By voal.ch
Qazim bej Vlora vendosi të braktisë Shqipërinë, u vendos në Strugë, ku vdiq më 1953
Dhe ajo histori e dhimbshme që ishte kurdisur me kujdes, ndodhi. Heroi i sakrificës shumëvjeçare për çështjen kombëtare dhe pinjolli i ikonës kombëtare, Ismail Qemalit, duke mos pasur asnjë mundësi për të jetuar në Shqipëri, vendosi të largohet jashtë kufijve. Që të nesërmen e ditës që takoi Enver Hoxhën, ai mori të shoqen, Behijen dhe u largua nga Shqipëria me urgjencën më të madhe. Dhimbja që përjetonte i kalonte kufijtë njerëzorë. Ishte hera e parë e jetës së tij që ai derdhi lot, të cilët, edhe në rastin e Peruxhas kishte mundur t’i përmbante. Mësohet se është shprehur, se rastin ndaj tij e ka konsideruar ‘një vrasje të dytë të babait’. Ishte koha kur anembanë Shqipërisë valëviteshin flamujt kombëtarë për të pritur me madhështi 28 Nëntorin e pavarësisë, ditë kjo kur klasa e re politike do të shfaqej me një shkëlqim pompoz, duke u krenuar se amanetin e rilindësve tashmë e kishte realizuar. Por pikërisht ato ditë po largohej nga Shqipëria ai burrë i mpakur dhe i drobitur, me valixhen e drurit në dorë dhe të shoqen për krahu, që hipte e zbriste karrocerive të makinave të mbetura nga koha e luftës dhe që vijonin segmente të rrugës që të çonte në Pogradec, që së fundmi të kalonte përtej kufirit shtetëror me Jugosllavinë. Atë rrugë do ta përfundonte në Strugë, në ish-pronat e së shoqes, para se të vinte në Shqipëri. Rruga çuditërisht i ishte dukur shumë e shumë e gjatë, pavarësisht se ajo ishte veç pak kilometra larg Shqipërisë, ku babai i tij kishte shkrirë jetën dhe kishte vendosur vulën e themelimit. Ai iku…, iku për të mos u kthyer më, duke lënë mbrapa atdheun e tij, në të cilin jetonin vëllai i plasur në burg dhe dy motrat e përvuajtura, Myvedete dhe Alije.
“Që të nesërmen, i tha nënës sime ‘largohemi nga Shqipëria’ dhe shkuan në Strugë dhe aty u vendosën”, – tregon në këtë dëshmi të jashtëzakonshme për njerkun e tij, Qazim bej Vlora, vetë ish-komandanti i aviacionit shqiptar, Edip Ohri. “Ai iku shumë i revoltuar, për vetë faktin se ishte djali i Ismail Qemalit dhe gjithë populli ishte koshient për kontributin që ai kishte dhënë për pavarësinë e Shqipërisë, por përveç kësaj, edhe për kontributin e vet që personalisht kishte dhënë në krahë të babës së tij, të cilin e kishte ndjekur këmba-këmbës kudo që kishte shkuar. Madje, kishte qenë deri dhe këshilltar dhe sekretar i tij personal. Prandaj dhe u revoltua shumë deri në përlotje nga kjo punë dhe i tha nënës në mënyrë shumë ultimative dhe të padiskutueshme, ‘hajde të ikim në Strugë’. Dhe kështu Qazim bej Vlora përfundoi në Strugë, ku jetoi deri në vitin 1953 kur do të ndahej përfundimisht nga jeta”. Një konfirmim i ngjashëm për largimin protestant ndaj Enver Hoxhës vjen dhe nga dy nipat e fëmijëve të tij, Qemal Vlora dhe Orhan Zarshati. Konkretisht, Qemal Vlora, nipi i djalit të vogël të Ismail Qemalit, pra nipi i Qamil Vlorës shprehet se “E parë me vëmendje të veçantë, nga ajo situatë e tij në atë çaste të takimit me Enver Hoxhën, arrin të konstatosh lehtë se ai u detyrua të largohej dhe po i detyruar nuk mundi të rikthehet më, por të vdiste në Strugë. Shqipëria ia mbylli dyert. Histori shumë e dhimbshme do thosha unë”. Ndërsa Orhan Zarshati, nipi i Ylvies, vajzës së vogël të Ismail Qemalit, do shprehej: Pas asaj që i ndodhi në zyrën e Enver Hoxhës, ku nuk iu çel asnjë mundësi jetese, e pa veten pa mundësi veprimi. Atëherë ai u detyrua të largohej bashkë me të shoqen, Behije Ohrin, në Strugë, sepse ajo kishte njerëzit dhe pronat e veta atje.
Vdes në Strugë, në vetmi të plotë
qazim-bej-volra-strugePor s’ishte thënë që pinjolli i Pavarësisë të gjente prehje. Sistemi komunist i instaluar në Ballkan me paradokset e funksionimit të vet, deri sa të vdiste do t’i rezervonte dhe një tjetër vuajtje që do ta sfiliste. Kështu, në vitin 1949, kur e shoqja erdhi nga Struga ku ishin vendosur për të takuar fëmijët në Shqipëri, u mbyllën kufijtë shtetërorë me Jugosllavinë. Pas kësaj, ajo do të ngelej këtej kufirit, duke mos mundur të takohet më me të shoqin, Qazim bej Vlorën. Orhan Zarshati, nipi i Ylvies, vajzës së vogël të Ismail Qemalit tregon për atë moment të mbylljes së kufijve dhe mbetjes vetëm në shtëpi të Qazimit “…Ndërkohë që po afrohej prishja e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, e shoqja, Behija erdhi për të parë dhe për të takuar djemtë që kishte lënë në Shqipëri, sepse siç mësuam në atë kohë i kishin ardhur me leje dy djemtë e saj, Dashamiri dhe Edipi, që kishin shkuar për studime ushtarake në Bashkimin Sovjetik, për faktin se kishin qenë pjesëmarrës në Luftën Nacional-Çlirimtare… Dhe Qazimi mbeti në Strugë, pasi pikërisht në atë kohë ishte kulmi i acarimit të marrëdhënieve mes dy qeverive dhe u mbyllën kufijtë shtetërorë me Jugosllavinë. Qazimi mbeti pa ndonjë mbështetje, i ndihmuar veç nga patriotët e Strugës, derisa vdiq në vetmi të plotë në vitin 1953”. Po kështu deklaron dhe Edip Ohri, i cili thotë “Nëna ime në vitin 1949 erdhi në Shqipëri për të na takuar neve, se nuk na kishte takuar gjatë gjithë kohës së luftës… Por në atë kohë u prishën marrëdhëniet me ish-Jugosllavinë dhe nëna nuk u kthye më në Strugë. Kështu që nuk e pa Qazim Beun, i cili vdiq në rrethana misterioze nën kujdestarinë e struganëve, të cilët e deshën shumë, si djalin e Ismail Qemalit.
Asnjë njoftim zyrtar në Shqipëri
Ashtu si dhe për të vëllanë e tij të vdekur në Tiranë tre vjet më parë, agjencia e lajmeve shqiptare nuk dha asnjë njoftim për vdekjen e Qazim Ismail Kleoniqi Vlorës.
Por lajm zyrtar nuk do të jepej as një vit më mbrapa, pra në vitin 1954, kur në rrugën “Budi” do të ndërronte jetë vajza e madhe e Ismail Qemalit, Muvediti, ashtu sikurse edhe për vajzën e dytë, Alijen, e cila do të mbyllte sytë në Rrugën e Kavajës, vetëm një vit mbrapa së motrës, pra në 1955-ën.
Orhan Zarshati do të vijonte më poshtë “Kur vdiq Qamil Beu këtu në sanatorium pas ftohjes që mori në burgun komunist ku u fut për motive qesharake, si edhe kur vdiq Qazimi, mbaj mend që halla ime ka qarë, duke përmendur domethënë emrat e tyre, duke thënë që “ah ç’na gjeti, ç’na vdiqën këta njerëz të veçantë dhe të dashur”, etj, etj. Por më e çuditshmja ishte se çdo njoftim u qarkullua heshturazi vetëm në familjet tona, madje siç të thashë që edhe u qanë nga ne, sidomos nga halla ime që ishte shumë e ndjeshme. Por nuk pati asnjë njoftim zyrtar. Askush nuk mësoi se atë ditë kishte vdekur vetë djali i Ismail Qemalit“. Gjithashtu, për vdekjen e njerkut të tij, Edip Ohri shprehet “Vdekjen e Qazim Beut ne e mësuam në mënyrë tepër sekrete, për arsye se në atë kohë ishin mbyllur rrugët me Jugosllavinë dhe çuditërisht agjencia shqiptare e lajmeve nuk e përmendi fare, gjë që të linte të kuptoje se nuk duhej ta përmendje atë emër, se e pësoje. Po s’e përdorte shteti, nuk duhej ta përdorje edhe ti publikisht. Ishin disa rregulla të heshtura të komunizmit, por çuditërisht këto ndodhën me të birin dhe njeriun më të afërt të Ismail Qemalit. Por në mënyrë tepër sekrete, kështu gojarisht, këtu na thanë se Qazim Beu ka vdekur. Pra vetëm njoftime tepër të tërthorta”.
Dokumentin origjinal të themelimit të shtetit shqiptar, pas vdekjes ia sekuestron pushteti lokal në Strugë
Shoqata e Historianëve Struganë, pas kërkimeve të shumta, vetëm në 1997-ën e zbuloi vendin ku preheshin eshtrat e Qazim bej Vlorës.
“Me këtë akt, – ka theksuar Kryetari i Forumit Intelektual të Strugës, – pastruam ndërgjegjen tonë prej shqiptari, që për shumë vjet, për arsye objektive, nuk e kemi ditur se në varrezat tona të Strugës prehen, jo vetëm eshtrat e njërit prej djemve më të mirë të Ismail Qemalit, Qazim bej Vlora, por bashkë me to edhe një pjesë e ndritur e historisë tonë kombëtare, për të cilën ne jemi krenarë”.
Por, ndërsa hulumtojmë rreth figurës së Qazim bej Vlorës, duket se objektivi ynë ndriçon edhe një mister të panjohur, të paktën deri në momentet e tanishme, ku po jep një përgjigje të kërkuar për dekada të tëra.
Misteri i kthyer në shqetësim për historianët e sotëm është pikërisht fakti që, në 100-vjetorin e Pavarësisë, akoma nuk janë mundësuar dokumentet origjinale të aktit zyrtar të Pavarësisë.
Kështu, ndërsa plotësojmë këtë biografi për Qazim bej Vlorën, mësojmë absolutisht, se pikërisht ato dokumente, – në ditët e sotme mungesa e tyre është bërë temë diskutimesh të vazhdueshme deri dhe në panele televizive, – kanë përfunduar në Strugë, ku janë shtetëzuar nga pushteti lokal i vitit 1953 menjëherë pas vdekjes së Qazim bej Vlorës. Më shumë për këtë fakt flet djali i bashkëshortes së tij, Edip Ohri, i cili deklaron “Njerku im kishte disa dokumente të cilat i mbante gjithnjë në dorë dhe nuk i lëshonte në asnjë vend. Mua më tërhiqte vëmendjen ky dokument, të cilin nuk e lëshonte nga dora dhe thoshte ‘këtu është gjithë historia e pavarësisë së Shqipërisë’. Pra kuptohet se ato dokumente ishin dokumente tepër të rëndësishme, personale të të atit dhe të veprimtarisë së babait të tij, Ismail Qemalit. Këto dokumente nuk i lëshonte nga dora. Po kur iku nga Shqipëria, e mori me vete, sepse atë e mbante kudo, edhe në kafene kur shkonte atë e mbante me vete, domethënë kudo. Kështu që s’ka si të mos ishin në shtëpi, se nuk i ndante nga vetja fare. Fatkeqësisht, kur vdiq në shtëpinë e tij të gjitha ato dokumente i mori pushteti lokal dhe policia e Strugës. Unë mendoj që pranë organeve përkatëse duhen kërkuar, se këto dokumente duhet të jenë, në qoftë se nuk janë zhdukur. Por unë nuk besoj që t’i kenë zhdukur, për arsye se dokumentet paraqisnin një interes të veçantë për historinë e vendit tonë”.
Po kështu, këtë fakt e konfirmon edhe Orhan Zarshati, nipi i Ylvies, vajzës së vogël të Ismail Qemalit, i cili gjithashtu deklaron “Qazimi ka qenë shumë afër të atit, madje ai ka kryer veprimtari diplomatike. Përveç punën e sekretarit që quhej, ai ka qenë edhe si tip këshilltari i tij. Kështu që, normal s’ka kush ta kishte tjetër atë dosje shumë sekrete, që e mbante me merak, në të cilën ka pasur dokumentet origjinale të Pavarësisë. Pra, i ka pasur në një dosje, të cilën nuk e ka ndarë nga dora gjatë kohës që ka qenë në Shqipëri. E mbante kudo që shkonte këtë dosje. Atë sigurisht ai e ka marrë me vete edhe kur ka shkuar në Strugë. Është mësuar nga burime të tjera, që, pas vdekjes së tij, ato dokumente i kanë marrë pushteti lokal dhe arkivi i Strugës. Në qoftë se nuk janë eliminuar, në qoftë se nuk janë zhdukur, do të jenë patjetër në arkivin e shtetit”.
Po kështu dhe Qemal Vlora, nipi i Qamil Vlorës, djalit të vogël të Ismail Qemalit, deklaron “Qazimi normal që ka pasur me bollëk dokumentacion të komplet periudhës së Pavarësisë dhe për faktin që ishte këshilltar dhe sekretar i Ismail Qemalit, dhe këto dokumente i bie të zbulohen, se rrezik kanë përfunduar në Strugë. E di që kishte plot dokumente; këtë fakt e di nga im atë, që thoshte që ka pasur dokumente sekrete, të rëndësishme, por cilat qenë në sasi apo në cilësi, këtë nuk mund t’jua them.
Familja e Ismail Qemalit në Tiranë – Në asnjë festë zyrtare nuk është kujtuar njeri t’i ftojë
Vetë e shoqja e të birit të Ismail Qemalit, Qazimit, gjatë periudhës komuniste jetonte e vetme në rrugën “Mine Peza”, pasi edhe i biri i saj, ish-komandanti dhe arkitekti për 20 vjet i aviacionit shqiptar, ishte futur në burg me akuzën më të egër, që e çonte vetëm drejt plumbit. Ajo vdiq në vitin 1985, kur shteti komunist numëronte vitet e fundit të funksionimit të vet. Po ashtu si edhe e shoqja e djalit tjetër, Qamilit, ajo ka jetuar deri vonë në Tiranë. Por kanë jetuar edhe nipërit dhe mbesat, por askush nuk i ka njohur. Në të gjitha festimet e ditës së Pavarësisë, jo pa qëllim ata kanë ngelur vetëm: Në hije, në anonimat, në harresë. Askush nuk është kujtuar se ata kishin vendin e vet në momentet ceremoniale dhe në pritjet zyrtare. Të thuash të jetë një rastësi? Edip Ohri tregon për nënën e vet, që ishte e shoqja e Qazim bej Vlorës “Nëna ime jetoi deri në vitin 1985. Në vitin 1985 vdiq, në kohën kur unë isha në burg, ndaj unë s’e pashë”.
Ndërsa Qemal Vlora, nipi i Qamil Vlorës, djali i vogël i Ismail Qemalit tregon “Edhe im atë, edhe xhaxhai im, që ishin nipërit e vetëm që ishin në Shqipëri të Ismail Qemalit, asnjëherë nuk janë ftuar në festa zyrtare me rastin e Pavarësisë së vendit, me përjashtim të një rasti në vitit ’62, që kanë qenë fare formalisht në Vlorë. Xhaxhai im, Ismail Vlora dhe im atë, Xhevdet Vlora, të dy bijtë e Qamil Vlorës, çunit të vogël të Ismail Qemalit, nëpër festat që organizonte qeveria për përvjetorët e Pavarësisë nuk kanë qenë asnjëherë të ftuar, me përjashtim të ’62-it. Vetëm një herë në ’62-in, për pesëdhjetëvjetor janë ftuar në Vlorë dhe këta kanë bërë ritualin e tyre, kanë vajtur te varri i Ismail Qemalit për Pavarësinë, kanë lënë kurorën e tyre, ndoshta bile dhe me një çikë rrezik se dukej si sfidë për pushtetin e asaj kohe. Po kanë bërë ritualin e tyre, e kanë nderuar jo vetëm si gjysh Ismail Qemalin, por edhe për veprën që ka dhënë, kontributin që ka dhënë për Shqipërinë dhe për shqiptarë. Po kaq në harresë ka qenë dhe përkujdesja për familjarët e Ismail Qemalit, sepse tim atë e çuan mësues në Shën Gjergj, xhaxhain e futën punëtor në fabrikën e bukës, pra një vlerësim në qoftë se quhet vlerësim…
Por paradoksi mbi ta vazhdoka me të njëjtën natyrë edhe në ditët e sotme. Të mendosh se nuk i intereson askujt për t’u marrë vërtet me çështjen kombëtare?! Fatkeqësisht, fakti përbën një të vërtetë tepër të hidhur. Nipërve të fëmijëve të Ismail Qemalit, të cilët jetojnë me ndershmëri në Tiranë, nuk kujtohet kush t’iu dërguar ftesë në pritjet zyrtare që presidenti apo dikush tjetër bën me rastin e festës së Pavarësisë së vendit, pasi emri i tyre nuk figuron askund. Për gjithçka ata duhet të trokasin vetë në zyrat e protokolleve të shtetit”.
Për këtë fakt, Qemal Vlora deklaron “E çuditshme është, sepse normal që demokracia jep më hapësira, lëviz më kollaj, sepse ndoshta në pushtetin e mëparshëm nuk mund të pretendoje dot të merrje ftesë, po edhe tani mbrapa, në shumë raste duhet të përpiqesh të marrësh ftesë në rastin e përvjetorit, pra ftohen shumë veta dhe pasardhësit, – një ritual i zakonshëm për ceremonitë e festës… Në shumicën e rasteve jemi përpjekur vetë. Ne do ikim t’i kërkojmë në presidencë, në qoftë se vjen festa e 28 Nëntorit.
Gazeta Dibra


Leave a Reply