I gjithë shtypi grek ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Berisha në Vlorë, ku deklaroi se Shqipëria shtrihet deri në Prevezë. Reagimet kanë filluar që në momentin kur në faqen e Ministrisë së Jashtme greke u publikua lajmi për anulimin e vizitës së kryediplomatit grek në Shqipëri. Sipas asaj çka citojnë mediat fqinje deklaratat e Berishës në mbrëmjen e 27 nëntorit mund të çojnë në krizë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Mediat greke
Në faqen e parë gazeta “Kathimerini” hapet me titullin “Referime irredentiste të Berishës”. Ndërsa gazeta pro-qeveritare “Eleftheros Tipos” e konsideron si “sfidë të pabesueshme” deklaratën e Berishës, sipas të cilit “Shqipëria e Madhe arrin deri në Prevezë”. Gjithashtu, edhe gazeta “Demokracia” shkruan në faqet e saj se: ”Lindi një temë e madhe me Shqipërinë”, ndërsa e përditshmja “Ellada”, shkruan “Berisha kërkon edhe Prevezën në Shqipërinë e Madhe”. Reagime ka pasur gjithashtu edhe në kanalet televiziv dhe faqet online të gazetave më të njohura në Greqi. Kështu sipas versionit elektronik të gazetës “To Vima”, Sali Berisha ndodhej në Vlorë kur midis të tjerash ka deklaruar se, “Shqipëria e Madhe shtrihet që nga Preveza deri në Podgoricë”, duke shtruar kështu çështjen e Çamërisë. Ndërkohë që në këtë artikull citohet edhe deklarata e zyrës së shtypit të Kryeministrit Berisha ku deklaronte se deklaratat e Kryeministrit i referoheshin konteksti historik të 100 viteve më parë dhe nuk kishte asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve të jugut. Nga ana tjetër analistë të ndryshëm grek por edhe komentues të shumë të rrjeteve sociale i kanë cilësuar deklaratat e Berishës në kuadër të zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen pas disa muajsh në vend.
Reagon edhe politika greke
Reagime ka pasur edhe nga disa parti politike greke. E Majta Demokratike, DIMAR, pjesë e koalicionit qeverisës shprehet se “Deklaratat zjarrvënëse të Sali Berishës janë përtej çdo koncepti të bashkëpunimit në Ballkan, minojnë bashkëjetesën paqësore të shqiptarëve me popullin grek dhe nxitin nacionalizmin ekstrem. Ato janë të rrezikshme dhe tërësisht të dënueshme”. SYRIZA, partia opozitare e Aleksis Tsipras shprehet se “zërat nacionaliste, histerike, që nuk kanë ide nga historia, nuk i shërbejnë paqes dhe bashkëpunimit midis popujve dhe qeverive në rajonin tonë. Janë deklarata të rrezikshme të papërgjegjshme nga politikanët e krahut të djathtë, që i hedhin benzinë zjarrit. Deklarata korrigjuese nuk i zbut shprehje të tilla, të cilat ushqejnë besimet obskurantiste dhe mesjetare”. “Agimi i Artë” deklaron: “Berisha del nga binarët, duke deklaruar se Preveza është shqiptare”.
Berisha për mungesën e Avramopulos?
Miqtë shkëlqejnë me mungesën e tyre
Kryeministri Berisha ka reaguar në lidhje me mungesën e Ministrit të Jashtëm grek Dimitris Avramopulos për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Duke iu përgjigjur interesit të mediave për këtë çështje Kryeministri Berisha i është përgjigjur duke sjellë në vëmendje shprehjen franceze “Miqtë shkëlqejnë gjithnjë me mungesën e tyre”. Kryeministri ka sqaruar edhe deklaratën e tij për një bashkim kombëtar. Sipas Kryeministrit kjo është motoja e shqiptarëve është që të bashkohen me njëri tjetrin në Evropë. “Unë mendoj që kjo moto është e drejtë dhe në të cilën çdo shqiptar duhet të përulet. Ne duhet të punojmë në projektin evropian por duhet të punojmë edhe për të kapërcyer qindra dhe qindra ndarje dhe pengesa që janë vendosur një shekull për shqiptarët. Konsolidimi dhe njohja e pavarësisë së Kosovës, i rolit të saj rajonal dhe ndërkombëtar mbetet interesi kombëtar i shqiptarëve”, tha Berisha.
KE: “No coment” për deklaratat e Berishës
Zëdhënësi i Komisionarit për Zgjerim Peter Stano,ka pranuar mos ti komentojë deklaratat e Kryeministrit Berisha që Shqipëria shtrihet deri në Prevezë. I pyetur nga gazetarët grek për këtë çështje Stano u shpreh se Komisioni Europian nuk mund të merret me deklaratat politike të liderëve të ndryshëm. “Komisioni Europian nuk mund të komentojë deklaratat politike të liderëve të ndryshëm, por ne mbështesim marrëdhëniet e mira mes vendeve në rajon, dhe jo të kundërtën”, tha Stano. Dy gazetarët grekë që insistonin të merrnin një përgjigje nga Brukseli, në pyetjet e tyre i kanë cilësuar deklarata e kryeministrit Berisha si provokuese dhe që kanë ndikim në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Berisha: Shqipëria ka 67 mijë kilometrave katrorë
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm dje në mesditë në inaugurimin e rrugës “Kont Leopold Bertold”. Duke vlerësuar këtë investim të bashkisë së Tiranës, si vendosmëri për ta bërë kryeqytetin më mirë të jetueshëm nga qytetarët e saj, kryeministri Berisha theksoi se rruga do të mbajë emrin e Kont Leopold Bertold, një nga burrështetasit më proshqiptarë të historisë së shqiptarëve. Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi ndihmën e çmuar që Austria i ka dhënë Shqipërisë në vite, si dhe mbështetjen nga ana e saj në procesin e liberalizimit të vizave dhe rrugëtimin për integrimin në Bashkimin Evropian. Gjatë inaugurimit të kësaj rruge kryeministri Berisha ka folur sërish me tone nacionaliste. “Konti Bertold, qeveria dhe vendi i tij, Perandoria Austro-Hungareze prej vitesh ishin të përcaktuar për Shqipërinë etnike, Shqipërinë e trojeve shqiptare ku banonin shqiptarët, Shqipërinë e 67 mijë kilometrave katrorë, vend kryesor në gadishullin e Ballkanit, në pjesën jug-perëndimore të tij. Por momenti, aleanca ballkanike dhe faktorë të tjerë bën të pamundur asokohe realizimin e këtij shteti të pavarur. Ndaj dhe ai mbështeti fuqishëm Ismail Qemalin për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë, për të themeluar shtetin shqiptar si një domosdoshmëri jetike për të shpëtuar shqiptarët, kombin që ai e donte dhe respektonte, nga shuarja e tyre nga harta politike e Evropës”, deklaroi Berisha. Sakaq ai shtoi se “pas shpalljes së pavarësisë përfaqësuesit e Perandorisë Austro-Hungareze insistuan dhe ia dolën që Konferenca e Londrës, e cila do merrej me përcaktimin e kufijve të përcaktojë parime të ndershme për punën e saj. Pra kufijtë, sipas atyre parimeve, do të vendoseshin në përputhje me shumicën etnike dhe vazhdimësinë gjeografike të saj. Mirëpo fuqitë e tjera, të pranishme në atë Konferencë, i shndërruan territoret shqiptare në plaçkë tregu për aleatët e tyre ballkanikë. Të tjera deklaronin ditën dhe të tjera gjëra të kobshme mbi shqiptarët vendosnin natën. Por një shekull që festojmë, ne festojmë një shekull miqësie, bashkëpunimi, mbështetje nga Austria mike. Nuk është e rastit që qeveria Federale e Austrisë të ishte e para qeveri në Evropë që do të përshëndeste fitoren e forcave demokratike”.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk” Shkodran
Leave a Reply