Ne kryesia e shoqates Alba – Dansk,ju urojme te gjithe atyre qe jane te dashuruar (sinqerisht) urime festen tuaj,festen e te te dashuruarve. Kalofshi momente dhe supriza te bukura per dashurine tuaj. Nje mbremje sa me te bukur dhe romantike !
Gezuar – Gezuar – Gezuar
——————————————————————
Sot është 14 Shkurti. Shumë, kanë pritur gjatë që për herë të parë të festojnë Ditën e të dashuruarve, Shën Valentinin. Të tjerë kanë përgatitur reagime apo justifikime për këtë ditë, nëse nuk kanë kujt t’ia shprehin dashurinë. Festa … Kur thua “festë”, ke thënë shumë. Ke thënë dhurata, dëfrim, darka dhe ‘party’, përfshi shpenzime dhe shumë përfytyrime…
Një unazë të shtrenjtë, mbase me gur të çmuar, një tufë lulesh, një pako çokollata në formë zemre, një CD me këngët hit të dashurisë, ose një libër me këtë temë, janë gati gjithmonë dhuratat që zgjidhen nga të rinjtë. Këta, ndjehen edhe ‘zotërit’ e ditës, ndërsa nuk u mungon edhe ndrojtja. “E di që këtu tek ne nuk respektohet intimiteti i kësaj dite, por mua edhe kështu më pëlqen”, thotë Mira, studente. Nuk tregon se çfarë dhuratë ka bërë për të dashurin e saj. “Këtë duhet ta dijë vetëm ai”. Sa herë e kemi dëgjuar …
Eshtë folur çdo vit, me një pandryshueshmëri gati të përsosur, për historinë e Valentinit, por vetëm në 14 Shkurt, pra sot, sepse sot, ky është motivi kryesor i ditës. Tek romakët e lashtë paganë, para disa shekujsh, dita e dashurisë konsiderohej si festa më e madhe, që nënkuptonte dashurinë që ata kishin për zotin e tyre. Legjendat rreth festës, janë të shumta, ndërsa më e spikatura është ajo që vetë romakët e besonin si të vërtetë: Thuhet se themeluesi i Romës së lashtë, Romulus, një ditë prej ditësh, kur ishte ende foshnjë, piu nga gjiri i një ulkonje, qumështi i së cilës i dhuroi trupit të tij forcë e energji.
Duke marrë shkas nga kjo, romakët e lashtë e paganë, e përkujtonin atë çdo vit, në mes të muajit shkurt duke therrur atë ditë një qen e një dhi dhe me gjakun e tyre dy djem të rinj lyenin trupin. Më pas, dy të rinjtë të ndjekur nga qindra njerëz, vërtiteshin nëpër rrugët e qytetit. Ata mbanin në duar dy copa lëkure kafshe dhe me to fërkonin çdo njeri që takohej me ta, ndërsa femrat romake besonin se një rit i tillë u mundësonte atyre mbetjen shtatzanë. Tregohet se Shën-Valentini, vdiq në Romën e lashtë, në vitin 296 e.s., i ekzekutuar nga prijësi i ushtrisë romake, Klaudios. Në shenjë përkujtimi për të, banorët e këtij qyteti, në vitin 350 e.s. ngritën një kishë pikërisht në vendin ku ai u ekzekutua.
Edhe pse romakët e përqafuan fenë e krishterë, ata vazhduan ta festonin këtë ditë “të shenjtë”, por i ndryshuan kuptimin pagan nga “Dashuri hyjnore”, në “Marterizim dashurie”, për të cilën, siç thuhet Shën Valentini kishte dhënë jetën, pasi qe i pari nismëtar që thirri për paqe dhe dashuri. Më vonë, kjo festë, u quajt “Festa e të dashuruarve”. Thuhet gjithashtu, se kur perandori Klaudios i II-të, ishte në pushtet (shek. III-të e.s.), dha urdhër, që askush nga ushtarët e tij të mos martohej, pasi kjo i pengonte të merrnin pjesë nepër beteja. Këtë vendim, e shkeli prifti Valentin, i cili në fshehtësi, nisi të nënshkruajë akte martesash, të cilat i sollën edhe ekzekutimin nga perandori. Sot, të gjithë e dinë se në përkujtim të flijimit të tij, mbeti dita e 14 shkurtit, dita simbol e të dashuruarve.
Në të njëjtën kohë, shumë bëhen kuriozë, për ‘suksesin’ dhe jetëgjatësinë e këtyre legjendave, të cilat edhe pse pa baza të forta historike, mundën të sjellin një atmosferë të ndryshme nga ditët e tjera të vitit. Pak e kuptojnë se në vetvete kanë dëshirë ta adhurojnë dashurinë, ashtu si njerëzit para nesh. Dëshira për të adhuruar dashurinë … Para krijimit të festës së Shën Valentinit, madje para legjendave romake, dashuria ishte një kult, i cili si i tillë adhurohej. Ky ishte kulti i Afërditës, perëndeshës së dashurisë. Origjina e saj ishte nga Qipro, ndërsa në Greqi, vendi kryesor i kultit të saj, ishte Korinti, ku ajo nderohej si Afërdita Pandemos, mbrojtëse e dashurisë njerëzore.
Konsiderohej si e tillë, bijë e Zeusit dhe Dionës, megjithëse më i përhapur ishte miti i krijimit të saj nga shkuma e valëve të detit dhe gjaku i Uranit. Sipas mitologjisë, krijimi i perëndive fillonte me bashkimin e Geas ose Tokës me Uranin, nga të cilët lindën titanët, ciklopët, etj. Kronosi, njëri prej titanëve, e goditi të atin dhe i mori sundimin, ndërsa nga gjaku i derdhur lindën nimfat dhe nga shkuma e formuar në det, doli Afërdita. Afërdita, nderohej në lartësinë e maleve dhe paraqitej duke mbajtur një mollë si simbol i pjellorisë dhe i dashurisë.
Në lidhje me natyrën, ajo ishte perëndeshë e luleve, e kopshteve dhe e pranverës. Paraqitet e zbukuruar me lule, në shoqërinë e të dashurit të saj, Adonisit. Një përkrahje të gjërë, kishte miti i grindjes së saj me Herën dhe Athinanë, se cila prej tyre ishte më e bukura. Si gjykatës ato zgjodhën Paridin, i cili i dha mollën që do të ishte tregues i këtij vlerësimi, Afërditës dhe mori si shpërblim Helenën.
Me këtë zë fill edhe lufta e Trojës. Sot është 14 Shkurti … Zhurmë ose jo, hare ose jo, dhuratë apo puthje… Çfarëdo qofshin sfondet e kësaj dite, të gjithë sikur duan të “gënjehen” me pak magji, trishtim dashurie, por edhe me legjenda dhe shpenzime. Sot është 14 Shkurti, dita kur çdo gjë e bukur mund të shndërrohet në një kënaqësi, sepse edhe njerëzit duan të kënaqen, mbase pak më ndryshe se ditët e tjera…


Leave a Reply