Nga Elis Buba
Vajza që shihni në fotografi quhet Gresa Hasa. Është një aktiviste që i përket komunitetit LGBT. Revolta e saj është bërë virale për formën eksplicite dhe tejet orgjinale me të cilën ajo ka hartuar parullën e saj. Por edhe pse ajo ka dalë në mbështetje të të drejtave të grave dhe barazisë së shumëpërfolur me burrat, sërisht i ka rezervuar vetes të drejtën e autocensurës, tek fjala e fundit në parullë.
Duhet kuptuar se femra, ose me saktë, ashtu siç e kërkon norma e feminizmit, gruaja, ka një natyrë të butë, të rafinuar dhe të sofistikuar. Nëse e krahasojmë me burrin. Ky i fundit plotë herë është treguar i zellshëm në veprime e aksion e më pak i zellshëm në të logjikuar e vetpërmbajtur. I referohem standardit të kronikave të kahershme të lajmeve, kur bëhet fjalë për konfliktet femër-mashkull në vendin tonë. E sidomos kronikave të ditëve të fundit. Kur faqa e shumë burrave është nxirë e ajo norma e famshme kanunore për të mos prekur gratë e fëmijët, është bërë leckë për të fshirë këpucët që thyejnë brinjët.
Në ngjarjet më të ndyra në jetën e një femre është protagonist një mashkull. Sa herë që një femër prostituon, hap shalët, për të lejuar në trupin e vet penisin e një të panjohuri, përfitimet për këtë shtazëri në masën dërrmuese të rasteve i korr një mashkull. Sa herë që një femer pëdhunohet, zgërdhirja dhe epshi i përkasin mashkullit. Turpi mbetet jetim, ndërsa trauma ndryhet brenda femrës për t’i përpirë fuqitë dhe dëshirën për të ëndërruar mashkull. Sa herë që një fëmijë vjen në jetë, është therëse dhimbja për atë nënë të re që e ka mbajtur në bark, ndërja babait i rezervohet vetëm lumturia, sidomos kur është djalë. Seksizëm që në maternitet. Sa herë që një motër bën dashuri dhe e shpreh haptazi e publikisht, ka “ofenduar” familjen e në mendësinë shqiptare vëllait apo babait i jepet e drejta “e pamohueshme” ta dhunojë e të ushtrojë represion. Sa herë që një femër tradhëton një mashkull, “legjitimohet” dhuna ndaj saj. Ndërsa nëse ndodh e kundërta edhe vetë femra thotë vetëm kaq. “Të gjithë burrat njësoj janë!”.
Por nuk janë njësoj. Kjo është veçse një propagandë fine e indoktrinuar e maskilistëve, për të shmangur përgjegjësinë dhe detyrimet. E këto të fundit tek femra kërkohen deri në një. Sa herë që një femer është e virgjer, është e ndershme, sa herë që një mashkull është i virgjër është e sikletshme, për të mos thënë e turpshme. Nuk po shkruaj për mesjetën, por për 2017.
Përmbahuni meshkuj, burra! Mos e lini vetëm me një “R” fjalën burrë.
Kërkoni ndjesë e jo justifikim brenda vetes, për tmerrin e shkaktuar. Nënat, motrat, bijat e të gjorat bashkshorte që statistikisht kanë më shumë vula në trupin e tyre. Bekuar qofshi gra e vajza, vetëm dritë u bëftë për ju e ardhmja, sidomos për heshtjen tuaj, që rrëfen për një frikë e nënshtrim të parrëfyer, por në anën tjetër dëshmon edhe një përkushtin, besnikëri e dashuri të heshtur, që largohet përfundimisht nga kjo jetë, nga dora e atyre që ju u besuat jetën./Shqiperiaime.al


Leave a Reply