Pas ngjarjeve të shumta kriminale në vend shumë qytetarë janë shprehur se janë dakord për rikthimin e dënimit me vdekje, ndërsa të tjerë janë në dilemë. Ngjarja e fundit në Fier ka rikthyer edhe një herë debatin nëse duhet apo jo dënimi me vdekje, si masë detantë ndaj krimeve të rënda. Heqja e dënimit me vdekje ka qenë një kërkesë e hershme e Komunitetit ndërkombëtar dhe veçanërisht Bashkimit Evropian.
Faktor.al sjell në vëmendje dënimi i fundit me vdekje i aplikuar në Shqipëri, me varje në mes të qytetit. Varja ndodhi tetë muaj pasi kishte ardhur demokracia, por legjislacioni nuk kishte ndryshuar ende.
Dy personat në foto janë vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko nga fshati Libofshë i Fierit që u shpallën fajtorë për vrasje të shumëfishtë në atë që u quajt “Masakra e Libofshës”.
Ngjarja ndodhi në 29 maj të vitit 1992 kur këta hynë në mesnatë në banesën e familjes Puto me qëllim të grabitjes. Si pasojë ata vranë djalin e vogël të shtëpisë, së bashku me nusen e tij, babanë dhe nënën – pasi e torturuan për një orë – dhe në fund mbesën 8-muajshe të familjes.
Ngjarja bëri bujë të madhe në Shqipërinë e asaj kohe. Opinioni qytetar kërkoi dënim me vdekje për autorët. Pas një gjyqi prej 24 ditësh, të dy vëllezërit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me vdekje: ekzekutim me varje në mes të qytetit.
Varja u bë me 25 qershor 1992 në mes të qytetit të Fierit dhe trupat u lanë të varur deri mbrëmjen tjetër, për t’u parë nga turma njerëzisht që erdhën dhe nga qytetet e tjera.
Versioni zyrtar i masakrës:
I përmendur qindra herë në raportimet e gazetarëve të medieve të ndryshme raporti zyrtar sjell para publikut dinamikën e ngjarjes së ndodhur 24 vjet më parë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00. 45, të datës 29 Maj 1992, në shtëpinë pronë e familjes Pupa. Ata kanë shfrytëzuar dritaren e njërës prej dhomave ku flinte foshnja tetë muajsh, Magdalena. Kanë përkulur majat e hekurave të dritares, kanë hequr njërin prej katrorëve të xhamave të saj dhe janë futur në brendësi të banesës. Me qetësi kanë goditur me një sëpatë mbi 30-vjeçarin, Agim Pupa, që kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Greqia, ku kishte emigruar për afro 1 vit.
Po me sëpatë ata kanë qëlluar mbi bashkëshorten e Agimit. Ajo ka ndier nëpër gjumë hapat e hajdutëve dhe është përpjekur të dalë nga dhoma. Aty mes dhomës është qëlluar me sëpatë, duke vdekur me dorën mbi ballë, për tu mbrojtur nga goditja. Autorët, më pas kanë lidhur nënën e Agimit, Zenepen, dhe, pasi janë përleshur me burrin e saj, Petritin, e kanë qëlluar atë për vdekje. Vrasësit kanë torturuar gruan e moshuar, duke dashur që ajo të tregonte lekët, kursime të të birit, dhe e kanë lënë duke dhënë shpirt në korridor. Foshnja e vogël ka qarë vazhdimisht dhe autorët e kanë goditur atë me levë pas qafe, madje i kanë përdredhur edhe kokën.
Mustafa Pupa është përballur me skenën e llahtarshme në mëngjesin e ditës pasardhëse. Fillimisht ai ka parë nënën e përgjakur të shtrirë në korridor, muret dhe deri dhe tavanet e gjakosur. Nëna, Zenepja ka vdekur dy orë më pas, rrugës për në spital. Ekspertiza mjeko-ligjore ka nxjerrë se çifti i bashkëshortëve, Agim dhe Rajmonda Pupa, vdiqën në vend pas goditjes. Të katër viktimat kanë patur shenja të goditjeve të thella me sëpatë. E mitura, goditje me levë dhe spërdredhje të kokës! Andon Beta, gjyqtari i fundit që dha vendim për dënim me varje Kryetari i trupës gjykuese të kësaj çështjeje ka qenë Andon Beta. Sot ai ushtron profesionin e avokatit pranë Dhomës së Avokatëve, Fier. Atë ngjarje s`mund ta harrojë lehtë. E pranon.
Di çdo detaj të atij vendimi, madje mban mend edhe sallën ku u mbajt seanca. Sigurisht nuk ka qenë si gjithë seancat e tjera të jetës së tij: “Atë ngjarje mundohem ta harroj, por s’mundem. Ishte tmerr! Me prova shkencore u provua autorësia e tyre, Plus dhe dy të pandehurit e pranuan vetë autorësinë, pa harruar këtu edhe dëshmitarë të ngjarjes, që identifikuan autorët. Kujtoj se dënimi u krye shpejt. Ngjarja ishte tronditëse. Jo vetëm se dënimin e kërkonte opinioni qytetar, por të bazuar në ligj shpejtuam gjykimin. Shorti më ra mua. U futa të studioja çështjen, përcaktova masat për gjykim, lajmërimin e të pandehurve, palës mbrojtëse, dëshmitarëve. Gjyqi është zhvilluar në një nga sallat kryesore të gjykatës. U zhvillua me ftesa. Salla mbante brenda saj 250 vetë. Kaq mund të them se morën pjesë atë ditë në seancë.
faktor.al


Leave a Reply