
Shkruar nga Viron KONA
Në foto Viron Kona
Gjatë një vizite në shkollën “Fjardingskolan” të qytetit të Borasit në Suedi, rektori i shkollës Per Kettisen, më dhuroi një skulpturë të vogël bronzi, ku paraqitej një burrë tregtar, me kapelë-cilindër dhe me një thes-ejbe, që harkohej në njërin sup e zgjatohej e zgjerohej në shpinë. Kettisen, më shpjegoi se, ajo skulpturë, ishte simbol i qytetit të Borasit, i njohur si një ndër qytetet më të vjetër të tekstilit në të gjithë Skandinavinë, madje, edhe në Europë. 1).

Aty për aty, nuk arrita ta shoh si duhet dhuratën, por, më pas, në hotel, e pashë me vëmendje e kureshtje. Një skulpturë tërheqëse dhe e realizuar artistikisht. Tregtari, i vendosur në një piedestal, ndonëse në qëndrim statik, me thesin në krahë dhe cilindër në kokë, krijon përshtypjen se është gati për udhë. Ai rrezaton qetësi, mirësi dhe miqësi dhe, duket, se e tërë pamja e tij, të fton të shkosh me të.
“-Do të vish me mua? Vërtetë kemi rrugë të gjatë për të bërë, por do t`ia vlejë. Nëse e vendose të vish, atëherë, nxito të kapim kohën…”
x x x
Kur viziton qytetin e Borasit dhe njihesh me zhvillimin e shpejt të tij në tekstile, bindesh në mesazhin e qartë të asaj skulpture simbolike të bronztë.
Gjithçka në jetë, e ka një fillim, e ka një nisje. Siç thotë fjala e urtë, “Rruga, sado e gjatë, ka hapin e parë”. Edhe zhvillimi i Borasit, ka pasur hap të parë, pikërisht, hapin e këtij burri të thjeshtë, që përpiqet të mbijetojë, të bashkëpunojë me të tjerë, e, të zhvilloj jetën nëpërmjet punës.
Që nga zanafilla, të cilën e paraqet skulptura e bronztë e tregtarit, qyteti i Borasit është zhvilluar shumë dhe në mënyrë të gjithanshme. Pas tregtisë individuale, zhvillimi i tekstilit kaloi në punishtet e para të tezgjahut dhe punishtet e fabrikat leshpunuese. Më tej, në fabrikat moderne të prodhimit të veshjeve. Zhvillimi shihet qartazi thuajse në çdo hap e aspekt, në mjediset e jashtme të godinave, rrugëve, lokaleve dhe institucioneve, veprave të artit; në hijeshinë e pastërtinë, në gjelbërimin e krijuar nga drurët e shumtë, që rriten lirshëm në mes të qytetit e rreth e qark tij. Por, edhe tek zogjtë e strehuar në drurët e pishave, bredhave, lisave, mështeknave…

Kam parë pëllumba të shumtë në Stamboll. Kam dëgjuar gjithashtu se, në Venecia, ka më shumë pëllumba sesa banorë. Por, në Boras, veç pëllumbave, janë të shumë edhe zogjtë. Ata, i sheh dendur duke frushulluar dhe duke mbushur ajrin me cicërima, teksa kalojnë nga njëra pemë tek tjetra; i sheh, tek flladiten në qiellin e pastër, por i sheh edhe në rrugë e sheshe. Ata përzien mes banorëve të Borasit, e, veçanërisht mes fëmijëve. Luajnë bashkë si miq dhe banorë të të njëjtit qytet. Frikë? Jo, zogjtë nuk e njohin frikën. E, jo vetëm në qytetin e Borasit, por në të gjithë Suedinë. Populli i këtij vendi, ka mbi 200 vjet që jeton pa luftëra, në paqe e qetësi. Kjo paqe, qetësi dhe harmoni jetese, ekziston edhe në marrëdhëniet e njerëzve me kafshët e zogjtë. Nga ky vend, u bënë të përbotshme e proverbiale fjalët e urta të Selma Lagerlëf-it, se,“edhe kafshët e zogjtë, kanë të drejta si edhe njerëzit..”
x x x
Në ditët e qëndrimit në Boras, e mbaja skulpturën e bronztë në tavolinën e dhomës së hotelit. Gjatë kohës që duhet të qetësohesha, shihja televizor, kundroja me vëmendje pikturat e vendosura në mure, shihja nga dritarja e hotelit sahatin e qytetit, ora e të cilit ishte e njëllojtë me orën tonë pasi jemi në të njëjtin meridian. Vështrimi më mbetej tek monumenti i gërshërëve, që përfaqëson edhe stemën e qytetit, e, që lidhej me historinë e tij si qytet tekstili. Por, herë-herë shihja me vëmendje edhe monumentin skulpturor të Pinokut, personazhit të famshëm të shkrimtarit italian Karlo Kolodi. Ngritja e atij monumenti, ishte porositur me shpenzimet e banorëve të Borasit. Për ta realizuar atë, ishte përzgjedhur një skulptor amerikan.
Si pa kuptuar, vështrimi im qëndronte i fiksuar tek skulptura e vogël e tregtarit me thesin hedhur krahëve dhe cilindër në kokë. E kisha parë këtë skulpturë në shumë variante të ndryshme, në qëndrim statik, në lëvizje, në një trotuar, ku dukej sikur ecte serbes mes qytetarëve të Borasit. E pashë edhe në një skulpturë të realizuar në vitin 1929.

Gjithsesi, vështrimi im mbetej tek varianti që mbaja në dhomë, dhe që më tërhiqte si me magji.
x x x
Kur do të largohesha për në Shqipëri, e futa skulpturën e vogël në çantën time të dorës. Doja që, gjatë udhëtimit, ta shihja herë pas here. Nuk e di pse m`u rrënjos apo m`u fiksua kjo dëshirë, por, me sa dukej, kishte të bënte me forcën tërheqëse që ka një vepër e vërtetë arti.
Në aeroportin e Goteborgut, u ndava me miqtë e mi dhe, u futa në sallën ku niste kontrolli i bagazheve.
Çanta ime, lëvizi bashkë me të tjerat në aparaturën e kontrollit. I qetë, lëviza të kaloja matanë, por, papritmas, nga aparati i kontrollit u përhap sinjali i alarmit. Punonjësit e doganës panë njëri – tjetrin dhe përqendruan vështrimet mbi transportierin lëvizës, ku dukej çanta ime e dorës. Pastaj, ato vështrime, u drejtuan tek unë me dyshim e shqetësim.
“-Çfarë ke brenda në atë çantë?” – dukej se po më hetonin vështrimet e tyre.
E kuptova menjëherë shkakun e atij alarmi dhe ruajta qetësinë. Aparatura kishte “zbuluar” brenda çantës sime të dorës, tregtarin prej bronzi.
Punonjësi i doganës, më bëri me shenjë të afrohesha te kasa ku ndodhej çanta dhe, më tha në mënyrë urdhërore:
-Hape !
Ndërkaq, tek punonjësit e tjerë, vura re gatishmëri.
E hapa qetësisht çantën dhe, e nxora ngadalë skulpturën e mbështjellë. Mbështjellja prej rrobe, m`u duk se krijoi edhe më shumë alarm në sytë e doganierëve. Dyshimi vërtitej si një zog dëbore në sytë e tyre.
Që të krijoja një atmosferë të qetë dhe të sigurt, bëra buzën në gaz dhe e hapa qesen natyrshëm. Nxora skulpturën e tregtarit të Borasit dhe ia tregova punonjësit të doganës. E ngrita pakëz lart, që ta shikonin edhe doganierët e tjerë, por edhe udhëtarët, që ndodheshin ato çaste përqark meje.
Një buzagaz i menjëhershëm u përhap nëpër sallë.
-Fute në çantë ! – më tha punonjësi i doganës, duke marrë frymë i lehtësuar dhe duke buzëqeshur.
-Ky është tregtar, – i thashë duke mbajtur gjoja seriozitetin, – Mbase, duhet t`i kontrolloni thesin që ka hedhur krahëve.
Dikush përkthehu dhe, në mjedisin e kontrollit u përhapën një gaz i çiltër.
-Ai tregtar, prej kohësh, ka fituar imunitet ndaj kontrollit, – tha me humor njëri nga doganierët.
Qeshëm edhe një herë, dhe, ndërkohë doganieri kaloi çantën matanë.
Tregtari prej bronzi, me thesin në krah dhe cilindër, rrëshqiti në transportier, me kokën lart, si një gjeneral në krye të paradës.
x x x
Në doganën e Austrisë dhe, më pas në atë të Shqipërisë, shihja me kënaqësi, sesi tregtari i bronztë, kalonte lirshëm në transportierët e doganave, por tashmë si një tregtar i njohur me imunitet ndërkombëtar. Ai kalonte serbes, me pamjen e atij që di se çfarë bën dhe ku shkon, duke shpërndarë gjithandej, në qytete e shtete të botës, përvojën e tij të vyer, duke i mësuar njerëzit sesi të zhvillojnë ekonominë e familjeve, të qytetit dhe të vendit të tyre. Për këtë kishte një dëshmi tepër bindëse, qytetin e tij të lindjes, Borasin e Suedisë, qytetin e bukur në kodër.
1). Boras, në suedisht, do të thotë: “Të jetosh në kodër”
Marre nga revista “Dituria” Suedi.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply