
Fjala në promovimin e librit të Ramazan Hoxha:
foto-20Të nderuar pjesëmarrës,
I nderuar miku jonë, autor i librit Ramazan Hoxha,
Është kënaqësi dhe nder i veçantë për mua si historian dhe punonjës i arkivave të shtetit, që më jepet mundësia të shpreh disa mendime për këtë hulumtim kaq të mrekullueshëm të autorit Ramazan Hoxha: “Mustafa Qemali, djali nga Stebleva e Dibrës, që u bë Ataturk”.
Të flasësh për librin që sapo kemi marrë në dorë do duheshin orë të tëra, sepse vlerat e tij janë vërtet të mëdha. Por unë do ndalem shkurtimisht vetëm në disa aspekte.
Së pari, sapo lexon librin bindesh se ai është një arkiv i gjallë i jetës dhe i veprës së një prej burrave të shtetit ndër më të mëdhenj në historinë botërore: strategut ushtarak, udhëheqësit, diplomatit, vizionarit, reformatorit të pashembullt në historinë moderne, legjendarit të kombit turk: Mustafa Qemal – Ataturkut.
Së dyti, libri argumenton objektivisht tezën e origjinës së Mustafa Qemalit dhe u jep fund falsifikimeve qëllimkeqe rreth origjinës së tij. Mbështetur si në burime të shkruara, në dëshmi të shumta dhe në të gjitha objektet fizike të mbetura gjallë, autori i jep fund kështu “bllofeve gjigande” të disa historianëve të huaj rreth origjinës së Mustafa Qemalit, “bëma” këto të njohura në historiografinë ballkanike. Me argumentet dhe me dëshmitë autentike që jep autori në libër, tashmë nga historianët seriozë nuk mund të vihet më në diskutim se Mustafa Qemali është djalë nga Stebleva e Dibrës. Pra, autori ka zhdukur tymnajën rreth prejardhjes së Mustafa Qemalit. Në mënyrë diplomatike, siç thotë autori, politika zyrtare e sistemit totalitar në Shqipëri theksonte se Mustafa Qemali i përket kombit turk. Por jo vetëm atij. Vërtet jo për të rrahur gjoksin, por sot është koha që të themi atë që është: gjaku i Mustafa Qemalit është shqiptar, ai është me origjinë nga Stebleva e Gollobordës. Këtu nuk ka më vend për diskutuar këtë të vërtet. E vërteta historike nuk mund të groposet. Ajo është vetëm një. Vlerë është ta dallosh e ta njohësh atë. Kush nuk do ta njoh, mbetet i verbër. Është detyrim moral të shkruash të vërtetën historike. Prandaj autori në librin e tij është korrekt, pasi synon vetëm të vërtetën. Ndaj çdo detaj që paraqet e ka trajtuar me kujdesin e duhur.
Së treti, është meritë e autorit që ka arritur të pasqyrojë tërësisht karakterin e Mustafa Qemalit si njerëzor, fisnik, burrëror, patriotik. Në formimin e këtij karakteri madhështor të tij padyshim vendin kryesor e zë gjeneza e Mustafa Qemalit, karakteri i burrave të zonës së Gollobordës, kësaj treve patriotike, liridashëse shqiptare.
Së katërti, libri është një pasqyrë e bukur e aspekteve të tjera themelore të historisë së kombit të madh turk dhe të rolit aktiv të shqiptarëve të tjerë gjatë gjysmës së parë të shek. XX-të. Ky ka qenë një faktor i rëndësishëm në forcimin e miqësisë mes dy kombeve tanë: kombit turk dhe atij shqiptar.
Së pesti, autori ndjekë një linjë të kthjellët të lidhjes së tematikës që trajton me atë që duhet thënë, pa “ujëra” të tepërta. Çdo rresht në libër është shkruar me stil të përsosur dhe me fjalor të pasur, të saktë. Kjo e bënë librin mjaftë të kuptueshëm dhe argumentues.
Së gjashti, autori, me besnikëri e guxim, i qëndron çështjes kombëtare bazuar në realitetin historik. Ai pasqyron edhe dëshirën dhe kontributin e Mustafa Qemalit për atdheun mëmë, Shqipërinë, për ta parë atë sovrane, të lirë e të zhvilluar. Më së miri tregohet në libër një moment kur Ataturku në darkën me të dërguarin shqiptar në Turqi Asaf Bej, në vitin 1928, kur Shqipëria sapo ishte shpallur mbretëri, kur i thotë:
“Asaf Bej, kam parë gjithë ato fotografi qesharake nëpër gazeta. Çfarë po ndodh në Shqipëri? Po vini në skenë ndonjë komedi? Megjithatë, ç’të keqe kishte Republika?! Përse menduat se ju duhej mbretëria? Dhe për më tepër, po ndiqni një politikë të rrezikshme. Italianët do tju përdorin juve për tu futur në Ballkan.” (fq. 220).
Dhe kështu ndodhi vërtet, siç e parashikoi Mustafa Qemali.
Prandaj vlerësoj se monografia është kontributi më i plotë e më me vlerë i shkruar deri tani për Mustafa Qemalit, është pasaporta e vërtetë e tij.
Megjithëse pranohet mes studjuesve se sado i madh të ketë qenë ndikimi i “një njeriu të madh” në zgjidhjen e një problemi historik, asnjë individ nuk e ka mbizotëruar i vetëm historinë deri tani në atë shkallë sa të shkruhet historia e një periudhe vetëm për të. Mendoj se në rastin e Mustafa Qemalit kjo sentencë nuk shkon, pasi libri argumenton se historia e Turqisë moderne është e lidhur kryekëput e pazgjidhmësisht vetëm me atë- Ataturkun.
Kjo monografi e mrekullueshme mund të dilte vetëm nga dora e profesorit të nderuar Ramazan Hoxhës, që me erudicionin e tij, vullnetin e madh, forcën përshkruese e argumentuese ka arritur të jap të gjallë e të plotë, origjinën, jetën e veprën e Mustafa Qemalit. E kush më mirë mund ta shkruante këtë monografi sesa autori, i cili, si bashkëfshatar i Mustafa Qemalit, ka pasur fatin dhe mundësinë të grumbullojë e të sjellë para publikut dëshmitë e gjalla të prejardhjes së Mustafait? Mendojë se përveç përkushtimit, mendjes dhe penës së autorit Ramazan Hoxha nuk do të kishte mundësi askush tjetër.
Libri është shkruar në formën më të mirë të metodës së shkrimit të historisë, në përshkrimin e kuptueshëm të së shkuarës së Mustafa Qemalit. Sepse autori e ka shkrirë mendjen e tij me këtë të shkuar të Mustafait. Ai nuk merret me detajet e parëndësishme, si qëllim më vete, por racionalisht me përmbajtjen intelektuale të veprës ku ka grumbulluar fakte me arsyetime e sinteza për origjinën e veprën e Mustafa Qemalit, me metodën tradicionale të rëfimit dhe analizës si një historian i vërtetë. Autori ka arritur kështu te e vërteta historike absolute. Sepse autori për të prodhuar “mjaltin” ka shfrytëzuar dhe përdorur veç burimeve dokumentare edhe çdo fjalë që ekziston rreth origjinës së Mustafait, çdo shenjë, peizazh dhe dëshmi të gjallë në vendlindjen e të atit të tij, Steblevës.
Me këtë vepër të çmuar historiografike, autentike, autori e prezanton veten si një intelektual i shquar i trevës së Dibrës, si një studiues serioz e i mirëfilltë, që del përtej kufijve të Shqipërisë. Libri i bën nder figurës së ndritur të Mustafait, i bënë nder jo vetëm zonës së Gollobordës e të Dibrës, por mbarë trojeve shqiptare, që i kanë dhënë kombit mik turk shqiptarin e duhur në kohën e duhur.
Monografia vjen në kohën e duhur. Jo vetëm sepse ka ende mosnjohje të së vërtetës së prejardhjes së Mustafa Qemalit, porse karakteri, jeta dhe vepra e tij është shembulli më i ndritur për këdo që vihet në krye të shtetit se si duhet të mendojë dhe veprojë si shërbëtor i popullit dhe kombit të tij. Mentaliteti, parimet e punës dhe vepra e Ataturkut janë mesazhi më domethënës për ata që duan të jenë vërtet burra shteti, sepse, siç thotë autori:
“Madhështia e tij qëndronte pikërisht në atë sensin e njohjes së masës dhe të kufizimeve të tij e të popullit. Suksesi i tij qëndronte në qartësinë e vizionit të tij, në cakun e qëllimit të tij”. (fq. 182).
Së fundi dëshirojë sinqerisht të shpreh mirënjohjen e thellë autorit për librin brilant që na dhuron sot neve, popullit të zonës së Gollobordës, të Dibrës dhe mbarë shqiptarëve.
Ju faleminderit të gjithëve.
Gazeta Dibra


Leave a Reply