rastet e personave që udhëtojnë pa viza në zonën Shengen dhe më pas, paraqiten në zyrat e migracionit në këto vende, ku kërkojnë leje qëndrimi dhe azil politik. Në shumë prej këtyre rasteve, persona nga Shkodra, Kukësi, Tirana apo Mirdita kanë paraqitur vërtetime sipas të cilave ata janë në hasmëri në Shqipëri. Dokumentet në fjalë kanë rezultuar se kanë qenë false.
Precedentët
Vitin që shkoi, Policia belge riktheu në Shqipëri 54 persona të cilët kishin aplikuar për azil politik në Belgjikë pas udhëtimit atje me regjim të liberalizuar vizash. Pak muaj më parë, një kryetar komune në periferi të Tiranës u arrestua së bashku me një të ri që ishte pajisur me vërtetim të falsifikuar sikur të ishte në hasmëri. Policia ka referuar në Prokurori materialet hetimore për falsifikim edhe në pesë raste të tjera në Shkodër dhe në Kukës, ndaj pushtetarëve lokalë ose të pajtimit të gjaqeve, që kanë dhënë vërtetime të tilla.
Etleva Delia
Burimi: http://www.panorama.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply