Aleksandër Stavre Drenova, i njohur në letërsinë tonë me pseudënimin Asdreni qe nga ata poetë krijimtaria e të cilëve u përket njëherësh dy periudhave. Poezia e tij u shkri që nga faza e fundit e Rilindjes deri në periudhën e Pavarësisë. Poeti pati një jetë të gjatë krijuese, rreth dyzet vjet.
Asdreni lindi në fshatin Drenovë të Korçës më 1872. Mësimet e para i mori në Korçë. Që në moshën trembëdhjetëvjeçare shkoi në kurbet, në Rumani, ku vazhdoi shkollën e mesme, dhe më vonë fakultetin e shkencave politike, të cilin nuk arrit ta mbaronte. Për të fituar bukën e gojës dhe për të vazhduar studimet djali i ri detyrohet të bëjë gjithfarë punësh të rënda. Që herët lidhet me lëvizjen atdhetare të shqiptarëve të Bukureshtit dhe bëhet një nga përfaqësuesit më të shquar të saj. Në vitin 1900 filloi të botojë vjershat e tij të para në shtyp dhe të bëhet i njohur si talent i ri që premtonte. Poezia e tij e kësaj kohe ka karakter kushtrues, po poeti i ri nuk ka gjetur ende individualitetin e vet, është nën ndikimin e Naimit. Në të njëjtën kohë Asdreni botoi në shtyp artikuj me formë të përparuar demokratike dhe antifeudale. Më 1904 botoi vëllimin me poezi “Rreze dielli” që do të pritej mirë nga lexuesi dhe nga shtypi dhe do të përshëndetet nga Çajupi me fjalët entuziaste; “Tani besoj se Naim beu nuk vdiq, se vendin që la ai bosh e zure ti”.
Asdreni u bë një nga udhëheqësit e lëvizjes atdhetare ndër shqiptarët e Rumanisë. Ai çeli një shkollë shqipe në Kostancë për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, pasqyroi në shkrimet e veta ngjarjet e Shqipërisë, mblodhi ndihma për kryengritësit e Kosovës, bashkpunoi me Nolin për shkëputjen e kishës shqiptare nga kisha greke, ishte sekretar i mbledhjes së Bukureshtit që e kryesonte Ismail Qemali në vjeshtë të vitit 1912 dhe ku u vendos shpallja e menjëhershme e Pavarësisë. Jo më kot pikërisht në atë vit del në dritë vëllimi i dytë me vjersha i Asdrenit “Ëndërra dhe lotë” ku shfaqet plotësisht talenti i tij dhe që solli një ndihmesë të shquar në letërsinë shqiptare të Rilindjes.
Më 1914 Asdreni erdhi në atdhe që të ndihmonte në forcimin e pushtetit kombëtar, po, i zhgënjyer nga turbullimet e kësaj kohe, u kthye në Rumani. Ai priti me gëzim Kongresin e Lushnjes, i bëri jehonë flakë për flakë luftës së Vlorës. Pas vitit 1924 u tërhoq nga jeta politike, duke shprehur kështu në heshtje qëndrimin e tij kundërshtues ndaj regjimit të Zogut. Në fakt në vëllimin e tij të tretë me vjersha “Psallme murgu” të botuar më 1930 gjejmë aludime për këtë qëndrim të tij. Revoltën e tij Asdreni e derdhi edhe nëpër disa vjersha të mbetura në dorëshkrime. Por zhgënjimi i tij nga realiteti shoqëror politik i frymëzoi edhe vjersha pesimiste ose vjersha të ftohta që nuk janë që nuk janë veçse ushtrime formaliste. Gjejmë kështu çaste, rënieje në krijimtarinë e tij. Me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Asdreni u kthye në Shqipëri, po gjeti një pritje tepër të ftohtë nga përfaqësuesit e regjimit. Poeti shkoi sërish në Rumani për të mos u kthyer më kurrë në atdhe. Vitet e fundit të jetës përgatiti një vëllim “Këmbanat e Krujës”.
Asdreni u bë i njohur si publiçist, por ishte edhe autor tekstesh shkollore e përkthyes. Po ai, para së gjithash, mbetet në letërsinë tonë si një poet i talentuar lirik.
LIRIKA ATDHETARE E SHOQËRORE
Në lirikën e vet poetike Asdreni u rikthehet të gjitha temave të poezisë së Rilindjes, po u jep një frymë më të hapur kushtruese. Jo më kot ai lëvron kryesisht llojet e himnit dhe të marrshit. Të njohura janë vjershat “Betimi mbi flamur” (1907) që pas vitit 1912 u bë dhe është Himni ynë Kombëtar, vjersha “Përpara”, që dallohen nga një stil patetiko-oratorik, i cili shpreh një patos të zjarrtë të brendshëm. Vargjet e shumta dhe dinamike dhe njëkohësisht të thjeshta, kanë një forcë komunikuese të veçantë.
Lart, Shqipëri,
ti je e zonja,
nga lufta sot mos ndalesh;
me trimëri
porsi shqiponja
armiqve mos iu falesh.
Krahas kësaj retorike që shkrihet në vjershën “Përpara” me një ndjenjë të sinqertë, gjejmë edhe lirika të tjera ku dashuria për atdheun shprehet më me thjeshtësi e spontanitet ndjenje përmes shkrimit të mallit për atdhe të mërgimtarit të djegur:
Me sa mall e sa dëshirë
Atë ditë po e pres,
që edhe unë atje i lirë
pranë prindërve të vdes!
(“Në mërgim”)
Asdreni si Çajupi, vë gishtin te plaga e dhimbshme e kurbetit dhe e dënon atë si shkëputje të forcave më të mira nga atdheu, dënon ata që e harrojnë vendin e tyre.
Poeti vijon ta lëvrojë lirikën atdhetare dhe pas Shpalljes së Pavarësisë. Më vonë kjo lirikë u drejtohet temave historike, merr një karakter më meditativ, po i ftohet deri diku frymëzimi.
Asdreni ka meritë të veçantë për thellësinë e problematikës shoqërore që lëvron për herë të parë në letërsinë tonë: ai shtron hapur çështjen e frymëzmit klasor, pasqyron konfliktin ndërmjet shtresave të larta dhe popullit, duke e parë këtë të fundit si forcë lëvizëse të historisë. Asdreni, madje, ëndërron për një çlirim shoqëror të masave të shtypura, po s’e ka të qartë prespektivën. Problematika shoqërore i frymëzon Asdrenit vjersha tepër të fuqishme si “Zëri i kryengritësve” (1912) “Çpërblimi” ku ballafaqohen klasat kundërshtare me një varg dinamik e një fjalor të ashpër. Edhe në këto vjersha ka retorikë, po ajo tretet në dufin e fuqishëm të revoltës. Te “Burri i dheut”, duke i kënduar Luftës së Vlorës, Asdreni thekson karakterin popullor të saj dhe krijon një portret kolektiv të popullit të shfrytëzuar. Më vonë, më 1935 Asdreni do të shkruajë një vjershë po aq të fuqishme. “Trashëgimi”, që jep një tabllo tronditëse të gjendjes së mjeruar politike, ekonomike, shoqërore e kulturore të Shqipërisë në kohën e Zogut. Një patos satirik tepër i ashpër përshkon vjershat “Fisnikët e Shqipërisë” dhe “Republika Shqiptare”.
Tema shoqërore i ka frymëzuar Asdrenit edhe vjersha ku ai shfaq shpresën tek populli, si vjersha “Lulëkuqja” (1912), çuditërisht e thjeshtë dhe plot lirizëm, po edhe plot forcë ku nëpërmjet këtij simboli të gjetur bukur himnizohet populli dhe pohoet besimi tek ai.
Asdreni e pasuron letërsinë tonë edhe në lirikën e dashurisë dhe në lirikën e natyrës. Lirika e tij e dashurisë trajton tema të ndryshme dhe dallohet nga konkretësia, çiltërsia, thjeshtësia, nga një lirizëm i ngrohtë që shkrihet herë-herë me një humor të lehtë. Asdreni shkruan edhe balada me subjekt me këngë dashurore që u përhapën në popull.
Në fazën e dytë të krijimtarisë Asdreni shkruan lirika dashurie disi të stërholluara dhe abstrakte që dëshmojnë se rënia shpirtërore për shkak të atmosferës mbytëse që e rrethon, i ka dëmtuar edhe frymëzimin. Poeti kërkon shumë në fushën e formës dhe thith edhe nga rrymat moderniste të kohës, po jo me shumë sukses.
Në lirikën e natyrës Asdreni tregohet tepër origjinal duke na e dhënë natyrën (për herë të parë në krahasim me rilindësit e tjerë) të shkrirë me jetën e vet. Më shpesh në lirikat e veta të natyrës. Asdreni do na japë tablo të gjalla, konkrete e të dhimbshme të vendlindjes.
Asdreni e pasuron në mënyrë të veçantë poezinë tonë edhe në lëmin e formës, duke krijuar lloje të reja strofash e vargjesh, duke lëvruar madje edhe vargun e lirë. Ai sjell në letërsinë tonë një figuracion të begatshëm. Simbolet, krahasimet dhe epitetet e tij shquhen në përgjithësi për origjinalitetin e tyre. Poezitë më të bukura Asdreni i shkruan kur shkrin origjinalitetin në brendi e në formë me thjeshtësi. Poeti ka meritën që e lidhi poezinë tonë me poezinë bashkëkohore evropiane.
Veçse në kërkimet e tij për forma të reja Asdreni nuk ka sukses kur nuk i mbetet besnik individualitetit të vet krijues.
Në poezinë e Asdrenit ka një farë racionalizmi që në vjershat më të mira mënjanohet nga shpërthimi i ndjenjës ose vështrimi i realitetit nëpërmjet prizmit të humorit të shëndetshëm fshatarak.
Asdreni është një figurë tepër origjinale dhe e ndërlikuar si poet. Poezia e tij, ndonëse nuk pati ndikimin e asaj të Naimit dhe të De Radës, e pasuroi në mënyrë të ndjeshme letërsinë tonë.
FAN STELIAN NOLI
Fan Stelian Noli
Fan Stelian Noli u lind më 6 janar të vitit 1882 në Ibrik Tepe fshat afër Adrianopojës në Greqinë e sotme. Jetoi në Greqi,Turqi, Shqipëri Egjipt dhe përfundimisht në Amerikë ku vdiç më 1965.
Është një ndër shkrimtarët më të shquar të letërsisë sonë.
Fan S.Noli është i pari që e bëri Qeverinë Demokratike në Shqipëri më 16 qershor 1921, ku përpos patriotve të tjerë edhe Luigj Gurakuqin e kishte emëruar ministër në Qeverinë e tij.
Fatkeqsisht, Qeveria Demokratike e Nolit nuk pati jetë më të gjatë se gjashtë muaj. Ahmet Zogu, i ndihmuar nga shtetet shoviniste fqinje si Sërbia, Greqia etj, arrijti ta përmbys qeverinë e brisht të Nolit.
Pas rrëzimit të pushtetit nolian, filluan atentatet politike kundër bashkëpunëtorëve të Nolit, një ndër ta ishte edhe atentati kundër Luigj Gurqakuqit, Ministër i Qeverisë së Nolit dhe krah i fortë i Ismail Qemalit. Ai vritet në Bari të Italisë nga agjentët e Zogut. Veprat e tij: “Album” dhe “Histori e Skenderbeut”-vjersha,drama “Izrailitë e Filistinë”, etj.
Vrasja e Luigjit e preku në shpirtë Nolin, për këtë akt tradhtie ai flet në elegjinë që ia kushton Luigjit ” Syrgjyn Vdekur ”
Fan S.Noli, është njeriu i cili njihëte tetë gjuhë të huaja pra, ai ishte poliglot. Ka përkthyer shumë vepra të autorëve të huaj si ” Don Kishoti “, “Makbethin ” ” Hamletin ” ” Jul Qezarin ” e shumë e shumë vepra tjera botërore në gjuhë të ndryshme
Anes lumenjve
Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shprese,
Anes Elbe-s, anes Spree-se.
Ku e lam’ e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anes detit i palare,
Anes drites i papare,
Prane sofres i pangrene,
Prane dijes i panxene,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.
Se c’e shempne derbederet,
Mercenaret dhe bejleret,
Se c’e shtypne jabanxhinjte,
Se c’e shtrythne fajdexhinjte,
Se c’e pren’ e se c’e vrane,
C’e shkretuan anembane,
Nene thundren e perdhunes,
Anes Vjoses, anes Bunes.
Cirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, carmatosur,
As i gjall’, as i varrosur,
Pres nje shenj’ e pres nje drite,
Pres me vjet’ e pres me dite,
Se c’u tera, se c’u mpaka,
Se c’u cora, sec c’u mplaka,
Lark prej vatres dhe prej punes,
Anes Rinit, anes Tunes.
Cakerdisur, baterdisur,
Perpelitur dhe zalisur,
Enderonj pa funt, pa shprese,
Anes Elbe-s, anes Spree-se.
Dhe nje ze vengon nga lumi,
Me bucet, me zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pelcet, kercet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjemon trumbeta:
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar’ e punetore,
Qe nga Shkodra gjer ne Vlore!
Ky ilac e ky kushtrim
me ben djal’ e me ben trim,
me jep forc’ e me jep shprese,
anes Elbe-s, anes Spree-se.
Se pas dimrit vjen nje vere,
qe do kthehemi njehere,
prane vatres, prane punes,
Anes Vjoses, anes Bunes.
Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shprese,
anes Elbe-s, anes Spree-se.
SYRGJYN VDEKUR
(Elegji kushtuar Luigj Gurakuqit)
Nëno moj, mbaj zinë për vëllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vranë e na e shanë,
Na i thanë tradhëtor.
Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin.
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.
Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysën djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti Flamur Trimëror.
Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri kuror,
Shpirtë i bardhë si dëborë ;
Ti s’i dhe as varr për hor.
Nëno mos, ç’është përpjekur
Goj-mjaltë e zemër-hekur,
Syrgjyn- gjallë e syrgjyn-vdekur,
Ky vigan liberator.
HYMNI I FLAMURIT
O flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.
Fortesë shkëmbi, tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Venecjani,
As sërp Dushani, as turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli.
Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamin e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.
Me Skënderben’ u lavdërove,
Dhe në furtun’ i funtmi u shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për liri.
Sa shpesh pastaj përdhe u shtrive,
Me zjarr e zi u ndeze u nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.
Përjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintja shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllan’, yrnek për fqinë,
Për botën ëndr’ e qjell i ri.


Leave a Reply