Për të 19-tin vit radhazi Durrësi kthehet në kryeqyetin e fëmijëve të Ballkanit e jo vetëm. Qindra fëmijë të grupeve folklorike nga disa qytete, të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë, Rumanisë, Greqisë, Maqedonisë, kanë mbërritur në Durrës si pjesëmarrës të festivalit “Luajmë dhe vallëzojmë”, i njohur me emrin “Fest Lojë”, që organizohet nga Qendra Kulturore e Fëmijëve.
Të gjithë grupet e fëmijëve të veshur me kostumet popullore të zonës së qytetit nga vijnë, kanë mbërritur në sheshin “Liria”, ku për disa orë me radhë kanë shpalosur nëpërmjet valleve, vlerat e traditat e qyteteve dhe të shteteve që përfaqësojnë. Në ceremoninë e hapjes mbajtë fjalën Drejtoresha e Arsimit Lindita Muka dhe drejtori i QKF Avni Çuni, të cilët në rolin e mikpritësve vlerësuan pjesëmarrjen e grupeve të fëmijëve.
Në skenën e ngritur posaçërisht për këtë aktivitet janë ngjitur me radhë grupet konkurrentë të fëmijëve që kanë sjellë vallet më të bukura të pregatitura prej tyre, shpeshherë të shoqëruara edhe me këngë nga tradita vendase.
Fëmijët e ardhur nga shtete e qytete të ndryshme, përgjatë ditëve të këtij festivali qëndrojnë në familjet e fëmijëve durrsakë, të cilët kanë hapur dyert për ta duke i mirëpritur.
Atë që nuk e bën politika, më së miri e bëjnë fëmijët nga Ballkani, shqiptarë, grekë e serbë që luajnë së bashku, pa mëri e pa grindje midis tyre.
K.H.
Burimi/portali DurresLajm/


Leave a Reply