
Arkeologët shpresojnë të përftojnë fonde shtetërore më 2013 për të vazhduar gërmimet.
Nga Svetlla Dimitrova për Southeast European Times në Sofje — 14/01/13
Sende të shumta ari janë gjetur në vende arkeologjike në Bullgari. [AFP]
Arkeologët bullgarë njoftuan dy zbulime të mëdha në fund të sezonit të gërmimit 2012 e shpresojnë të përftojnë mbështetje financiare shtetërore e të tjera për të hedhur më shumë dritë në jetën e kulturën e qytetërimeve të hershme të Ballkanit.
Vasil Nikolov, ish-kreu i Institutit Kombëtar të Arkeologjisë të vendit, zbuloi vendbanimin më të lashtë të Evropës pranë Provadias, 50 kilometra në perëndim të Varnës në Detin e Zi, që datohen mes 4700 e 4200 përpara Krishtit.
Vendi është më shumë se 100 metra në diametër, është i rretuar nga një mur guri 3 metra i lartë e ka dy struktura dykatëshe që strehuan rreth 350 banorë.
Vendbanimi është një pjesë e një kompleksi edhe më të madh nga e njëjta periudhë, që përfshin një njësi prodhimi të kripës, një vend të shenjtë e një nekropol.
“Një studim tërësor i vendit do të kërkojë shumë vite … Ka punë për të paktën shtatë breza arkeologësh në vendndodhje,” tha Nikolovi përSETimes.
Arkeologët thonë se besojnë se banorët e lashtë të Provadias nxirrnin jetesën duke prodhuar kripë. Ata dyshojnë se prodhimi nisi më 5500 përpara Krishtit dhe nga 4500 përpara Krishtit prodhohej 5,000 kg në vit.
Tregtia e kripës ndihmonte njerëzit e lashtë të përftonin materiale bruto, disa nga të cilat përdoreshin për të krijuar mallra luksoze si stolira e për të fituar gjithashtu fuqi ekonomike të madhe, shtoi Nikolovi.
Zbulimet e Providiasit mund të japin informacion të rëndësishëm rreth origjinës së thesareve të nekropolit kalkolitik të Varnës, që daton nga rreth 4300 përpara Krishtit.
Zbulimi më i fundit — një sënduk druri që përmban dy lloje të ndryshme thesaresh ari, por të një periudhe shumë më e vonshme e i lënë pas nga Getët, një tribu trakase — u zbulua në tumën më të madhe në vendin e Rezervës Historike e Arkeologjike të Sborjanovo, në Bullgarinë verilindore.
Me peshë më shumë se 1.8 kg, thesari ishte nga fundi i shekullit të 4-tërt ose fillimi i shekullit të 3-të përpara Krishtit, i varrosur si pjesë e funeralit të një sunduesi get, tha arkeologia Diana Gergova.
“E zbuluam arkën në një thellësi prej 8 metra … Brenda ishin dy komplete ari. I pari ishte një komplet stolish grash, duke përfshirë një kurorë unike e një tipi të pagjetur kurrë më parë. Ishin gjithashtu katër byzylykë spiralë e një unazë me një imazh të pabesueshëm në reliev të një luani,” tha Gergova përSETimes.
Kompleti tjetër përbëhej nga një hekur i kuqërremtë e një numër objektesh ari me të cilat ishte zbukuruar kurora, përfshirë dekorime të takëmeve të kalit si dhe dy pjesë të mëdha të rrumbullakëta me imazhin e perëndeshës Athina e një pjesë elegante balli me një kokë kali.
Gergova e Nikolovi pritet të vazhdojnë punën në terren në të dyja vendet verën e ardhshme, por gërmimet varen nga fondet.
Ministria bullgare e kulturës tha përSETimes se kishte caktuar 1.3 milionë euro më 2012 për gërmimin arkeologjik e ruajtjen anembanë Bullgarisë të 10 vendeve historike.
Ministri i Financave Simeon Xhankov premtoi vitin e kaluar të caktojë më shumë se 5 milionë euro për arkeologjinë në buxhetin e shtetit të 2013-tës.
Nikolovi tha se megjithëse buxheti u miratua, ai ende nuk e di sasinë që qeveria do t’i sigurojë atij.
“Sasia minimale e nevojshme për dy muaj gërmime është 61,000 euro,” tha ai përSETimes.
Duke ditur paqëndrueshmërinë e fondeve qeveritare, arkeologët thanë se gërmimet nuk do të ishin të mundshme pa mbështetje private.
“Nuk do të jemi në gjendje të vazhdojmë pa dhurime private,” tha Nikolovi.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply