Në Shqipëri policia njoftoi sot në mbrëmje se ka mundur të zbulojë grupin e grabitësve të cilët dyshohet se javën e shkuar sulmuan automjetet që transportonin paratë e një banke të nivelit të dytë, duke grabitur mbi tre milion euro. Të paktën 4 persona përfunduan në pranga ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. I njëjti grup dyshohet të jetë përgjegjës dhe për grabitjen me armë në dhjetor të 2015 po të automjeteve të një kompanie sigurie që kryente gjithashtu transportin e parave të një tjetër banke, në vlera disa milion euroshe. Të dyja ngjarjet kanë ndodhur në të njejtin aks rrugor, atë që lidh kryeqytetin me aeroportin e Rinasit.
“Pas veprimeve intensive hetimore, informacioneve të marra në rrugë operative, provave shkencore të mbledhura nga ekspertët e policisë, u arrit të provohej dhe dokumentohej implikimi i të paktën 6 shtetasve në këto 2 ngjarje: Fation Xhyliu , 33 vjec, lindur në Lushnje banues në Tiranë, ish punonjës në Shpsf “Rogat”, Ditjon Memlika, 31 vjec, lindur në Tepelene dhe banues ne Tiranë, ish efektiv në forcat ushtarake, Neim Avdulaj, 28 vjec, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish ushtar profesionist në forcat ushtarake të Zallherrit dhe Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat. U shpallën në kërkim shtetasit me iniciale M.A., dhe Ç.A. dhe po punohet për kapjen e tyre”, njoftoi drejtori i Policisë së Turanës Ervin Hodaj.
Policia shpjegoi se “janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, vlera monetare të konsiderueshme në valutën paund, dollarë amerikane, kanadezë dhe australianë, euro dhe lekë shqiptare, (kartmonedha këto të deklaruara në transportet monetare të vlerave të bankave respektive). Është provuar tërësisht mekanizmi dhe roli i gjithë të dyshuarve të përfshirë në këto 2 ngjarje, duke nisur nga marrja e informacionit mbi lëvizjen e eskortës, vëzhguesit dhe personat që kanë kryer goditjen me armë”.
Arrestimi i të dyshuarve për dy grabitjet u bë pas një operacioni të gjerë ku u angazhuan dhe forcat speciale të policisë, si dhe mjete të shumta, përfshi helikopterët, në disa zona, Vorë, Prezë, Krujë dhe Fushë-Krujë ndërsa u ushtruan kontrolle në disa banesa. Rezultati I operacionit të policisë u përshëndet nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ishte personalisht në Drejtorinë e e policisë së kryeqytetit si dhe nga kryeministri Edi Rama.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply