Gjergj Bubani
Sot, gjithë fryma shqiptare, bren da dhe jashtë Atdheut, kremton madhënisht kujtimin e ditës së lume kur në Vlonë dora e një plaku ngrinte një Flamur – Flamurin e Skënderbeut – dhe ngjallte një Shtet – Shqipërin’ e lirë!
Tetëmbëdhjetë vjet mbushëm sot nga dita e shënuar e 28 Nëntorit 1912. Në tërë këtë kohë Shqipëria e lindur prej gjestit të asaj dite, kaloi fazat më të vështira që pruri me vete çdo fillim jetese, dhe ja se ku po hyn, e ringjallur, e fortë e plot ashk për punë e përparim, në një fazë të re konstruktive, e cila shpejt do ta shtyjë në krahët e qytetërimit të vërtetë.
Sa mundime e sa therori u deshën derisa ia mbërritëm kësaj dite! Sa shpirtndritur idealistë u sakrifikuan, përpara dhe pas indi-pendencës shqiptare, në altarin e shenjtë të Atdheut, për të vaditur me gjakun e tyre fisnik shelgun e Lirisë Shqiptare, për të mbrojtur me gjoksin e tyre të çelniktë nderin e namin e Flamurit Kombëtar!
Shqipëria u bë, liria jonë u sigurua, vetëqeverimi ynë u çimentua, por shumica e atyre që punuan një jetë të tërë për realizimin e Ëndrrës Shqiptare, flenë nën dhe, pa e gëzuar dot ditën e sotme.
Këta martirë të Kombit, le t’i kujtojmë sot me veneratë. Me ndërgjegje të pastër le të ngrehim zemrat tona deri te naltësia kulminante e idealit të shenjtë që i pati udhëhequr, dhe le të mundohemi të tregohemi të denjë gjurmashë të tyre. Trashëgimin që na lanë, ta ruajmë me shenjtëri, ta zbukurojmë në kohë paqeje me djersën e ballit dhe ta mbrojmë në kohë të keqe me gjakun tonë.
Gjenerata që kaloi përpara nesh, e bëri detyrën e saj, e lau borxhin e saj. Nga puna e nga përpjekjet e saj u lind Shteti Shqiptar dhe Flamuri krenar i fatosit tonë Gjergj Kastrioti valon sot i lirë mbi tokën shqiptare. Por vepra nuk është e plotë. Dhe duhet plotësuar. Ata e nisën, ne na bie barra ta mbarojmë.
Një pjesë e madhe e tokës sonë katragjyshore rënkon në robëri. Gjysma e fisit shqiptar rron nën thundër. Këto sende s’duhet asnjë grimë t’i harrojmë. Një luftë e re, më e keqe dhe më e ashpër nga e para ka filluar për shqiptarët e vërtetë. Dëshmorë të rinj po bien dita-ditës për idealin e naltë kombëtar dhe vargu i tyre nuk do mbyllet veç ditën kur trumbeta e lirisë do tingëllojë mbi çdo mal, bjeshkë, kodër e fushë shqiptare, veç ditën kur Flamuri i Kuq me Shkabën Dykrenore do valojë, krenar e madhështor, mbi gjithë Shqipërinë, mbi çdo çip toke ku zotëron gjaku shqiptar, ku tingëllon gjuha shqiptare.
Këtë duhet ta ketë parasysh çdo burrë në rembat e të cilit valon gjak i pastër arbënor. Ëndrra jonë duhet të jetë: “Shqipëria e lirë gjer në kufiret e saja ethnografike.” Dhe kësaj ëndrre të mos i ndahemi.
Çdo vepër e madhe bëhet me punë dhe me bashkim. Ne punës nuk i shmangemi, por të bashkuar në mes tonë s’jemi. Kjo është fatkeqësia. Dhe në dorë tonë qëndron ta zhdukim këtë fatkeqësi. Për hir të Atdheut, pra, sot, në këtë ditë të shënuar, le të hedhim prapa krahëve çdo kujtim të keq, çdo mëri dhe nakar, dhe le të lidhemi si një trup, që të mundim t’i gatitim Shqipërisë një tjetër ditë si ajo e 28 nëntorit 1912.
Shqipëri’ e Re, 28 nëntor 1930, v. XII, nr. 447, f.
Gazeta Shqiptare
Marre nga Arkivi


Leave a Reply