-Hapja e shkollës shqipe dhe bamirësi për familjen shqiptare në zonën e tërmetit-
Qyteti i bukur i Maceratës shfaqet mbi kodrën e gjelbëruar që lartohet mbi luginat e dy lumenjve që e rrethojnë. Mbi 300 metra nga niveli i detit, që gjendet aty poshtë, as 30 km larg. Nga larg duket si një qytet i gurtë, por në të vërtetë arkitektura e tij gërshetohet natyrshëm midis ndërtimeve të vjetra por të bukura, rrugëve karakteristike te kalldrëmta, muzeve, kishave dhe parqeve të gjelbërimit e luleve të shumta për të cilat banorët kujdesen e kanë pasion të veçantë. Kalojmë përmes rrugëve karakteristike të këtij qyteti që e ka origjinën që përpara Krishtit, por që ka lulëzuar sidomos në periudhën e mesjetës pas luftrave të ndryshme me fqinjët e tij. E arrijmë në bibliotekën “Mozzi Borghetti”, një monument i vërtetë kulture në qendër të qytetit.

Pikërisht një nga sallat luksoze të kësaj biblioteke është vënë në dispozicion nga komuna e Maceratës për hapjen e shkollës shqipe. Paretet e saj janë të veshura me rafte librash që nga dyshemeja deri në tavan. Libra të vjetër që dëshmojnë kulturën e lashtë e të pasur të një vendi si Italia e të një qyteti si Macerata. E ku më mirë se midis librash mund të hapet një shkollë?
Dhënia e kësaj salle dëshmon që autoritetet lokale e kanë marrë shumë për zemër hapjen e shkollës shqipe. Në fakt shqiptarët përbëjnë mbi 10 për qind të popullsisë në provincën e Maceratës. Vetëm në qytet jetojnë mbi 1000 shqiptarë. Marrëdhëniet me bashkëqytetarët italianë janë shumë të mira, në sajë të një integrimi të natyrshem të emigrantëve dhe të familjeve të tyre në jetën ekonomike e shoqërore të qytetit. Dashamirësinë e autoriteteve lokale e tregon edhe fakti që ata janë binjakëzuar me qytetin e Kamzës në periferi të Tiranës, si dhe prania e përfaqësuesve më të lartë të pushtetit lokal në ceremoninë e hapjes së shkollës shqipe. Kryetari i bashkisë Romano Carancini dhe zëvendësja e tij, Stefania Monteverde, jo vetëm që kanë ardhur me gëzim midis shqiptarëve në këtë ditë feste, por flasin me shumë entuziazëm e respekt për komunitetin shqiptar në Macerata.
Mësueset Ariana Kosova e Mirela Nasi, me tufa lulesh në duar janë të emocionuara.
Ato takohen ngrohtësisht me nxënësit dhe me prindërit e tyre e bashkë me kryetarin e shoqatës “Iliria”, Ervin Çakërri dhe drejtuesit e tjerë të saj presin mysafirët e shumtë që kanë ardhur edhe nga shoqatat anëtare të federatës FNAI nga Reggio Emilia, Pesaro, Fermo, Senigallia, Abruzzo etj. Ata jo vetëm marrin pjesë, por edhe përshëndesin ngrohtësisht kolegët e tyre të shoqatës “Iliria” për organizimin e kësaj dite të bukur feste. Ariana, e cila drejton ceremoninë e festës, është një intelektuale me formim profesional shumëplanësh dhe tani është duke studiuar për të mbrojtur laurean e pestë në Itali, atë të bashkëpumimit ndërkombëtar. Gjatë ceremonisë lexohet edhe mesazhi i përshëndetjes së ambasadores shqiptare në Romë, Anila Bitri. Nxënësve ju dhurohen librat me të cilat do të mësojnë të lexojnë e shkruajnë në mënyrë korekte gjuhën shqipe. Janë fëmijë që kanë lindur në Itali, që e flasin gjuhën shqipe në familje, por mësimi i saj në shkollë ka rëndësi të veçantë. Festa vazhdon edhe me koktejlin e pastaj me drekën e organizuar.
Duhet theksuar që për të marrë pjesë në këtë ditë feste ka ardhur posaçërisht nga Tirana edhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Eduard Ndocaj, i cili qëndron gjithnjë afër emigrantëve, problemeve, shqetësimeve e gëzimeve të tyre, për të cilat ka paraqitur edhe projektligje konkrete pranë parlamentit.

***
Përsëri kilometra të tëra rruge. Qindra kilometra. Përfaqësuesit e shoqatës “Shqiponja” në Reggio Emilia, Klodian Cami, Brunilda Diko e Nikolin Çepi duan të shkojnë në Amatrice, një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti, ku humbi jetën qytetari shqiptar nga Roskoveci i Fierit, Erion Toro. Gruaja e tij, Elsa e dëmtuar rëndë ka mbetur vetëm me dy vajzat e saj 9 e 3 vjeçe. Pikërisht për të vizituar këtë familje e për të dorëzuar një ndihmë simbolike ekonomike të mbledhur nga shoqata kanë ardhur përfaqësuesit e shoqatës “Shqiponja”. Me këtë iniciativë bashkohet edhe deputeti Eduard Ndocaj, miku e kolegu im në federatë, sipërmarrësi i suksesshëm Hamit Çorrogjafi dhe mësuesja Ariana Kosova. Udhëtojmë bashkërisht e një hije trishtimi na mbulon sapo hyjmë në zonat e goditura nga tërmeti. Gërmadha të shumta, shtëpi e pallate të tëra të rrëzuara përdhe si pas një bombardimi të rëndë, shkolla,e ndërtesa publike të plasaritura keq e të dala jashtë përdorimit, fshatra të rrafshuara.
Në hyrje të fshatit Amatrice takojmë një postbllok policie. Prej aty në fshat hyhet vetëm me autorizim. Dhe është normale. Janë fshatra të dëmtuara, prej të cilave banorët janë larguar në sistemime të përkohshme, duke lënë në shtëpitë e tyre të dëmtuara ose pjesërisht të dëmtuara gjithçka kanë patur e njerëz keqbërës mund të përfitojnë për të bërë profesionin e çakallit, siç i quajnë këtu minjtë hajdutë që kanë kurajon e paturpësinë të përfitojnë nga fatkeqësitë e të tjerëve. Ju themi që kemi takim me drejtuesit e komunës dhe ata na japin si shoqëruese një punonjëse policie shumë të sjellshme e ardhur nga Mantova, që na përcjell rrugëve të fshatit. Pejsazhi vjeshtor është shumë i bukur. Vjeshta e artë ka rënë mbi Apenine. Ngjitemi drejt lartësisë 1000 metra mbi nivelin e detit. Poezia e pejsazhit bëhet e trishtë vetëm nga pamjet e rrënimeve.
Zyrat e komunës dhe shtatmadhoria e organizimit të punëve në zonat e dëmtuara nga tërmeti janë vendosur në ndërtesa të përkohshme të ndërtuara prej druri e plastike. Edhe pse po bie mbrëmja, aty puna vazhdon pa ndërprerje. Kryetari i bashkisë, zoti Pirozzi na ka pritur deri në ora 17.00, pastaj është larguar për një konferencë, ndërsa ka lënë të na presë zëvendësin e tij. Ai na pret me shumë ngrohtësi në zyrën e tij, na njeh me situatën, me punën e bërë, me objektivat e afërm e të largët. Ajo që na bën përshtypje është optimizmi me të cilat i sheh gjërat, duke transmetuar mesazhin që pushteti lokal dhe banorët e këtyre zonave, me gjithë humbjet e mëdha në njerëz e materiale, mbi 330 të vdekur në të gjitha zonat sëbashku, ata ja lënë tragjedinë të kaluarës e tani shikojnë drejt ringritjes së fshatrave siç kanë qenë përpara tërmetit. Nevojiten 5-6 vite kohë e punë të përbashkët, por kur njerëzit dhe zemrat janë të bashkuara, asgjë nuk është e paarritshme.
Edhe diçka tjetër na bëri përshtypje. Sapo ne përmendëm emrin e familjes që donim të vizitonim, zëvendëskryetari i bashkisë na foli për Elsën dhe vajzat e saj, dinte që kishte qenë në spital dhe kishte dalë në këto ditë dhe për të na dhënë adresën e saktë ku ndodhej familja komunikoi direkt në telefon me të dhe i tha që do të vijnë të të bëjnë një vizitë bashkëatdhetarët e tu.

Elsa, e cila ka dalë nga spitali, tani për tani është sistemuar në një apartament në qytetin e bukur bregdetar San Benedetto del Tronto. Arrijmë kur mbrëmja ka rënë e plotë dhe tek rruga poshtë pallatit na pret e motra, Selda. Ajo ka ardhur posaçërisht nga Shqipëria për të qenë pranë së motrës në këto momente fatkeqësie dhe vështirësish të rënda.
Ngjitemi lart në shtëpi. Ulur në divan na pret Elsa. Ajo nuk mund të ngrihet nga vendi, sepse ka patur dëmtim të rëndë në këmbët kur shtëpia e tyre është shembur dhe familja mbeti nën gërmadha. Na jep dorën e na buzëqesh me mirënjohje duke na uruar mirëseardhjen. Flet fare pak për fatkeqësinë. Nuk kujtonte kush i ka nxjerrë atë dhe dy vajzat nga gërmadhat. Shtëpia trekatëshe ishte shembur e tëra dhe katet palosur njëri mbi tjetrin si të ishte shtëpi njëkatëshe. Duket sikur një fuqi e mbinatyrshme e ka mbajtur dorën për të shpëtuar dy vogëlushet dhe nënën e tyre për t i rritur në mungesë të babait. Vajza e madhe e kishte mësuar vetë një ditë më parë që babai nuk është më. E kishte pritur lajmin me një krizë të rëndë të qarash dhe të vjellash, aq sa ishin preokupuar për shëndetin e saj.

Elsa na falënderon për vizitën dhe na thotë: “ Jeni shqiptarët e parë që jeni interesuar dhe po na bëni vizitë. Ju falënderoj si të ishit vëllezërit dhe motrat e mia. Vështirësitë tona janë të shumta. Na janë premtuar ndihma, por deri tani na është dhënë ky apartament që do ta përdorim falas deri në maj. Pastaj nuk dimë se çfarë do të bëhet me ne. Burokracia e ndihmave financiare është tepër e gjatë, ndërkohë që vajzat kanë nevojë të shkojnë në shkollë e unë akoma nuk mund të ngrihem në këmbë për të qenë ndihmë për to”.
Shikojmë dy vajzat e saj, dy yje që na shikojnë me ngrohtësi e na buzëqeshin. Vijnë e bëjnë fotografi me ne. E vetvetiu na vjen premtimi që këtë familje nuk do ta lemë vetëm në fatkeqësinë e saj e në vështirësitë që përballon. Mjafton të dimë të sensibilizojmë bashkatdhetarët tanë e ata do i gjenden pranë. E këtë do e bëjmë me gjithë zemër.
***
E në fakt, dita e nesërme në Macerata do të ishte si një vazhdim i realizimit të premtimit tonë. Jemi në një qytezë të vogël të provincës së Maceratës, në Montappone. Qytezë e njohur për artizanatin e prodhimit të kapeleve. E ndër më të njohurit e më të suksesshmit në këtë lloj prodhimi janë pikërisht dy sipërmarrës shqiptarë, vëllezërit Gjata nga qyteti i Burrelit. Prodhojnë një asortiment të gjerë kapelesh, të ngjyrave e modeleve të ndryshme, të cilat pëlqehen nga blerës të shumtë dhe ata e zgjerojnë çdo ditë e më tepër tregun e shitjes.

Pikërisht këta dy vëllezër kanë organizuar një koncert bamirësie për ndihmë ndaj zonave të dëmtuara nga tërmeti. Është e natyrshme të ndjesh krenari kur shikon që emigrantë shqiptarë tregojnë solidaritet ndaj fshatrave e banorëve italianë të zonave të dëmtuara nga tërmeti.
Koncerti bëhet në një sallë të madhe e luksoze të hotelit “San Giorgio”. Vijnë qindra emigrantë shqiptarë me familjet e tyre. E ftuar është këpngëtarja Valbona Mema, e cila sjell mes nesh këngët e bukura të Atdheut. Të gjitha të ardhurat e siguruara nga ky koncert vendoset që të shkojnë në ndihmë të familjes shqiptare që përmendëm më sipër. Atmosfera dhe koncerti janë të bukura. Shqiptarët këndojnë e vallëzojnë sëbashku. Deputeti Ndocaj, duke përshëndetur të pranishmit, thotë se ka rënë dakort me kryetarin e bashkisë të kësaj qyteze që në zgjedhjet e ardhshme lokale komuniteti shqiptar të ketë përfaqësuesit e vet në këshillin e komunës.


Ishte një fundjavë e bukur në Macerata, e cila do të pasohet me fundjavën e ardhshme në qytetin e Fermos, ku në qendër të vëmendjes do të jenë përsëri festa e shkollës dhe
solidariteti e ndihma ndaj familjes shqiptare Toro, si dhe 9-vjetori i krijimit të shoqatës “Skënderbeg”.
Ndue Lazri
Burimi /Facebook/


Leave a Reply