Pas deklarata të djeshme të Donald Lu, ambasadorit amerikan në Tiranë, se 4 grupe kriminale dhe 20 familje kontrollojnë vendin, është hapur një debat i madh. Fakti që kjo deklaratë e kreut të delegacionit amerikan në vendin tonë është bërë në 20-vjetorin e shkollës së Magjistraturës, flet hapur për situatën në të cilët ndodhet sistemi i drejtësisë në vend.
Analisti Andi Bushati, në rubrikën “Opinion” në “News24”, thotë se kjo deklaratë e ambasadorit Lu, dhe ajo e bërë disa ditë më parë gjatë një bashkëbisedimi me nxënësit në Rrëshen, flet qartë për situatën në vend.
Sipas tij këto deklarata janë bërë këto ditë, me qëllim për ta vënë përballë përgjegjësisë qeverinë shqiptare.
Bushati ka thënë gjithashtu se përveç këtyre deklaratave të forta, duket sikur në Shqipëri, mes aktorëve “ka një pakt të heshtur për të mos folur me emra për këta persona”.
“Lu është promotor i fushatës për dekriminalizimin në Shqipëri. Deklaratat e Lu janë të forta, por jemi mësuar tashmë. Fakti që qeveria ka shfaqur një tentativë për të ndikuar mbi reformën në drejtësi, mund të ketë çuar ambasadorin drejt këtij rritje toni. Duhet të kujtojmë se edhe në fundjavën e shkuar, ambasadori Lu i bëri thirrje nxënësve, gjimnazistëve të Rrëshenit, që kur nuk ju pëlqen një qeveri, ju keni të drejtë ta rrëzoni, jo vetëm nëpërmjet votës, por ka edhe mënyra të tjera. Duket sikur Lu ka pakënaqësi për situatën politike në vend. Fakti që ambasadori i thotë këto, tregon se do që ta vërë përballë përgjegjësisë qeverinë shqiptare. Institucionet e shtetit amerikan kanë qenë në dijeni të këtyre deklaratave që bëhet me kaq forcë sot. Fakti që po i artikulojnë sot, tregon, se duan në rastin më të mirë t’i bëjnë presion qeverisë shqiptare, dhe në rastin më të keq t’i tregojnë publikut se qeveria nuk po e bën detyrën, dhe na takon ne t’i artikulojmë këto gjëra”, ka thënë analisti.
FMN ka publikuar një raport dje për konkluzionet dhe rekomandimet mbi ekonominë e Shqipërisë, e cila ka ngjallur jo pak debat. Pika më e komentuar e këtij raporti ishte qëndrimi i FMN-së disi skeptik për PPP-të, Partneritetin Publik Privat, duke u shprehur se “përbëjnë rrezik domethënës fiskal për financat e vendit”.
Analisti Andi Bushati, lidhur me këtë konkluzion dhe qëndrim të FMN-së, tha në rubrikën “Opinion” në “News24”, se kjo pikë e kritikuar nga Fondi, përbën thelbin e aksionit ekonomik të kryeministrit Rama.
Sipas Bushatit, FMN i sheh PPP-të si rrezik për borxh të ri, i cili mund të dëmtojë ekonominë e vendit.
Ai shton se kryeministri Rama e ka të vështirë të tërhiqet nga Partneriteti Publik Privat, pasi sipas tij “e pengojnë lidhjet me oligarkët”.
“Shqetësim përbën thelbi i aksionit ekonomik të Ramës, koncesionet apo PPP-të (Partneritetin Publik Privat), dhe FMN për këtë i thotë kujdes se është alarm, është një borxh i ri. Kjo qeveri po i jep çdo ditë pushtet sektorit privat. FMN ngre shqetësimin se Qeveria po e zhyt vendin në borxhe, dhe po krijon borxhe që do të duhet t’i paguajnë fëmijët nesër. Ky mund të rrezikojë falimentin, pasi bëhet fjalë për një borxh të fshehur.
Mendoj se qeveria është futur aq thellë në këto politika ekonomike, aq sa e ka të vështirë të tërhiqet. Ndaj përfaqësuesit e FMN u larguan dhe u detyruan të lëshojnë këtë “bombë”. Lidhjet e Ramës me oligarkët e kanë detyruar të kalojë në këtë PPP, dhe e ka të vështirë të tërhiqet, duke shkuar drejt projektit 1 miliardë. Rritja ekonomike që thotë Rama nuk arrihet me projektin 1 miliardë, por duke parë sesi mund të qeveriset në të mirë të qytetarit, dhe jo të oligarkut”, u shpreh analisti Andi Bushati.
News24 Albania


Leave a Reply