Në Shqipëri sot në orët e para të mëngjesit u sekuestrua një sasi prej 613 kilogram kokaine, e cila në treg mund të kap një vlerë prej 180 milion eurosh. Droga e cila kishte ardhur nga Kolumbia u gjet e fshehur në kontenierët që transportonin banana. Dy persona u arrestuan dhe një tjetër është në kërkim. Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda që bashkërenduan operacionin folën për një ndërhyrje të suksesshme, ndërkohë që sipas opozitës sasia e kapur është dëshmi se krimi i organizuar me mbështetje qeveritare ka marrë nën kontroll dhe trafikun e drogave të forta.
Anija e nisur nga Kolumbia kishte ardhur në Portin e Durrësit që më 19 shkurt, pasi më parë kishte kaluar tranzit në Itali dhe në Maltë. Dyshimet kanë lindur nga hetimi doganor, i cili më pas sinjalizoi policinë. Kjo e fundit së bashku me Prokurorinë për Krimet e Rënda vendosi të ndërhyje mbrëmjen e djeshme. “Kokaina ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane. Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç. Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët. Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike”, shpjegoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu.
Në pranga përfunduan dy persona, Donaldo Lushaj, 25 vjeç dhe Armando Pezaku, 25 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim A.Ç., pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike. Si zoti Veliu ashtu dhe drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda u shrpehën se hetimet vijojnë, dhe me partnerët e huaj, për të zbuluar lidhjet e këtij grupi dhe personat e tjerë të përfshirë si dhe për të evidentuar pasuritë e tyre.
Por ndërsa operacioni konsiderohet si ndër më të suksesshmit, duke qenë se bëhet fjalë për një sasi shumë të madhe droge, kurrë më parë të zbuluar në vend, dhe me një vlerë prej afro 180 milion eurosh, për opozitën bëhet fjalë për një kronikë të paralajmëruar prej saj dhe se sipas saj operacioni ishte mundësuar nga agjensitë e huaja partnere. “Një ngarkesë e vetme 180 milionë euro. E kam denoncuar dhe e kemi denoncuar me dhjetëra herë në parlament, në mediat tuaja dhe kudo, epoka e kanabisit tani është pasuruar me heroinën, kokainën dhe pastrimin e parave të pista. Dhe pikërisht këtu vjen edhe rreziku ekzistencial për shoqërinë, sepse siç u shpreh edhe prokurori i Antimafies, tani rreziku i kriminalitetit është mbartur drejt politikës dhe ekonomisë”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Ndaj deklarimeve të zotit Basha reagoi menjëherë policia e cila saktësoi se operacioni është kryer eskluzivisht nga agjencitë shqiptare, dhe për pasojë e cilëson “të pakuptueshëm dhe absurd” sulmin e opozitës ndaj saj, kur në të vërtetë, sic thekson deklarata, “ky ishte rasti më i mirë për të vlerësuar e përgëzuar punën e policisë e të agjencive të tjera ligjzbatuese të Shqipërisë”.
Nga ana e tij Presidenti Ilir Meta përshendeti aksionin e sotëm. “Duke theksuar rrezikun kryesor që i vjen sigurisë kombëtare të vendit nga fuqizimi i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, Presidenti kërkon thellim të mëtejshëm dhe intensifikim të bashkëpunimit të agjencive ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë, domosdoshmërinë për rritjen e kapaciteteve për forcimin e sigurisë së kufijve të vendit,dhe inkurajon pastrimin e Policisë së Shtetit dhe gjithë agjencive ligjzbatuese nga elementët e inkriminuar”, thekson deklarata.
Edhe ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, përgëzoi në emër të ambasadës dhe DEA-s amerikane policinë shqiptare duke u shprehur se operacioni që çoi në kapjen e sasisë së madhe të kokainës “është një tregues pozitiv i vigjilencës së policisë, por edhe një shenjë shqetësuese se trafikimi i kokainës dhe drogave të tjera është në rritje. Shtetet e Bashkuara – vijon deklarata – do të vazhdojnë të ndihmojnë dhe mbështesin përpjekjet në zbatimin e ligjit për të parandaluar trafikimin e drogave në Shqipëri dhe për të arrestuar personat përgjegjës”
Po ashtu Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë “përgëzon doganën dhe policinë për operacionin e suksesshëm në kapjen e 614 kg kokainë në portin e Durrësit. Ju lumtë dhe vazhdoni kështu me luftën kundër krimit të organizuar. Krimi i organizuar nuk mund të fitojë mbi forcën e ligjit. Shteti shqiptar duhet të jetë vigjilent dhe i fortë kundër grupeve të krimit të organizuar, të cilat përpiqen të zgjerojnë trafikun e drogës”, përfundon deklarata e BE-së.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply