Intervistoi: Albina Gjergji.
Trembëdhjetë vite “Opinion”, por jo trembëdhjetë vite dedikuar me mish e me shpirt gazetarisë. Lidhja e tij me këtë pasion daton shumë më herët. Ndoshta që kur ka lindur! Rrjedhimisht, duke e konsideruar veten me fat që në jetë ka arritur të bëjë më së miri atë që gjithmonë ka dashur, gazetari i njohur i Tv Klan, Blendi Fevziu në një bisedë të gjatë na rrëfen për sodisfaksionin që puna i jep. Por jo vetëm kaq! Në këtë rrëfim, ai nuk ngurron të tregojë hapur edhe opinionin e tij personal mbi politikanin më karizmatik të ftuar në studio, më të vështirin, pse jo edhe më të papërsëritshmin në historinë e emisionit të tij. Detaje mbi jetën private, të pazbuluara më parë nga publiku i gjerë shqiptar, do mund t’i mësoni vetëm më poshtë në intervistën që ai dha për ne.
Shumë vite në rolin e gazetarit duke formuluar dhe bërë pyetje. Në fakt cila është ndjesia që provoni kur jeni në rolin e të intervistuarit?
Nuk është se kam ndonjë ndjesi të veçantë, por më duket pak e çuditshme që dikush bën atë punë që bëj unë me të tjerët, pra tani jam unë ai që i intervistohem.
Jo vetëm gazetar, por edhe moderator, analist, etj.. Në cilën prej tyre ndjeheni më komod?
Në fakt unë e cilësoj veten si një gazetar, madje të thjeshtë.
Opinioni juaj z. Fevziu për lirinë e shtypit shqiptar?
Mendoj se tek ne ky problem është disa dimensional, sepse në Shqipëri gjithmonë reduktohet, pasi kur flasim për liri të shtypit flasim vetëm për ndikimin e shtetit ndaj shtypit. Absolutisht unë kam një bindje që shteti nuk ka më fuqi për të diktuar, ose kontrolluar në ndonjë mënyrë shtypin. Por, pavarësisht presioneve që vijnë herë pas here nga drejtime të ndryshme, unë kam bindjen se problemi më i madh shtypit nuk është presioni politik, por është presioni i brendshëm, që do të thotë presioni që vjen kryesisht nga pronarët dhe botuesit, të cilët tentojnë të ndikojnë në agjendën e shtypit për hir të interesave të tyre, që në shumë raste lidhen me interesa ekonomike, se sa më ato politike. Ky është një shqetësim, i cili do të vijë të bëhet gjithnjë e më i theksuar dhe që nuk ka qenë prezent më parë. Dhe nëse gazetarët betejën me politikën e kanë më të thjeshtë për ta bërë, beteja me pronarin, e cila është një hije padukshme, pra që nuk e ke përballë është gjithmonë e më e vështirë. Kam dhe një tezë të dytë, në të cilën Shqipëria nuk ka problem të lirisë së shtypit, por ka tepri të saj, që do të thotë nëse shtypi abuzon nuk ke ku ankohesh. Sot ka me qindra qytetarë, të cilët vihen në qendër të shtypit për interesa nga më të ndryshmet dhe nuk e gjejnë dot të drejtën e tyre, sepse gjykatat nuk veprojnë ndaj shtypit për arsye të frikës ndaj saj.
Nëse me liri shtypi kuptojmë informim të saktë dhe jo shtrembërim faktesh, ju si mendoni! Ekziston një gazetari e tillë në Shqipëri?
Liria e shtypit në Shqipëri ka shkallë të ndryshme që lidhet me civilizimin e secilës shoqëri. Nuk besoj se liria e shtypit në Shqipëri është më difiçitare, sesa në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Kroaci, etj., që janë vende me të cilët ne krahasohemi. Absolutisht janë të gjitha njësoj. Unë përmenda vetëm rajonin, por mendoj se e gjithë Evropa Lindore është njësoj. Shumica e fenomeneve shqiptare nuk janë tipike vetëm shqiptare, por ndodh edhe në botë.
Sa të politizuar e shikoni median tonë?
Mund të them që është i politizuar. Sot i gjithë shtypi është i përfshirë në politikë dhe po të vini re edicionet e lajmeve, ose faqet e para të gazetave përqedrohen përgjithësisht tek lajmet politike, të cilat jo detyrimisht përbëjnë interes për publikun (në gjykimin tim) dhe ka shumë pak probleme sociale që lidhen me këto.
Si e cilësoni veten z. Fevziu, të apo jo të politizuar?
Kjo pyetje gjithnjë bëhet gabim. Ose perceptohet me konotacion negativ. Unë kam 20 vjet që jetoj politikisht. Mendoj politikisht, jetoj politikisht, merrem me gjithë zhvillimet politike. A mund të jem i papolitizuar?! Nuk ndodh. Depolitizimi është karakteristikë e disa institucioneve, jo e mediave. Por politizim, nuk do të thotë anësi, paanësia në emision është diçka tjetër.
Në gazetari ka edhe presione psikologjike, pse jo edhe fizike. Ju jeni hasur ndonjëherë me të tilla situata?
Unë deri më sot nuk kam hasur kurrë në këta 20 vite, ndonjë problem të këtij tipi. Mund të ketë pasur hatërmbetje. Madje, mbaj mend që në disa momente i ka mbetur hatri disa njerëzve kur akuzoheshin për probleme droge dhe kanë bërë një lloj kërcënimi në distancë, shumë vite më parë, ose probleme tjera, por presione personale nuk mbaj mend të kem pasur ndonjëherë.
Parimi thelbësor i emisionit tuaj?
Duke u zgjeruar, sidomos dy vitet e fundit emisioni “Opinion” nuk e ka humbur thelbin e tij, një parim që është thelbësor, parimi i ballafaqimit të ideve të kundërta për të njëjtën çështje. Ky ka qenë thelbi i këtij emisioni dhe në përgjithësi është thelbi i një “talk-shoë”. Pra nuk është një “talk shoë” në versionin e prezantimit të një ideje, por në ballafaqimin e dy ideve të kundërta. Ky ka qenë parimi, edhe pse jo gjithmonë funksionon për arsye se, (me përjashtim të politikës dhe disa pjesëve të tjera të shoqërisë shqiptare), pjesa më terësore e shoqërisë, siç mund të jetë spektakli, arti, etj., janë në nivele shumë më fillestare. Ende nuk kanë mendime të kristalizuara të ndryshme, ose nuk i mbrojnë publikisht.
Jeni besnik i transmetimeve të drejtpërdrejta. Na rrëfeni një moment ku jeni ndjerë paksa i sikletosur dhe ku mund ta keni humbur fillin e diskutimit?
Fillin se mbaj mend ta kem humbur ndonjëherë, por normalisht ka momente tensioni, për shembull para disa ditësh, ndërkohë që prisja të lidhesha me Selinë e Partisë Demokratike, në lidhje të drejtëpërdrejt me Berishën nuk punoi zëri. Që do të thotë se befas të ka humbur një pjesë e skenarit tënd, sepse ti ke llogaritur që 35 minuta do të intervistosh një person, ai person nuk lidhet dot. Këto janë momente që ti ruan shqetësimin, por nuk mbaj mend momente sikleti.
Intervista më e veçantë dhe debati më konstruktiv që keni realizuar?
Është e vështirë të thuhet se janë disa. Pa dyshim interesante ka qenë intervista me Mbretëreshën, Geraldinën e Shqipërisë. Një personazh që mikson historinë, kuriozitetin, sharmin, reflektimin e një moshe, mitin brenda saj. Një personazh tejet i jashtëzakonshëm. Më pas duhet të them dhe Ismail Kadarenë që është shumë i veçantë.
Personazhi më karizmatik?
Nuk ka asnjë lloj dileme që personazhet më karizmatikë janë kryesisht ato të politikës. Berisha, Nano kanë qenë më interesantët. Rama për një pjesë kohe ka qenë shumë interesant gjithashtu. Pra, nga politika ka një seri personazhesh që janë interesantë në intervista, por ka edhe një problem që, personazhet e politikës, duke i intervistuar shpesh një pjesë e kuriozitet të tyre humbet rrugës, domethënë nuk krahasohet me një personazh që e interviston një herë dhe një personazh qe ke 13 vjet që e interviston 30 herë. Pavarësisht se këta janë njerëz të mbështetur mbi lajmin dhe jo mbi jetën në përgjithësi. Ramiz Aliaj është interesant po ashtu.
Çfarë e bën karizmatik Ramën në ndryshim nga Berisha?
Janë të dy interesantë dhe nuk mund të thuhet prerë pse janë të ndryshëm në karizma. Ndoshta j’ua jep posti, formimi që kanë, personaliteti etj., pra janë persona të lindur të tillë. Ka persona që karizmin ua jep pozicioni politik në momente të caktuara. Edhe Ramiz Alia nuk është person karizmatik i lindur, por është një person që karizmën e ka si pasojë të historisë që ai ka pasur si drejtues shteti, si president i Shqipërisë i atyre viteve. Pra janë të ndryshme si modele karizmash dhe shumë e gjatë për ta shpjeguar.
Duke marrë parasysh që shumica e të ftuarve në studion tuaj janë politikanë të forcave të ndryshme politike, kryesisht i PD/PS, mund të na thoni sa i kujdesshëm dhe objektiv është z. Fevziu në pyetjet që kërkon përgjigje?
Maksimalisht që të mos u ndërhyj atyre. Madje në fushatë kur tensioni ishte edhe më i madh vura edhe kohën në mënyrë që ta kontrollonin vetë.
Si reagoni në rastet kur ka devijime nga pyetja?
Në pjesën e madhe të rasteve ka devijime, por kur është debat t’i duhet të jesh “i heshtur”, sepse zakonisht ata ndjekin dhe argumentat dhe kundër argumentat e njëri-tjetrit, kështu që ndërhyrja nuk është shumë e domosdoshme.
Në shumë prej pyetjeve që u drejtoni politikanëve, këta të fundit në shumë raste përgjigjen me një terminologji ku audienca e thjeshtë e ka të vështirë ta marrë mesazhin. Ndoshta edhe vetë ju! Si arrini të merrni një përgjigje të qartë (dhe të kërkuar nga ju) në mënyrë që dhe telespektatori ta kuptojë idenë?
Nuk besoj se janë të pakuptueshme termat, por janë brenda disa modeleve të caktuara. Më shumë janë termat ekonomikë të vështirë për audiencën, pjesa tjetër e terminologjisë është vulgare, sepse politikanët flasin me gjuhë populiste për të marrë votat. Kështu që, nuk është aq teknike sa mendohet gjuha e politikanëve. Kryesisht ato ekonomike janë më teknike.
Gjuha shqipe është mjaft e pasur. Fjalët dhe termat e huaj, përdorur nga politikanët dhe gazetarët duket sikur po e shkatërrojnë atë. Cili është qëndrimi që duhet mbajtur nga kërcënime të tilla gjuhësore sipas jush?
Shkatërrimi i gjuhës shqipe nuk vjen nga politikanët, por vjen prej gazetarët. Si njeri që kam mbaruar Gjuhë Shqipe, e ndjej se gjuha po deformohet dhe është e tmerrshme, por jam i paaftë për të thënë se si mund të korrigjohet kjo situatë. Ke kudo gabime të gjuhës shqipe, por kur e dëgjon në televizion është më e frikshme. Ka raste kur thuhet se “ai do të thoshte”, ose “do të bënte”, kur e kanë shumë të thjeshtë në shqip, “ai tha” dhe “ai bëri”. Ka një formë që është futur kryesisht si ndikimi i italishtes kam përshtypjen.
Çfarë qëndrimi duhet mbajtur në të tilla raste?
Është e pamundur të arrish të japësh një përgjigje të saktë. Mendoj se me kalimin e kohës do të vetërregullohen nga rritja profesionale e nivelit të gazetarëve.
13 vite “Opinion”. Sa dhe si është “rritur” ky emision gjatë këtyre viteve?
Është rritur shumë. Emisionet kanë të bëjë me konkurrencën e përgjithshme, sepse dihet që, sa më pak konkurrencë të ketë, aq më i dobët është një emision dhe e kundërta. Kjo është e vlefshme për të gjitha gjërat. Gjithmonë kur ka konkurrencë të fortë, televizionet janë më të forta, janë më seriozë, investohen më shumë. Kështu që, besoj se me kalimin e kohë emisioni është bërë shumë më i mirë, më i lidhur me zhvillimin e ditës, me lajmin, etj.. Përpara ka qenë më shumë i lidhur me tematikën, tani është më i lidhur me ngjarjen dhe ky është thelbi i gazetarisë, që të lidhesh me atë që ndodh dhe jo me diskutimet e mëdha të temave.
Sodisfaksioni që puna u jep. Si mund të na e përshkruani atë?
Është i jashtëzakonshëm. Unë e kam thënë dhe herë tjetër se i takoj asaj kategorie njerëzish që bëjnë atë punë që kanë ëndërruar në jetë. Nuk besoj se janë më shumë se 5 për qind e popullsisë në botë që bëjnë punën që kanë ëndërruar. Ka njerëz që mund të jenë shumë mirë ekonomikisht, por nuk bëjnë atë që kanë ëndërruar, ndërsa unë bëj ekzakt atë që kam ëndërruar gjithmonë.
Koncepti juaj për punën në grup dhe atë individuale?
Unë kam punuar gjithmonë mirë në grup, por njëkohësisht mendoj se në Shqipëri, sidomos institucionet janë të dobëta si koncepte, sepse shumë gjëra lidhen me emrin e individit, pavarësisht punës që bën.
Raporti juaj me kolegët e mediave të tjera?
Shumë të mira, po nuk është se kam lidhje shumë të forta me ata që quhen kolegë. Kam lidhje të forta me ata që janë miqtë e mi, që pothuajse gjithë janë gazetarë. Ne jemi një brez që kemi ardhur nga i njëjti fakultet, nga i njëjti vit studimi. Pra marrëdhënie perfekte me të gjithë.
Me audiencën që të ndjek?
Padyshim që është shumë e rëndësishme. Unë jam shumë korrekt që emisioni të jetë sa më interesant, të jetë sa më i ndjekshëm dhe e ndjek në një mënyrë shumë strikte audiencën kundrejt grupeve që ne kemi të ftuar në studio.
Dalim në një temë tjetër, ku të gjithë jemi kuriozë të dimë më shumë. Gjithë javës i adrenalizuar në punë. Kur gjen kohë për veten dhe familjen z. Fevziu?
Unë gjej gjithmonë kohë, sepse çdo ditë dy ose tre orë në drekë kthehem në shtëpi dhe rri me time shoqe dhe vajzën. Të shtunën dhe të dielën jam gjithmonë me familjen. Pothuajse në të gjitha darkat kur nuk jam në emision gjendem me miq dhe me time shoqe.
Veprimi i parë që bëni, në momentin që sapo keni përfunduar emisionin?
Dal me miqtë për të pirë një kafe, ose ndonjë gotë.
Prej sa vitesh bashkëjetoni me Inesin dhe cili është koncepti juaj për bashkjetesën në ndryshim nga martesa?
Unë bashkëjetoj prej dhjetë vitesh me Inesin dhe nuk nuk mendoj se ka ndonjë ndryshim ndaj martesës, kjo në gjykimin tim.
Ju keni dhe një vajzë, e cila ju ngjan shumë fizikisht. Çfarë ka marrë ajo nga karakteri i të atit dhe nga ai i mamasë?
Sa më shumë rritet, aq më shumë më ngjan mua në fakt. Në fillim i ngjante më shumë së ëmës. Tani më ngjan më shumë mua dhe kjo më bën të ndjehem mirë. Edhe në karakter është shumë e ngjashme me mua, por në disa gjëra të vogla është edhe e ndryshme. Megjithatë më ngjan shumë mua, aq sa ime shoqe me të qeshur më thotë “më duket sikur po rris Blendin e vogël”.
Në çfarë klase është Mishele dhe si e imagjinoni atë pas 15 vitesh?
Mishele është në klasë të parë dhe të jem i sinqertë për pjesën e dytë të pyetjes nuk është se e mendoj qartë, se si do të jetë ajo pas 15 vitesh. Madje shpeshherë në biseda miqsh diskutojmë mbi këtë temë. Mendoj se është shumë e vështirë ta përcaktosh se çfarë do të ndodhë pas 15 vitesh, kuptohet, pasi edhe zhvillimet janë shumë të mëdha nga viti në vit. Unë vetëm mund të shpresoj dhe shpresa ime është që ajo të jetë e zonja për veten e vet dhe s’ka asnjë rëndësi se çfarë drejtimi do t’i marrë jeta. Kur njeriu është i zoti, di ta çajë jetën në çdo fushë që të jetë.
A do të donit që vajza të ndjekë gjurmët e të atit në gazetari?
Jo detyrimisht.
Raporti juaj me bashkëshorten i ngjan një marrëdhënieje normale mes burrit e gruas, apo në ndryshim nga rutina e martesave të zakonshme e konsideroni më liberale dhe më të emancipuar?
Është një raport krejt normal, por shumë i mirë. Sipas parimeve të mia të liberalizmit dhe të saj është një lidhje që funksionon. Kur një raport funksion, funskionon edhe kur është liberal, por edhe kur mund të ketë cungime. Për mua funksionon dhe nuk kam pasur probleme.
Me se është e angazhuar bashkëshortja juaj?
Bashkëshortja punon në një agjensi turistike.
Çfarë e bën një marrëdhënie të suksesshme, sipas jush?
Kam përshtypjen mirëkuptimi është kryesorja. Të pasurit nevojë për njëri-tjetrin, për të konsumuar më shumë kohë bashkë, biseda, etj., e bëjnë personin më të afërt.
Si jeni njohur me të?
Jam njohur shumë vite përpara kur të dy ishim shumë të rinj. Pastaj e kam humbur disa vjet dhe e kam ritakuar rastësisht pas shumë vitesh. Kur e kam njohur ajo ka qenë 15 vjeç, ndërsa unë kam qenë 19 vjeç. Pastaj e kam rinjohur sërish kur unë isha 29 vjeç, ajo 25.
Udhëtimi më romantik që keni bërë sëbashku?
Unë udhëtoj aq shumë, sa e kam të vështirë të specifikoj ndonjë, por udhëtimet për mua mbeten shumë të bukura. Zakonisht ne udhëtojmë çift dhe shumë rrallë vetëm. Mund të them që më i veçantë ka qenë ai në Miami, në janar, sepse atje bëhet plazh në këtë muaj, ndërsa në verë zakonisht shkoj në Jug të Francës.
Dashuritë më të mëdha të jetës suaj?
Vajza, familja, prindërit e mia dhe motra.
Duke marrë parasysh orarin e vonë që ktheheni shtëpi, cili është veprimi i parë që bëni, sapo “kyçeni” brenda shtëpisë?
I pari veprim që bëj është të hap kompjuterin, pastaj shoh dhe njëherë lajmet përpara se të fle. I hedh një sy të gjithë televizioneve se çfarë emisionesh ka dhe pastaj, pasi kam mbaruar me këto lexoj.
Fundjavat tuaja. Të zhurmshme, apo relaks total larg Tiranës?
Pjesën më të madhe jam në Durrës. Kam një shtëpi pushimi atje, të tjerat pastaj janë ose udhëtime, ose me miq në Tiranë. Asnjëherë nuk jemi pak vetë, gjithmonë një grup shumë i madh.
Si i shmangeni rutinës për ta bërë një ditë ndryshe nga tjetra?
Nuk mund të flas për rutinë tek puna e një gazetari në fakt, pasi puna nuk më lë të bie në rutinë. Ritmi i punës është i tillë që gazetari gjithmonë ngrihet me një ngjarje të re. Edhe kur je në punë edhe pas saj të, jep gjithmonë një ritëm jete ndryshe.
Pika më e fortë e karakterit tuaj?
Besoj këmbëngulja
Ajo çfarë bashkëshortja juaj vlerëson më shumë tek ju?
Komunikimin.
Gjithmonë i kollarisur në emisione dhe takime zyrtare. Gjatë përditshmërisë si vishet z. Fevziu?
Është cështje e krijimit të një profili. Kur kam dalë për herë të parë në televizor veshja klasike, veshja me kostum dhe kravatë ishte një “trend” dhe që në atë moment, meqë vendosa të krijoja atë profil, vendosa të mos e ndryshoja kurrë dhe madje po të vini re edhe këmishat jam mësuar t’i mbaj gjithmonë me butona. Pra, është krjuar një model i tillë dhe nuk kam dashur ta ndryshoj kurrë.
Por visheni edhe sportiv?
Kur vishem sport më shumë mendoj se është çështje komforti dhe nuk mendoj se lidhet me atë që “të shkon, apo jo”. Në pjesën më të madhe të ditës më shumë preferoj të ndjehem komod, sepse kocepti i modës ka ndryshuar shumë. Për shembull, nëse para 15-20 vitesh një djalë i moshës 30-vjeçare kishte një kod veshjeje, ti sot mund të shohësh një 50-vjeçar të veshur si ai, me xhinse të grisura. Pra koncepti i moshës nuk dallon më, me përjashtim të brezit të vjetër, që janë rritur në Shqipërisë e vjetër. Të gjithë ata që kanë qenë 20-25 vjeçarë në kohën e ndryshimeve që sot i bie të jenë 50 vjeç kanë një kod veshjeje shumë të ndryshëm nga një gjimnazist, apo student i sotëm, ndërkohë sot nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh mes brezave. Në atë kohë kodet e veshjes ishin shumë strikte. Kështu edhe unë nuk është se bëj përjashtim nga këto kode veshjeje, të cilat janë sport dhe sipas dëshirës. Por çudia më e madhe e njerëzve është se kur më shohin të veshur sport më thonë “Ou, po ti je shumë ndryshe”, sepse janë mësuar të më shohin me imazhin e televizionit.
Nëse nuk do ishit gazetar çfarë mendoni se do të bënit tjetër po kaq mirë sa profesioni aktual?
Besoj se do i përkisja botës së letërsisë, pasi nuk kam pasur dilema më të mëdha përveç këtyre të dyjave.
Ju edhe shkruani. Kryesisht çfarë zhanri ju tërheq më shumë?
Dikur kam shkruar letërsi të shkurtër, tregime, reportazhe, etj., disa prej të cilave edhe i kam botuar. Tani kryesisht jam i përqendruar më shumë tek esetë dhe botimi më i fundit është “50+1” para disa vitesh. Ndërsa këtë vit do të botoj tre libra, njëri prej të cilëve do të botohet tani shpejt dhe që është shumë interesant. Bëhet fjalë për jetën e 21 personazheve më të rëndësishëm të Shqiërisë rrëfyer për mua në intervista. Këtu mund të përmend disa nga emrat që janë; Ismail Kadare, Geraldina e Shqipërisë, Jusuf Vrioni, Sali Berisha, Ramiz Alia, Edi Rama, Hashim Thaçi, Dritero Agolli, Alfred Moisiu, Liri Belishova e shumë të tjerë, të cilët kanë shënjuar historinë e Shqipërisë. Botimi i dytë do të jetë një libër me portrete të 30 personazheve si i kam njohur unë ato. Ndërsa libri i 3-të do të jetë një ditar i imi politik, që nga 9 nëntori i vitit 1989 e deri në 31 dhjetor të këtij fundviti.
Shkrimtari shqiptar që ka shënjuar fort formimin tuaj letrar?
Padyshim Ismail Kadare, ndërsa i huaj që më ka sugjestionuar më shumë është Igor Turgenjev në fillimet e mia dhe Dino Buzati më vonë.
Sporti më i preferuar?
Futbolli.
Muzika?
Nuk është se jam ndonjë fan i madh i muzikës, por përgjithësisht dëgjoj muzikë të bukur.
Ku e shikoni veten pas 10 vitesh z. Fevziu?
Nuk e di të jem i sinqertë, pasi është shumë e vështirë ta përcaktosh, por jam i sigurtë që do jem diku rrotull gazetarisë.
Një mesazh për gazetarët e rinj, të cilët e vlerësojnë këtë punë si ndër më fisnikët e profesioneve?
E vetmja bindje absolute që kam është që nuk ka asnjë profesion më të bukur, sesa gazetaria, pasi ti ke privilegjin të gjykosh publikisht të tjerët, një privilegj që jo shumë njerëz e kanë në jetë. Siç duhet të kesh besim dhe respekt për këtë gjë, sigurisht asnjëherë nuk duhet të abuzosh me të.


Leave a Reply