Nga : Tajar Domi
Komuniteti shqiptar në qytetin e Filadelfias, nga dita në ditë e nga viti në vit, po shtohet e pasurohet përveçse në numër, edhe me intelektual të shumtë të fushave të ndryshme, duke i dhënë këtij komuniteti më shumë emër, më shumë forcë e më shumë lidhje me vendlindjen tonë të dashur.
Këtë privilegj, Shoqata Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes”, mundohet ta pasqyrojë e ta bëjë të njohur sa më shumë, jo vetëm në Filadelfia, por gjërësisht në të gjithë diasporën. Kështu, në tetor të vitit të kaluar, në Qendrën Social – Kulturore të komunitetit, u organizua njohja me veprat letrare të zotit Hatem Dervishaj dhe ato shkencore të inxhinierit të naftës zotit Ahmet Çollaku, për të cilat është shkruar më parë. Ndërsa më 28 Janar 2017, po në këtë qendër, një i tillë takim u organizua për dy anëtar të tjerë të këtij komuniteti, dy intelektualë veprimtar të palodhur, dashamirës të bashkimit e kritik të përçarjes, evidentues të vlerave të bashkatdhetarëve e familjeve të tyre, përçues të mësimit të gjuhës e historisë tonë kombëtare në brezin e ri këtu në emigrim. Inxhinieri Vlashi Fili dhe ushtaraku Hysë Hasa, megjithëse nuk kanë studiuar dhe nuk vijnë nga fusha letrare, kanë një numër të madh botimesh këto vitet e fundit, ndërsa ato të vitit të kaluar, i prezantuan pranë komunitetit, duke u sjellë pjesëmarrësve të shumtë që vinin jo vetëm nga Filadelfia, por edhe nga Nju Xhersi e Nju Jorku, mjaft kënaqësi e emocione. Shumë prej tyre diskutuan dhe vlerësuan punën e madhe të të dy autorëve, që me veprat e tyre të shkruara për linja të ndryshme, kanë evidentuar e sjellë tek lexuesi jetën e tyre, por edhe tonën, një pjesë nga historia e kombit dhe e figurave të tij deri në ditët e sotme. Shumë nga mesazhet e atyre që nuk patën mundësi të jenë aty këtë ditë, ishin gjithashtu plotësim i shprehjes së vlerave për këto botime.
Autori VLASHI FILI, i lindur në vitin 1941 në qytetin e Kuçovës, studioi dhe u diplomua në Universitetin e Tiranës në vitin 1964 si inxhinier për shpimin e puseve të naftës e gazit dhe punoi në këtë sektor për 16 vite, herë drejtëpërdrejtë në turnet e punës të shpimit e herë si specialist e studiues në Institutin e Naftës, duke publikuar projekte, artikuj shkencor e përmbledhje studimesh, duke dhënë kështu kontributin e tij në këtë sektor. Por fati nuk e ndoqi gjatë, pasi në vitin 1980 ai arrestohet e dënohet padrejtësisht me 15 vite burg, me akuzë absurde si fajtor për shpërthimin e pusit Ca-37 të naftës, nga të cilat ai vuajti vetëm 6 vite në Bulqizë, Qafë Bari, Batër (Martanesh) dhe Spaç (Mirditë), pasi në vitin 1986 përfitoi nga amnistia. Kështu ishte ajo kohë, ai sistem. Të gjithë kishin frikë, ruanin veten. Prof. dr. Gjergji Foto, në urimin që i dërgon Vlashit për botimin e librit “Magnet”, duke u kthyer në kohën e dënimit të tij, midis të tjerave, si pjestar i grupit të ekspertizës që u detyrua nga hetuesia ta përpilojë për ta dënuar Vlashin, e shpreh pendesën për këtë, duke vlerësuar në të njëjtën kohë punën dhe kontributin e tij. Pas vitit 1986 Vlashi, kthehet përsëri për të punuar në sektorin e naftës, ndërsa prej 17 vitesh emigron së bashku me djalin e tij, Artanin, familjarisht në SHBA. Pra jeta e tij, nuk është thjeshtë një numër, në këtë rast “75”, por një jetë e një njeriu e mbushur me ëndrra, sakrifica, dhimbje e gëzime, humbje e fitore, tradhëti e besnikëri bashkë. “ 75” nuk është vetëm një numër, por një rrugë e mbushur me jetë. “Vlashi ka dhënë gjithmonë, pa marrë asgjë. Eshtë po aq i varfër sa kur lindi më 10 shtator 1941. Është po aq i pasur, sa ç’ishte kur lindi i rrethuar nga dashuria e madhe e dy prindërve të mrekullueshëm. Më i pasur si gjysh me plot nipa e mbesa dhe i plotësuar nga dashuria e shokëve e bashkatdhetarëve që e duan dhe e respektojnë sinqerisht” – kështu shprehet z. Llazar Vero i cili do të njohë pjesëmarresit më gjërësisht me librin më të fundit të autorit, titulluar “Magnet”.
Një periudhë mjaft intensive punë e krijimtarie e këtij autori, pas ardhjes së tij në Amerikë, e shoqëruar edhe me disa tituj nderi e vlerësime mirënjohje nga organizma e shoqata të ndryshme, në diasporë por edhe në Atdhe. Kështu Bashkia e qytetit të Kuçovës, në vitin 2000 i akordoi titullin “Njeriu i Vitit”, ndërsa pas tij, “Nderi i Komunitetit” dhe “10 vjet në shërbim të Komunitetit”, në Filadelfia ( akorduar në vitin 2006 dhe 2012 nga Shoqata “Bijtë e Shqipes” ), fitues i pesë çmimeve në konkurset letrare të revistes “Kuvendi” në qytetin e Detroidit në Miçigan ( në vitet 2007, 2009, e 2013 dhe 2016) si dhe në Nju Jork (2016), e disa të tjera. Z. Vlashi Fili ka dhënë kontributin e tij të madh si sekretar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” që nga krijimi i saj, ndërsa kohët e fundit u vlerësua duke u zgjedhur edhe zv/kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan me qendër në Nju Jork. Ka botuar 15 libra të gjinive të ndryshme si poezi, tregime, novela e romane, ndër të cilat mund të përmendim : “Njerëz të Mirë” (tregime dhe novela) , “Guva e Pyllit” (roman), “Dallgët” (roman) “Magjia e fjalës” (tregime}, “Zemër Nëne” (roman) , “Pëllumbat e Burgut “ ( Rrëfenja)…, për të arritur tek botimi i fundit letraro- autobiografik i titulluar “Magnet”. Në përgjithësi , librat që kanë autor Vlashi Filin, nuk janë krijimtari thjeshtë letrare shpërthyese të ideve e fantazive të tij, por ato kanë një subjekt real, mbështeten mbi ngjarje e histori reale që autori ka kaluar apo njohur gjatë jetës së tij. Ato i jepen lexuesit me një gjuhë të thjeshtë, të ëmbël e të kuptueshme, duke e ushqyer atë me ato gjëra negative dhe pozitive që e kanë shoqëruar jetën, jo vetëm të autorit, por edhe të tjerëve në periudhën e diktaturës. Libri i tij “Magnet”, është autobiografia e tij, por edhe e jona, e brezit që u rrit e punoi deri ne vitet ’90 , para ardhjes së demokracisë në Shqipëri.
Duke e vlerësuar këtë libër, një nga bashkatdhetarët tanë që mori pjesë në këtë takim promovues, z. Sotir Goxhaj, do të shprehej para pjesëmarrësve : “Doni të dini për jetën, punën tonë dhe padrejtesitë e shtetit të asaj kohe, – lexoni Vlashin në librin “Magnet” te tij”. Ndërsa një koleg i autorit, ish gazetar i atyre viteve, do të thonte : “Duke lexuar librin “Magnet “, hymë në një jetë të thjeshtë, por plot me dritë, me dritë edhe atje ku errësira mundohej ta mbushte dashurinë e gëzimin. Aty nuk ka asgjë për tu mburrur, shikoni ç’kam bërë unë, shikoni ç’kam hequr unë, aty nuk ka asgjë për të përfituar nga autori, apo për tu hakmarrë ”. Dhe me të vërtetë, kushdo që e lexon këtë libër, arrin ta kuptojë lehtësisht atë. Në faqet e tij gjen të konkretizuar shprehjen e urtë të popullit : “I forti fal, i dobëti hakmerret”. Autori vjen me mesazhin e dëshirës për ta jetuar jetën, me dashurinë për të, me gëzimet e të hidhurat e saj, me mesazhin e mirëkuptimit për shokët, miqtë e kolegët e punës që ndoshta nuk e ndihmuan në të drejtën e tij, por këtë ata e bënë nga frika që mbillte pushteti i atëhershëm tek çdo njeri. Për Vlashin, ka kuptim vazhdimi i marrëdhënieve e miqësisë me këta njerëz, duke mbartur brenda vetes një cilësi njerëzore që gjithëkush duhet ta ketë, por pak kush e ëfaq, faljen.
Zoti Artur Vrekaj, në “Një vështrim për librin Magnet”, ndër të tjera shprehet se ky libër e kalon cakun autobiografik. Në faqet e tij, thotë ai, ëndrrat mpleksen me shpresën e madhe të rendjes së autorit përmes jetës së një familje, njerëzve të ditur, librave, auditorëve, terrenit,… duke nxjerrë në pah egërsinë e regjimit komunist në dhunimin e të drejtave të njeriut e të shoqërisë në tërësi. “Magnet” është edhe një memorial për martirët intelektual të naftës, Riza Alizoti, Koco Plaku, Milto Gjikopuli, etj. për të cilët flitet gjithashtu në këtë libër.
Libri është drama e jetës së autorit, për të cilën ai bën thirrje për pafajësi të merituar sot. Por sa shembuj të tillë ka në Shqipëri. Ky libër është në fakt një thirrje që shteti shqiptar të reflektojë, që shqiptarët të besojnë se po jetojnë në një botë të lirë, ku e drejta njerëzore për të jetuar i lirë, nuk nëpërkëmbet më. Diskutuan në këtë takim edhe Sadik Elshani, Hamdi Gjana, Dritan Matraku e të tjerë, ndërsa dërguan mesazhe përgëzimi edhe inxhinieri Viktor Suku me punë e banim në Kanada, naftëtari Daut Velaj, ish eprori i tij, inxh. Ramadan Perhati, tani pensionist në Shkorër, inxh. i shpimit Novruz Limaj me banim në Tiranë e disa të tjerë. Botuesi i librit, Spiro Dede nga Tirana, midis të tjerave shkruan: “…një libër që e lexojnë me ëndje të gjithë….kudo një ndershmëri, sinqeritet e pafajësi në të rrefyer…”.
Autori HYSE HASA , lindi në Vilë të Kuksit me 11 gusht 1948. Diplomohet si oficer artilerie në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, ndërsa më vonë përfundon studimet e Akademisë Ushtarake. Punon në sektorin e ushtrisë për rreth 35 vite , në detyra të ndryshme, dhe del në lirim në vitin 2000. Nga viti 2006 banon në qytetin e Filadelfias të SHBA-së, duke qenë i palodhur si veprimtar dhe kordinues i takimeve të shumta shoqërore të bashkatdhetarëve tanë, evidentues i vlerave të gjithëkujt dhe dashamirës i arritjeve të tyre, protagonist i bashkimit, mbështetës i shkollës shqipe dhe i punës së madhe që bëhet nga shoqata “Bijtë e Shqipes” për trashëgiminë e saj e të kulturës tonë kombëtare. Fillon të shkruaje pas ardhjes në Amerikë, dhe ndoshta nostalgjia për vendlindjen duke qenë tashmë shumë larg saj, i dha atij forcë , duke dalë në vitin 2008 me librin e tij të parë “Vila, Pjesë e Krenarisë Lumjane”, ku evidenton gjerësisht historikun e kësaj zone në gjithanshmërinë e saj. Pas saj, vazhdon të zbulojë më gjërë, dhe me një punë të palodhur , që vetëm ky njeri mund ta bëjë, arrin të botojë librin voluminoz “Midis Emigrantëve Shqiptar në Amerikë ”, në të cilin lexuesi njihet me jetën dhe arritjen e me shumë se 550 bashkatdhetarëve e familjeve të tyre, kryesisht nga Kuksi por edhe nga zona të tjera të Shqipërisë si Tirana, Durresi, Fieri, Lusnja, Mallakastra, Vlora, Korça, Kosova , Çamëria etj. Në vazhdim, nxjerr për lexuesit edhe gjashtë libra të tjerë, midis të cilëve , “Midis Shokëve, në Shërbim të Atdheut”, “Dritare Kohe ne Mençurinë Kuksiane”, “Kontribute Atdhetarie” etj, ndërsa vitin e fundit, botoi tre libra të tjerë, kryesisht historikë dhe enciklopedik , të historisë së vjetër e të re të Kuksit e më gjerë dhe vlerat intelektuale të të gjitha fushave të kësaj zone.
Në fjalën e hapjes të këtij promovimi, kryetari i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, z. Tajar Domi citon : “Librat e autorit Hysë Hasa , në të cilët përshkruhen histori, ngjarje, luftëra, tradita, kulturë e zakone të zonës së Lumës e Kuksit në përgjthësi, do të përbëjnë një vlerë të madhe të shtuar në arkivin historik të kësaj zone dhe në atë kombëtar. Ndërsa botimet e llojit enciklopedik, në të cilët janë përshkruar jeta e njerëzve intelektual të Kuksit, të të gjitha fushave, si dhe të emigrantëve të kësaj zone që jetojnë në Amerikë, kam bindjen se do të mbeten të vetmet e këtij lloj edhe për shumë e shumë kohë, për arësye të vështirësive të shumta që shoqërojnë për të botuar një vepër të tillë”.
Ushtaraku në pension, Lutfi Brami, në materialin kryesor që referoi para pjesëmarrësve , vuri në dukje punën e madhe që është bërë nga autori, për grumbullimin e informacionit dhe sistemimin e tij. Libri voluminoz prej 713 faqesh me titull “Vlera Intelektuale Kuksiane l “, është një përmbledhje biografike, ku paraqiten portrete personale, deri diku edhe familjare e fisnore. Në të, ai ka gdhendur faqe pas faqeje, 350 intelektualë të fushave të ndryshme e të niveleve të ndryshme, që nga ato të thjeshtët deri tek doktorët e profesorët shkencorë, që janë të shumtë. Ai përfshin në këtë libër figura nga krahina e Kuksit, Hasit, Kalasë së Dodës, Gorës, Shëmrisë e Fanit të Mirëditës, që kanë qenë apo janë pjesë përbërëse e Kuksit. Gjatë leximit, të tërheq vëmendjen vullneti e këmbëngulja e autorit Hysë Hasa, që duke qëmtuar e mbledhur nga burime të ndryshme, fakte konkrete, pjesë jete, veprimtari e karaktere të ndryshme të personazheve në veprat e tij, ka prekur realitetin duke përshkruar me vërtetësi e duke i dhënë gjithësecilit një vlerësim të thjeshtë, por që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë marrin vlerë ato. Në këtë mënyrë, duke pasqyruar larminë e jetës në gjithanshmërinë e saj, politike, ekonomike, arsimore-shkencore, shëndetësore e ushtarake, pjesë e së cilës ka qenë edhe autori, ai merr një meritë të veçantë sepse u ka dhënë një material të gatshëm e të bollshëm, studiuesve të sotëm e të nesërm, të kësaj zone.
“Mesuesi i Popullit”, njëkohësisht anëtar i Akademisë së Shkencave, z. Shefqet Hoxha , midis te tjerave do të vlerësonte: “Të shkruash për njerëz konkret, që i takon për ditë, për vlera intelektuale pozitive të bashkëfshatarëve, bashkëkrahinarëve e bashkatdhetarëve, është shërbimi më i madh njerëzor që i bën shoqërisë. Veprat tuaja kanë histori, letërsi, biografi, e mbi të gjitha kanë dashamirësi, që jo të gjithë e kemi ”. Ndërsa, prof. dr. Gezim Onuzi, me banim në Nju Xhersi, duke vlerësuar punën dhe produktin përfundimtar që autori, sjell në këtë libër, e krahason atë me bletën punëtore që ashtu siç ajo shetit nga lulja në lule, nga njëri vend në tjetrin, ashtu vallëzon edhe pena e Hysë Hasës, gdhend nga njeri portret në tjetrin, nga një vend punë në tjetrin, pa rregulla të ngurta, me një thjeshtësi të admirueshme.
Shkrimtari Hatem Dervishaj, nga Fieri, duke marrë fjalën në këtë takim, do të bënte një përmbledhje mjaft profesionale të librave të autorit, i cili brenda dhjetë viteve shkroi 11 të tilla, me 8500 faqe, përfshirë edhe tre librat e fundit, ku figurat e dijes, patriotizmit e mençurisë kuksiane, deri diku të lëna në harresë për arësye të ndryshme, u morën në mbrojtje prej këtij autori, u fshinë nga pluhuri i harresës dhe u vendosën atje ku ata e meritonin, në panteonin e dijes, patriotizmit dhe nderit krahinor e kombëtar.
Kjo vepër, nga vetë titulli, u kushtohet atyre që dhanë jetën për Atdheun e lirë, – vazhdon ne referimin e tij z. Brami. Shkrirja harmonike e elementëve historik, publicistik e arkivor, e gërshetuar me të dhënat gojore, folklorin dhe me stilin personal të autorit, vihen në dobi të paraqitjes së realitetit të kohës. Me një paanshmëri në gjykim, këtu lartësohen figura që luftuan në pozicione dhe krahë të ndryshëm gjatë luftës së dytë botërore, siç i përmendëm më sipër. Autori vendos në libër ngjarje, episode e luftëra, duke e lenë në dorë të lexuesit të gjykojë dhe të vlerësojë përfundimisht për to.
Ai ka skalitur figura, jo si listë emrash, por u ka dhënë jetë atyre, duke i parë problemet me qartësinë e gjykimin e tij, pa droje. Ndoshta lexuesi ka vend për të debatuar, por njerëzit, faktet e ngjarjet duhen gjurmuar për ti nxjerrë në siperfaqe. Këtë ka bërë autori, e ka nxjerrë historinë në sipërfaqe, duke luftuar që të jetë pa anësi politike, ndërsa lexuesi duhet ta lexojë atë, ta njohë dhe të gjykojë. Në këtë libër gjejmë të përshkruar portrete të drejtuesve ushtarak si Ndreko Rino, Abedin Shehu, Rrahman Parllaku, Muharrem Bajraktari e shumë të tjerëve.
Librat e fundit të Hysë Hasës, kanë thithur një numër të madh lexuesish, të cilët kanë shprehur konsiderata pozitive për to, në mesazhet qe i dërgojnë autorit. Intelektuali dhe shkrimtari Izet Duraku, duke shkruar për punën e madhe që autori Hysë Hasa ka bërë, shprehet se me këtë libër ai “… shkon në rrugën e rrëzimit të tabuve dhe të ndriçimit të të vërtetave të ndaluara”. Ndërsa “Mësusesi i Merituar” Isa Halili, do t’i cilësonte librat e autorit, si “…vepra që të zgjojnë kujtesën e të rrisin krenarinë kombëtare”, prandaj, thotë ai, me të drejtë e kanë quajtur Hysë Hasen “Gjenerali i letrave”. Prof. as. Dr. Muhamet Belaj shkruan : “Të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak, duam të japim gjithçka të mirë nga vendlindja, nga mjedisi ku jetojmë, por në rastin konkret pena dhe mendja e Hysë Hasës, ka gdhendur thekshëm në veprat e tij, jo vetëm personazhet e këtyre veprave, por në një farë mënyre edhe historinë e Kuksit, në etapa të ndryshme historike”.
Vlerësime për punën e autorit, kanë dhënë edhe shumë të tjerë, në mes tyre , “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit” Gjeneral-Lejtnant Rrahman Parllaku, mësuesi i parë i tij, Nezir Jata, Prof. dr. Esat Bilali, intelektuali Neritan Kolgjini, dr.Naim Tota, kolonel Mark Marku e shumë të tjerë, që jo vetëm ngrejnë lart punën e madhe voluminoze të bërë në këto libra, por gjejnë rastin të falendërojnë z. Hysë Hasa, për kontributin e rëndësishëm që po jep në evidentimin e historisë e të inteligjencës kuksiane duke i vendosur dukshëm atje ku duhet, për brezat e ardhshëm.
Në këtë mënyrë, veprimtaria promovuese e botimeve të fundit të autorëve Vlashi Fili e Hysë Hasa, zhvilluar në Qendrën Social-Kulturore të komunitetit shqiptar në Filadelfia, u shëndrrua jo vetëm në një veprimtari ku pjesëmarrësit e të tjerët nga larg, shprehën vlerësimet për këto vepra, por në të njëjtën kohë ato vlerësuan këta dy autorë si dy veprimtar të dalluar të këtij komuniteti, që përçojnë kudo dashurinë për atdheun, për gjuhën, kulturën e historinë tonë kombëtare, duke dhënë kontributin e tyre të drejtë për drejtë në këto drejtime.
Por, a duhen vlerësuar këta dy zotërinj për këtë kontribut që japin çdo ditë, dhe që shumë pak u ekspozua në këtë shkrim? Sigurisht që duhet. Dhe të parët që duhet ta bëjnë këtë, mendojmë, janë bashkite e qyteteve Kuçovë e Kukës, të cilët në përputhje me legjislacionin e organizimit të tyre, do ti bënin nder vetes, duke iu dhënë bijve të tyre , një titull nderi.
Këshilli drejtues i Shoqates Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, do të bëhet iniciatori i kërkesës së dhënies së këtij vlerësimi.
Filadelfia, 31 janar 2017


Leave a Reply