Në Uashington, Dhoma e Përfaqësuesve votoi njëzëri në favor të një ligji dypartiak, që do t’i lejonte familjet viktimave të 11 shtatorit të 2001-it ta hedhin në gjyq qeverinë e Arabisë Saudite, nën akuzën për mbështetje të terrorizmit. Ky ligj ka mbështetje të fortë nga familjet e vitkimave.
Senati e miratoi Aktin e Drejtësisë ndaj Mbështetësve të Terrorizmit në muajin maj, megjithë kundërshtimin e Arabisë Saudite, një aleate e rëndësishme e Shteteve të Bashkuara. 15 nga të 19 personat që rrëmbyen avionët më 11 shtator ishin shtetas sauditë, por Rijadi i ka mohuar thëniet se ka patur rol në sulmet, apo që të ketë mbështetur organizata me lidhje me grupe terroriste.
Edhe Shtëpia e Bardhë është kundër këtij ligji, për shkak të shqetësimeve për dobësimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite, për ekspozimin e shtetasve amerikanë jashtë vendit ndaj rreziqeve ligjore, si dhe ngaqë i hap rrugën padive ndaj Shteteve të Bashkuara nga vende të huaja. Shtëpia e Bardhë ka lënë të kuptohet se do t’i vinte veton ligjit, në se ai miratohet nga ligjvënësit. Për ta refuzuar veton, do të nevojiteshin votat e dy të tretave të anëtarëve të Kongresit Amerikan.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply