-Tregim nga Lek Gjoka
Një shi i imët binte lehtë në tokë dhe dukej sikur dikush po e hidhte me shoshë nga retë. Mjergulla e kishte veshur qytetin me një kostum të përhimtë. Megjithëse koha sikur të sillte ca çaste mërzie prapëseprapë Gjergji si u vesh dhe u rregullua mori çelsat e makinës dhe u nis urgjent në drejtim të qendrës së qytetit tek kafe “Dielli”.
Nga larg shikoi makinën e Donikës që hyri në parking.Ca ethe ngrohtësie sikur ia kapluan ndjenjat. Kishte mbi dy vjet që njihej me Donikën dhe asnjëherë ajo nuk i kishte kërkuar një takim kaq urgjent.
– Vallë ç’farë do t’i ketë ndodhur? Mos vallë ajo dashuron ndonjë djalë tjetër? – nisi të mendoje me shpejtësi ai,- jo jo, ajo më do mua, nuk besoj, – ia ktheu vehtes së tij përgjigjen Gjergji.
Duke bashkëbiseduar pa zë me vehten kishte hyrë në kafe dhe si i shtangur ishte ndaluar në mes të saj.
– Gjergj, Gjergji! – dëgjoi një zë si oshetimë pas krahëve.
Si pa vetëdije ktheu kokën, kur prej larg dalloi buzëqeshjen e ëmbël të Donikës.
– Erdha, erdha! – foli ai si i zënë në faj dhe u nis me hap drejt saj.
I dha dorën dhe si pa vetëdije e puthi. Se si iu duk atij ajo puthje sikur të ishte puthja e parë e rrëmbyer në një rrebesh ndjenjash. Donika fill pas puthjes i ledhatoi lehtë faqet dhe si mori frymë thellë nisi të flasë.
– Gjergj Korabi, kam një lajm të mirë?
– Çfarë? – e ndërpreu Gjergji dhe një afsh i nxehtë i përshkroi trupin.
Ajo u mendua pak dhe si i nguli një ledhatim të mprehtë syve të tij që i kishte regjistruar përjetë në memorje nisi të flasë me një zë disi të ndrojtur.
– Gjergji jam shtatzanë. Dashuria jonë ka mbjelluar frutin e parë.
Ai u shtang për një çast dhe iu afrua më afër. Si i zënë në faj i afroi dorën afër barkut dhe nisi t’ia ledhatonte.
Një ngjyrë e verdhë i kaploi papritmas fytyrën. Ajo e shikoi ndryshimin e papritur të tij dhe sikur ju ngjesh më shumë afër trupit.
– Çfarë ke? U shqetësove? Nuk ke dëshirë të bëhesh baba?
– Jo, jo e dashur këto janë çastet më të lumtura të jetës, ti po me jep një dhuratë të çmuar por…
– Çfarë? – e ndërpreu në çast Donika, – gjithë ky qytet i zhurmshëm i Floridës s’do t’ia dijë për frutin e dashurisë sonë.
– Të kuptoj mirë, – vazhdoi Gjergji, – me një frymë por prindërit e mi nuk dinë gjë ndaj nuk di se si t’iu them.
– Fare e thjeshtë Gjergj, – vazhdoi Donika si me qetësi,- vij unë dhe ja tregoj po qe se ti ke druajtje.
– Jo se kam ndruajtje, – vazhdoi ai pas disa çastesh heshtjeje varri, – por nuk di se si ta them, – nisi ti merrej goja Gjergjit, – unë i jam betuar prindërve se do të
martohem me një vajzë nga vendlindja e tyre, me një shqiptare.
-Po, e di këtë gjë. Ndaj më ke zgjedhur mua.
-Sigurisht, por nuk je plotësisht shqiptare.
-Si nuk jam i dashur?!..
-Se je gjysëm italiane nga nëna!
-Po, nëna është nga Kalabria dhe të parët e mi janë arbëreshë, shqiptarë, ti e di këtë gjë.
– Në rregull, në rregull, ke të drejtë! – dhe u ngritën ngadalë e u nisën drejt parkingut te makina.
– Gjergji, – foli e para Donika, – të shtunën pasdreke merr prindërit dhe eja tek shtëpia ime. Mami e di për lidhjen tonë ndërsa babit do i them sonte. Mos harro merre edhe motrën Danielën bukuroshe se e dua shumë.
Ai i dha një të puthur dhe u largua nëpër shi si në një legjendë…
Si në ëndërr Donika po e ngiste makinën. Nuk i pritej të arrinte në shtëpi. I dukej sikur kishte diçka që i trazonte ndienjat.
– Ndoshta e kam nga shtazania, – i psherëtiu ajo vehtes dhe si pa e kuptuar kishte parkuar makinën në garazh dhe po hynte në dhomën e pritjes.
– Mami, babi! – bërtiti me një frymë sa hyri në shtëpi.U nis drejt tyre. I dha një të puthur në faqe së ëmës
pastaj u ul pranë të jatit dhe si i dha një përqafim nisi të flasë me një frymë.
– Babi Sandër unë…
U shtang disi. As vetë nuk e kuptoi pse iu shtang goja.Vetëm shikonte të atin dhe ca bulëza loti i rrëshqitën në faqe.
– Çfarë ke bija ime? – i erdhi në ndihmë Sandri, – çfarë ke çfarë të ka ndodhur?
– Asgjë babi! – ia priti Donika dhe priti pak sa e mori vehten. I hodhi një vështrim të ëmës sikur kërkonte ndihmën e saj por me një guxim të papritur nisi të flasë me zë të lartë.
– Baba unë dua një djalë dhe ai…
– Ok bija ime! – e ndërpreu në mes Sandri, – na prezanto me të, nga është a ka familje, çfarë kombësie ka, i bardhë apo…
– I bardhë! – bërtiti si me një frymë Donika duke ia zënë fjalët në fyt të atit. Madje unë pres dhe një fëmijë
me të.
– Çfarë! – e ndëpreu ai duke bërtitur me të madhe, -nuk prite dot deri sa të martoheshe, bo bo bo.
– Prit mor burrë, nuk u shemb Roma, jemi në Florida, – u mundua ta qetësonte e shoqja.
– Në Florida! – bërtiti si me forcë Sandri, – por jam shqiptar!
Pasi i hodhi një vështrim të bijës sikur u lëkund disi. Iu afrua dhe si i fërkoi pak faqet e puthi të bijën në ballë,një traditë e lashtë e prindërve shqiptarë që i duan shumë vajzat e tyre.U mendua disi dhe ju drejtua Donikës si me ëmbëlsi:
– Po mirë bija ime nga do jetë dhëndërri im i ardhshëm?
Donika sikur e mori disi vehten. Iu afrua të atit dhe si dikur kur ishte fëmijë iu ul në prehër.
– I dashuri im ose më saktë bashkëshorti dhe babai i fëmijës tim është shqiptar bile…
– Si shqiptar! – e nderpreu në mes Sandri, – po ti pse nuk na thua, më gëzove pa masë. Si quhet? Nga çfarë vendi i Shqipërisë është? A ka baba? A…
– Po po, babi! – ai priti me një frymë Donika duke e ndëprerë të atin, – është nga veriu i Shqipërisë nuk di
saktë nëse jemi nga e njëjta zonë por ai ka lindur në Florida si unë.
– Ok, ok! – nisi të flasë Sandri! – si e quajnë?
– Gjergj Korabi! – thirri me zë të lartë Donika.
– Si Gjergj Korabi! – dhe nisi të marrë frymë si me zor,- po të atin si e quajnë? … Oooh zot nisi të flasë pa zë Sandri nuk besoj se quhet Mark Korabi sepse ai do të jetë djali i gjaksit të tij të cilin kishte mbi njëzet e dy vite që e kërkonte për ta vrarë…
– Mark Korabi! – ia priti qetë Donika.
Me të dëgjur atë emër Sandër Muzakës iu rrotullua shtëpia dhe eci këmbadoras nëpër dhomë dhe i shtri gati në një gjendje të fikti në divan…
Gjergji po priste me padurim të shkonte në shtëpi dhe t’i tregonte prindërve për vajzën e jetës. Se si kishte një ndjesi që nuk e kishte provuar kurrë më parë. – Nuk e di! – nisi të flasë si me vehte, – sikur kam një ndjenjë që se kuptoj dot nëse është gëzim apo hidhërim apo… ndoshta ndjesia e prindit sepse pres të bëhem prind.
Ashtu duke bashkëbiseduar me vehten pa vetëdije kishte hyrë në shtëpi. Zhurma e televizorit me një këngë historike nga Veriu i Shqipërisë ia prishi si ëndrrën ashtu edhe ndjesinë e pakuptimtë që e kishte kapluar.
– Gjergji zemra mamit erdhe! – thirri lehtë si me ëmbëlsi Maria.
– Po mami erdha! – ia ktheu i qetë ai dhe si e puthi lehtë në faqe nisi t’i tregoi fill e për pe gjithë historinë e dashurisë së tij me Donikën që vetëm sonte ai e mësoi se ishte dhe shtatzënë. Maria e dëgjonte me vëmendje Gjergjin dhe me një ndjenjë trishtimi. Ajo e dinte se vëllai i Markut, Zefi në 1991 kur diktatura komuniste në Shqipëri po bëhej gati të vdiste në një ngatërresë adoleshentësh në sherr e sipër kishte qëlluar me thikë
një shok të tijin i cili kishte vdekur në spital dhe që atëherë fisi i Korabit ishte ngujuar nga frika e gjakmarrjes dhe shumica kishin emigruar jashtë Shqipërisë.
– Biri im! – nisi t’i flasë me ngadalë Maria, – ke bërë një gabim të madh dhe nuk e di se si do reagojë yt atë.
– Përse o mami? – nisi të flasë si me habi Gjergji, -është gabim të dashurosh, ta jetosh jetën. Madje unë jam dashuruar me një shqiptare dhe babi Mark do gëzohet pa masë. Ai vetë …
– Po more bir ke të drejtë, – e ndërpreu e ëma – ti duhet ta jetosh jetën sepse fatmirësisht ke lindur në Florida por nuk e di saktësisht historinë e babait tënd,fisit tënd…
– Mami nuk të kuptoj ! – iu hodh Gjergji, – ç’lidhje ka dashuria ime me Donikën me historinë e fisit tim, unë e dua dhe ajo me do. Nuk më interson fisi.
– E di more bir e di, – vazhdoi me tone disi më të buta Maria, – por ti ke zgjedhur për nuse vajzën e gjaksit.
– Nuk të kuptoj mama, – ia priti si i habitur Gjergji, – sivajza e gjaksit ajo nuk është vajza e tij, është vajza e Sandër Muzhakës kështu më ka thënë Donika.
– E di e di, – ia priti e ëma, – por jemi në gjak me të.
– Nuk të kuptoj mama, fatkeqsisht nuk kuptoj aq mirë shqip, çfarë do të thotë gjaksi?
– Fisi i Muzakajve duhet të vrasë se s’bën një mashkull nga fisi i Korabit, pra nga fisi ynë.
– Çfarë?! – ia ktheu Gjergji në çast dhe i hodhi një vështrim të shpejtë fytyrës së nënës por nuk dalloi asnjë shenjë – pse duhet të na vrasin?!.
– Sepse është Kanuni!
– Kush është ky Kanuni?
– Kanuni nuk është njeri engjëlli im, – foli me qetësi e ëma e cila e dinte naivitetin e të birit që ishte rritur në një botë tjetër jo shqiptare, – është ligji i Bjeshkëve të Shqipërise dhe ne atë ligj po qe se vret ndonjë mashkull atëherë!… – dhe i shtriu librin e Kanunit të Shtjefen
Gjegjovit me parathënie të At Gjergj Fishtës. Ai e mori librin i hodhi një vështrim të shpejtë dhe u kthye me fytyrë nga e ëma.
– Ta fusë në burg vrasësin shteti! – ia priti ai si zënë në faj ai, – nuk ka punë as me mua e as me dashurinë time.
– Sigurisht shpirti i mamasë, por kanuni është një kod shekullor shqiptar ku gjaku paguhet me gjak.
– Si formë hakmarrje?
– Jo biri im është ndryshe. Në Kanun ka dhënie bese, ka falje gjaku, hakmarrja nuk ka shpirt të vret kur se pret.
-Po pse jemi në gjak me fisin e Donikës?
-Gjergji im i shtrenjtë !- iu afrua e ëma dhe filloi ti ferkonte ballin, – para shumë vitesh xhaxhai yt pa i mbushur të tetëmbëdhjetat godeti me thikë xhaxhain e Donikës i cili vdiq më vonë, në spital. I gjithë fisi i Korabit u ngujua, u mbyllën në shtëpi nga frika e hakmarrjes që në emër të Kanunit quhet gjakmarrje. Yt atë Marku nuk e duronte dot atë robëri u mundua disa herë që të pajtohet me fisin e Muzakajve por nuk arriti dot dhe
mori udhën e mërgimit në Itali me skaf, nga Italia erdhi në Amerikë, disa vite në New York dhe pastaj këtu në Florida. Hija e gjaksit e ka ndjekur gjithmonë pas por asnjëherë nuk e kemi ditur se Sandër Muzhaka jeton në të njejtin qytet me ne.Gjergji më në fund e kishte kuptur shqetësimin e së
ëmës por nuk arrinte ta kuptonte dot se përse duhet ta linte të vdiste dashurinë e tij. Çfarë do të bëhej me fëmijën e tij që po rritej përditë në barkun e Donikës.
Si e mori pak vehten i dha një të puthur mamasë dhe u nis drejt derës.Ajo u shtang dhe i doli përpara duke ia mbyllur derën.
– Biri im ! – bërtiti me të madhe Maria – ky shkon?
– Tek Donika! – ia ktheu i qetë Gjergji.
– Mos, biri im, harroje Donikën unë dua të të shoh burrë, nuk dua të të vrasë gjaksi.
– Mos u mërzit mama, do flas unë me Donikën, do shkoj unë në shtëpinë e saj, le të më vrasë, le ta vrasë babain e nipit apo mbesës së tij. Nuk jetoj dot pa Donikën dashurinë time, nuk mund të jetoj dot gjithë jetën me hijen e Kanunit nga pas, të atij ligji të Bjeshkeve shqiptare sepse zoti ia ka dhuruar jetën gjithsecilit dhe çdo person do të pagojë krimin e tij para ligjit dhe zotit.
Maria u mundua ta ndalonte por më kot. Duke parë reagimit kokfortë të të birit i kërkoi numrin e Sandër Muzakës dhe si ja mori e la të lirë të birin. Gjergji u nis me vrull përjashta. Mori në telefon Donikën dhe u nis me shpejtësi drejt kafe “Diellit” për t’u takuar me të…
…Tingujt e muzikës së dasmës sikur e kishin larguar atë trishtim të dikurshëm gjakmarrjeje. Gjergji dhe Donika dukeshin si çamarroke të rritur. Fustani i nusërisë sikur ia kishte fshehur pak barkun e fryrë të saj ku fëmija i tyre po rritej ngadalë. Mark Korabi dhe Sandër Muzaka qëndronin në një tavolinë ndërsa bashkshortet iu rrinin pranë çiftit. Njerëzit kërcenin, dasma dhe muzika shqiptare e kishte kthyer këtë restaurant një copëz vendlindje. Përjashta Oqeani Atlantik rrihte brigje me dallgë si një simfoni e re jetësore.
– Të na trashëgohen fëmijët! – e theu heshtjen e tejzgjatur Mark Korabi, – zoti e bekoftë këtë lidhje..
Sandri kishte humbur në një mjergull kujtese…
Rruga nga Bjeshka deri në kryeqendrën e Veriut kishte qenë disi e lodhshme e me kthesa të shumta. Poshtë në humnerë një lumë gjarpëronte dhe ecte drejt poshtë maleve pa u trazuar deri në derdhjen e Drinit. Hynë në qytet dhe makina u ndal afër Komitetit të Partisë. Sekretari i Parë po i priste. Iu dha dorën të gjithë të rinjve dhe nisi të flasë.
– Shqipëria dhe komunizmi është në rrezik. Imperializmi Anglo-Amerikan dhe agjenturat e tjera duan që komunizmi ynë i ndërtuar me mundin dhe gjakun e prindërve tuaj të vdesë. Jam shumë i lumtur që keni ardhur të ndihmoni forcat e rendit. Sot kemi njoftime se disa armiq të Partisë duan të rrëzojnë bustin e babait të socializmit Leninit por ne të bashkuar do t’ia thyejmë dhëmbët kapitalizmit Amerikan…
– Urrrraaaaa! – bërtitën të rinjtë adoleshentë me të madhe duke e ndërprerë Sekretarin e Parë dhe u nisën nga lulishtja ku ishte busti i Leninit.Sandri u shtang kur pa bashkëfashtarin e tij Pjetër Korabin që po i lidhte konopin në fyt Leninit.
Zefi vëllai i Sandrit u shkëput nga i vëllai dhe u nis drejt Pjetrit. E kapi për trikoje dhe desh e rrëzoi nga lartësia e statujës.
– Armiku i Partisë! – bërtiti Zefi me të madhe, – nuk e dija se kisha shok një tradhëtar të kombit.
– Te lutem Zef largohu! – i thirri i qetë Pjetri, – komunizmi kjo murtajë e Shqipërisë do vdesë ndaj mos i beso Sekretarit të Partisë se …
Zefi e tërhoqi me forcë dhe si e rrëzoi përtokë i ndihmuar nga dy sigurimsa nisi ta qëllonte me shkelma. I kërceu.përsipër dhe e shtërngoi për fyti. Pa një e pa dy Pjetri nxori një thikë dhe ia nguli disa herë në krahëror. Iu shkëput nga duar dhe bashkë me ca shokë e tërhoqën litarin me forcë dhe statuja e Leninit u shemb përdhe.
Sandri kur pa vëllanë e përgjakur iu errësuan sytë. U nis me vrap drejt tij. E mori vëllain në prehër dhe me dorë u mundua t’i ndalonte gjakun. Dy bulëza loti i rrëshqitët Zefit nga sytë. Ambulanca erdhi me shpejtësi.Mori Zefin e plagosur dhe u nis drejt spitalit të qytetit.Sandri iu afrua bustit të rrëzuar të Leninit dhe e pështyu:
– Djalli të marrtë ty dhe komunizmin! – foli nëpër gojë dhe duke parë perëndimin e diellit u betua se do ta merrte gjakun e vëllait që ishte viktima e radhës e bishës komuniste që po jepte shpirt që…
– Sandër !… O Sandër Muzaka! – dëgjoi një zë si në mjergull. Ktheu kokën kur pa gotën e birrës që Mark Korabi po ia drejtonte.
E mori dhe si i zënë në faj duke mos pasur deshirë ti kujtonte të shkuarën që sapo i kaloi nëpër kujtesë nisi t’i flasë disi i qetë. Marku sikur të ishte në të njejtën linjë kujtese me të i foli me një frymë.
– Sandër jeta duhet jetuar, të gjallët me të gjallët e te vdekurit me të vdekurit. Une e di se ç’farë po mendoje pak më parë.
– Çfarë! – e ndërpreu në çast Sandri.
– Po kujtoje Zefin atë ditë që rrezuam përtokë bustin e Leninit.
Sandri u mendua pak. Si e mori disi vehten dhe duke i hedhur një vështrim Donikës qe ishte një diell i veçantë në natën e saj të dasmës nisi të flasë prerë.
– Na rrejtën Mark Korabi, komunizmi paska qenë një kancer në zemrën e një kombi.
– Po po Sandër është e vërtetë. Megjithëse ti ma ke falur gjakun e Zefit vëllait tënd përsëri të kërkoj falje.Burrë është ai që fal një gjak që fal një jetë.
– Ashtu është. Nuk lash vend pa të kërkuar nëpër Amerikë për të të vrarë o Mark!
– Ku e dije se erdha në Amerikë! – e pyeti i çuditur Marku.
– Të kërkova nëpër Itali nga Roma në Milano por nuk të gjeta.Rastesisht takova Nikën…
– Kë? – e ndërpreu Marku me një frymë, – Nik Shkabën?
– Po po Nikën ai që dërgonte shqiptarët nëpër botë.Ka bërë alamet vile katër katëshe në qytet por nuk iu pa hahrin.
-Përse?
– E kanë vrarë para dy vitesh! – nisi të flasë i qetë Sandri,- me duket u ngatërrua me ca shokë në ca pazare nuk e di për droge apo për ca femra që kishin shitur për prostuticion në Itali.
– Kështu është jeta! – foli i qetë Sandi, – Edhe ti nuk ke lënë vend pa më kërkuar mua, – ndërroi muhabet.
– Sigurisht, të kërkova në Nju Jork por s’të gjeta dot,- foli qetë Sandri dhe mbi tavolinë nxori një pistoletë. E kapi lehtë me dorë dhe ia shtriu Markut i cili u tremb. U duk sikur Sandri ia drejtoi atij drejt e në zemër dhe në veshë sikur dëgjoi disa fjalë: – Mark Korabi mi bëj të fala Zef Muzakës dhe thuaj se gjakun ia mora në mes të Amerikës.
– Mark! – bërtiti lehtë Sandri, – Amerika i bën të gjithë njerëzit, njerëz, ndaj merre pistoletën dhe gjaku i vëllait të është falë këtu në Florida dhe në Shqipëri, sot jemi
pajtuar të dy fiset, s’ka ma gjakmarrje mes nesh.
– T’u rritë ndera, o Sandër Muzaka ! – bërtiti me të madhe Marku. Shtriu dorën dhe e mori pistoletën.
Muzika e dasmës vazhdonte me të njejtin ritëm. Ishte kjo dashuri, ishte Amerika që i tha fund kësaj gjakmarrje…
Një zë i mbrendshëm sikur i foli. – Ligji, burrëria, besa dhe falja që besoj një ditë do të ulet këmbëkryq edhe në Bjeshkët shqiptare dhe si sonte kur dy hasëm bëhen miq martojnë fëmijtë e tyre bashkë ashtu edhe atje në Shqiperi jeta do të rrjedhë në të njejtin burim jete, do të ketë falje, besë, dashuri ne pafundesi.
LEK GJOKA
Marre nga libri me tregime
“PËRROI I DJALLIT”
Tirane 2013


Leave a Reply