Edhe sot e ndjej mundimin e asaj dite. Edhe sot pendohem për tradhtinë e asaj dite që ma nxiu jetën. Edhe sot jam e palumtur, duke pritur në heshtje që dikush të më rikthej, së paku, një çast të atyre ditëve e netëve të paharruara. Edhe sot lindi një ditë e re, por as që e vërej, ngase ditët për mua s’kanë asnjë kuptim për t’iu gëzuar. Sot, përkundër të gjithave, e ndjej zbrazëtinë e thellë brenda vetes, që s’mund t’ma plotësojë askush me asgjë. Sot ndihem e pa forcë, e paaftë për të dashuruar, e pashpresë për të vazhduar jetën më tutje… Isha 17 vjeçe kur u takova për të parën herë me Besartin. Ishin ditët e një dimri të acartë, por që nuk e hetoja të ftohtin. Shkoja shpesh të dajat, sepse atje krijova shoqëri shumë të mirë me fqinjët e dajave. Në shtëpi jetonim me axhallarët në kushte shumë të rënda jetese. Të vetmit që punonin në shtëpi ishin një axhë imi dhe djali i tij. Të tjerët, ishin të papunë. Nganjëherë detyroheshim që me javë të tëra t’i kalonim te dajat. Ata bënin jetë shumë të mirë. Kishin firmë private dhe punonin edhe në punë shteti. Unë gati çdo vikend e kaloja atje… Kisha dy vëllezër dhe një motër. Isha fëmija më i vogël në familje. Unë kisha edhe një vëlla tjetër, i cili vdiq aksidentalisht, në moshën 22 vjeçe. Ditën kur vdiq ai, bashkë me të në veturë ishte edhe babai im, i cili prej asaj dite mbeti i palëvizshëm. Kjo ishte goditja e parë që përjetoi familja jonë. Prej atëherë ne jemi nën përkujdesjen e dajës tim.
DASHURI NË SHIKIM TË PARË
Ishte ditë vikendi. Erdhi daja për të na vizituar. U ktheva bashkë me të te dajat. I pari hap që bëja sa herë që shkoja te dajat ishte takimi me Norën, shoqen time, e cila ishte fqinje me dajat e mi. Kisha krijuar shoqëri shumë të mirë e të shëndoshë me të. Atë natë shkova drejt te Nora. Ajo më ftoi brenda në shtëpi. Aty takova për të parën herë Besartin, tezakun e Norës. Ishte zeshkan, i gjatë, sy gjelbër dhe mbante veshur një xhemper blu. Ishte tejet i bukur. U ula përballë tij, por duke mos guxuar ta shikoja në sy, e shikoja nganjëherë vjedhurazi. E vëreja se më shikonte vazhdimisht. Filluam të diskutonim për tema të ndryshme. Ishte shumë i pjekur dhe i matur, përkundër meje që isha shumë e re dhe se nuk isha e informuar me gjërat, mbase si pasojë e shkollimit të dobët. Ai kishte vendosur ta kalonte natën te Nora, meqë atë natë ajo ishte vetëm. M’u lut shumë që edhe unë të rrija atë natë. Unë kisha dëshirë shumë të rrija, e tani kisha arsyeje edhe më shumë për të ndenjur te Nora. E pyeta dajën dhe ai më lejoi që të flija te Nora. Daja nuk ishte në dijeni se aty ishte edhe Besarti. Atë natë nuk bëmë gjumë fare, përveç Norës, e cila nuk mundi t’i rezistoj gjumit dot. Ndihesha në siklet, sepse mbetëm vetëm unë dhe Besarti. Ishte djalë shumë i sjellshëm. Atë natë më tha se më kishte parë shumë herë kur vija te dajat. Më tha se gjithherë kishte ëndërruar për të më takuar. Për këtë, madje, i kishte treguar edhe Norës, por ajo s’më kishte treguar mua kurrë nga frika se mos e humbiste shoqërinë që kishim krijuar. Më tregoi gjithçka për veten. Për çudi kishte një histori shumë të ngjashme me timen. Babai i kishte vdekur heroikisht në luftën e fundit. Jetonte me nënë, vëlla e një motër. Askush nuk punonte nga familja e tij, përveç Besartit. Ai punonte në një kafiteri si kamerier dhe studionte juridikun. Ishte student i shkëlqyeshëm. Më këshillonte vazhdimisht të mësoja e të sillesha mirë, sepse në krahasim me të unë isha ende e re. Besarti ishte 23 vjeç. Atë natë, derisa po bisedonim, ndodhi edhe ajo që kurrë s’e kisha paramenduar. Unë mora puthjen e parë nga Besarti. Për një natë të vetme ndodhi gjithçka: ishte takimi i parë me Besartin por, edhe fillimi i lidhjes sonë. Isha shumë e lumtur, sepse menjëherë kisha filluar të ndjeja për të diçka. Një ndjenjë që m’u duk se riktheu në jetë çdo pjesë të humbur e të tretur. Por, ajo që më frikësonte ishte mendimi i Besartit në raport me mua. Unë i besoja çdo fjale të tij, sepse tregohej shumë i sinqertë me mua. Të nesërmen i treguam Norës. Ajo nuk besonte në atë që kishte ndodhur, derisa e bindëm me një puthje para saj. U befasua. Por, në anën tjetër, ishte shumë e lumtur që na shihte bashkë. Atë ditë Besarti u kthye në shtëpi, kurse unë u ktheva te dajat. Pas disa orësh e pashë nga dritarja Norën teksa vinte me vrap në drejtim të shtëpisë. Dola, sepse u frikësova mos t’i ketë ndodhur diçka. Më tha se Besarti ishte në spital. Besartin e therën me thikë! Me të dëgjuar nga Nora fjalët se Besartin e kishin therë me thikë, u nisa me vrap për në Qendrën Emergjente, ku edhe ishte duke u mjekuar Besarti. Por, nuk më lejuan të hyja në sallë. Mbeta në pritje të ndonjë lajmi, nën ethe, me orë të tëra së bashku me Norën. Lutesha në çdo moment për të. Por, atë ditë nuk morëm asnjë lajm të vetëm, përveç asaj se mjekët po bënin të pamundurën për ta shpëtuar. Pas disa orësh erdhën edhe familja e Besartit. Ata s’më njihnin e unë qaja pareshtur, sepse s’mund ta përballoja dot dhimbjen që kisha. Nora u tregoi se kush isha. Nëna dhe motra e tij rrinin me mua, duke më ngushëlluar por, njëkohësisht, duke e ngushëlluar edhe veten. Atë natë e gënjeva dajën se po rrija prapë te Nora, se ishte vetëm, ndërsa realisht unë kalova natën në korridoret e spitalit, duke pritur ndonjë lajm për Besartin. Në fund, më lejuan të hyja brenda e ta shihja. Mbante sytë mbyllur. Trupin e kishte të mbështjellë me fashë. Iu afrova afër dhe ia ledhatova lehtë fytyrën prej engjëlli. I vetmi reagim që bëri ishte lëvizja e duarve, ku edhe ma shtrëngoi pak dorën time. Kështu, ditët kalonin e unë orët e mësimit më shumë i kaloja në korridoret e spitalit sesa në shkollë. Ishin këto ditët e netët më të mundimshme që përjetova. Pas një jave të mjekimit intensiv, Besarti filloi të përmirësohej. Tanimë edhe flisja me të, sepse ishte jashtë rrezikut për jetë. Dhe, pas pak ditësh e lëshuan në shtëpi. Edhe atje e vizitova. Pas disa ditësh u përmirësua dhe e filloi punën. Unë pas përfundimit të mësimit shkoja me shoqe gjithherë në lokalin ku punonte Besarti. Pas përfundimit të orarit të punës dilnim çdo herë. Krijuam raporte shumë të mira në lidhje, sa që të gjithë na kishin lakmi. Edhe pse nuk e kishte pagën e madhe, ku me të mbante familjen e shkollohej, gati çdo ditë më blinte dhurata. Unë ndihesha ngushtë, sepse e dija gjendjen e tij materiale. Më pëlqente shumë me ambiciet që kishte për të ardhmen. Thoshte se do bëhej avokat i zoti dhe me këtë do të krijonte një të ardhme më të mirë për familjen, për mua dhe fëmijët që do i kishim. Nganjëherë punonte edhe pas orarit të punës për t’i mbuluar të shpenzimet e nevojat që kishim. Herë – herë, natën derisa bëhesha gati për në gjumë, vinte te dritarja e dhomës sime që ishte kah rruga, më sillte ndonjë dhuratë ose thjesht vinte për të më parë. Frikësohesha mos e shihte kush, edhe pse një natë motra e kuptoi derisa i doli gjumi. Për vikende më nuk shkoja te dajat siç bëja gjithherë. Gati çdo vikend dilnim në ndonjë vend larg qytetit. Ishin këto ditët me të cilat nuk ngopesha për asnjë moment të vetëm. Të njëjtën gjë e thoshte edhe Besarti. Ditët vinin e shkonin, e lidhja jonë forcohej çdo ditë e më shumë. Besarti kishte dëshirë që kur ta përfundoja maturën të fejoheshim. Kjo normalisht se ishte edhe ëndërr imja, por frikësohesha t’iu tregoja në shtëpi. Si më mashtruan? Një ditë para se të përfundonte mësimi, shoqet e mia të klasës kishin vendosur të shkonin në një lokal në periferi të qytetit. Më luteshin të shkonim bashkë, por unë e dija se Besarti do më priste të dilnim bashkë. Vendosa të shkoja me shoqe. Aty në atë restorant luksoz rrinin njerëz të pasur, njëkohësisht, të moshuar. Pas dhjetë minutash te ne erdhën dy burra të moshuar dhe u ulën. Shoqet e mia i njihnin. Flisnin e qeshnin me ta. Unë u bëra pishman që shkova, sepse i kisha dhënë fjalën Besartit që nuk do dilja askund pa i treguar. Njëri nga ta m’u ul afër. Filloi të fliste me mua dhe më pyeste për familjen time. Shoqet e mia dolën jashtë me burrin tjetër dhe më thanë që nuk do vonoheshin. Ato më nuk u kthyen. U errësua e unë ende me burrin e panjohur rrija në pritje të shoqeve të mia. Ai tha se ato i kishin bërë një sms në telefon e s’do të vinin më. Më tha se do më shpinte deri te shtëpia me veturë. Por, unë nuk pranova. Megjithatë, në fund më bindi, meqë s’më kishte mbetur rrugëdalje tjetër. Rrugës më tha se ishe i martuar dhe se kishte fëmijë, por ishte një biznesmen i pasur. Derisa po dilja nga vetura, më kapu për krahu dhe më lëshoi në dorë një shumë të hollash. Ishin, vërtet, shumë e madhe me të cilat unë mund t’i ndihmoja edhe familjes, por edhe Besartit. Atë natë nuk e takova Besartin, e as që erdhi te dritarja, siç bënte zakonisht. Ishte hidhëruar tej mase në mua. Të nesërmen e takova e i kërkova falje, por pa i treguar se ku kisha qenë. Te shkolla prapë erdhi ai burri, me të cilin u njoftova, e që m’i dha paratë. Më kishte blerë unazë diamanti. U hamenda kur e pashë. E mora unazën. Derisa ma vuri në gisht, më puthi me dhunë. Ia përplasa unazën në tokë. Unë deri në atë moment mendoja se më donte si vajzën e vet dhe kishte dëshirë të më ndihmonte, pasi që isha e varfër. E ndjeva veten të pandershme dhe tradhtare, vajzë mendjelehtë që mashtrohet nga pasuria. Kisha harruar ndjenjat e pastra që janë pasuria e vetme e njeriut. Atë ditë ndihesha në faj, s’mund ta shikoja në sy Besartin që e kisha tradhtuar e që ia kisha dhënë besën që kurrë s’do e tradhtoja. E vërejti edhe ai, por i thashë që nuk ndihesha mirë. Më tha se ishte shumë i lumtur, sepse, më në fund, ëndrra e tij po realizohej, meqë kishte zënë vend pune në gjykatë. Të nesërmen, shoqet e mia të klasës, vajza shpirt prishura, kishin takuar Besartin dhe i kishin treguar gjithçka, madje edhe se si më kishte puthur ai burrë i poshtër, e që ma shkatërroi jetën… /B.B./Kosovarja/
Leave a Reply