Nga Gjergj Jozef Kola
MONOLOG
Urime pikësëpari, andrra jote me studjue Jurisprudencë në perëndim dhe me dalë gjykatës si baba jot u realizue. Të shoh se si i gëzohesh dhomës së re me guzhinë, internet, mobilim modern, vetures së re, fakultetit në kryeqytetin e shtetit perëndimor. Ta gëzosh pra, në këto ditë vjeshte kur dielli bjen mbi gjethet e murrme dhe ju jep atyne nji shkëlqim argjendi, dije se edhe drejtësia asht si ajo fleta e hollë në degë, mjafton nji erë e lehtë dhe merr krahun e gabuem.
„Ty ndoshta nuk të kujtohet se ishe ende fëmijë kur erdhi demokracia, apo ndoshta nuk ta kanë thanë direkt kur u rrite se si nji kojshi i joti babë dy fëmijësh 25 vjeç u vra për nji pemë nga axha i tij, sepse kjo pemë në fakt nuk i takonte askujt porse baba jot, gjykatësi i nderuem në kryeqytetin tonë në Tiranë, për nji shumë krejt banale, ja kaloi pemën dhe oborrin viktimës dhe mandej ndodhi fatkeqsia.“
Porse unë uroj që ti me kqyrë përpara në jete dhe mos me e kthye krenë asnji cast mrapa. Ti je 20 vjec dhe nuk ke pse me mbajtë hijet e të tjerëve mbi shpindë. Këtu në fakultet ke me mësue ligjin e mrekullueshëm që kanë hebrejtë:
„ Asnji fëmijë nuk përgjigjet për krimet e prindërve të tij”.
20 vjec ka qenë atëherë nji bashkmoshatar i joni që mori guximin me thye kufinin nën diktatur. Ai kishte andrrue me u ba gjykatës si ti, porse nuk i doli shkolla sepse atëherë nën diktaturë shkolla ju delte vetëm fëmijve të komunistëve dhe atyre komunistëve me miqësi të fortë. Kur e kapën, mbasi e torturuen me javë te tana e nxorën në gjyq dhe baba jot e dënoi me 14 vjet burg, megjithse ligji parashikonte deri në 7 vjet. Yt atë i shtoi pa te drejtë edhe disa shkelje te tjera të ligjit dhe asnji lehtësim pa marrë parasysh moshën e re.
Porse ti vazhdo me pa përpara në jetë, ti banu shpresë, të jesh si ajo fara që bjen në tokë dhe prej qepës së kalbun del filizi i drejtë. Ke me pa kur të studjoni „Ligjin e dënimit të mohimit të krimeve naziste“ se sa i nevojshëm asht nji ligj i „ dënimit të mohimit të krimeve komuniste“. Njeriu duhet me u nda nji herë e mirë me plehun e së kaluemes për me ecë përpara në jetë.
Ke me ndeshë shembuj identik se si nazistët, i mbytshin hebrejte në gropat e qenefit dhe ke me u habitë kur të kërkosh në shtypin shqiptar e të marrish vesht se nji nga albanologët ma të mirë, mbledhës i visareve të kombit, gjuhëtar i mrekullueshëm asht mbytë në grope të gjirizit, njashtu me shtjelma dhe baba jot si gjykatës veprat që ja kishin sekuestrue ja dha nji mikut të tij e ai mori titullin doktor prej këtyne studimeve.
Porse ti ban mirë me vazhdue me shikjue përpara në jetë, bota e ligjeve dhe e së drejtës asht po aq e randsishme për shoqninë njerzore sa edhe ajo e ligjeve të natyrës. Nëse këto ligje nuk zbatohen shoqnia bjen në kaos.
Ty ndoshta të kujtohen sadopak „firmat piramidale“ ku shumë njerëz andrruen „arin e Alaskës“ dhe deshën me u ba pasanikë menjiherë e megjithse „fondi ndërkombtar“ paralajmëroi qeverinë demokratike se këtu po shkelet ligji, akush nuk pyeti dhe Shqipnia shkoi në pragun e luftës civile.
Babai jot, gjykatësi i kryeqytetit humbi gjysën e pasunisë që kishte vendose me vendime të jashtligjshme ndaj pronësise, në ato piramida të mallkueme, që ishin „mallkimi i Tutanhamunit“ për Shqipninë e demokracisë së brishtë.
Porse yt atë si shumë gjykatës të tjerë u vërsulën me gjitha mënyrat me i kthye në vend ato që humbën. Si pasojë ligji u shkel në tana mënyrat e mundshme e mjaftonte me pague dhe kushdo dilte i pafajshëm apo merrte tokë e pasuni te tjera kujt.
Porse ti shikjo përpara dhe mos e harro asnjiherë ligjin e hebrejve: „Asnji femijë nuk përgjigjet për krimet e babës së tij“.
Kanuni jonë i mahnitshëm ka me të kallxue se „vetëm gjakësi vritet“ dhe ti je nji filiz i pafajshëm në prandvere që lahet nga rrezja e diellit.
Sa fëmija janë të mbyllun mrendë se nga mungesa e ligjit kanë frikë se i vrasin, kjo mungesë i ka cue njerëzit në vetgjyqësi. Yt atë asht nji nga ata që ka lirue nji vrasës për nji shumë të majme dhe tash fëmija e nji fisit janë mbyllë mrendë nga frika se i vrasin.
Megjithatë ti kur të shkosh te bankomati dhe të marrësh pare, mos e kthe shikimin mrapa, porse vazhdo rrugën përpara. Ke me pa se studentat e huej e kursejnë cdo euro, ndërsa habiten se si ti e ke kuletën gjithnji plot dhe ngadalë ke me nisë me u habitë edhe ti vetë se si në perëndim paraja fitohet me aq mundim e sakrificë.
Në rrugën tande si student ke me pa se formimi si njeri dhe ai si jurist asht i pandamë me njeni tjetrin. Nji ditë ke me marrë vesht edhe ti atë që e dijnë të gjithë në vendlindje „ se shumë politikanë, gjykatës, mjekë, profesorë, pra ajo elitë që u formue nën diktaturë, dhe mori frenat në demokraci, kanë pastrue në shumë banka paratë e tyne të pista“.
Ti je ai filizi i mirë që del nga fara e kalbun kur ajo bjen në tokë dhe je fëmija i pastër i jetës, prandaj ke me u përplase shpesh me studentin –gjykatës dhe studentin – njeri. Njeni pa tjetrin kanë me kenë të paplotë, gjysmakë dhe ti ke lindë me kenë i plotë.
Do të takojë me pa se si shteti ku ti jeton nxjerrë herë mbas herë para ligjit grupe të organizuem që trafikojnë vajza dhe gra për prostitucion e ndoshta ndonjeni prej tyne do jetë nji nga ata që baba jot ka lirue nga burgu për nji shumë te majme. Ndoshta dikush ka me guxue me shkrue emnin e tyt eti, ndonji gazetar i marrë, se shtypi dhe mediat në atdhe janë të gjitha të shit-bleme nga yt atë dhe miqtë e tij.
Nji ditë ke me e pa se si ajo ndjesia e drejtësise që ti gëzon kur vendos në fatet e njerëzve do ta shpërbleje pafundësisht. Ti ke me u ndie si Athina me kandarin e drejtësise në dorë që e shpall atë si perëndesha e Olimpit e tana kohëve.
Ndoshta ka me t´u kujtue si hije nji bisedë e prindëve, ku baba jot i ankohej nanës tande se x-president ju mori nji milion euro per me e caktue atë Kryetar të gjykatës së naltë apo të kasacionit, se x-kryetar partije i kërkoi po aq për me u ba deputet, porse ti vazhdo rrugën tande të formimit si gjykatës dhe si njeri i drejtë.
Ligji, kjo asht shejtënia dhe magjia e vetme që i mungon vendlindjes tande tash mbi 5 shekuj dhe ti je thirrë me e rregullue atë.
Në atdheun tonë shumë rrugë apo institucione mbajnë emna kriminelësh, vrasës së ligjit dhe të pafajshmëve, porse ti mos u habit se nji ditë ka me t`u dashtë me pastrue vendin prej tyne.
Natyrisht nji ditë, ndoshta aty nga fundi i studimeve, ke me pyetë vedin mbi pasuninë e pafre që ka vendosë yt atë, për vilat në bregdet, për shpinë tande në kryeqytct, për pallatin në perëndim e ndoshta argumenti i babës tand se „janë trashëgime nga gjyshi“ nuk ka me të bindë ma. Fundja gjyshi jot nji partizan i thjeshtë ka qenë, madje as pushkë nuk ka pasë se ka hi në batalionin
„Hakmarrja“ kur gjermanët tashma ishin largue nga vendi me 28 Nandor të vitit 1944.
Porse deri atëhere ke me pasë kohë dhe shoqnia në perëndim ka me u kujdesë që ti të bahesh nji njeri i ndershëm dhe gjykatës inteligjent me zemër të madhe dhe mendje të kthjelltë, gjithnji në shërbim të së drejtës.
Thuji vedit se je djali i Athinës, biri i denjë i saj, i thirrun për më vendosë drejtësinë në jetë.
Nji ditë ke me u ndeshë me nji brez te tanë gjykatësish dhe juristësh që kanë mbarue studimet në vendlindje pa shkue asnjiherë në universitet e po bajnë karriere si deputet, ministra, pjesë e elitës së korruptueme dhe injorante, ku mendja njerzore asht mbarsë me ligësi dhe qytetnimit pak shprese i ka mbetë. Aty sundon ligji i përgjithshem, i pashkruem: “Me ja ba shyqyrin se ma mirë se sot nuk kemi qenë asnjiherë”!
Porse ti ktheju në shpresë për ata njerëz të thjeshtë të vendit tand që punuen nji jetë të tanë dhe jetojnë me 100 euro pension, pikërisht se ligji nuk u vendos asnjiherë në atdheun tand dhe elitat pushtetare vodhën gjithcka që nuk ishte e ngulun në mur.
Dhe ma n`fund vjen dita e përfundimit të studimeve dhe landa jote si njeri dhe si gjykates ka marre formë. Ti tash po merr rrugën me u kthye në atdhe me ligjin e pavdekshëm të hebrejve parasysh: „Fëmija nuk përgjigjet për krimin e etërve“.
Tashma ty ka me ty dashtë për hir të së ardhmes tande me u përplasë me të djeshmen e prindërve të tu, nji e djeshme që e mban peng të sotmen dhe unë te uroj nga zemra që Athina me peshoren e saj të japë forcë.
“ Ligji i ri që ke me shkrue me jetën tande do jetë: Femija u gezohen virtytit te prindit”!
Ama, në kjoftëse ti bahesh si baba jot, pajtohesh me të keqen e sotme, bahesh pjesë e saj, nisë me thye ligjin e me shkatrrue jetën e bashkqytetarëve, atëhere 6 breza të së keqes të ndjekshin mrapa…
Gjergj Jozef Kola
Vjenë, 1 Tetor 2017
www.voal.ch
Leave a Reply