
Ka të dhëna se ai ishte i njohur dhe aplikohej edhe tek egjiptianët e lashtë, e pastaj është bartur edhe tek grekët e vjetër. Këtë e praktikuan edhe babilonasit, kinezët e popuj të tjerë. Edhe tek ithtarët e feve hyjnore “Ehlul Kitab” agjërimi ishte i njohur dhe praktikohej. Këtë e vërteton ajeti 183 i sures Bekare ku thuhet:
“O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”.
Siç kuptohet edhe nga ajeti, agjërimi njihej tek popujt dhe gjeneratat e hershme, të cilët në shenjë respekti ndaj Zotit, agjëronin ditë të caktuara ose i ndalonin vetes disa ushqime. Edhe pse rendi i agjërimit ka ndryshuar, të gjithë e kanë njohur si formë adhurimi. Lashtësia e kësaj dispozite flet për rëdësinë e saj dhe për vet faktin se në shpirtin e njeriut përherë është ushqyer ndjenja për adhurimin e Allahut në forma të ndryshme.
Fjala agjërim në kuptimin terminologjik të Islamit, do të thotë pezullim, largim, heqje dorë nga të ngrënit, të pirët dhe nga marrëdhëniet intime-seksuale që nga agimi deri në perëndim të diellit. Agjërimi Islam dhe aplikimi i tij në praktikë mbi të gjitha është adhurim që bëhet vetëm për hir të Zotit, e cila kupton nënshtrimin ndaj Allahut dhe respektimin e ligjeve të Tij. Ai ka për qëllim lartësimin e shpirtit, dlirësinë dhe përsosjen e tij. Synon ngritjen e ndërgjegjes së individit, ndriçimin e mendjes dhe zbardhjen e zemrës. Ai është një institucion edukativo-moral, i cili synon edukimin fizik e shpirtëror të njeriut ku e përgatit atë përballë sprovave me të cilat ballafaqohet në jetën e përditshme. Objektivi final i agjërimit është mirëqënia e njeriut dhe lumturia e tij në të dy botët. Ibnu’l Kajim thotë: Agjërimi ka ndikim të madh në ruajtjen e organeve të jashtme trupore dhe atyre të brendshme shpirtërore. E ruan trupin nga infektimi dhe pastron shpirtin e agjëruesit.
Agjërimi është një nga obligimet për njeriun sikurse namazi, mirëpo ai është pjesë e programit islam për përmirësimin e përgjithshëm të tij, sepse adhurimi nuk ka të bëjë për një kohë të caktuar. Në zbatimin e mësimeve islame kërkohet një harmoni e plotë dhe e vazhdueshme gjatë tërë vitit, kurse Ramazani është një gjë më specifike. Allahu (xh.sh.) veçoi disa kohë me mirësi dhe begati, në të cilat përfshiu besimtarët në mëshirën e Tij të gjërë.
Muaji i Ramazanit, i cili llogaritet sipas kalendarit hënor, rastis në të gjithë muajt e vitit kalendarik diellor, që kemi në përdorim dhe kjo përmban një urtësi krejt të veçantë. Kështu agjërimi mbahet në ditë të nxehta, të ftohta, të freskëta, në ditë të gjata, të shkurtra e mesatare dhe i begaton të gjitha ditët e vitit në intervale të caktuara.
Për nga vlera dhe rëndësia, muaji i Ramazanit është i pazëvendësueshëm. Në këtë muaj me ndihmën e Allahut, muslimanët triumfuan në betejën e Bedrit, e cila solli momentin vendimtar ndërmjet besimit dhe mohimit, humbjes dhe udhëzimit, të keqes dhe të mirës, të vërtetës dhe gënjeshtrës, të drejtës dhe të padrejtës etj. Në këtë muaj Allahu bëri të mundur çlirimin e Mekes. Në këtë muaj është nata e Kadrit që ka vlerën e më shumë se njëmijë muajve. Dhe mbi të gjitha, ashtu siç thuhet edhe në suren Bekare ajeti 185, në këtë muaj zbriti Kur’ani fisnik, i cili do t’i ngjallte dhe ndriçonte zemrat pas një errësimi të thellë dhe do t’i udhëzonte ata në rrugën e drejtë duke i dhënë jetës kështu kuptimin e saj të vërtetë.
Edhe Ramazani i këtij viti erdhi, erdhi që të ringjallë shpresat tona, erdhi që të na forcojë edhe më shumë besnikërinë ndaj Allahut, erdhi që të na përkujtojë emanetin që islamit t’ia rikthejmë forcën, nderin dhe krenarinë. Ky është muaji ku Allahu i shumfishon shpërblimet për agjëruesit dhe i ngre ata në shkallët e larta të devotshmërisë. Me anë të agjërimit të Ramazanit më së miri shprehet besimi, sinqeriteti, humaniteti, uniteti, solidariteti, virtyte këto të cilat duhet të stolisin çdo besimtar. Me anë të agjërimit arrijmë të krijojmë një jetë më të ngritur në aspektin shpirtëror, një atmosferë mirëkuptimi, mirësjelljeje, devocioni, një atmosferë bujarie, ndershmërie dhe përgjegjësie, duke i pranuar gabimet dhe duke kërkuar faljen e Zotit. Ramazani është rast i mirë për ata të cilët dëshirojnë të gjejnë dhe të vazhdojnë rrugën e udhëzimit, për t’iu afruar Allahut më tepër, me vepra të mira duke harruar armiqësinë, urrejtjen, inatin dhe egoizmin e duke marrë pjesë në tubime ku jepen këshilla dhe adhurohet Allahu i Madhëruar. Agjëruesi i vërtetë nuk është i mbushur me smirë, ai nuk e cënon nderin e muslimanëve me gënjeshtra, përgojime dhe thashetheme, sepse e di mjaft mirë se ato janë ndër mëkatet e mëdha. Për të qenë agjërimi në nivelin dhe vlerën që dëshirohet, nga besimtarët kërkohet kujdes i madh dhe përgatitje e duhur. Njeriu i mençur nuk ndërmerr asgjë përderisa të mos e kuptojë qëllimin, motivin e asaj që duhet të ndërmarrë. Ai gjithashtu, nuk bën asnjë punë pa mbështetje në mendimet e planet që duhet t’i ketë. Vetëm pasi t’i sheshojë të gjitha këto, vihet në veprim dhe pret shpërblimin e saj.
Në muajin e Ramazanit njeriu furnizohet për të gjitha ditët e vitit, për këtë profeti (a.s.) para se të fillonte muaji i Ramazanit i tubonte shokët dhe u fliste për vlerat e tij. Ky është një muaj i bekuar ku jetohen me emocion katër kushte të islamit. Në këtë muaj adhurimet duhet të shtohen (namazi, dhikri, sadakaja, meditimi etj.) dhe këndimi, leximi e studimi i Kur’anit duhet të dominojë më shumë se kurrë. Muslimanët e parë e shtonin këndimin e Kur’anit në Ramazan. Transmetohet prej Ebu Hanifes, Shafiut e të tjerëve se ata në Ramazan e këndonin të gjithë Kur’anin nga 60 herë, një hatme natën, një ditën dhe të fundit natën e Bajramit. Por leximi dhe mësimi i Kur’anit nuk duhet të mbesë vetëm në teori, ai duhet të shoqërohet edhe me vepra, ashtu siç bënë shokët e Profetit (a.s.), të cilët e zbatonin atë në jetën e tyre private e të përgjithshme dhe për të bënin udhëtime të gjata.
Po të jetë se drita e Kur’anit dhe qytetërimi që sjell ai, të deportonte në shpirtin e kësaj bote të ngulfatur nga problemet e shumta e të shumëllojshme, me siguri fati dhe ardhmëria e njerëzimit do të ndryshonte tërësisht, sepse parimet që sjell islami janë në gjëndje të caktojnë diagnozën e sëmundjeve dhe krizave të sotme të botës dhe të gjejnë mjekimin e duhur. Profeti Muhamed (s.a.s.) në lidhje me agjërimin dhe Kur’anin thotë: “Edhe agjërimi, edhe Kur’ani, ditën e Kijametit do të ndërmjetësojnë për besimtarin. Agjërimi do të thotë: Zoti im! Unë agjëruesin e pengova ditën nga të ngrënët, të pirët dhe nevojat e tjera të natyrshme; pranoma ndërmjetësimin për faljen e tij! Edhe Kur’ani kështu do të thotë: Zoti im! Unë kënduesin e pengova natën nga gjumi dhe pushimi; jepmë leje të ndërhyj për faljen e tij! Pas pranimit të këtyre lutjeve të agjërimit e të Kur’anit, dotë pranohet edhe ndërhyrja e tyre në favor të besimtarit”. (Ahmed b. Hanbel, el-Musned)
Duke ju uruar agjërim të mbarë dhe të lehtë, lusim Allahun që të na i pranojë adhurimet, të na bashkojë e të jemi sa më unik dhe të na ndihmojë në këtë botë e në botën e amshueshme.


Leave a Reply