Çështja kombëtare jo rrallë është ndikuar nga kontekstipolitik duke filluar nga rikthimi i monarkisë, rreshtimi me aleancën antifashiste, bashkim-vëllazërimi me jugosllavët, harmonia e kampit socialist, internacionalizmi proletar, lufta e ftohtë dhe tashmë prej dy dekadash, aspirimi për në BE dhe fryma e fqinjësisë së mirë(!).Integrimi shqiptar, në rrugë paqësore dhe legale, nuk është antieuropian, sepse përpara se ta bashkohemi me serbin dhe grekun në Bruksel, duhet të kalojmë testin e integrimit mes nesh.
Çështja shqiptare është borxh shekullor europian dhe mohimi i vetvetes nuk e ka sjellë Europën më pranë. Përkundrazi, BE, duke e vënë theksin tek vota e lirë e 2013 (me këtë mazhorancë është bast i humbur) me tepër sesa presion ndaj mazhorancës, duket sikur po përgatit alibinë e radhës për të ngrirë perpetum kandidaturën e Shqipërisë, të atij vendi që me Skënderbeun u sakrifikua në mbrojtje të Europës së krishterë dhe prej 1913, ndonëse i gjymtuar, mbetet faktor paqeje në rajon (shkëputja prej Traktatit të Varshavës, lufta e Kosovës etj). Nëse ka vend për ndëshkim prej BE, nuk ka pse të pritet 2013 dhe sigurisht nuk duhet të jetë qytetari shqiptar që duhet t’i refuzohet lëvizja dhe integrimi, por lidershipi problematik partiak duke filluar nga refuzimi i lëvizjes, denoncimi i llogarive bankare jashtë shtetit etj.
Dinjiteti dhe integrimi shqiptar, ku dhe ndryshimi paqësor i kufijve nuk është më tabu, nuk bie ndesh me integrimin europian. Përkundrazi. Ai shfryn valvola tensioni të kahershme të nacionalizmit shovinist me zanafillë 1913, duke hedhur farën e harmonisë perpetum në Ballkan. Kjo sepse fitilin e barutit në Ballkan nuk e ndezi asnjëherë aspirata për Shqipëri Etnike por oreksi i fqinjëve i shtuar artificialisht prej 1913-ës.
Rrjedhimisht, duke i vënë kapak ‘luftës së ftohtë’ nacionaliste, fokusi politik dhe publik do të orientohet rreth zhvillimit dhe integrimit ndër-rajonal duke krijuar një treg panballkanik me interes për vetë BE. Në planin shqiptar, ai përmbush një amanet rilindësish dhe aspiratën e 1912-s sikurse i jep dinjitet rrugëtimit europian, mundëson integrimin e përshpejtuar të Kosovës, rrit valencën e zërit shqiptar në BE dhe krijon një treg solid shqiptar të aftë të joshë dhe absorbojë megainvestime me efekt të ekonomisë së shkallës prej korporatave me zë perëndimore. Integrimi panshqiptar na shndërron në të njëjtën kohë në aleat dhe partner dinjitoz dhe efektiv të SHBA të cilëve iu detyrohemi aq shumë duke përmbushur si duhet interesat reciproke gjeopolitike.
INA
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply