“Nuk jam ende gati për të dalë në pension”
Më 31 janar do të shfaqet në kinema filmi i ri i ish-guvernatorit të Kalifornisë
“I’ll be back (unë do të kthehem) kishte thënë Arnold Schwarzenegger në filmin “Terminator”. Edhe një herë, ish-guvernatori i Kalifornisë shfaqet në ekranin e madh, për herë të parë pas përfundimit të mandatit të tij në postin e guvernatorit të Kalifornisë. Filmi ku do të jetë protagonist Schwarzenegger titullohet “The last stand” dhe do të shfaqet në kinema më 31 janar. Në film aktori interpreton sherifin e një qyteze të vogël amerikane në Arizona pranë kufirit me Meksikën, i cili tronditet nga futja në skenë e një trafikanti droge, i arratisur prej një burgu federal.
Zoti Schwarzenegger, mendoni se nuk kishte ardhur akoma koha për të dalë në pension?
Unë çlodhem vetëm kur punoj, në të kundërt jam i plogësht dhe gjithë nerva. Kam gjithmonë dëshirë të bëj diçka të re. Në qoftë se nuk do të kisha qenë i tillë, nuk do të arrija kurrë deri këtu ku jam sot. Ambicia ime është të shes. Kurrë nuk kënaqem me veten.
A mos vallë është etika protestante e punës?
Ndoshta, edhe pse jam rritur në një mjedis katolik, por që kur isha i vogël më mësonin të isha i dobishëm, të punoja fort, të ndihmoja të tjerët e kështu me radhë. Unë bëj gjashtë orë gjumë dhe kur zgjohem, ndihem në faj në qoftë se nuk çohem menjëherë nga shtrati. Pas kësaj, duhet të bëj menjëherë diçka. Ndihem i qetë vetëm kur jam produktiv. Nuk do të dal kurrë në pension. Sherifi në film e ëndërron pensionin, por unë jo.
A keni menduar ndonjëherë të ktheheni në Austrinë tuaj?
E mendoj, por jo më shumë se disa sekonda. E dua Amerikën, ndihem amerikan, kam përqafuar mënyrën e jetesës dhe ëndrrën e saj. Unë jam produkt i ëndrrës. E ku tjetër mund të kishte pasur sukses një djalosh nga mali që kishte pasion kulturën? Jam i marrosur pas ëndrrës amerikane dhe vazhdoj të besoj në të.
Ju mungon roli juaj si guvernator?
Sigurisht. Ishte një sfidë e shkëlqyer, ndoshta më e vështira që kam marrë përsipër. Ka qenë përgjegjësi dhe nder, një detyrë e jashtëzakonshme ku vazhdimisht përballeshe me subjekte dhe probleme të ndryshme. Nga ana tjetër, një guvernator qortohet nga të gjithë, politika, kinemaja, sporti. Është e pamundur t’i kënaqësh të gjithë, kështu që duhet të dish edhe të humbësh.
Cilat janë rezultatet politike për të cilat jeni më shumë krenar?
Kam promovuar shumë kauza ambientale, kam bërë ligje për ngrohjen globale, kam promovuar makinat hibride dhe elektrike, kam caktuar ndihmën për burimet e energjisë së pastër dhe asaj të ripërtërirë. Kalifornia po i parapërgatit industritë edhe në këtë fushë. Ajo është një djep idesh dhe risish jo vetëm për njerëzit me kulturë.
Në jetën private, keni pasur shumë probleme, madje së fundmi u ndatë edhe nga bashkëshortja. Ç’mund të thoni për këtë?
Në jetë kam pasur shumë dështime. Natyrisht në nivelin personal ndarja nga bashkëshortja ishte goditja më e madhe. Por sa herë jam rrëzuar, jam ngritur sërish dhe kam vazhduar para, pa e kthyer kokën pas. Në fund të fundit, kjo është jeta. Fajet e mia nuk mund t’ua hedh të tjerëve.
Cila ishte arsyeja që shkruat një autobiografi?
Botuesit ma kërkonin këtë gjë prej 20 vjetësh, por unë ndieja se akoma nuk kisha shumë gjëra për të thënë. Pastaj, pasi i dhashë fund karrierës politike, mendova se njerëzit mund të ishin të interesuar për jetën e një burri që fillimisht ishte aktori më i paguar i Hollivudit e më pas guvernator. E dija se do ta kisha tepër të vështirë, sepse mendja nuk më lejon kurrë të eci prapa, por të shoh vetëm para. Për mua, ka qenë shumë e vështirë të ulem në një tryezë dhe muaj pas muaji të rrëmoj e të kthehem pas në kohë deri në periudhën kur kam qenë fëmijë. Në fillim më dukej sikur do të çmendesha, por në fund ia arrita qëllimit. Mund të them se ishte një përvojë interesante, sepse më bëri më të vetëdijshëm për këtë që jam sot dhe pse.
Autor: Gazeta Shqip
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply