Lepuri është shfaqur në tokë rreth 1 milion vjet më parë.Në fillim, ai ka jetuar në Evropën e Veriut, por për shkak të ashpërsisë së klimës, ai u detyrua shumë shpejt të shpërngulej drejt zonave mesdhetare të Italisë dhe Spanjës si edhe nëpër ishuj. Një papirus, që tregon një njeri i cili mban një lepur nga veshët e tij të gjatë, është dokumenti më i vjetër që ka mbërritur deri në ditët e sotme. Ndërsa Fenikasit tregojnë në shkrimet e tyre se kur mbërritën në Pirene rreth vitit 1100 përpara Krishtit ata gjetën shumë lepuj të egër. Fenikasit, të cilët e quanin lepurin “shepam”, e përhapën në vende të tjera në mënyrë që të hanin mishin e tij.
Llojet
Ekzistojnë shumë lloje lepujsh të shkurtër: lepuri Polak, Britannia, lepuri me ngjyrë, lepuri Angora, lepuri Reks, Angora Anglez…
Ekzistojnë katër lloje ngjyrash:
Lepujt me një ngjyrë;
Lepujt të cilët përqark syve, flegrave të hundës, poshtë gushës, poshtë bishtit dhe barkut kanë ngjyrë të ndryshme nga ajo e qimes së trupit.
Lepujt me njolla: veshët, turiri dhe fundi i këmbëve janë më të errta.
Lepujt me figura me ngjyrë në disa pjesë të trupit.
Të dhëna dhe këshilla për lepurin
Lepuri është shumë i përshtatshëm për fëmijët sepse ai është një kafshë shumë e dashur dhe që mund të jetojë në liri
Lepuri dhe fëmijët
Lepuri është një kafshë shumë e brishtë dhe që ka shumë frikë, kështu që ka shumë rëndësi që fëmija të jetë i përgjegjshëm paraprakisht për mirëmbajtjen e tij.
Ja pyetjet që duhet t’i bëjë vetes kushdo përpara se të vendosë për të blerë një lepur:
E keni të paktën një orë kohë në ditë për të ushqyer lepurin dhe për të pastruar kafazin e tij?
Në rast se qëndron vetëm në apartament, lepuri vuan nga vetmia. A mendoni të blini një kafshë tjetër për të mos e lënë vetëm?
A keni një ambient me pak zhurmë, ku të mos ketë shumë hyrje-dalje, ku mund të vendosni kafazin e lepurit?
A keni një ballkon apo një kopsht ku mund të vrapojë lepuri gjatë stinës së bukur?
A jeni të predispozuar ta lini për të shëtitur në shtëpi një orë në ditë?
Do të ruani qetësinë në rast se gjeni jashtëqitje të lepurit në shtëpi? Nuk bëhet fjalë për urinën, të cilënm ai e bën në vendin e duhur.
Gjatë pushimeve, a mund ta merrni me vete apo të lini dikë që të merret me të?
Në rast se keni një kafshë tjetër në shtëpi, do ta gjeni kohën për t’u marrë me të dy në mënyrë që ata të mësohen me njëri-tjetrin?
A u pëlqen të gjithë familjarëve idea e mbajtjes së një lepuri?
A jeni i sigurt që asnjë pjestar i familjes nuk është alergik ndaj qimeve të lepurit?
Lepuri mashkull apo femër?
Përsa i përket bukurisë, inteligjenncës dhe dashurisë, nuk ka ndonjë ndryshim midis mashkullit dhe femrës. Megjithatë, femrat janë në përgjithësi më të qeta, ndërsa meshkujt kanë një problem: në moshë të rritur, ata shënojnë territorin, domethënë muret dhe mobiljet e shtëpisë, nëpërmjet urinës. Ky veprim është instiktiv, kështu që nuk ka asnjë dobi në rast se e qortoni kafshën.
Vetëm apo në çift?
Në natyrë, lepujt janë kafshë që jetojnë në koloni të mëdha të përbëra nga dhjetra individë, gjë që bën të mundur që ata të mos vuajnë nga ndjenja e vetmisë. Në rast se i zoti kalon një pjesë të mirë të kohës në shtëpi, shoqëria e tij mund t’i mjaftojë lepurit; por në rastin e kundërt, duhet gjetur një zgjidhje në mënyrë që kafsha të mos jetë e trishtuar. Ka disa zgjidhje. Blini dy lepuj të vegjël femra: ato në përgjithësi shkojnë shumë mirë me njëra-tjetrën kur rriten së bashku dhe është edhe më mirë në rast se janë motra.
Mosha ideale për blerjen e lepurit
Kur vendosni për të blerë një lepur, duhet pasur parasysh edhe mosha e tij, sepse ai nuk duhet të ndahet shumë herët nga familja e tij. Për një ndarje jo traumatike dhe në mënyrë që ai të mësohet shpejt me jetën e tij të re, momenti më i mirë është rreth moshës shtatë – tetë javë. Por nuk është e thënë që të blihet medoemos një lepur i vogël, sepse edhe lepuri i rritur mësohet shumë shpejt të jashtëqitë në vendin e duhur dhe ai është më i qetë dhe bën më pak gabime kur lihet i lirë në shtëpi.
Sjellja
Lepuri është një kafshë që jeton ditën, që bashkëjeton pa asnjë problem me derrat e Indisë e që zbutet shumë lehtë. Ai mund të jetojë pak edhe jashtë kafazit.
Ushqimi
Lepuri është vetëm barngrënës, gjë që nuk do të thotë se ai ha vetëm bar, por që ushqimi i tij përbëhet kryesisht nga fibrat që ndodhen në bimët e ndryshme, në barin e thatë, në karota e fara. Lepuri duhet t’i përtypë shumë gjatë këto ushqime, sepse për të qenë të shëndetshme, dhëmbët e kafshës kanë nevojë të brejnë gjithë ditën ushqimet “bruto”.
Shëndeti
Temperatura normale e lepurit është nga 38 në 39 °C. Lepuri është shumë i ndjeshëm ndaj korizës, ndaj të nxehtit që shkakton probleme kardiake, ndaj diarreve të shkaktuara nga keq-ushqyerja dhe ndaj zgjebes së veshëve. Për të evituar këto sëmundje, mos ia ndryshoni asnjëherë ushqimin, merrni masat nëse ka rrjedhje në hundë apo në sy dhe mbajeni temperaturën e ambientit në 18 °C. Ai është i ndjeshëm ndaj myxomatozës për të cilën ka një vaksinë e cila duhet t’i bëhet që kur lepuri ka mbushur moshën tre muajsh.
Riprodhimi
Lepuri arrin pjekurinë seksuale në moshën 6 muajsh.
Periudha e riprodhimit është gjatë gjithë vitit.
Numri i pjelljeve në vit është nga 2 deri në 3.
Numri i të vegjëlve në çdo pjellje është nga 3 deri në 4.
Kohëzgjatja e shtatzanisë është 1 muaj.
Kohëzgjatja e dhënies së gjirit është 3 javë.
Pesha e lepurit në lindje është nga 30 deri në 40 gr.
Kur është urgjente vajtja tek veterineri për lepurin apo brejtësit e tjerë?
Kur një brejtës është i sëmurë, pamja e tij e përgjithshme dhe sjellja e tij ndryshojnë
Kafshët nuk flasin, por disa qëndrime të tyre mund të jenë një paralajmërim për gjendjen e tyre shëndetësore. Mësoni si t’i dalloni këto sinjale që ju shtyjnë për të shkuar tek veterineri.
Me përjashtim të rasteve kur keni asistuar në një aksident (kur kafsha është plagosur) apo keni parë kafshën tuaj të pijë apo të gëlltisë një produkt të rrezikshëm për të (kur kafsha është helmuar), gjë që ju detyron të kërkoni menjëherë ndihmën e veterinerit – është kryesisht ndryshimi në qëndrimin e saj që duhet t’ju bëjë të merrni masat.
Lepuri apo një brejtës
Kur një brejtës është i sëmurë, pamja e tij e përgjithshme dhe sjellja e tij ndryshojnë. Për shembull, ai mund të qëndrojë i strukur në qoshen e tij, me sytë gjysmë të mbyllur dhe sidomos, ai nuk vjen për të kërkuar ushqimin. Frymëmarrja e tij është me hope dhe gëzofi i lënë në harresë. Ai nuk reagon më ndaj gjërave që e stimulojnë zakonisht dhe nëse jeton me brejtës të tjerë, ai ka për tendencë të tregohet agresiv në rast se këta të fundit e shqetësojnë. Duhet të konsultoheni shpejt me veterinerin, së pasi ngaqë ai mund të jetë në rrezik për jetën dhe së dyti, ngaqë shumë nga sëmundjet e këtyre kafshëve të reja shtëpiake janë ngjitëse dhe kafshët e tjera që bashkëjetojnë me të mund të sëmuren edhe ato. Ndërkohë që prisni të shkoni tek veterineri, mbajeni mënjanë brejtësin e sëmurë dhe lajani kafazin.
living.al
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply