Me mbërritjen e Ramazanit lidhjet shpirtërore forcohen akoma më tepër, përtëriten fuqishëm dëshirat dhe mundi për botën tjetër; e duke u përtëritur botëkuptimi i Ramazanit, që lëviz si një penzë mbi ndjenja, frymëzon me dashuri e dëshirë të zjarrtë zemrat e besimtarëve sikur ndez shpirtrat e tyre. Ramazani përmban ditët më të shndritshme, më të përzemërta, më ndikueset, më të ëmblat e vitit të cilat ushqejnë dinamizmin tonë më të rëndësishëm të brendshëm dhe na bën të përjetojmë vrull parajsor.
Peisazhi i pazareve dhe rrugëve paraqet gumëzhitjen e ndjenjave për përjetësinë. Daullet që gjëmojnë në çdo cep fshati e qyteti të kujtojnë vazhdimisht se është festë.
Frymëmarrja e minareve jehon me tingullin kuranor në zemër. Faltoret vishen me vello prej drite dhe rënkojnë nga dhimbjet e zemrave besimtare. Gëzimi dhe qetësia e kthimit tek Zoti jetohet kudo: në shtëpi, faltore e shkollë.
Gjokset e fryrë me adhurim i derdhin të gjitha bukuritë, klithin me të madhe për dashurinë dhe zellin që vjen nga kufijtë më të largët të botës së tyre të brendshme. Këta njerëz, sikur kanë marrë urdhërin “bëhuni gati për takim!”, çdo natë e mendojnë të nesërmen si “takimi me të dashurin” dhe çdo ditë e kalojnë me ndjenjën e thellë të këtij takimi.
Po, çdo zë gjatë Ramazanit do të thotë një premtim, çdo frymëmarrje ka kuptimin e një shprese. Iftaret na pëshpërisin disa sekrete dhe valëviten me thirrjet e takimit përtej horizontit tonë. Teravitë, në po të njejtën formë sa e sa premtime na bëjnë.
Netët na ftojnë të futemi në rrethin e magjisë së tyre dhe kërkojnë të rrimë zgjuar nën shoqërinë e mëshirës që atyre u është dhënë këtë muaj. Sexhadet, më shumë se kurrë, presin me padurim takimin me zemra që gufojnë me dëshirën e përuljes me respekt përpara Krijuesit Mëshirëplotë. Agimi i çdo dite si një sirenë anijeje, zhurmë avioni, apo gjëmim rakete jehon dhe tregon për udhëtimin e natës drejt takimit me Të. Së fundi, para syve tanë paraqitet një ditë tejet e gjatë që na kujton takimin e mundimshëm por të përpiktë, vjen me orët e saj me emocion por plot shpresë, dhe na rrethon nga çdo anë.
Jeta në Ramazan është aq e thellë e kuptimplote, saqë çdo fjalë e folur, çdo zë që dëgjohet, njeriut i duket si një vjershë që buron nga zemra e tij; për më tepër ndjenjat tona fillojnë e shkrihen si vargjet më të ëmbla. Ramazani e bën shpirtin tonë të rihapet porsi gonxhe, të zgjohen ndjenjat e fjetura në thellësi të vetes, na shëtit në botën e ëndrrave më magjepse e më të ëmbla. Ai na brumos me nevojën e takimit dhe me dashuri të zjarrtë; ai na bën të ndjejmë zhvillimin e jetës së vërtetë në zemrat tona.
Edhe pjesëtarët e feve të tjera nuk duan ta humbasin këtë kënaqësi që ofron ky muaj plot surpriza. Edhe prej tyre ka që, së paku disa ditë ose një të vetme, e kalojnë me agjërim, duke kërkuar të ngacmojnë dyert e udhëzimit për të arritur lumturinë e jetës së amshuar.
Secili që arrin të sigurojë ushqimin e tij në Ramazan, kupton se përtej atyre që ka shtënë në dorë këtu, në fund të kësaj rruge me dritë por pak të mundimshme, gjendet kënaqësia e përjetshme për të cilën ka shumë mall dhe jepet i tëri pas Tij. Po, njeriu çdo iftar dhe imsak (agim) ndjen të kërkohet një portë e re takimi për vete dhe kupton nevojën e shpresën e një takimi më madhështor e më të magjishëm vetëm dy hapa më tej. Në një krah të tij ndjen kurbet dhe vetmi, ndërsa në krahun tjetër ai terhiqet drejt thellësive të dashurisë së vërtetë, ku mbështillet si me magji nga ëndrrat dhe shpresat. Ashtu siç ndjejnë thellë në shpirtin e tyre, po ashtu ata ndjejnë se në pafundësinë e vendit çdo gjë vërtitet rreth dashurisë. Burrë-grua, i madh-i ri, i varfër-i pasur, të gjithë jetojnë gjatë Ramazanit një periudhë të rëndësishme përgatitjeje, sipas nivelit të të kuptuarit të vet. E më pas shndërrohen sikur ecin drejt Allahut me bindjen se rruga nuk do të mbarojë kurrë…
Ramazani, duke qenë se është muaji i Kur`anit, u shuan etjen një vjeçare atyre njerëzve që s’e kanë prekur me dorë librin dhe i rrethon me klimën e tij të ndritshme. Shpirti, kuptimi, të fshehtat dhe mirësitë që u shkarkohen valë-valë mbi krye nga Kur`ani, vadisin livadhet e thara brenda shpirtit të tyre. Kur`ani i shndërron ata në kopshte trëndafilash kokë e këmbë dhe i ngazëllon me harenë e ekzistencës. Ata në Kur`an ndjejnë dhe dëgjojnë të gjithë ekzistencën e tyre, fluturojnë me ndjenjat e mendimet e tyre, kuptojnë se me Kur`anin merr frymë çdo krijesë dhe aty-këtu dridhen, dalin nga vetja, herë-herë marrin frymë me lotët e tyre dhe shkarkohen; në çast ndjejnë të ngrihen perdet dhe e gjejnë veten brenda një atmosfere të këndshme duke menduar se janë më pranë se askush me Allahun.
Ata që e dëgjonë zërin e të gjithë ekzistencës në Kur`an mund ta kuptojnë gjithëpërfshirjen universale të tij, vetëm ata që thellohen brenda pafundësisë së tij mund të kuptojnë frikën dhe shpresën në shpirt, emocionin dhe gëzimin, të keqen dhe melodinë e lumturisë. Shpirtrat metafizikë që e dëgjojnë Kur`anin sikur t’u kishte zbritur atyre, shijojnë kënaqësitë e frutave të xhennetit në të, shikojnë bukurinë e ngjyrave të kopshteve të Firdeusit, mahniten me pamjen madhështore të ujvarave të Rejjanit dhe ngazëllohen pa masë. Zemrat e sinqerta që e marrin në dorë Kur`anin gjatë kthjelltësisë së Ramazanit me masën e zemrës së tyre të gjerë, çdo moment ndjehen të kenë arritur një vlerë më të lartë hyjnore dhe çdo çast njihen me një tjetër skaj të përjetësisë. Në Ramazan shpirti u mundëson atyre vlera të fshehura pas perdes duke i plotësuar e duke i ngopur me mëshirën që Zoti ka përgatitur posaçërisht për ta. Le t’i themi “mirëseerdhe Muaji i Mëshirës” me një përgatitje të tillë që dita e lamtumirës me të, përveç vuajtjes së ndarjes të na paraqesë të denjë përballë Allahut, Zotit të botërave.


Leave a Reply