Reshjet masive të borës kanë përfshirë një pjesë të rajonit të Ballkanit, duke marrë edhe viktimat e para nga i ftohti dhe duke paralizuar gjendjen.
Reshjet intensive të borës po vijojnë kryesisht në ish-republikat e Jugosllavisë: Kroaci, Serbi, Bosnjë – Hercegovinë, Malin e Zi, etj.
Kroacia e paralizuar
Në Kroaci janë regjistruar reshje rekorde të borës, me ç`rast disa qytete përfshirë edhe kryeqytetin Zagreb, situata është e rënduar nga reshjet dhe se autoritetet janë në prag të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Meteorologët kanë bërë të ditur se brenda orëve të fundit trashësia e borës ka arritur mbi 40 centimetra, ndërsa reshjet e tilla nuk mbahen mend që nga viti 1955. Për shkak të kësaj situate të rënduar, janë ndërprerë linjat e autobusëve ndërurban por edhe urban në pjesët e Zagrebit. Aeroporti i Zagrebit vazhdon të jetë i mbyllur, dhe se nga mëngjesi nuk ka pasur fluturime të asnjë avioni. Shërbimet dimërore kroate po punojnë për të stabilizuar situatën dhe për pastrimin e rrugëve, urave dhe akseve tjera rrugore.
Në Osijekë janë regjistruar tre viktima që kanë ndërruar jetë si pasojë e të ftohtit. Bëhet fjalë për persona të moshuar, që nuk kanë pasur përkujdesje familjare dhe që jetonin të vetëm.

Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik, reshjet më masive të borës janë regjistruar në Zavizhan mbi 90 centimetra.
Situata është rënduar edhe në autostradën A3, ku ekipet e pastrimit me vështirësi po bëjnë pastrimin e borës. Aksidentet në këtë autostradë kanë shkaktuar edhe kolona të gjata të makinave dhe se nga kjo situatë një pjesë e makinave kanë ngelur pa derivate të naftës, për shkak të pritjeve të gjata nëpër kolona. Në mesin e kolonës kanë qenë edhe tre autobusë me mbi 120 fëmijë, të cilët kanë ngelur të bllokuar dhe me mungesë të ushqimeve dhe nevojave tjera.
Bosnjë – Hercegovina dhe Serbia Qendrore nga reshjet e borës
Serbia Qendrore dhe disa pjesë tjera të këtij rajoni janë përfshirë nga reshjet intensive dhe erërat e forta, duke paralizuar akset rrugore dhe lëvizjen e qytetarëve.
I ftohti i madh ka përfshirë edhe Vojvodinën, ku një person ka ndërruar jetën si pasojë e të ftohtit. Viktima R.Maletiq, 60 vjeç u gjet i ngrirë në shtëpinë e tij në lagjen Vrbak të Novi Sadit. Në rajonin e Serbisë jugore nuk ka reshje të borës, por kryesisht reshje të shiut.
Në Bosnjë – Hercegovinë po vijojnë reshjet e borës dhe në disa vende reshje masive të shiut. Bora gjithashtu ka shënuar rënie rekorde për disa orë, duke arritur trashësinë në 40 centimetra, ndërsa në lartësitë malore mbi 70 centimetra.

Gjendje e rënduar edhe në Malin e Zi
Moti i keq ka përfshirë edhe Malin e Zi, duke shkaktuar reshje të mëdha në pjesën veriore të vendit, ndërsa shiu dhe erërat e forta në pjesën qendrore dhe jugore. Auto Moto Lidhja e Malit të Zi ka rekomanduar qytetarët që ti shmangen udhëtimeve për shkak të reshjeve të borës dhe shiut. Ministria e Brendshme e Malit të Zi ka bërë të ditur se situata do të rëndohet edhe më tej gjatë natës, për shkak të vazhdimit të reshjeve dhe rënies së temperaturave.

Maqedonia deri tani i shpëtoi reshjeve të borës
Në Maqedoni ka pasur vetëm reshje të shiut gjatë orëve të pasdites dhe orëve të natës, ndërsa reshjet e borës në pjesën perëndimore të vendit. Temperaturat kanë vijuar të jenë të larta mbi 3 gradë celsius, ndërsa ato më të ulta deri në -4 gradë celsius.Reshjet e borës kanë përfshirë zonën e Maqedonisë Perëndimore, kryesisht në Malësinë e Gostivarit, duke shkaktuar vështirësi në komunikacion.
Për shkak të reshjeve të borës, ka vazhduar urdhëresa për ndalimin e lëvizjes së mjeteve të rënda transportuese në aksin rrugor Strazhë dhe në drejtim të Haneve të Mavrovës. Për shkak të reshjeve të borës dhe ngricës së parë, në rajonin e Gostivarit sot janë regjistruar gjashtë aksidente.
Mediat kroate kanë vlerësuar se Maqedonia në ditët e para të dhjetorit ka kaluar mirë dhe ka pasur fatin e klimës së mirë dhe shmangie nga temperaturat e ulta dhe reshjet intensive të borës. (Agjencitë/INA)





Leave a Reply