Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dha një intervistë për emisionin “Fakt” të televizionit “UTV NEWS” me gazetarin Çlirim Peka dhe me pjesëmarrjen e katër analistëve të njohur: Artur Xheji, Ylli Rakipi, Artan Hoxha dhe Andi Bushati.
Gazetari Çlirim Peka: Në 22 vitet e pluralizmit asnjë kryetar i shtetit shqiptar nuk ka pranuar deri më sot të debatojë me analistë apo kritikë të shtypit. Për herë të parë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka pranuar të ketë një debat me analistët më të njohur në vend rreth gjashtë muajve të tij si President dhe rreth vendimeve më të debatueshme që priteshin përpara se ai të zgjidhej President, të cilat tashmë i ka marrë. Sonte do të kemi në “Fakt” Presidentin e Republikës, zotin Bujar Nishani përballë Artur Zhejit, i cili ka qenë një kontestues i zgjedhjes së njëanshme të Presidentit; zotit Ylli Rakipi, i cili ka qenë një kontestues jo vetëm i zgjedhjes së njëanshme të Presidentit, por edhe i angazhimit më të madh politik të zotit Nishani drejt Presidencës dhe kontestues i vazhdueshëm i shefit të mazhorancës, Kryeministri aktual, zotit Berisha. Gjithashtu do të kemi zotin Andi Bushati, një kontestues historik në këto 22 vjet politikë, i zotit Berisha dhe pothuajse i të gjitha zgjedhjeve politike që ka bërë. Do të kemi edhe zotin Artan Hoxha, një kandidat për President i vetëdorëhequr. Sipas mediave i shantazhuar, sipas zotit Hoxha për arsye morali dhe etike. Për herë të parë në 22 vjet, kemi një President të Republikës, i cili pranon të përballet me kritikët më të njohur të shtypit.
Gazetari Çlirim Peka: Zoti President, edhe njëherë ju falenderoj! Mirë se erdhët në “Fakt”, në këtë studio të improvizuar në Pallatin e Brigadave, në këtë panel analistësh! Po e ritheksoj, në 22 vjet asnjë Kryetar shteti nuk ka pasur një përballje me analistët më të njohur në vend. Edhe njëherë faleminderit! Po e filloj menjëherë me pyetjen e parë. Keni rreth gjashtë muaj President, keni marrë kryesisht vendimet që konsideroheshin më të vështirat, vendime që në fakt sillnin dhe debatin rreth Presidentit. Cilin prej vendimeve deri më sot e keni marrë pa pëlqimin e shefit të mazhorancës?
Presidenti Nishani: Varet se cili është këndvështrimi juaj që thoni “pëlqimin e Shefit të mazhorancës”. Në fakt, disa nga vendimet e Presidentit lidhen drejtpërsëdrejti me bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë, ku, mazhoranca e opozita, kanë të drejtën e tyre të parashikuar në Kushtetutë dhe në ligje, të cilët duhet të miratojnë dekretet e Presidentit. Nëse e keni fjalën në këtë sens, atëherë mund t’ju them që metoda ime e punës padyshim është që të ofrojë kontributet e mia për shoqërinë, përmes të drejtave të mia kushtetuese, duke ecur në bashkëpunim me institucionet e tjera, por gjithmonë duke ruajtur integritetin, duke ruajtur të drejtën dhe tagrin kushtetues të Institucionit të Presidentit të Republikës. Ajo që unë ndiej sot pas disa vendimesh, me që ju i referoheni disa vendimeve të Presidentit të Republikës, të cilat kanë qenë objekt diskutimi i jetës publike dhe të aktorëve politikë, mund të them që ndihem mirë për faktin se në gjykimin tim, në perceptimin tim, opinioni publik ka konstatuar atë çka unë kam premtuar që ditën e parë të hyrjes në zyrën e Presidentit të Republikës. Pra, në këtë kontekst mund të them që veprimet e Presidentit të Republikës duhet të jenë në radhë të parë në përputhje me Kushtetutën, duhet të jenë në respekt të plotë të integritetit të Institucionit të Presidentit të Republikës dhe duhet të shkojnë në harmoni me pritshmëritë e opinionit publik, padyshim në bashkëpunim me aktorët e tjerë, për sa kohë proceset janë të tilla që realizohen apo konkludohen përmes akteve, ku disa aktorë janë të përfshirë.
Zoti Artur Zheji: Zoti President, në një republikë parlamentare Presidenti është personi garant për të gjitha palët dhe praktikisht, pavarësisht procedurës së zgjedhjes, pavarësisht konsensualitetit që parashikonte Kushtetuta e pandryshuar, megjithatë funksioni në raport me Kushtetutën aktuale është mbi palët. Pyetja ime është fare e thjeshtë, në këto gjashtë muaj keni pasur ndonjë takim me liderin e opozitës? Dhe nëse nuk na rezulton nga takimet që keni pasur, mund të duket dhe retorike, por, a ka një agjendë për të takuar palët, për t’u konsultuar me palët? Të paktën, ne perceptojmë të qenit mbi palë, po s’takove palët, ndoshta ngelet retorikë e Presidentit mbi palë?
Presidenti Nishani: Plotësisht e ndaj pikëpamjen tuaj, me gjykimin tim, se Presidenti i Republikës duhet të ketë kontakte normale dhe frekuente me përfaqësuesit e palëve apo aktorëve politikë, ashtu siç ka në një këndvështrim tjetër, kontakte të vazhdueshme me drejtues të institucioneve kushtetuese të vendit. Ka pasur momente kur Presidenti ka organizuar takim me përfaqësues të palëve. Meqë ju iu referuat opozitës, natyrisht në çastet e takimit me opozitën, opozita është përfaqësuar jo me Kryetarin e Partisë Socialiste, është përfaqësuar me Kryetarin e pakicës në Kuvend, pra, të Grupit Parlamentar, me zotin Ruçi. Absolutisht jam i hapur, jam i gatshëm dhe nuk ka asnjë kompleks apo dyzim për t’u takuar me zotin Rama. Ndoshta nga pikëpamja e mënyrës së organizimit, kjo i takon në fakt Presidentit për të ofruar dhe drejtuar një ftesë për t’u takuar, por në rastet kur ka një objekt për të realizuar takimin, dhe në rastet kur ka pasur një objekt për të bërë një takim, Partia Socialiste, meqë po i referohemi partisë, që është partia më e madhe e opozitës, është përfaqësuar me Kryetarin e Grupit Parlamentar të saj.
Zoti Artur Zheji: Një ftesë e posaçme nuk ka ndodhur dhe nuk është në agjendë. Meqë jemi përpara një fushate elektorale, garantizmi presidencial është një koeficient i domosdoshëm demokratik.
Presidenti Nishani: Unë e shoh të ardhmen e afërt padyshim si një mundësi shumë të mirë për të pasur një takim edhe me Kryetarin e Partisë Socialiste. Por edhe njëherë, ftesat janë adresuar për objekte të caktuara dhe çështje të caktuara, le të themi, siç kanë pasur të bëjnë me infrastrukturën zgjedhore, me datën e zgjedhjeve apo me çështje të tjera. Ftesa natyrisht ka qenë e konceptuar për palët politike. Ajo që është kryesore në gjykimin tim, është se nuk shoh të ketë ndonjë ngurrim, ndonjë dyzim apo ndonjë ngërç që mund të pengojë një takim të tillë. Absolutisht nuk ka. Dhe nga ana tjetër, ajo që unë konstatoj dhe që evidentoj, është që Presidenti duhet të jetë inicues i këtij takimi.
Zoti Artur Zheji: Ju?
Presidenti Nishani: Po, pikërisht.
Gazetari: Megjithatë, meqenëse jemi tek kjo pyetje e zotit Zheji, zoti President u shpreh, se duhet të jetë inicues i këtij takimi. Në mos gabohem, pavarësisht se paraardhësi juaj, zoti Topi është zgjedhur në mënyrë shumë më të kontestuar për shkak të njëfarë trafikimi votash në 2007-ën nga opozita, pa dëshirën dhe me një kundërshtim të fortë të Kreut të opozitës, vetëm pak ditë apo pak javë pasi Kreu i Shtetit, zoti Topi u ul në zyrën e Presidentit, ka ftuar në një takim dhe kemi parë një takim Topi-Rama.
Presidenti Nishani: Nuk ka ndonjë gjë të keqe. Është krejt normale, e thashë, edhe unë po të kisha pasur një objekt të caktuar, ku duhet të ishte me çdo kusht zoti Rama, nëse do të gjykohej nga zoti Rama që në momentin e përfaqësimit të subjektit të tij politik, duhej të ishte vetë ai, do të ishte realizuar edhe takimi me zotin Rama, siç është realizuar takimi me zotin Ruçi. Nuk shoh ndonjë çështje të veçantë në takimin midis Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të partive politike.
Gazetari: Ndryshe nga rasti i zotit Topi, që zoti Rama menjëherë u shpreh, tridhjetë minuta pas zgjedhjes së zotit Topi President: “Fjala e parë që mund të them për zotin Topi tani për tani është, le t’i vijë turp për mënyrën se si u zgjodh për të tjerat flasim më vonë”. Në raport me ju, nuk është përdorur kjo shprehje, pasi realisht nuk janë trafikuar vota, jeni zgjedhur jo me shumicë të cilësuar, me shumicë të thjeshtë, por gjithsesi, nuk ka pasur atakime nga asnjëra palë, për sa i përket formës së zgjedhjes. Nuk keni marrë epitete “duhet t’i vijë turp Presidentit” nga opozita, por akoma në njëfarë forme, qoftë dhe me një takim formal, nuk jeni çertifikuar nga Kreu i opozitës, ndryshe nga ç’ndodhi me zotin Topi, vetëm një javë pasi u zgjodh President. A mendoni se do të duhej një takim me Kreun e opozitës dhe me ftesën tuaj në njëfarë forme, dhe për t’u çertifikuar dhe për të dhënë njëfarë klime besimi nga ana juaj në drejtim të opozitës?
Presidenti Nishani: Për të qenë më i drejtpërdrejtë ndoshta në konceptin tim, nëse flasim për çertifikim politik, unë nuk besoj që Presidenti i Republikës ka nevojë për një çertifikim politik të palëve. Nëse flasim për një çështje të bashkëpunimit dhe të bashkërendimit për çështje të rëndësishme që janë në shërbim të vendit, padyshim që janë të domosdoshme takimet, konsultat, ndarja e mendimeve, pse jo edhe adresimi i përbashkët në çështje që vërtet mund të jenë të rëndësishme për vendin dhe për shtetin. Ajo që është e qartë në perceptimin tim, që, unë asnjëherë s’jam përpjekur as ta zbus as ta ndryshoj, është fakti që mënyra e zgjedhjes së Presidentit ka ardhur ashtu siç e ka parashikuar Kushtetuta në raundin e caktuar nga shumica. Kjo nuk më ka kompleksuar dhe nuk më komplekson në asnjë çast. Bindja ime më e thellë është që, për Kreun e Shtetit, është shumë më e rëndësishme mënyra se si sillet në ushtrimin e detyrës së tij kushtetuese, se sa mënyra si zgjidhet. Natyrisht edhe forma ka rëndësinë e saj, nuk mund të mohoj në mënyrë kategorike mënyrën dhe formën e zgjedhjes, por në Shqipëri për hir të së vërtetës, kemi pasur eksperienca të ndryshme të zgjedhjes dhe të sjelljes. Kështu që në bindjen time personale, të cilën mundohem ta përkthej në veprimtari institucionale, predominon koncepti i mënyrës se si sillesh më tepër se si je zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës.
Zoti Artan Hoxha: Meqë jemi në marrëdhëniet e Presidentit me opozitën, është një nevojë që Presidenti të shprehë unitetin e kombit. Kujtoj që Edi Rama në një emision televiziv tek Sokol Balla u shpreh që “Presidenti duhet të na japë provën e parë që është i paanshëm, i pavarur nga Kryeministri”. Në datën 28 nëntor, Edi Rama ka marrë pjesë në pritjen që ju shtruat në darkë, në Pallatin e Brigadave. Paksa nervoz, e shfaqi dhe të nesërmen. Por fillimisht të nesërmen ju shkuat tek Varrezat e Dëshmorëve për të nderuar të rënët e Luftës së Dytë Botërore dhe në datën 29 nëntor, gjë që nuk e keni bërë kur keni qenë ministër, që i keni nderuar ata në datë 28, siç e ka dhe qëndrimin Partia Demokratike. Edi Rama del me tezën që ju shkelët në tre raste protokollin e festës, në pasditen e 29-ës ju bëtë këtë lëvizje që unë do ta gjykoja edhe si lëvizje politike, mesazh i respektimit të ligjit për datën 29. A shihni ndonjë kundërveprim të Edi Ramës për të sfumuar një veprim tuajin politik apo të dy ngjarjet janë të palidhura? Dhe Edi Rama ende nuk ju ka dhënë kredencialet, bile në një moment të lëvizjes suaj si mesazh për të respektuar ditën që dhe të tjerët festojnë një festë, ai ju kundërpërgjigjet me një akuzë për shkeljen e protokollit.
Presidenti Nishani: Ju siguroj që gjatë pesë viteve të mia si President i Republikës, nuk do të tentoj asnjëherë të komentoj politikisht komentet apo deklaratat e drejtuesve politikë të vendit. Natyrisht do të mbetem gjithmonë strikt i sjelljes institucionale dhe i bindjes sime të brendshme. Interpretimi apo gjykimi i arsyeve, unë besoj që bëhet në mënyrë më të drejtpërdrejtë nga qytetarët, nga opinionistët dhe nga analistët e jetës politike të vendit. Për t’u kthyer pak në fillimin e pyetjes suaj, zoti Rama ka qenë i pranishëm dhe në ceremoninë e inaugurimit si President i Republikës, jo vetëm në ceremoninë e 28 nëntorit që është pritja që jep Presidenti i Republikës, që është festë kombëtare, festë e të gjithëve dhe ajo ceremoni i takon për ta ndarë të gjithë me njëri-tjetrin. Çështja e vajtjes sime në Varrezat e Dëshmorëve në kujtim të 29 nëntorit, si dita e përkujtimit të Luftës Antifashiste të shqiptarëve, ka qenë në bindjen time më të plotë, në respekt të ligjit pa diskutim, por dhe në respekt të sensibiliteteve të një pjese të madhe të shoqërisë sonë. Natyrisht kjo ka qenë tërësisht në pozicionin e Presidentit të Republikës, pavarësisht qëndrimit që kanë palët politike ndaj ditës së 28 e 29 nëntorit për ta festuar si festë të çlirimit të tyre. Nëse ka pasur një reagim të tillë për të sfumuar, le të themi, një akt të Presidentit të Republikës, duke e konsideruar atë si akt politik, ju garantoj që nuk ka qenë aspak një akt politik. Ka qenë një akt institucional, një veprim i përgjegjësisë shtetare, por dhe i respektit ndaj një pjese të konsiderueshme të qytetarëve shqiptarë, pavarësisht se në çfarë afilacioni politik janë të pozicionuar apo e adresojnë votën e tyre ditën e zgjedhjeve. Gjithsesi, kjo do të mbetet një sjellje e pandryshueshme institucionale e Presidentit të Republikës deri sa të përfundojë mandati.
Zoti Ylli Rakipi: Zoti President, unë nuk do ta shihja këtë problemin e takimit të Kryetarit të Shtetit me liderin e opozitës, si një moment që duhet të ndodhë patjetër dhe duhet të krijohet apo duhet të sajohet. Takimi juaj me opozitën sigurisht do të jetë institucional, do të ndodhë. Ne jemi një vend që kemi momente, kur dalim nga shinat e institucioneve dhe Presidenti mund dhe duhet të jetë figura që përpiqet që t’i rifusë palët në shinat që duhen. Unë do t’i rikthehem pyetjes së zotit Peka në fillim të këtij emisioni, por më konkretisht. Nuk jam as te ky formalizmi, që në ceremoninë tuaj të 28-nëntorit, të festës kombëtare, ishte dhe 100-vjetor, dhe mua nuk më erdhi mirë që nga të gjithë që ishin aty, fjalën më të rëndësishme e mbajti, qoftë dhe një njeri shumë i rëndësishëm, siç ishte Kryetari i Partive Popullore, që vinte nga Evropa. Miku respektohet, por jo deri atje sa protokolli të na tregojë dhe jo fort seriozë në pikëpamje të …, aq më tepër kur dhe kishim vitin e 100-të të shtetit, idesë së shtetit. Por unë dua të ndalem në disa gjëra që më duken më të rëndësishme se protokolli apo formaliteti i protokollit. Zoti Peka ju tha se cilin mund të veçojmë një nga vendimet tuaja ose nga qëndrimet tuaja që bien ndesh me qëndrimin e mazhorancës, më thellë akoma thatë Kryeministri. Realisht nuk kemi. Është një e drejta juaj mbase, jo substanciale, vendimi për Kryetarin e Shërbimit Informativ, kërkesa e Kryeministrit dhe pastaj dekretimi juaj. Kemi një të drejtë tjetër që është substanciale, Prokurori i Përgjithshëm, që është e drejta juaj, kanë qenë dy pika këto mjaft të nxehta, sidomos e dyta, mjaft e diskutuar jo vetëm tek politika shqiptare, por edhe tek ndërkombëtarët. Të themi të drejtën ishin dy pika të nxehta, të cilat u zgjidhën ashtu siç ishin projektuar dhe u zgjidhën në mënyrë të menjëhershme. Duhet të shtojmë këtu edhe një moment tjetër që edhe ai duket i rëndësishëm, ai është qëndrim, që ju duhet të na e thoni që pse duhej patjetër që ju të shpreheshit për grevën e të përndjekurve politikë, që “ajo është politike”, në një kohë kur ata nuk e kishin institucionalisht si kërkesë? Prapavija në politikën shqiptare ka plot. Sigurisht që politika shpesh është mbrapa. Mund të ishte Partia Socialiste, mund të ishin partitë e tjera që e ngrinin këtë opinion, por gjithsesi, ju u shprehët dhe thatë që unë nuk do të merrem, në mos gaboj, nuk do të merrem me një gjë që ka kërkesa politike, kur ato nuk ishin institucionale, dhe në një plan të përgjithshëm, siç ndodh rëndom në botë, në demokracitë institucionale. Domethënë nga Kryetari i Shtetit duhet të dëgjojmë që ç’është realisht kërkesë, jo çfarë fshihet mbrapa. Ju u shprehët domethënë, u duk sikur ishit palë në këtë rast dhe këto janë tejet të rënda.
Gazetari: Pra, le t’i marrim me radhë, çështja e parë është shqetësimi i zotit Rakipi për fjalën e zotit Martinez.
Zoti Ylli Rakipi: Ajo është tek formaliteti…
Presidenti Nishani: I regjistrova pyetjet.
Gazetari: Dhe është reagimi i parë i Kryetarit të opozitës kundër jush pas këtij protokolli.
Presidenti Nishani: Së pari, unë besoj që fjalimin më të rëndësishëm e mbajta unë atë ditë, besoj unë. Zoti Martinez ka qenë i ftuar zyrtarisht nga autoritetet e shtetit shqiptar, si President i një grupimi, ku janë të përfaqësuar shumica e kryeministrave, vende anëtare të Bashkimit Evropian, si President i një grupimi, i cili ka influencën më të madhe në Komisionin Evropian; si President i një grupimi ku është i përfaqësuar zyrtarisht Presidenti i Këshillit Evropian; si President i një grupimi ku është i përfaqësuar zyrtarisht Presidenti i Komisionit Evropian, dhe ka pranuar ftesën e ka ardhur në emër të kësaj përfaqësie të gjerë në Shqipëri, për të marrë pjesë në festimet e 28 nëntorit. Dhe unë gjykova që, në cilësinë e Presidentit të Republikës ta ftonim në pritjen zyrtare që Presidenti i Republikës organizon, ashtu siç do të ishte i pranishëm çdo person, të cilit i është adresuar kjo ftesë, pavarësisht përkatësisë partiake që ai ka në vendin e tij apo në familjen e tij politike. Nuk kishte rëndësi në gjykimin tim përkatësia partiake, sepse ne kemi dërguar ftesa për shumë personalitete, pa marrë parasysh se cilës parti politike i takon personaliteti. Dhe si President i këtij grupimi kaq të fuqishëm, gjykova që të kishte mundësinë që t’i adresohej qytetarëve shqiptarë dhe vendit në këtë ditë të madhe. Dhe në fjalën e tij, unë konstatova pikërisht adresime dhe komente për përparimin e Shqipërisë si vend, si komb, si shtet, dhe absolutisht komente që bëhen zakonisht në takimet e partive politike. Duke qenë se Presidentja e Kosovës ishte e pranishme gjithashtu atje, dhe edhe me sugjerimin e Protokollit të Shtetit, mendova që fjalën përmbyllëse në këtë ceremoni ta kishte Presidenti Republikës. Dhe zakonisht ndiqen këto rregulla protokollare në aktivitete të tilla ku ka disa folës, Presidenti i Republikës zakonisht bën konkluzionin e takimit.
Për sa u takon vendimeve që Presidenti ka marrë në lidhje me Drejtorin e Shërbimit Informativ apo me Prokurorin e Përgjithshëm, së pari në të gjitha rastet, Presidenti i Republikës në mënyrë strikte ka përmbushur detyrimin kushtetues. Nuk ka pasur në asnjë rast cënim të integritetit të pozicionit të Institucionit të Presidentit të Republikës; nuk ka pasur as dalje përtej të drejtës kushtetuese që ka Presidenti i Republikës dhe nuk ka pasur asnjë rast lejimi të cënimit të të drejtave kushtetuese të Presidentit të Republikës. Në rastin e Drejtorit të Shërbimit Informativ, është e drejtë kushtetuese dhe ligjore e Kryeministrit të vendit, i cili përcakton kush do të jetë drejtuesi i këtij institucioni që është në mënyrë të drejtpërdrejtë në varësi të Kryeministrit të vendit. Nuk gjeta asnjë arsye për të hedhur poshtë propozimin e Kryeministrit për ndryshimin e Kreut dhe për kandidaturën përkatëse që u emërua. Nëse do të kisha gjetur arsye kushtetuese për ta rrëzuar, për të mos pranuar kërkesën e Kryeministrit, padyshim që do ta kisha mbajtur një qëndrim të tillë. Për sa kohë kërkesa ishte tërësisht kushtetuese, ligjore dhe bazuar në argumente, tërësisht e drejtë e Kreut të qeverisë, kam përmbushur një detyrim dhe detyrë timen kushtetuese.
Gazetari: Më falni, përpara se të kalojmë tek Prokurori i Përgjithshëm, meqenëse jemi tek Shefi i Shërbimit Informativ, u shprehët se është kompetencë e Kryeministrit dhe ka varësi të drejtpërdrejtë nga Kryeministri.
Presidenti Nishani: Po.
Gazetari: Nuk është se kemi ndryshime kushtetuese, pasi ju jeni zgjedhur President i Republikës. Kjo kompetencë e Kryeministrit ka qenë edhe përpara se ju të zgjidheshit President i Republikës. A keni menduar pse Kryeministri nuk e ka bërë këtë kërkesë ligjore kushtetuese?
Presidenti Nishani: Nuk e kam menduar asnjëherë se s’ka qenë e nevojshme të them ndonjë gjë të tillë.
Gazetari: Përpara se ju të shkonit President, pyetja është fare konkrete, zoti Berisha me ish-Shefin e Shërbimit, Kryeministri nuk ka pasur thuajse asnjë komunikim, pra, për aq kohë sa ka qenë Shef Shërbimi zoti Bahri Shaqiri. Pse Kryeministri menjëherë pas zgjedhjes së Bujar Nishanit, President i Republikës, ushtroi këtë të drejtë kushtetuese për të zgjedhur një Kryetar të Shërbimit, me të cilin ai mund të punojë? Dhe a ka pasur një marrëveshje paraprake ndërmjet jush, zotit Berisha apo zotit Meta, për këto ndryshime të drejtuesve të institucioneve kushtetuese?
Presidenti Nishani: Përse e ka zgjedhur Kryeministri, këtë pyetje duhet t’ia adresoni Kryeministrit. Ndërsa për pjesën e dytë të pyetjes suaj, ju garantoj ju dhe opinionin publik që nuk ka pasur jo marrëveshje, por asnjë bisedë paraprake për çështje të tilla, absolutisht. Për më tepër që unë kam një eksperiencë të gjatë dhe në qenien si pjesë e kabinetit qeveritar, si ministër i një qeverie të caktuar, i një mazhorance të caktuar, nuk kam pasur kurrë në përvojën time kushte apo parakushte paraprake në mënyrën e ushtrimit të detyrës së institucionit.
Gazetari: … Ishim tek Drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar.
Zoti Artan Hoxha: U fol në media që emërimi i Drejtorit të ri është bërë pa konsultim me aleatin tonë më të madh, amerikanët. A është ky një burim pakënaqësie pra, a ka pasur ndonjë pakënaqësi në këtë moment nga amerikanët? Nëse po, a është rishëndoshur raporti me partnerin strategjik, me Drejtorin e ri, pas këtyre muajve?
Presidenti Nishani: Pyetja juaj ka disa momente. Momenti i parë, procedura dhe mënyra e ndryshimit janë përcaktuar në Kushtetutë dhe në ligj. Presidenti i Republikës, besoj dhe Kryeministri përpiqen pikërisht në këto përcaktime dhe sipas këtyre procedurave të përcaktuara nga ligjet e shtetit shqiptar, të realizojnë vendimet e tyre. Së dyti, në lidhje me qëndrimin e partnerëve tanë dhe miqve amerikanë, ka pasur një deklaratë zyrtare të Ambasadës për të përcjellë qëndrimin e Departamentit të Shtetit. Kështu që unë nuk mund të shtoj, nuk mund të pakësoj apo të bëj komente mbi këtë deklaratë. Dhe e treta, nuk ka pasur asnjë pakënaqësi dhe ju garantoj që marrëdhëniet vijojnë të jenë po aq të mira, madje jam i sigurt që, edhe për shkak të angazhimeve më të fundit që ka pasur drejtuesi i Shërbimit Informativ në këto marrëdhënie, ato po shkojnë drejt një rritjeje dhe një forcimi akoma më të madh të këtij bashkëpunimi.
Por nëse do më lejoni, do të kthehem tek pyetjet që bëri zoti Rakipi, që t’i përgjigjem deri në fund. Në çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, unë besoj që përtej debateve që u zhvilluan në ambientin publik dhe politik shqiptar, mënyra se si rrodhën ngjarjet dhe votimi në Parlament, tregoi që jo vetëm mazhoranca nuk kishte kundërshti ndaj propozimit të Presidentit, pasi ka qenë tërësisht një propozim i Presidentit, por dhe opozita nuk pati kundërshti ndaj propozimit të Presidentit.
Zoti Ylli Rakipi: Është një procedurë.
Presidenti Nishani: Procedura ka një mënyrë për ta ankimuar, çdo njeri ka të drejtën për t’u adresuar në Gjykatë Kushtetuese, nëse ka vërtet pretendime për të, por duhet të them që nuk ishte çështje për të cilën mbeti e kënaqur vetëm mazhoranca, por besoj që duke mos pasur një kundërshti nga opozita, besoj që kemi pasur një vendim të bazuar në Kushtetutë, por dhe një vendim racional të Presidentit të Republikës. Në lidhje me artikulimin për grevën e grupit të ish-të përndjekurve politikë, nëse do të më lejoni në mënyrë shumë miqësore, jo vetëm një korrigjim, por një rregullim, nuk ka pasur një deklaratë timen që kjo është një grevë politike, por ka qenë një përgjigje për të ndërhyrë në të, dhe kjo ka qenë e vërtetuar me prononcimet zyrtare të përfaqësuesve të grevës së urisë, të cilët deklaruan përpara se Presidenti të prononcohej “që çështjet që ne kemi shtruar, zgjidhen vetëm në rrugë politike…”
Zoti Ylli Rakipi: …dhe mund të kenë zoti President. Normale.
Presidenti Nishani: … Unë kam konstatuar deklarata të pastra politike, dhe përderisa ka deklarata të pastra politike që i kundërvihen në një betejë përballjeje politike njërës palës politike, Presidenti i Republikës nuk ka se si të mos e identifikojë këtë fakt. Megjithatë, kjo nuk e pengoi Presidentin e Republikës që të deklaronte që ka qëndrim politik, por nga ana tjetër, t’i presë, të bisedojë me ta, dhe natyrisht t’u ofrojë dhe ai propozimet e veta që natyrisht nuk rezultuan të pranueshme nga një pjesë e tyre, dhe më pas pati një zgjidhje që të gjithë ne e kemi parë.
Zoti Artur Zheji: Sipas thënieve të korridoreve ka pasur shumë nervozizëm në Ekzekutiv për këtë përgjigje që ju keni bërë zoti President. Ju ka ardhur ndonjë jehonë?
Presidenti Nishani: Jo, absolutisht jo! Absolutisht jo!
Gazetari: Megjithatë, duke përjashtuar opozitën, është i vetmi institucion, i cili pranoi të kontaktonte me grevistët, zoti Nishani. Ekzekutivi e injoroi kërkesën e tyre për takim kategorikisht.
Presidenti Nishani: Unë mund të mbaj qëndrime për sjelljet e mia institucionale.
Zoti Andi Bushati: Zoti Nishani, unë ju dëgjova me vëmendje deri tani tek këto pika që janë dhe pikat kryesore të këtyre kohëve që juve keni qenë në krye të Shtetit, por mendoj që ka dy optika. Duke folur pak më parë, thatë që jeni kënaqur nga zgjidhjet që keni bërë, pasi janë zgjidhje kushtetuese dhe këtu nuk besoj se ka njeri ndonjë debat. Por unë e shoh rolin e Presidentit jo vetëm në një zbatues skrupuloz të Kushtetutës, por edhe si Kreu i Shtetit që mundohet që me frymën e aksioneve të veta, të tregojë që është mbi palët dhe mbi të gjithë shqiptarët. Para se të zgjidheshit ju, madje pa dalë emri juaj në treg, çfarë thuhej në ambientin tonë publik që do bënte Presidenti i ardhshëm i zgjedhur nga kjo mazhorancë, që do ndërronte Kreun e SHIK-ut, u diskutua këtu, do ndërronte Prokurorin e Përgjithshëm, edhe kjo u diskutua. Prandaj, unë çështjen nuk e shtroj që a ishin të ligjshme apo s’ishin këto akte, por a janë këto aktet e një njeriu që do të shkëputet nga partia, të cilës i ka përkitur? Është stampa më e madhe ose klisheja më e madhe që do godiste çdo President të zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës. Do të ishte kjo që diskutuam këtu pra, që ky President do vazhdojë të jetë i bindur ndaj kësaj mazhorance. Mendoni që në këto pak muaj që ju keni në krye të Shtetit, keni arritur të ngrini një profil, një karakter që shkoi kundra kësaj klisheje? Se mua më duket se me veprimet që keni bërë, veçse keni vërtetuar klishenë që ju ka paragjykuar që para se ta merrni këtë funksion.
Presidenti Nishani: Kjo është një çështje që mua më intereson më shumë, bindja që krijon opinioni publik. Ajo që është përgjegjësi e imja është që të sillem në mënyrë kushtetuese dhe në mënyrë të tillë jashtëpartizane, siç e profilizuat ju. Të dy vendimet kanë qenë vendime, për të cilat Kushtetuta dhe ligji e detyronte Presidentin e Republikës të ushtronte detyrën e tij. Ajo që unë e kam perceptuar si ikje nga ndikimi partizan, ka qenë pikërisht jo thjesht respektimi i detyrës si President i Republikës, por portretizimi dhe ofrimi i individëve, të cilët nuk kanë pasur asnjë ngarkesë politike dhe nuk kanë manifestuar asnjë sjellje partizane në ushtrimin e detyrës së tyre. Nëse ne mendojmë që do të mbetemi peng i taktikave elektorale të palëve dhe nuk do të ushtrojmë kompetencat tona, e nuk do të përmbushim detyrën kushtetuese, atëherë ne biem në një gabim të rëndë, sepse nuk çojmë përpara detyrat tona kushtetuese dhe institucionale. Nga ana tjetër, qëndrimi i distancimit nga partia politike dhe nga palët politike, unë besoj që vjen jo tek përmbushja e detyrës, por tek përzgjedhja dhe profilizimi i individëve, të cilët kanë një rëndësi shumë të madhe, në mënyrën se si sillet institucioni që ata do të drejtojnë. Pra, në momentin që ne kemi shkuar dhe i kemi ofruar shoqërisë, shtetit, institucionit, njerëz të cilët janë tërësisht të ftohtë nga ndikimi partizan, të papërfshirë në asnjë aktivitet partizan, unë besoj që ne kemi dhënë një kontribut pozitiv. Dhe nëse kjo analizë do të bëhet nga qytetarët, e nëse krijohet bindja tek qytetarët që, sjellja institucionale ka ecur paralelisht me përgjegjësinë qytetare që duhet të karakterizojë Presidentin e Republikës në raste të tilla, pra për të qëndruar jashtë ndikimit, afilacionit partizan, unë besoj që e kemi realizuar misionin tonë në cilësi të mirë, në cilësinë e dëshiruar. Nëse pastaj, njëra palë mendon që për të krijuar pengesa, për të krijuar ngërçe institucionale, do të bëjë interpretime gjithmonë të karakterit politik, kjo mbetet për t’u ndarë në opinion.
Zoti Andi Bushati: Zoti Nishani, është i drejtë problemi i jopartizanizmit apo jo, por mua më duket sikur të dekretosh pa asnjë lloj mëdyshje një ish personazh të SHIK-ut të para vitit ’97 të Gazidedes, në Shërbimin e sotëm, mund të jetë një akt i ligjshëm, por vetëm akt jopartizan nuk më duket nga këndvështrimi im, në qoftë se flasim jo gjithmonë për ligje dhe për Kushtetutë, por dhe për një frymë shtensionimi dhe për ngritje të një karakteri mbi palë.
Presidenti Nishani: Unë besoj se nëse do të përdorim si një masë vlerësimi për individin, për një person të caktuar, institucionin në të cilin ka punuar në një periudhë të caktuar, unë besoj që ne jemi së pari në dhunim të së drejtës së tij. Drejtori aktual, i cili është dekretuar nuk ka pasur asnjë veprimtari të tij antikushtetuese, pro partizane të artikuluar, të gjetur, apo të evidentuar. Ka qenë një nëpunës i nderuar i shtetit, ka punuar në një sektor shumë të vlerësuar, ashtu siç ka pasur tërë karrierën e tij si profesionale, por dhe qytetare me një nivel shumë të lartë integriteti. Për sa kohë nuk ka pasur të evidentuar, apo dhe të atakuar qëndrime të tilla, unë mendoj se nuk kemi pse të paragjykojmë individë në mënyrën se ku kanë punuar në një periudhë të caktuar.
Zoti Andi Bushati: Për t’i paragjykuar jo, por ju jeni i bindur që këto qëndrime shprehin frymë jo partizane.
Presidenti Nishani: Absolutisht shprehin bindje, qëndrime jo partizane, sepse për sa kohë një individ i tillë në të gjithë veprimtarinë e tij nuk ka pasur të evidentuar asnjë qëndrim partizan, edhe në atë periudhë të cilës ju i referoheni, atëherë askush nuk ka të drejtën, aq më tepër Presidenti i Republikës të bëjë paragjykime për individin.
Zoti Andi Bushati: Duhet të ndajmë dy gjëra, se ka partizanë shumë të ndershëm, jo partizanë që kanë luftuar në atë kohë, por domethënë …
Presidenti Nishani: Partiakë.
Zoti Andi Bushati: Po, partiakë shumë të ndershëm që të gjithë jetën e tyre mund të kenë qenë korrekt me ligjin, korrekt me detyrën e tyre, por kjo nuk i bën të preferueshëm nga një njeri që do të jetë mbi palët.
Presidenti Nishani: Unë nuk e profilizova kryetarin aktual tek njerëzit partizanë, por të ndershëm. E profilizova, ashtu siç evidenton fakti, tek njerëzit jo partizan. Nuk ka pasur asnjë lidhje dhe veprimtari partizanë të tij.
Zoti Artan Hoxha: Duket me shumë interes ky eksplorimi i mundësive për pranimin e Presidentit si uniteti i kombit edhe nga opozita. Të njëjtat gjëra që tha zoti Bushati unë po i radhis në këtë mënyrë. Ju pranuat një propozim për një Drejtor të Shërbimit Informativ Kombëtar, dikë, i cili pëlqehet nga aleatët tanë strategjikë sot. Zoti Peka ju kujtoi se ishit i vetmi që takuat përfaqësuesit e të përndjekurve politikë që ishin në grevë urie. Propozuat një kandidaturë për Prokuror të Përgjithshëm, i cili u pëlqye 359 gradë dhe vetëm një gradë nuk u pëlqye. Megjithatë, edhe pse shkuat edhe në 29 nëntor në Varrezat e Dëshmorëve, ndryshe nga zakoni juaj, i partisë nga ju erdhët, kjo nuk mjaftoi për opozitën që t’jua njohë si kredite. Mos jemi në një situatë pa zgjidhje, se që Presidenti të fitojë simpatinë e opozitës duhet të bëjë një sherr me Kryeministrin?
Presidenti Nishani: Kjo mbetet në masën e vlerësimit, apo në kriteret që kanë palët për Presidentin e Republikës. Edhe një herë, unë i kthehem asaj përgjigjeje për pyetjen që më bëri zoti Peka. Unë gjykoj dhe besoj, si dhe sillem në mënyrë të tillë që, Presidenti i Republikës nuk ka nevojë për një çertifikim politik të partive të caktuara politike. Presidenti i Republikës duhet me çdo kusht të realizojë dhe të zbatojë atë, çka Kushtetuta parashikon dhe i kërkon Presidentit të Republikës, të ruajë integritetin e lartë dhe profilin e lartë të përfaqësimit, që i kërkohet Kreut të Shtetit dhe, natyrisht, bie dakord dhe me atë adresim që bëri zoti Bushati, që me aktet e tij, me veprimet e tij duhet të përcjellë një frymë, e cila i përfshin dhe i respekton të gjithë qytetarët, të gjithë grupet politike, të gjitha palët politike. Pra, duke qenë brenda këtyre standardeve dhe kritereve, natyrisht, duke ruajtur një profil shumë të lartë dhe shumë të fortë të seriozitetit dhe të integritetit personal, sepse është Kreu i Shtetit, unë besoj që kjo do të jetë një masë që do të vlerësohet realisht nga qytetarët shqiptarë. Për mua, këto janë sfidat dhe këto janë kriteret mbi të cilat duhet matur dhe duhet gjykuar Presidenti i Republikës.
Zoti Artan Hoxha: Nuk jeni demoralizuar, megjithëse keni dhënë disa sinjale, ende nga mospranimi i opozitës për pozicionin tuaj si President dhe do të vazhdoni në këtë qasje.
Presidenti Nishani: Absolutisht jo, madje, përkundrazi, ajo që unë e kam shprehur dhe më përpara, vlerësimi im për opozitën si një nga aktorët kryesorë të jetës publike, të jetës politike në Shqipëri, është një element, që Presidenti i Republikës jo vetëm e vlerëson, por është shumë i kujdesshëm për të qenë kontribues dhe bashkëpunues në çdo rast.
Zoti Artur Zheji: Unë dua të bëj disa pyetje konkrete, meqenëse çështja e pëlqimit dhe e mos pëlqimit nuk do të zgjidhet deri në fund të mandatit tuaj, çdo hap do të shihet me optikën që një grupimi politik i intereson, megjithatë, personalisht mendoj që veprimet konkrete në terren të Presidentit të Republikës do e bëjnë atë që në fund të mandatit të dashur, apo… . Unë dua t’ju bëj disa pyetje konkrete. Unë e ndoqa me shumë vëmendje fjalën tuaj në 28 Nëntor, që ishte dhe rasti i 100-vjetorit dhe, ndoshta edhe për çështje sensibiliteti, ndaluat tek një vlerësim shumë konkret që ju bëtë për gjuhën shqipe dhe ndjeva që kishit formën albanologjike shumë pasionante, ndërkohë që ne kemi një Akademi, që nuk funksionon, kemi një Akademi dhe një albanologji, që pothuajse nuk ekziston në këtë 100 – vjetor. Është një dramë. Nga ana tjetër, në Parlamentin shqiptar është paraqitur një rezolutë, që është quajtur Rezoluta e Çështjes Çame, e zotit Idrizi, që unë e perceptoj që do të krijojë një debat shumë të madh sa i takon rizgjimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve në lidhje me të drejtën e tyre ndërkombëtare për të rivendikuar akte pronësie, rivendikuar sekuestro të pasurive të palëvizshme të shqiptarëve, të marra në ato territore në mënyrë abuzive në bazë të një ligji lufte, që mbahet artificialisht në këmbë akoma dhe sot. Këto janë detyra shumë fisnike, janë momente shumë fisnike. Nuk ka rëndësi, por kjo rezolutë më në fund mbërriti. Është një moment shumë i rëndësishëm kombëtar, pavarësisht se kush e solli dhe si e solli. Nga ana tjetër, kam informacion që, Ambasadori i ardhshëm i Republikës së Greqisë, që do të jetë në Shqipëri dhe që ju dorëzoi kredencialet, ka qenë rreth tri vite Drejtor i Shërbimeve Sekrete greke. Kjo tregon një lloj vëmendjeje të veçantë, që tregon diplomacie helene në raport me Shqipërinë. Bëra disa pyetje bashkë, thjesht në terrenin konkret, për të ditur a do të jetë Presidenti në rezonancë me kombin të tij në këto momente, që unë i konsideroj të rëndësishme, siç është momenti tjetër, premtimi publik që bëri Kryeministri sa u përket pasaportave për të gjithë shqiptarët. Në fund të fundit e drejta për shtetësi është e njohur zoti President. Janë këto gjëra, janë këto akte që mbeten. Sigurisht, nuk mund të ketë politikan, ju jeni politikan, pavarësisht se sot jeni President, të padiskutuar dhe të pa interpretuar. Në këto akte si e ndjeni veten? Keni vullnetin për të qenë figurë aktive dhe e rëndësishme, apo mund ta përdorni Kushtetutën si një lloj perdeje për t’u fshehur ndonjëherë?
Presidenti Nishani: Përkundrazi. Kushtetuta e rrit obligimin në këtë sens që ju e thatë dhe për Presidentin e Republikës dhe për çdo qytetar shqiptar, çdo institucion. Çështja kombëtare është çështje prioritare për shqiptarët, është një çështje, e cila kërkon angazhime shumë serioze, kërkon kontribute reale. Çështja kombëtare është e lidhur pazgjidhshmërisht me prosperitetin, me përparimin ekonomik, me përparimin e demokracisë për shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, apo kudo që ata jetojnë. Çështja e nënshtetësisë: Presidenti i Republikës do të mbështesë çdo kërkesë të vullnetshme që do të vijë për marrjen e nënshtetësisë së Republikës së Shqipërisë nga të gjithë shqiptarët, në momentin që hapësira ligjore krijohet. Pa dyshim, kjo është një e drejtë universale dhe nuk ka asnjë lloj ndikimi, apo ndryshimi të territoreve, apo të kufijve, nuk ka një ndikim të tillë. Për sa u takon të gjitha çështjeve, që ju cituat, unë besoj që festimet që ne patëm në 100-vjetor të Pavarësisë, përpos haresë, gëzimit, një lloj sensibilieti shumë të madh, patën në gjykimin tim një evidencë shumë interesante për sa i takon pjesës studimore të historisë, analizës dhe evidentimit të ngjarjeve, studimit të arkivave dhe unë shpresoj që ky do të jetë vetëm një moment fillimi. Dhe do të desha, si President i Republikës, por edhe ju përmes zërit tuaj si analistë, opinionistë, njerëz të hapur me opinionin publik, që krijoni perceptime, opinione, të nxisni shumë më tepër studiuesit tanë, që t’i adresohen më shumë historisë, që ne kemi dhe njohim deri më tani, por më së shumti arkivave, pasi ne kemi në Shqipëri dhe jo vetëm, një pasuri të madhe arkivore të paprekur, të pacënuar, e cila lidhet drejtpërdrejt me historinë tonë reale. Në këtë kontekst … .
Zoti Artur Zheji: Nuk bëhet me punë vullnetare.
Presidenti Nishani: Absolutisht që nuk bëhet me punë vullnetare.
Gazetari: Zoti President, edhe në këtë rast duket se nuk u lë radhë, jo vetëm historianëve, por asnjërit, Kryeministri. Dje, në Komitetin e 100-vjetorit të Pavarësisë, për 90-të minuta ka bërë leksion mbi historinë Kryeministri i vendit. Po i shtojmë dhe deklaratave të zotit Zheji dhe ato për bashkim kombëtar …
Presidenti Nishani: Por çfarë duhet të bëjmë? Nuk duhet të flasim ne që jemi të angazhuar në politikë?! Secili ka nevojë të thotë mendimin e tij. Ndërsa, puna studimore, puna arkivore patjetër është detyrë dhe duhet lënë në dorë të studiuesve.
Gazetari: Zoti President, ju kërkoj ndjesë, por edhe Kryeministri, në 90-të minuta live, i transmetuar nga të gjitha televizionet, t’u flasë shqiptarëve dhe ministrat që e shikonin në kokërr të syrit sikur çfarë po thoshte mbi historinë e Shqipërisë dhe kjo është pak e çuditshme dhe jo fort normale.
Zoti Artur Zheji: Të dëgjojmë dhe Presidentin pesë minuta.
Gazetari: Kemi deklaratën e bashkimit kombëtar. A ka një koherencë në ato çka thotë Kryeministri dhe Presidenti i Republikës, që është Kryetari i Shtetit, kur bëhet fjalë të paktën për politikën e jashtme. Kemi deklaratën e Kryeministrit për bashkim kombëtar. Kemi deklaratën e Kryeministrit për pajisjen me pasaporta të shqiptarëve kudo që janë. Janë deklarata elektorale, apo ka dhe një konsultë ndërmjet Kreut të Qeverisë me Kreun e Shtetit?
Presidenti Nishani: Konsultë në çfarë drejtimi? Këtu nuk po përcaktohen strategji të caktuara, apo udhërrëfyes mbi të cilët do të ecin institucionet e shtetit. Unë besoj që askush nuk mund të thotë sot se është e parëndësishme që ne të diskutojmë për çështjen kombëtare, aq më tepër, pikërisht sot kur shqiptarët janë kthyer në kontribues shumë të rëndësishëm të paqes, stabilitetit në rajonin ku jetojmë. Shpeshherë thuhet bashkimi kombëtar dhe, në fakt, unë kam krijuar një bindje që, në tërësi, në analizat që bëhen, ka një lloj dëshire për të ndryshuar pak sensin e deklaratave. Megjithatë, ajo që është e padiskutueshme dhe unë kam bindje më të thellë dhe besoj që çdo shqiptar bashkohet sot me mua që, çështja kombëtare sot është një prioritet shumë i madh, sepse çështja kombëtare, lidhet me përparimin, me zhvillimin, me të gjitha dimensionet e shtetit, ku jetojnë shqiptarët. Por, le të kthehemi tek pyetjet e zotit Zheji. Unë e nisa me çështjen e studimeve dhe unë personalisht jam i angazhuar të vlerësoj maksimalisht, për aq kompetenca sa ka Presidenti i Republikës, dhe të inkurajoj çdo iniciativë që do të bëhet nga studiues të ndryshëm në lidhje me historinë, në lidhje me gjuhësinë, sepse, në fund të fundit, është e vërtetë ajo që thatë ju se, gjuhësia është baza dhe shtylla kurrizore e tërë momenteve tona historike. Kjo është evidentuar në fakt edhe nga studiues të huaj, jo vetëm shqiptarë. Ne duhet ta kemi për krenari dhe duhet të bazohemi fort tek elementi gjuhë, sepse studimi i gjuhës do të na japë fakte të forta të historisë sonë shumë të lashtë si komb.
Gazetari: Jo kur e bën zonja Topalli këtë gjë.
Presidenti Nishani: Edhe një herë, askush prej nesh nuk është i ndaluar të shprehë qëndrimet dhe gjykimet e tij personale.
Gazetari: Për ta ndryshuar them gjuhën.
Presidenti Nishani: Për sa i takon çështjes së rezolutës çame, është absolutisht e drejta më fondamentale e këtij komuniteti për të kërkuar sensibilitetin e çështjes së tyre. Unë jam i bindur që, çështja e pronave të komunitetit çam është një çështje që meriton një zgjidhje të padiskutueshme, është një çështje që do të kthejë një të drejtë themelore të individit tek ta. Përmbajtja e rezolutës është një çështje që ne ende presim të trajtohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe produkti përfundimtar i saj, padyshim, që do të jetë pjesë e analizës dhe e gjykimit publik.
Zoti Andi Bushati: Edhe një herë tek ky debati që është hapur për nacionalizmin, për parullat për bashkim kombëtar etj., etj. Unë zoti Nishani jam gjithmonë në të njëjtën linjë, në atë që i mundon besoj shumë shqiptarë që, a po arrini ju të krijoni një profil të Presidencës të shkëputur nga prejardhja juaj politike që rrjedh nga Partia Demokratike. Më thatë për politikën, për politikën e brendshme që po mundoheni të jeni mbi palët. Mbi nacionalizmin ka pasur një debat, sidomos pas deklaratave të fundit të Kryeministrit. Nga njëra anë është Kryeministri i mbështetur nga kjo mazhorancë. Në anën tjetër janë aleatët tanë, që nga Uashingtoni deri në Bruksel, që e kanë fshikulluar ashpër këtë rritje të dozave të nacionalizmit. Prapë në këtë dilemë, mendoni se ka pasur teprime të retorikës nacionaliste, të shtimit të saj për qëllime elektorale, apo ndoshta po na gjykojnë me një sy më të ashpër se ç’duhet, Uashingtoni dhe Brukseli?
Presidenti Nishani: Vetëm për arsyen, për të qenë më i qartë në përgjigjen time, unë do të dëshiroja të më ndihmonit, të më citonit se cila deklaratë e Kryeministrit ka qenë nacionaliste.
Zoti Andi Bushati: Ka disa. Është fjalimi në Shkup, ku, në qoftë se marrim të plotë fjalimin, ka pasur një temë mbizotëruese në politikën shqiptare, bashkimi i shqiptarëve në Bruksel. Nëse e shohim këtë, Brukseli, nëse përmendej në çdo rast, tani përmendet një në dhjetë herë. Nuk është hequr dorë, por është shumuar ideja e një bashkimi të përbashkët në Bruksel dhe gjithmonë që shqiptarët duhet të punojnë për bashkimin e tyre.
Gazetari: Nga Kryeministri, Brukseli ka rënë. Në asnjë rast nga data 25 nëntor, zoti President, në një gjë për të cilën besoj se jam korrekt, sepse po e ndjek absolutisht me vëmendje për shkak të kësaj teme, Kryeministri i Shqipërisë shprehet qartësisht “bashkim kombëtar” dhe mundohet të cilësojë albanofobët sipas tij, që kjo gjë nuk do e destabilizojë rajonin dhe kjo është një e drejtë e shqiptarëve. Nuk ekziston në asnjë rast fjala Bruksel. Kjo deklaratë është bërë për herë të parë në Shkup. Si është ndjerë Presidenti i Republikës, ju si Kryetar Shteti që Kryeministri shprehet për bashkim kombëtar dhe u bën thirrje vendeve të rajonit të heqin dorë nga albanofobia, pasi kjo është një e drejtë e shqiptarëve, e cila nuk mund të mohohet.
Zoti Andi Bushati: Se ma korrigjove pak pyetjen. Mundet që të gjitha këto të jenë hipoteza të paqëndrueshme, por fakti ka bërë që të reagojë dhe Uashingtoni dhe Brukseli. Pra, diçka ekziston.
Presidenti Nishani: Diçka ka pasur, pasi, në radhë të parë dua të them se, kur flasim për nacionalizëm, duhet të kemi parasysh që nacionalizmi në koncept, më korrigjoni nëse nuk jam i saktë, në teori dhe në praktikë presupozon urrejtjen ndaj një pale tjetër. Kjo është të paktën në histori, por edhe në gjuhësi.
Zoti Artur Zheji: Dhe rivendikim territorial.
Presidenti Nishani: Po, dhe rivendikim territorial në mënyrë agresive. Në asnjë rast, jo vetëm deklarata që nuk ka pasur, përkundrazi, të gjitha institucionet shqiptare kanë qenë shumë të kujdesshme për ta fokusuar rëndësinë e çështjes shqiptare si një prioritet, por pa pasur asnjë tendencë të rivendikimit territorial, siç e përmendi zoti Zheji, për ndryshime kufijsh, apo duke ngjallur urrejtje ndaj fqinjëve, apo të tjerëve. Mund të ketë pasur zëra në shkretëtirë, të izoluar që lëshojnë deklarata me përmbajtje urrejtjeje ndaj të tjerëve, por që këto nuk janë institucionale, nuk janë zyrtare dhe ndoshta këto mund të kenë qenë arsyet që dhe disa partnerë tanët mund të kenë kërkuar që, deklarata të tilla të bëhen të paqena. Por, për t’u kthyer tek thelbi i çështjes, jo vetëm Presidenti në raport me mazhorancën dhe qeverinë, por edhe me opozitën, dhe ne kemi një fat, që, në politikën e jashtme nuk ka qëndrime të diferencuara mes palëve politike në Shqipëri. Shikoni zoti Peka fjalimet e Presidentit të Republikës në Parlamentin e Kosovës, në vizitën time të parë jashtë vendit, në Bruksel, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, janë qëndrimet zyrtare të Kreut të Shtetit, që janë që të gjitha të akorduara me Ministrinë e Jashtme, me qeverinë shqiptare. Janë të gjitha të një vije, të një linje, të një qëndrimi me atë që ka pasur qeveria në të shkuarën, që ka qeveria aktualisht. Prandaj, nëse flasim për albanofobi, absolutisht që, kush thotë se nuk ka albanofobi në rajon e ka gabim. Nuk janë zyrtare nga vendet fqinje, janë të izoluara, janë të individëve të veçantë, janë të organizatave të veçanta, por që ekzistojnë dhe, natyrisht, ne do të themi gjithmonë që, forcimi i faktorit shqiptar, i cili është një realitet, është një anë shumë pozitive dhe është një kontribut për stabilitetin dhe paqen në rajon. Nëse ne themi që, faktori shqiptar është një faktor real dhe një faktor i fuqishëm, kjo nuk do të thotë që është i rrezikshëm, sepse, kurrë shqiptarët nuk kanë qenë provokatorë, nuk kanë qenë agresorë, nuk kanë qenë pushtues dhe nuk e kanë ndërtuar të ardhmen e tyre mbi fatkeqësinë e të tjerëve, mbi dhunën ndaj të tjerëve, mbi urrejtjen ndaj të tjerëve. Përkundrazi, vijmë tek ajo që thatë ju, tek shmangia e termit të bashkimit drejt Brukselit, kjo nuk është në fakt korrekte. Gjithmonë, dhe procesi ku jemi përfshirë dhe procesi ku janë përfshirë të gjithë shqiptarët është një proces drejt integrimit evropian. Shqiptarët në Shqipëri, shqiptarët në Kosovë, shqiptarët në Maqedoni, shqiptarët në Mal të Zi janë që të gjithë brenda një procesi të vetëm, procesit të integrimit evropian. Nuk mund të ketë procese paralele, procese jashtë këtij, që është një proces gjithëpërfshirës. Kështu që, domosdoshmërisht ne do të shkojmë në një proces të përbashkët, secili brenda vendit dhe shtetit ku jeton dhe kjo do të realizohet pa diskutim në atë, që ne e mendojmë si bashkimin përfundimtar të shqiptarëve në hapësirën evropiane, në bazë të mënyrës se si funksionon sot Bashkimi Evropian, në koncept, në mentalitet, në institucione dhe në komunikim.
Zoti Andi Bushati: Vetëm një gjë zoti Nishani, se m’u duk sikur nuk mora përgjigje për pyetjen time, sepse unë e di që, për gjithçka nga këto mund të gjendet një justifikim dhe prandaj e ndërtova pyetjen në një mënyrë të tillë që, partnerët tanë ndërkombëtarë reaguan pas deklaratave të Kryeministrit. Për ju, kanë gabuar ata, apo i kanë shtuar vërtet në një masë të rrezikshme, Kryeministri i vendit, se kontradikta kjo është: kemi deklarata të forta dhe deklaratat e partnerëve tanë. Kush ka të drejtë?
Presidenti Nishani: Ne ndajmë gjykimin bazik të çështjes, sepse nuk ka pasur ndonjë reagim të partnerëve ndaj deklaratave të Kryeministrit.
Zoti Andi Bushati: Po, të fortë. Pas shtimit të gjuhës së zotit Berisha, atëherë kanë ardhur të gjithë deklarimet.
Presidenti Nishani: Unë nuk dua të hyj në citime konkrete, por ka pasur citime të partnerëve tanë për raste konkrete dhe adresuar qëndrimeve konkrete të grupeve të caktuara me emërtim. Megjithatë, edhe një herë, unë nuk ndaj asnjë ndryshim të qëndrimit të Kryeministrit, me qëndrimet, që janë mbajtur deri më tani nga institucionet shqiptare. Shikoni edhe një herë, ndaj ju them, fjala dhe adresimi që kam mbajtur unë, si President i Republikës, kanë qenë gjithmonë të akorduara dhe duhet të jenë të akorduara me Ministrinë e Jashtme, që përfaqëson qeverinë shqiptare në politikën e jashtme dhe ne kemi fatin e madh se edhe pse kemi divergjenca dhe ndarje të mëdha për politikën e brendshme, për çështje të ndryshme të brendshme, ne shqiptarët nuk kemi diferenca në politikën e jashtme dhe, në ka pasur një arritje të padiskutueshme, të konsoliduar dhe që do të vijojë, jam i bindur për këtë, të kontributit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në politikën e jashtme, ka qenë ajo e fqinjësisë së mirë, e stabilitetit, e paqes. Dhe është deklaruar disa herë, në mënyrë të përsëritur nga drejtuesit e shtetit shqiptar që, Shqipëria nuk ka asnjë problem të hapur me fqinjët e saj.
Zoti Artan Hoxha: Mbi temën patriotike. Kemi një diskutim të PDIU-së për një rezolutë parlamentare lidhur me çështjen çame. Besoj që jeni njohur me draftin e kësaj rezolute dhe pyetja ime është: e konsideroni këtë nismë të gabuar, e konsideroni të drejtë, por në momentin e gabuar, apo e konsideroni edhe të drejtë, edhe në momentin e duhur?
Presidenti Nishani: Absolutisht është një nismë në të drejtën e plotë e këtij komuniteti. Është një nismë e dërguar në momentin që ata e kanë gjykuar më të mundshëm për ta ndërmarrë. Nuk mundemi ne të gjykojmë për një iniciativë, që është e drejtë e individit apo e grupeve, si dhe nëse kanë gjetur momentin e përshtatshëm apo momentin e gabuar. Ajo që për mua është e rëndësishme ka të bëjë me faktin që çështja e pronave të komunitetit çam është një çështje që do zgjidhje. Është një çështje, e cila duhet adresuar. Përsa i takon përmbajtjes së rezolutës unë jam njohur përmes mediave, nuk kam pasur rastin ta shoh, por natyrisht është ajo që media ka, sepse media e ka përcjellë në mënyrë shumë serioze. Përsa i takon përmbajtjes natyrisht që si President i Republikës do të shoh me kujdes zhvillimet në Kuvendin e Shqipërisë.
Zoti Artan Hoxha: Gjithësesi ju e inkurajoni këtë ide.
Presidenti Nishani: Pa diskutim.
Zoti Ylli Rakipi: Unë them që mjaft i diskutuar është ky momenti i këtij nacionalizmi të ditëve të fundit, siç i bëjmë shumë gjëra me fushata ne zoti President. Në fakt kjo që tha zoti Hoxha është një gjë normale, në mënyrë institucionale Parlamenti shqiptar mbase duhet nesër patjetër të bëjë një rezolutë për pronat e çamëve dhe të gjithë kërkesat që ata kanë, d.m.th. ne të kemi dhe gjëra institucionale realisht të vërteta dhe jo deklarata elektorale, fishekzjarrë, të cilët lëshohen dhe harrohen pas 5 ditësh. Ideja jonë mesa vura re dhe nga drejtuesi i emisionit është që, të paktën Kryetari i Shtetit duhet të jetë larg këtyre deklaratave elektorale.
Gazetari: Patriotizmi folklorik.
Zoti Ylli Rakipi: Patriotizëm folklorik që nuk na jep ndonjë gjë të rëndësishme, se gjërat që kemi fituar realisht, shqiptarët i kanë fituar këto kohët e fundit, si ‘Kosovën’ është një produkt që ne jemi të qartë nga vjen. Vite më parë ishte e ndaluar të flitej për Kosovën. Gjithësesi unë them që të kalojmë tek një moment që është më i rëndësishëm për shkak të kompetencave tuaja. Zyra e Presidentit të Republikës është një zyrë e ngushtuar, sipas mendimit dhe opinionit tim, së tepërmi këto 20 vjet…
Gazetari: Kemi dhe dy pyetje dhe pastaj kalojmë tek kjo temë, tek nacionalizmi, pastaj kalojmë tek pyetja tjetër.
Zoti Artan Hoxha: Zoti President, ju keni qenë ministër i qeverisë para një viti kur u zhvillua në terren censusi, dhe Ministria e Brendshme në mos gaboj, në atë kohë, para një viti ka pasur një farë roli të rëndësishëm besoj nëpërmjet mbështetjes së kësaj nisme kaq gjigande. Kemi përfaqësues të partisë që përfaqëson minoritetin grek kryesisht që para një viti i bëri thirrje elektoratit të vet bashkë me organizatën Omonia ta bojkotonin regjistrimin, dhe pas një viti deklarojnë që në atë rregjistrim morën pjesë vetëm 5 deri në 7% të atyre që janë prezent, minoritarë grekë dhe nëqoftëse dalin 24 mijë sipas censusit shumëzuar për 20, sipas këtij kryetari partie, zotit Dule pretendohet që ka 480 mijë grekë në Shqipëri. Si ju duken këto deklarata?
Presidenti Nishani: Me shumë mirëkuptim besoj do të pranoni faktin që nuk hyj në komentet e deklaratave të kujtdoqoftë. Ajo që unë mund t’ju them si President i Republikës, e cila është serioze, ka të bëjë me faktin që metodika e këtij censusi është një metodikë tërësisht korrekte dhe europiane. Është një proces krejt transparent dhe i drejtëpërdrejtë që është përdorur dhe që është aplikuar në terren. Natyrisht jo të gjithë nënshtetasit shqiptarë janë në territorin aktualisht të Republikës së Shqipërisë. Nëse ne kemi 4.2 milion shtetas të regjistruar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, censusi gjeti dhe identifikoi në territorin rreth 2.8 milionë, ndërsa mënyrën sesi interpretohen apo transpozohen përqindje të ndryshme këto padyshim janë çështje të emocioneve politike, partiake, që besoj nuk i takon as Presidentit, as kërkujt tjetër që t’i elaborojë në fund të fundit. Ajo që është e rëndësishme, është se ky census në gjykimin tim, në konkluzionin tim, është një procedurë tërësisht korrekte në metodikë, në zbatim dhe në paraqitje.
Gazetari: Zoti President dhe dy momente. Po e ritheksoj, po e ndjek me vëmendje se këto deklarata të Kryeminsitrit lidhur s’po them me nacionalizimin, por me patriotizmin, i cili në çdo rast po kujdeset të mos përmendë termin Bruksel dhe të lërë të kuptojë shumë gjëra. Pak më parë u shpreh dhe e përforcoi dhe zoti Zheji, në kontekstin tuaj të nacionalizmit është dhuna ndaj të tjerëve dhe ndryshimi i kufijve në mënyrë të dhunshme. Sipas jush, në rast se nuk ka ndryshim kufijsh në mënyrë të dhunshme por me mirëkuptim nuk kemi të bëjmë më me nacionalizëm, megjithatë termi ‘bashkim kombëtar’ po përdoret fort nga kreu i ekzekutivit. A do të ishte Presidenti i Republikës kundër një bashkimi të vullnetshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, meqë bashkimi i dhunshëm përbën nacionalizëm?
Presidenti Nishani: Në fakt bëtë komentin tuaj. Unë absolutisht nuk do të desha të bëj evidentuesin e deklaratave të Kryeministrit, por meqë jemi në një çështje që ka rëndësi shumë të madhe dhe unë nuk i iki aspak asaj që çështja kombëtare është çështje prioritare për ne. Po risjell në vëmendjen tuaj dhe një deklaratë të përsëritur të Kryeministrit, që lidhet drejtëpërdrejtë me çështjen e kufijve, i cili ka thënë ‘ndryshimi i kufijve është në dëmin e shqiptarëve’ dhe unë besoj që kjo deklaratë i jep përgjigje të gjitha spekulimeve të tjera, që mund të bëhen me qëndrimet….
Gazetari: Deklaratë shumë kohë para 25 nëntorit.
Presidenti Nishani: Absolutisht jo, e keni deklaratë shumë më të fundit…
Zoti Artan Hoxha: Para një jave.
Gazetari: Megjithatë pyetja është fare konkrete. A do të ishte Presidenti i Republikës kundër një ndryshimi kufijsh në mënyrë të vullnetshme ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës?
Presidenti Nishani: Ndryshimi i kufijve nuk është çështje dëshire individësh apo dy vendeve të ndryshme. Çështjet e kufijve janë çështje të së drejtës ndërkombëtare dhe shikohen në një kontekst shumë më të gjerë. Historia tregon sesi janë vendosur kufijtë, si janë trajtuar kufijtë, si kanë funksionuar kufijtë, kështu që ne nuk mund të shkojmë në një mënyrë kaq të ngushtë e kaq të ngurtë në mënyrën e interpretimit të ndryshimit të kufijve. Kjo është një çështje e së drejtës ndërkombëtare, funksionon brenda një rajoni, brenda një konteksti të caktuar. Jemi përfshirë, të mos harrojmë, në procese integruese, ku ndryshon koncepti dhe i sovranitetit nga ai që ka një shtet i izoluar dhe i vetmuar. Sot Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s. Pretendojmë të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian, i cili do të na orientojë dhe do të na krijojë mënyrën e funksionimit të shoqërisë në mentalitete të tjera, por edhe me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të ndryshëm nga ajo e një shteti të izoluar brenda këtij koncepti vendimtar. Pra duhet t’i shikojmë gjërat me një perspektivë afatgjatë dhe unë besoj brenda kësaj përspektive afatgjatë në këtë rrugë që neve ecim. Besoj që prioritetet tona më të afërta janë ato që lidhen kryesisht me një bashkërendim më të mirë të shqiptarëve kudo që janë, në fushën ekonomike të tregut, pasi unë besoj që edhe sot ka një ndryshim shumë të madh të konceptit të kufijve. Shikoni se çfarë lirie kanë shqiptarët në Kosovë, Shqipëri apo dhe në Maqedoni dhe në Mal të Zi, të lëvizin dhe të shkojnë tek njëri-tjetri pa më të voglin problem, po ashtu dhe mallrat. Nëse ne i hyjmë analizës, ngulmojmë fort, përcaktojmë stategji dhe plane veprimi në unifikimin e tregut, në forcimin e tregut dhe lidhjeve ekonomike, unë besoj që kemi bërë një punë shumë të mirë.
Gazetari: A ka pasur një shqetësim në zyrën e Kreut të Shtetit, në zyrën tuaj përpara se të bëhej publik shqetësimi i qeverisë amerikane nëpërmjet Ambasadorit amerikan lidhur mbi retorikën nacionaliste mëqenëse sipas tij ishte shumë e rezikshme për rajonin?
Presidenti Nishani: Nuk ka pasur asnjë rast të tillë, jo.
Gazetari: Zoti Hoxha.
Zoti Artan Hoxha: Nuk e di nëse mund të hapim dhe temën e integrimit evropian?
Zoti Ylli Rakipi: Unë besoj se brenda integrimit janë të gjitha këto që po themi ne. Unë besoj që të drejtat aq sa i kanë lënë Kryetarit të Shtetit janë zvogëluar si zyrë këto 20 vjet. Unë kam idenë, politika e ka bërë qëllimisht besoj, që zyra e Kryetarit të Shtetit të jetë e vogël, por Kryetari i Shtetit ka disa të drejta mjaft të rëndësishme që unë them janë jetike për sistemin që ne duam të bëjmë. Drejtësia është një kapitull. Të gjitha mund të vdesin, drejtësia nëse nuk vdes, drejtësia mundet që të rekuperohet demokracia, të rikthehet fort, të ketë mundësi për institucionet. E vërteta është zoti President që në këto 22 vjet politika e ka marrë zvarrë sistemin e drejtësisë, gjykatat edhe institucionin e Prokurorisë, e ka përdorur atë siç ka dashur, e ka kthyer atë më së shumti në një vegël dhe ajo pastaj, vetë institucionet e drejtësisë kanë ndërtuar vetveten në mënyrë tjetër. Janë bërë totalisht korruptive, aq sa këto 22 vjet thuhet në formën e thashethemeve por nuk janë të tilla, janë gati-gati të vërteta, se kryetarët e gjykatave të niveleve të rëndësishme kanë marrë para nga të dy palët dhe i kanë dorëzuar palës që ka humbur, e i kanë kthyer mbrapsht para. Kryetari u ka thënë ‘ju do gjykoni drejtë, drejtësia mbi të gjitha dhe palës që ka humbur u ka kthyer lekët’. Pra deri këtu tregohet. Është shfrytëzuar drejtësia deri në ato masa, është korruptuar në mënyrë të tillë sa ky sistem është mjaft i rrezikuar dhe ne mund të themi sot që ne nuk e pranojmë për shkak të rrënimit të sistemit të drejtësisë, ne nuk e kemi pranuar ende këtë sistem, demokracinë. Ju çfarë mendoni se duhet bërë ndryshe?
Presidenti Nishani: Nuk ndaj të gjithë pikëpamjen me ju, por kryesoren e ndaj me ju. E para fillon tek ajo që, sistemi i drejtësisë është baza dhe themeli i një shteti. E dyta, është një shqetësim i madh dhe një sfidë shumë e madhe. Çfarë nuk ndaj me ju dhe që gjykoj unë si një çështje për të cilën do të ftoja edhe ju, të gjithë opinionistët që të bënim një analizë pak më të thellë, pak më dashamirëse, por më reale. Çfarë dua të them me këtë, unë për aq sa mund të them në mënyrë modeste, qoftë si Ministër i Brendshëm, qoftë si Ministër i Drejtësisë, por dhe si qytetar, në fund të fundit në Shqipëri mendoj se nuk ka nevojë të kesh eksperiencë shumë të madhe shtetare që të shikosh sidomos problemet e drejtësisë. Unë jam i bindur që në aspektin e ndikimit nga politika në këtë dhjetëvjeçarin e fundit drejtësia ka ecur në një drejtim shumë më pozitiv nga ç’e kemi menduar dhe e mendojmë; është bërë më e pavarur. Se cilat janë arsyet nuk mund t’i identifikoj, por realisht është bërë në mënyrë të dallueshme më pak e ndikuar dhe influencuar nga politika.
Zoti Ylli Rakipi: Prokuroria, jo gjykatat.
Presidenti Nishani: Flas për sistemin e drejtësisë. Unë po fokusohem tek gjykatat.
Zoti Ylli Rakipi: Kemi shembuj shumë qesharakë.
Presidenti Nishani: Drejtësinë në fund të fundit nuk e jep Prokuroria. Kemi krijuar një koncept të padrejtë ne, ose ndoshta e ka krijuar edhe vetë Prokuroria. Prokuroria nuk bën drejtësinë, drejtësinë e jep gjykata. Gjykata thotë je i fajshëm apo je i pafajshëm. Por ka një cënim të madh të pavarësisë të gjyqësorit që ka të bëjë me interesat e palëve që janë në gjyq. Si mund të korrigjohet kjo. Unë jam i bindur që korrigjimin mund ta bëjnë vetëm ata që janë pjesë e sistemit. Pjesa tjetër që është jashtë sistemit duke filluar nga Presidenti i Republikës, tek Parlamenti, shoqëria civile, media, mund të krijojnë infrastrukturën dhe të ndihmojnë, të krijojnë ambientin që ata që janë pjesë e sistemit ta bëjnë këtë korrigjim. Çfarë dua të them me këtë, ka një mungesë të madhe të besimit midis gjyqtarëve për sistemin e tyre. Kjo do të thotë që një gjyqtar, i cili e ka pasion profesionin, e dashuron këtë profesion, ka nivel, ka eksperiencë e do të japë kontribut profesional, kur sheh që jo ai apo një koleg i tij që është po i këtyre përmasave, i këtij niveli profesional dhe integriteti, por një koleg tjetër i një shembulli dhe dimensioni tjetër i korruptuar, me lidhje të ndryshme promovohet në karrierë, bëhet Kryetar gjykate, apo shkon në Gjykatën e Apelit, në Gjykatën e Lartë apo në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë të drejtëpërdrejtë tronditet i gjithë sistemi dhe humbet çdo lloj ndjesie minimale apo kurajë që mund të ekzistojë në individë të ndryshëm e që nuk janë të pakët brenda sistemit, për të qenë ata që janë dhe për të mbetur ata që janë. Këtu vijmë tek pjesa e përgjegjësive që ka Presidenti, Parlamenti, të gjithë aktorët e tjerë, të cilët janë pjesë e një vendimmarrje të caktuar për të inkurajuar ato personazhe dhe personalitete, të cilët e kanë ruajtur dhe mbrojtur ende këtë lloj niveli dhe profesionalizmi apo të integritetit. Jam i bindur që nëse gjyqtarët do ta shohin në një, në dy, në pesë, në dhjetë, në njëzetë dhe në pesëdhjetë raste, këtë gjë do të bëjë Presidenti, këtë gjë do të bëjë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, këtë gjë do të bëjë Parlamenti, dhe jam i sigurtë që do të fillojë të ndryshojë ambienti brenda komunitetit të gjyqtarëve. Natyrisht unë nuk pretendoj që ata që janë të prirur dhe kanë sensin e të qenit i korruptuar, sepse kërkon luks, janë dhe çështje të karakterit herë-herë, ata nuk mund të shmangen njëqind për qind, por, nga ana tjetër, ai grup njerëzish, të cilët vërtet duan që, me problematikat që ka sistemi, të funksionojnë në mënyrë tjetër, të paktën në atë mënyrën që ne duam që të shohim të funksionojë sistemi, do të gjejë një lloj përkrahjeje e inkurajimi. Nëse ne arrijmë të ndezim këtë lloj ambienti, nëse ne arrijmë të orientojmë këtë lloj praktike, unë besoj që kemi filluar ta shërojmë nga pak sistemin e drejtësisë.
Zoti Ylli Rakipi: Vetëm një çast, të them një gjë konkrete zoti President. Disa ditë më parë, ne ishim në një emision për dhunën ndaj grave. Raste të panumërta vit pas viti, tragjike për këtë vend, por gjëja më tragjike, që ne e dëgjuam në atë emision nga konkluzionet e NGO-ve, ishte se njerëzit, kriminelët, ata që vrasin dhe kanë vrarë gratë në vitet 2007-2008-2009-2010 e më tej, nuk kishte asnjë rast të dënuar mbi 5 vjet. Nuk është e mundur të vrasësh dhe të dënohesh sikur shtype një njeri pa dashje. Kjo ndodh rëndom dhe duke mos pasur asnjë njeri të dënuar për raste të tilla, do të thotë që gjykatat nuk funksionojnë.
Presidenti Nishani: Jo vetëm gjykatat.
Zoti Ylli Rakipi: Sidomos gjykatat janë totalisht të korruptuara dhe kjo ishte vërtet tragjike. Unë e dëgjoja për herë të parë një gjë të tillë, por nuk e mendoja që do ta dëgjoja një gjë të tillë. Kush i dënon gjyqtarët që gabojnë në Shqipëri? Nuk po marrim rastin ekstrem, kur gjyqtari vret, se gjyqtari e ka vrarë, nuk e ka vrarë krimineli, vrasës është gjyqtari kur vret një kryepolic, por në rastet e tjera, kur vriten qindra gra.
Presidenti Nishani: Absolutisht, kjo situatë që thoni ju është totalisht e papranueshme, dhe unë po jap një mendim timin si mund të rregullohet. Ka disa mënyra për të ndërhyrë, ka disa kontribues, ka strategji që shkojnë vit pas viti, por në gjykimin tim, dy janë mënyrat më të shpejta për të adresuar këtë çështje që thatë ju. Së pari është qëndrimi i Prokurorisë. Unë në takimin që pata me komunitetin e prokurorëve, një nga çështjet që trajtova me shumë shqetësim, ishte mënyra e aplikimit të politikës penale në raste të tilla të dhunës në familje, kryesisht të dhunës ndaj gruas. Politika penale më e ashpër e mundshme duhet aplikuar nga ana e Prokurorisë në raste të tilla, sepse kemi raste, kur, për hir të së vërtetës, shkohet përpara gjykatës në radhë të parë me prova të deformuara edhe për raste të tilla, me gjysëm prova dhe me kërkesa minimale, e kam fjalën kërkesa në konceptin e politikës penale. Pra, e para është një reflektim i menjëhershëm i një ashpërsie maksimale të politikës penale nga prokuroria, sepse, në fund të fundit është një detyrë e prokurorisë ta bëjë këtë. E dyta, nuk mund të gjykohet asnjë gjyqtar …
Zoti Ylli Rakipi: Gjyqtarët bëjnë gjykim të shkurtuar …
Presidenti Nishani: Po, do të vij tek gjykimi i shkurtuar. E dyta, askush nga gjyqtarët nuk mund të kritikohet dhe nuk mund të kontrollohet për vendimin që merr, veçse prej një gjykate më të lartë. Dhe, këtë e rregullon Gjykata e Lartë përmes unifikimit të praktikës gjyqësore. Unë ia kam kërkuar këtë gjë Gjykatës së Lartë, jo vetëm për këtë çështje të caktuar të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, por në tërësi. Nëse ne do t’i japim një mundësi një korrigjimi të madh dhe orientimi të veprimtarisë së gjyqësorit, kjo nis nga Gjykata e Lartë. Nëse Gjykata e Lartë do të aplikojë në mënyrë të zgjeruar metodikën e unifikimit të praktikës gjyqësore, qoftë për çështjet penale, qoftë për ato civile, të jeni të sigurtë që nuk do të ketë mundësinë asnjë gjyqtar, qoftë i Shkallës së Parë, qoftë i Apelit të lëvizë nga kjo praktikë e unifikuar gjyqësore, që ka përcaktuar kolegji i bashkuar me Gjykatën e Lartë.
Zoti Andi Bushati: Zoti President, ju keni qenë për një kohë të gjatë anëtar i kabinetit qeveritar, madje Ministër i Drejtësisë. Gjatë kësaj kohe që ju keni milituar në Partinë Demokratike keni pasur funksione të larta në qeveri. Kredoja, ose fjala kryesore e kësaj force politike ndaj paraardhësit tuaj ka qenë: emërtimet në gjyqësor janë bërë duke dhënë 200 mijë euro, ka qenë e përcaktuar dhe shifra, për të caktuar gjyqtarë, kryetarë gjykatash në rrethe. Nuk ju kemi parë që ju ta keni kundërshtuar edhe si Ministër i Drejtësisë, mund të kishit thënë ndonjë fjalë nëse nuk beson. Pra, mua më lind e drejta të mendoj se ju keni ndarë të njëjtin besim me forcën tuaj politike, me Kryeministrin. Po t’i besoj kësaj, sot ju jeni në krye të një sistemi të kalbur, të korruptuar ku shumica e pikave kyçe të gjyqësorit janë vënë me këto para, rryshfetesh marramendëse. Sot, ju jeni këtu ku jeni, me këtë kredo. Çfarë mund të bëni ju për të kthyer përmbys këtë sistem, që na e keni vizatuar si totalisht të korruptuar? Nuk ka më sot alibi që i bën dikush tjetër?
Presidenti Nishani: E para. Nuk kam bërë dhe nuk do të bëj asnjëherë komente të deklaratave të partive politike.
Zoti Andi Bushati: Jo, ka qenë qëndrim politik.
Presidenti Nishani: Pikërisht, çdo palë ka të drejtë për të mbajtur qëndrime dhe ky është qëndrimi i saj. Nuk kam ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyj kurrë të bëj interpretime, mbështetje, apo kundërshti të qëndrimeve politike të palëve politike. Së dyti, nuk pretendoj dhe nuk mund ta mendoj kurrë që një President, apo ndonjë institucion tjetër të bëjë përmbysjen e madhe. Që ekziston një problematikë e tillë në kriteret, le të themi të emërimit dhe karrierës së gjyqtarëve, kjo është evidente. Pse e them këtë. E them se deri para pak kohësh nuk ka pasur një sistem vlerësimi, në të cilin të përcaktohej ecuria e karrierës, ngjitja në karrierë e një gjyqtari. Vetëm para pak kohësh ka filluar të aplikohet një sistem vlerësimi. Pra, më e pakta që mund të themi është se ka qenë e bazuar në subjektivizmin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Subjektivizmi njerëzor, që mbetet i tillë, është shumë larg një sistemi vlerësimi të përcaktuar, të miratuar, transparent dhe publik. Pra, nuk pretendoj që të bëhet, por unë besoj që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur më së fundi një praktikë tjetër të vlerësimit dhe të mbështetjes së gjyqtarëve për karrierën e tyre, që do të thotë, fillimi i aplikimit të një sistemi vlerësimi, për të cilin unë pretendoj t’i shkojmë akoma më thellë, të shkojmë drejt një sistemi pikëzimi të punës së gjyqtarëve. Vetëm drejt një sistemi të tillë ne do të heqim, apo do të ngushtojmë maksimalisht që emërimet në krye të gjykatave, transferimet nga një rreth më i vështirë në një rreth më të mirë, nga një gjykatë më e vogël në një gjykatë më të madhe, nga Gjykata e Shkallës së Parë në atë të Apelit të mos bëhen vetëm bazuar mbi gjykimin subjektiv të Presidentit të Republikës, si Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, apo te humori i anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por të bëhen tërësisht mbi bazën e këtij sistemi vlerësimi dhe pikëzimi, si dhe një renditjeje të gjyqtarëve tanë. Kjo do të jetë transparente, do të jetë publike. Prandaj dhe si Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë kam vendosur që edhe mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të bëhen të hapura për mediat në mënyrë që të shihet qëndrimi i çdo anëtari të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe, të mos harrojmë që, Presidenti i Republikës është Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nga 15 anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, 10 vijnë nga gjyqësori dhe nuk janë të emëruar nga Presidenti. Ndaj ka dy gjëra që lidhen jo me pushtetin e pakufizuar të Presidentit, por edhe me një përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe një mundësi shumë të madhe të Presidentit të Republikës, i cili ka të drejtën e vetos për vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Zoti Ylli Rakipi: Kjo do të thotë që partitë nuk do i marrin me përqindje zoti President, kaq përqind Partia Demokratike, kaq LSI, kaq çamët?
Presidenti Nishani: Unë po tregoj një praktikë që sapo është nisur, që kemi nisur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe e kam deklaruar publikisht si sfidën më të madhe të punës sime si President i Republikës.
Zoti Artan Hoxha: Do të doja ta bënim bisedën konceptuale, por njëkohësisht dhe të thjeshtë. Ju thatë që 10 anëtarë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë vijnë nga gjyqësori. Në fakt, 9 zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore dhe një nga Kryetari i Gjykatës së Lartë. Kjo trupë në Kushtetutë është menduar të jetë mbrojtja nga sulmi politik. Pra, vetë gjyqtarët dhe përfaqësuesit e tyre vetëmbrohen, nëse ka ndonjë agresivitet nga politika. Nga ana tjetër mund të mendohet se kjo është mbrojtja e tarafit të gjyqtarëve, në një farë mënyre gjyqtarët menaxhojnë interesat e një koorporate. Ju si po i gjeni këta 10 përfaqësues të vetë gjyqtarëve, aleatë në nismat tuaja të këtyre muajve, apo rezistentë ndaj nismave tuaja?
Presidenti Nishani: Aleatë dhe mbështetës shumë të rëndësishëm dhe të plotë.
Zoti Artan Hoxha: Pse mendoni që ka ndodhur kjo, sepse kujtoj se, që nga 1998-a kur u krijua ky sistem me Kushtetutën e re, sistematikisht kemi pasur trupën e këtyre gjyqtarëve në KLD rezistente ndaj iniciativave ndëshkuese, që vinin nga Ministria e Drejtësisë, pjesë e kësaj dëshmie keni qenë edhe ju, apo kolegët tuaj nga Partia Demokratike dhe, në momentin që zgjidheni ju President, këta shfaqen aleatë të nismave rregulluese të gjyqësorit. Qëndron merita se ka ndryshuar përbërja e kësaj trupe, apo se është metoda e Presidentit, pra e juaja, ndryshe nga e paraardhësve?
Presidenti Nishani: Ndoshta do të ishte pak e vështirë që unë të bëj analiza krahasimore, por unë mund të konfirmoj faktin që, kam ofruar në radhë të parë një ambient bashkëpunimi dhe fokusimi tek problematikat që realisht ka gjyqësori, duke u dhënë mesazhin që, ata që e përcjellin më mirë se çdokush çfarë problematikash ka gjyqësori, janë vetë ata që vijnë si përfaqësues të gjyqësorit. Së dyti, do të konsolidojmë, dhe u kam dhënë të kuptojnë dhe të besojnë të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë se Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në radhë të parë e konsideron përgjegjësinë e këtij Këshilli si mbrojtës të pavarësisë dhe integritetit të gjyqtarëve, pra, jo si linçues i gjyqtarëve për interesat e askujt. Këtë që po e diskutojmë së bashku, e kam diskutuar me të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ata kanë qenë plotësisht të motivuar që, vlerësimet në karrierën e gjyqtarëve të bëhen mbi bazat e këtij vlerësimi dhe të meritës së kolegëve të tyre dhe jo të ndarjes së afilacionit, të ndjeshmërisë, apo të humorit të një anëtari të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që mund të kundërshtohet nga një anëtar tjetër, e kështu me radhë duke krijuar kështu konflikte të panevojshme midis vetë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pra, çështja e standardit të besimit vjen shkallë-shkallë, vjen brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë, më pas zbret tek trupa gjyqësore. Së treti, për të qëndruar fort ndaj të gjithë atyre individëve, për të cilët më shumë se Presidenti i Republikës, janë të interesuar vetë gjyqtarët për t’i penalizuar, pasi krijojnë të gjithë perceptimin negativ dhe baltën mbi të gjithë trupën gjyqësore. Të jeni të sigurtë që, shumica e gjyqtarëve janë njerëz të cilët duan të vlerësohen për punën e tyre dhe për integritetin e tyre. Por, rasti më i fundit, kur në mënyrë unanime, të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë votuan për përjashtimin nga gjyqësori të gjyqtarit të Durrësit, u bazua pikërisht mbi bazën e provave dhe fakteve dhe nuk ekzistonte askush që të mos i ishte i bindur që, ai gjyqtar, më shumë dëm se sa Presidentit të Republikës dhe një force të caktuar politike, i kishte sjellë trupës së gjyqtarëve, me imazhin që ai kishte përcjellë tek opinioni publik për gjyqtarët. Pra, duke krijuar këtë lloj ambienti, unë besoj që ndihmojmë njëri-tjetrin dhe vijmë drejt një lloj vendimmarrjeje dhe një funksionimi më normal të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Zoti Ylli Rakipi: Atëhere zoti President, zgjedhjet në Shqipëri mbërrijnë pas gjashtë muajsh. Që nga viti 1994 e deri më sot këto zgjedhje janë kontestuar, janë konsideruar të parregullta, të padrejta, jo të ndershme, jo vetëm nga politika shqiptare, por edhe nga institucionet ndërkombëtare që i kanë monitoruar ato. A jeni ju i të njëjtit mendim? Sot ju jeni Kryetar i Shtetit. Dje ju ishit palë dhe sigurisht që nuk mund të thonit që pala juaj nuk i ka bërë drejt zgjedhjet, por sot ju jeni Kryetar i Shtetit? A jeni ju dakord që nga ajo kohë e deri më sot këto zgjedhje kanë pasur këtë fytyrë dhe ç’mendoni se do të ndryshojë dhe a do të ndryshojë kjo fytyrë gjashtë muaj më pas?
Presidenti Nishani: Unë besoj që përtej komenteve që bëhen nga palët politike, nga individë, nga grupe, pjesë e vlerësimit më real mbeten raportet zyrtare të institucioneve monitoruese dhe të specializuara për zgjedhjet. Kështu që çdo njeri, përfshirë edhe Presidentin e Republikës e deri te palët, duhet t’u referohen raporteve të OSBE-së dhe ODIHR-it, të Këshillit të Evropës, të Parlamentit Evropian, ku janë të gjitha vlerësimet dhe vërejtjet.
Përsa i takon çështjes së zgjedhjeve të ardhshme, unë besoj plotësisht në një standard akoma më të mirë nga ai që kemi pasur, sepse janë evidente faktet e përmirësimit rrënjësisht të infrastrukturës sonë zgjedhore, duke filluar nga legjislacioni, tek listat e zgjedhësve, tek dokumentet e identifikimit, tek mënyra e numërimit të votave, tek transparenca. Por unë besoj që ne kemi nevojë për të marrë një përgjegjësi shumë të madhe. Kur them ne, e kam fjalën këtu për palët politike në drejtim të kulturës politike për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve. Ne ende mbetemi problem në kulturë dhe në mendësi për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve. Në fund të fundit nga një palë zgjedhje nuk do të kemi dy fitues në kuptimin numerik të fjalës. Do të kemi një fitues, por jam i bindur që nuk ka humbës, në kuptimin konceptual dhe të kontribuesit për jetën politike…
Zoti Ylli Rakipi: Kur kanë qenë për t’u pranuar, ato janë pranuar.
Gazetari Çlirim Peka: Zoti President unë ju falenderoj që pranuat të debatoni për herë të parë si Kryetar i Shtetit me analistët e njohur të shtypit në emision “Fakt”! Gjithashtu ju uroj Gëzuar Vitin e Ri meqenëse është fundi i vitit!
Presidenti Nishani: Për mua ishte një kënaqësi që isha në këtë ambient midis jush dhe t’ju uroj edhe unë “Gëzuar” dhe një Vit të mbarë të gjithëve!
Gazetari Çlirim Peka: Zonja dhe zotërinj, bashkë natën e mirë deri në emisionet e ardhshme!
Per”Alba – Dansk” Shkodrani





Leave a Reply