Përveç Kinës, Shqipëria nisi të forconte marrëdhëniet me Korenë e Veriut pas tensioneve me Bashkimin Sovjetik. Gazeta publikon një raport që ambasadori shqiptar në Kore Manush Myftiu dhe një delegacion shqiptar, dërguan në Tiranë, ku jepeshin detaje për një takim që kishin me liderin e Koresë, Kim Il Sung.
04 tetor 1961
Pritja e delegacionit të partisë shqiptare nga shoku Kim Il Sung dhe bisedimet mes tij dhe shokut Manush Myftiu mbi marrëdhëniet e jashtme të Republikës Demokratike të Koresë, veçanërisht ato me Bashkimin Sovjetik. Gjatë takimit me shokun Kim Il Sung nuk mund të mbaheshin shënime as nga shokët e delegacionit dhe as nga përkthyesit. Por shoku Manush e di mirë se çfarë u bisedua dhe me qëllim ruajtjen e të dhënave ne po paraqesim mendimet e shprehura nga Kim Il Sung aq sa mbajmë mend nga biseda. Këtu po përfshijmë dhe temat e diskutuara mes ambasadorit korean në Shqipëri An Jong dhe shokut Manush, dy ditë para bisedës me Kim Il Sung. Më 7 shtator 1961 drejtori korean i punëve të jashtme thirri në takim me krerët e misioneve diplomatike të vendeve socialiste. Ai informoi ata që ishin prezentë për ardhjen e delegacioneve të huaja me rastin e kongresit, axhendën e Kongresit dhe aktivitetet e përditshme gjatë qëndrimit të delegacioneve në Kore. Pas mbylljes së Kongresit delegacionet do të ndaheshin në grupe për vizita në provinca të ndryshme dhe qendra prodhimi. Ai tha se sipas dëshirës, delegacionet mund të ndiqnin vetëm kongresin, por ishte më e dobishme të ndiqej programi i rekomanduar. Ai e tha këtë në mënyrë që të gjithë të diskutonin dhe të shprehnin mendimet e tyre mbi atë që donin të bënin, veçanërisht për vizitat në vend. Drejtori tha se nuk kishte plane për ceremoni të veçanta për ardhjen e delegacioneve, ndoshta duke iu referuar rojës së nderit apo fjalimeve të mbërritjes. Delegacionet që vinin para nisjes së kongresit do të priteshin nga udhëheqja dhe Kim Il Sung, siç ndodhi në fakt. Delegacioni ynë u shoqërua te vila e qëndrimit nga anëtari i komitetit qendror të partisë Jeong Il iong. Në ditën e dytë ai erdhi te ne i shoqëruar nga ambasadori korean në Tiranë dhe darkuam së bashku. Ai përfitoi nga kjo mundësi për të na treguar për programin e kongresit dhe për të na përsëritur të ndjeheshin e të shpreheshim si në shtëpinë tonë. Drejtori i Punëve të Brendshme të partisë përsëriti gjatë takimit se delegacionet e vendeve socialiste do të mbanin takime të veçanta me udhëheqësin Kim Il Sung. Gjatë zhvillimeve të kongresit u informuam se delegacionet e vendeve socialiste po vizitoheshin nga Kim Il Sung. Në një nga rastet, shoferi i misionit tonë pa një natë shokun Kim Il Sung që vizitoi delegacionin rumun që po qëndronte jo shumë larg rezidencës sonë. Ai qëndroi atje rreth dy orë. Delegacionit tonë ende nuk po i vinte radha e vizitës megjithëse kongresit po i vinte fundi. Në bashkëpunim me shokun Manush ne u interesuam me përkthyesin e delegacionit nëse ishte programuar një vizitë e tillë. Ai tha se nuk e dinte dhe se do të kontrollonte me shefin e protokollit. Por as ai nuk na dha një përgjigje. Prandaj ne po humbnim shpresat në një farë mase për një takim me Kim Il Sung, kjo pasi edhe gjatë zhvillimeve të kongresit ai nuk u afrua shumë me delegacionin tonë. Ditën mbylljes së kongresit Koreja, kur liderët po mblidheshin për të bërë foto me udhëheqjen e vendit, shoku Kim Il Sung u takua me shokun Manush dhe i tha se nuk ishte takuar më parë me delegacionin tonë pasi kishte mësuar sedo të qëndronim deri në 26 shtator, dhe se tani që kongresi u mbyll do të gjente kohën për t’u takuar me të
Takimi dhe biseda
Siç e përmendëm më parë pritja për delegacionin tonë u mbajt më 25 shtator 1961 prej orës 18.00 deri në ora 20.50, pra zgjati rreth tre orë. Delegacioni ynë u shoqërua nga përkthyesi i ambasadës. Përveç shokut Kim Il Sung ishte dhe zv. kryetari i partisë koreane Ri Hio Sn dhe ambasadori korean në Shqipëri, An Jong. Pritja e shokut Kim Il Sung ishte e ngrohtë dhe miqësore, ndërsa biseda e sinqertë. Biseda u nis nga udhëheqësi korean, i cili e pyeti shokun Manush për shëndetin pasi kishte dëgjuar që nuk kishte qenë mirë ditët e fundit. Më pas ai e pyeti për shëndetin e shokut Enver Hoxha dhe shoku Manush u përgjigj se ishte mirë dhe se i kishte kërkuar t’i çojë përshëndetjet shokut Kim. “Shumë mirë atëherë, po përse shoku Enver nuk viziton ndonjëherë vendin tonë ose Kinën? Ne e kemi ftuar atë të vijë në Kore”, tha shoku Kim Il Sung. Shoku Manush u përgjigj se nuk e dinte dhe se do të pyeste. Ai e falënderoi dhe i tha se do t’ia kalonte mesazhin shokut Enver. Ai nuk e zgjati më tej çështjen. Kim Il Sung tha: “Ne mendojmë se Kongresi ynë shkoi mirë. Nuk e dimë çfarë menduat ju”. Shoku Manush tha se kongresi kishte shkuar shumë mirë dhe me shumë entuziazëm. Ai tha se kishte lexuar raportin e shokut Kim për planin shtatë-vjeçar ku problemet trajtoheshin korrektësisht. Shoku Manush tha gjithashtu se gjatë vizitave në qendrat prodhuese kishte vërejtur se njerëzit e thjeshtë flisnin me entuziazëm për detyrat dhe perspektivën e vendit. Ai shtoi se një arritje e tillë vjen vetëm nga uniteti i fortë i partisë me masat dhe zbatimi korrekt i linjës së partisë. Kim Il Sung e falënderoi për fjalët e ngrohta dhe e pyeti për të korrat në Shqipëri. Ai tha se kishte dëgjuar që të korrat kishin qenë të mbara në Evropë dhe në BRSS por më shumë në Poloni dhe në Shqipëri. Shoku Manush tha se ne nuk kishim ecur shumë me prodhimin këtë vit, pasi megjithë dukej një vit premtues, një thatësirë goditi prodhimin. “Nga mbjellja e dytë e misrit nuk morëm thuajse asgjë dhe gjithçka e përdorëm si ushqim për kafshët. Objektivat e mbjelljes së grurit nuk u arritën dhe sipas planit dolëm rreth 80 mijë ton mangët, të cilin duhet të zëvendësojmë me importe”, tha Muftiu. KimIl Sung tha se prodhimi bujqësor këtë vit në Kore ishte i kënaqshëm, por gjithsesi ata duhet të importonin rreth 100 000 ton grurë. Ai shtoi se duhet të zgjidhnin patjetër çështjen e prodhimit të bukës në vend. Më pas biseda u kthye në drejtim të çështjeve të tjera të bujqësisë si ujitja, tharja e tokave, mekanizimi i bujqësisë. Kim Il Sung tha: “Këtë vit kemi marrë një mesatare prej 4.5 ton grurë për hektarë. Ndoshta dhe Shqipëria duhet të rrisë sipërfaqen e mbjellë me oriz. Ne kemi eksperimentuar me mbjelljen e orizit me farë dhe jo me kërcell, si grurin, dhe kemi marrë rezultate të mira. Po ju tregoj një farë gruri që ta shohë delegacioni juaj. Ky grurë duket si oriz, por është vetëm një farë e vogël. Është fara më e vogël që ne mbjellim. E kam marrë me vete për ta diskutuar në byronë politike dhe për të vendosur nëse të shtojmë mbjelljen e saj pasi në disa kooperativa që e kemi testuar ka dhënë rreth katër ton për hektarë në tokë të thatë. Ndoshta kjo është e përshtatshme dhe për në Shqipëri, për t’u mbjellë në vende pa shumë ujë afër. Është e vërtetë që kemi pasur sukses në zhvillimin e ekonomisë në vendin tonë. Ne kemi pasur shumë vështirësi. Por miqtë tanë na kanë dhënë hua dhe ndihmë dhe ne deshëm t’i përdorim në mënyrën e duhur pasi nëse i konsumonim ndihmat për një ose dy vjet nuk do të mbetej asgjë. Ne e pranojmë ndihmën por e përdorim ashtu si dimë ne dhe sipas nevojave tona. Sovjetikët mund të na pyesin: ‘Përse nuk merrni ushqim nga ne por kërkoni makineri?’ Disa elemente fraksionalë u ngritën kundër nesh dhe na sulmuan. Ata thanë se ne nuk duhet të nisnim zhvillimin e ekonomisë dhe se po dënojmë popullin me vdekje nga uria. Dhe në fakt në vitin 1956 rreth kur Enver Hoxha erdhi për vizitë, ne po përballeshim me vështirësi të mëdha dhe ishim në luftë me këta elementë, pasi ende nuk i kishim mundur dhe demaskuar. Ne folëm me shokun Hoxha për këtë çështje dhe ai na mbështeti. Por elementët sektarianë nuk ishin vetëm. Ata kishin mbështetje nga jashtë dhe shokët sovjetikë i përdorën ata për të bërë presion ndaj nesh. Ata kërkuan mbajtjen e një plenumi për të diskutuar, por ne e dinim se çfarë kërkonin të bënin. Me këto pretekste ata kërkonin të bënin ndryshime në udhëheqje. Ne mund ta refuzonim plenumin apo pjesëmarrjen por me qetësi ne pranuam thirrjen e plenumit dhe e diskutuam çështjen. Aty me anë të fakteve dhe unitetit tonë ne i shkatërruam elementët përçarës dhe mbështetësit e tyre. Ne i demaskuam ata dhe i përjashtuam,- tha shoku Kim Il Sung duke bërë gjestin e prerjes së fytit,-Në këto kushte dhe sovjetikët nuk kishin çfarë të bënin. Ata e panë që këta elemente nuk kishin më mbështetje. Ata erdhën në takim me qëllim të më diskreditonin por u larguan duarbosh pasi e vërteta ishte me ne. Tani ata përpiqen të manovrojnë por e shikojnë se nuk kanë ku të mbështeten pasi ne vepruam me korrektësi. Tani edhe ata thonë se ne kishim të drejtë dhe se asistencën e marrë ne e përdorëm në mënyrën e duhur. Tani edhe thonë se gabimi rëndon mbi Mikojan dhe kjo është diçka e mirë”, tha Kim Il Sung, duke sinjalizuar se gabimi nuk qëndronte vetëm me Mikojan por me të gjithë udhëheqjen sovjetike. “Ambasadori Ivanov, që ka punuar këtu, ishte një njeri i keq që i ka drejtuar këta elementë duke i nxitur dhe duke i pëshpëritur në vesh. Ne ia thamë këtë shokut Kozlov dhe ai e pranoi se Ivanov ishte një njeri i keq dhe tha se e kishin transferuar në një post të ulët, tha ai.
Situata me BRSS
Shoku Manush tha se e njihte mirë Ivanov dhe se pas largimit nga Koreja kishte nisur aktivitete të ngjashme edhe në Shqipëri. Ai kishte arritur deri aty sa të infiltrohej në ushtri për të provokuar gjeneralët tanë, si në rastin kur pyeti drejtorin politik të ushtrisë se për cilën palë do të luftonte. Drejtori u përgjigj se ushtria gjithmonë do luftonte për partinë.Shoku Kim Il Sung tha: “Ne i tejkaluam vështirësitë tona me anë të unitetit kundër elementëve anti-parti. I përjashtuam ata nga radhët tona dhe kjo nuk na dobësoi, por përkundrazi na bëri më të fortë. Kemi shumë raste me këta njerëz që i kemi ndihmuar dhe ulja e tyre në përgjegjësi është gjëja më e mirë pasi i ndihmon të riedukohen. Kemi pasur një shkrimtar që ishte një nga fraksionistët. Ai nuk punonte mirë dhe ne e dërguam në punë në qendrat e prodhimit. Në fillim edhe atje ai nuk punoi mirë pasi ishte mësuar me komfortin e zyrës. Një herë punonjësit u ngritën kundër tij duke i thënë se nëse nuk punonte mirë do t’ia prisnin kokën me hanxhar. Ai e kuptoi se nuk kishte rrugë tjetër por të punonte si të tjerët dhe pas dy-tre vitesh punë ai ndrysho dhe ne e sollën përsëri në Lidhjen e shkrimtarëve. Kemi pasur një tjetër element fraksional dhe këtu në drejtorinë e industrisë së komitetit qendror. Ne u përpoqëm ta ndihmonim por ai nuk ndryshonte, prandaj e hoqëm dhe e çuam në qendrat e prodhimit. Atij iu hoq dhe makina që kishte dhe e kuptoi që duhet të ndryshonte. Pas rehabilitimit të tij ne e kemi sjellë përsëri këtu në komitetin qendror. Kjo është situata me fraksionistët dhe elementët antiparti. Ata duhet të ndihmohen por ne do të vazhdojmë të marrim masa kundër tyre. Duke vepruar në këtë mënyrë partia nuk dobësohet por forcohet, sipas eksperiencës sonë. Edhe ju në Shqipëri keni pasur dhe keni tejkaluar vështirësi të tilla, duke spastruar elementët dhe duke forcuar unitetin e partisë me masat”. Shoku Manush Mytftiu u shpreh dakord me Kim Il Sung dhe tha se eksperienca e partisë sonë tregonte se masat e marra ndaj këtyre elementëve dhe ndihma e dhënë për ta nganjëherë nuk jepte fare efekt pasi ata vazhdojnë t’i rezistojnë ndryshimit.
Kim Il Sung: Vështirësitë tuaj mund të jenë më të mëdha pasi po përpiqeni të ndërtoni socializmit duke qenë të rrethuar nga armiqtë dhe nga revizionistët jugosllavë. Ne i dimë dhe i vlerësojmë vështirësitë që po kaloni. Jemi shqetësuar edhe për mosmarrëveshjet tuaja me BRSS. Ndoshta ju nuk jeni të autorizuar për të folur mbi çështje të tilla por desha të shpreh mendimet e mia mbi mosmarrëveshjet dhe t’ia kaloni ato shokut Hoxha. Ne jemi larg nga njëri-tjetri dhe takohemi rrallë. Sikur të kishim qenë pak më afër do të kisha folur vetë me shokun Hoxha por ende nuk po vjen kjo mundësi, prandaj dhe ju përmenda më herët ftesën për shokun Hoxha. Ne mendojmë se mosmarrëveshjet mes partisë suaj dhe partisë sovjetike e vendeve të tjera socialiste, duhet të shuhen pasi nuk janë në interes të lëvizjes ndërkombëtare socialiste dhe të revolucionit. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë dhe duhet gjetur një zgjidhje. Nuk mund të vazhdojnë gjatë situata të tillë mes vendeve socialiste që punojnë për të njëjtin objektiv dhe ndjekin të njëjtin kurs. Ne jemi të shqetësuar për situatën dhe na vjen keq për vështirësitë që po kaloni. Sa më shumë të zgjatet situata aq mëkeq është, por ne mendojmë se nuk është tepër vonë. Ka ende kohë për të zgjidhur çështjet, prandaj duhet vepruar me guxim dhe duhet manovruar me kujdes. Duke vazhduar në këtë rrugë nuk mund të fitohet asgjë, pasi situata mund të bëhet edhe më e akullt. Me anë të korrespondencës suaj, me replika dhe kundër-replika të shkruara nuk do të ketë rezultate. Nuk është mirë që kjo të vazhdojë teksa është bërë një vit që kur ne kemi dalë me deklaratën e përbashkët të Konferencës së Moskës. Ne i dimë vështirësitë tuaja dhe ju kemi mbështetur në luftën kundër revizionizmit. Ne ju kemi ndjekur në vitin 1956 dhe më vonë në 1958, kur Mikojan dhe Peng Dehuai tentuan për përziheshin në punët tuaja të brendshme. Mosmarrëveshjet tona me ta janë të njëjta me ato që ju kemi sot. Por ne i kaluam në heshtje falë unitetit të partisë. Asokohe ne nuk shkuam te parti të tjera dhe nuk i shkruam letra mbi mosmarrëveshjet. Ne i vumë rëndësi gjendjes së brendshme dhe unitetit në mënyrë që ata të mos na gjenin gabime dhe të mos na akuzonin, siç tentuan të bëjnë. Në vitin 1957 unë shkova në takimin e Moskës dhe fola pa thënë asnjë fjalë për mosmarrëveshjet tona. Prej mosmarrëveshjeve nuk mora pjesë në kongresin e 20-të të partisë sovjetike. Kur unë u ngrita të flas në takimin e Moskës tëgjithë hapën veshët të dëgjonin mbi divergjencat por unë nuk fola si Gomulka dhe nuk e preka fare çështjen, kështu që sovjetikët dhe të tjerët nuk kishin ku të kapeshin. Ne i folëm hapur mosmarrëveshjet tona me sovjetikët dhe me shokun Mao Ce Dung. Asokohe edhe shoku Hoxha na mbështeti. Ne i thamë për problemet tona dhe ai, duke ngritur një gotë konjak me mua, u prek shumë nga situata. Por ne i kemi kaluar tashmë vështirësitë tona dhe kemi përmirësuar marrëdhëniet me të gjithë. Tani ata janë të kujdesshëm në veprimet e tyre dhe as ne nuk i japim shanse për të rifilluar tensionet. Prandaj në raste tilla nevojitet durim”. Unë nuk jam i autorizuar nga Byroja për të diskutuar për këtë por opinioni im personal dhe këtë e them nga bisedat me shokët e tjerë, është se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen …
/Agjensia e Lajmeve Sot News/
Leave a Reply