Baki Ymeri është i njohur si poet, përkthyes, eseist dhe publicist. U lind në Shipkovicë të Tetovës (1 gusht 1949), nga një baba shqiptar (Ajvaz Voka), dhe nga një mama rumune (Aurelia Graur). Kreu gjuhën dhe letërsinë shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë (1969-73). Duke qenë i ndjekur nga pushteti komunist i ish-Jugosllavisë, arratiset në Rumani (1973), vazhdon studimet e specializimit në Vjenë (1974) dhe në Bukuresht (1975). Ndërkohë shkruan, përkthen dhe boton artikuj e studime mbi lidhjet farefisnore rumuno-shqiptare, përhap literaturë shqipe në relacionin Bukuresht-Shipkovicë-Prishtinë, shpifet, ndiqet, arrestohet (1975) dhe dënohet nga Gjykata komuniste e Qarkut të Shkupit me gjashtë vjet burg të rëndë (1976). Arsyetimi i procesit të montuar politik ishte: bashkim për veprimtari armiqësore kundër bashkësisë sonë socialiste.
Që nga viti 1971 përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, jep provimet e doktoratës në Universitetin e Bukureshtit, polemizon, afirmon dhe mbron çështjen shqiptare të Kosovës në shtypin rumun dhe atë shqiptar, merr pjesë në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, afirmon diasporën shqiptare, bombardon mesazhet raciste të kriminelëve të gjuhës shqipe, fshikullon propagandat serbe në massmedian rumune, bashkëpunon me një varg revistash e gazetash në veri dhe jug të Danubit, vepron në kuadrin e Këshillit Udhëheqës të Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, themelon Shoqatën e Miqësisë Rumuno-Shqiptare, afirmon dhe përkrah bijtë dhe bijat e rilindësve tanë, të gjitha aktivitetet i kryen vullnetarisht, pa kurrfarë të ardhurash. Gjatë viteve të fundit ka përkthyer dhe botuar dhjetra poetë nga Kosova në gjuhën rumune (Sali Bashota, Miradije Ramiqi, Ibrahim Kadriu, Sabile Keçmezi-Basha, Shaip Beqiri, Nexhat Rexha, Flora Brovina, Sabit Rrustemi, Halil Haxhosaj, Edi Shukriu, Engjëll Koliqi, Brahim Avdyli, Fatmir F. Salihu, Ramadan Mehmeti, Sarë Gjergji, Hysen Këqiku, Jeton Kelmendi, Agim Vinca, etj.).
Baki Ymeri është autor i qindra artikujve për diasporën shqiptare dhe bashkautor i dy monografive mbi sivëllezërit tanë në veri të Danubit: Shqiptarët e Rumanisë (bashkautor, Tetovë, 1994), Emigracioni nga Maqedonia Perëndimore në Rumani (bashkautor, Shkup, 2004). Ai është njëherësh njohës i një numri të konsideruar gjuhësh të huaja, autor i qindra artikujve mbi diasporën shqiptare, zbulues thesaresh të shoqërisë Drita, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, prezent në disa antologji poetike, laureat mirënjohjesh të ndryshme*, i nominalizuar nga Instituti Biografik Amerikan (ABI): Njeriu i Vitit 2001. Jeton dhe krijon në Bukuresht, ku jep kontribut për afirmimin e vlerave letrare të Kosovës në gjuhën rumune, boton, udhëheq dhe shpërndan revistën Shqiptari/Albanezul dhe Kosova. Bibliografi lirike: Kaltrina (poezi, botim dygjuhësh shqip-rumanisht, Editura KRITERION, Bukuresht, 1994, 146 faqe, ISBN 973-26 0383-6); Dardania (botim dygjuhësh, Bukuresht, 1999; Zjarr i Shenjtë (Poezi, Botoi Çabej, Tetovë, 2001, 134 faqe, ISBN 9989-93-50-09; Lumina Dardaniei/Drita e Dardanisë (Poezi në gjuhën rumune, Botoi Muzeul Literaturii Romane, Bukuresht, 2004, 107 faqe, ISBN 973-7751-28-0): Drumul Iadului spre Rai/Rruga e Ferrit për në Parajsë (Bukuresht, 2005), etj.
* Mirënjohje nga Kombet e Bashkuara (Qendra për të Drejtat e Njeriut), e nënshkruara nga Ibrahima Fall (Bukuresht, 21 tetor 1994), laureat i Urdhërit Kavalier i Mioricës në Fokshan të Rumanisë (2006), laureat i çmimit të Mirënjohjes për Kritikë letrare nga ana e Klubit të Shkrimtarëve “Drita” dhe Drejtoria e Revistës letrare “Pelegrin” në Athinë (2006). Mirënjohje (për donacion dhe bashkëveprim) nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës (2007), etj.
Një model jetësor që t’i përkujton idealet e Rilindjes Kombëtare
Me poetin, përkthyesin dhe publicistin Baki Ymeri, njihem dhe bashkëpunoj prej rreth 10 vjetësh.. Zëri i tij është i pranishëm në gjithë hapësirat shqiptare, sepse mendoj se ka tejet të zhvilluar ndjenjën qytetare të atdhetarizmit, dhe është një gazetar aktiv që reaksionon për probleme të ndryshme që lidhen me kulturën tonë, me politikat ballkanike, e më gjërë. Në përvjetorin e lindjes së tij do të ishte mirë që gjithkush nga ne të kujtohemi për një jetë të shkrirë për shqiptarizëm, për të mbledhur qindra materiale arkivore mbi të kaluarën e komunitetit shqiptar në Rumani, për të botuar qindra artikuj mbi diasporën shqiptare, për një njeri që jetën personale e ka shkrirë në funksion të kulturës kombëtare. Baki Ymeri përbën një model jetësor që t’i përkujton modelet e Rilindjes Kombëtare, një jetë e martirizuar për një ideal të lartë. Do të përmëndja këtu ndihmesën e posaçme që ka luajtur për sensibilizimin e problemit të Kosovës në veri të Danubit, veçanërisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, në kohën kur Kosova kishte nevojë për sensibilizimin e saj (1989-1999). Bakiu është njeriu që shkriu jetën për historinë e shqiptarëve të Rumanisë, dhe mbi të gjitha për poezinë, këtë dhuratë hyjnore, që e ka bërë, dhe vazhdon ta bëjë të frytshme. (Luan Topçiu, 2004)


Leave a Reply