Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ka reaguar ndaj ngjarjes së rëndë në landfillin e Sharrës ku humbi jetën një 17-vjeçar. Duke i shprehur ngushëllimet familjes së 17-vjeçarit Astrit Gjoka, i cili u gjet i vdekur para disa ditësh në landfillin e Sharrës, në Tiranë ka besim se organet e ndjekjes penale dhe gjykata do zbardhin kushtet në të cilat ka ndodhur ngjarja dhe përgjegjësit për vdekjen e tij.
“Ka të dhëna që firma përkatëse nuk e ka regjistruar 17-vjeçarin në Regjistrin e Punësimit, gjë që bie ndesh me dispozitat ligjore. Kjo është një ngjarje që kërkon reflektim nga institucionet e ngarkuara me inspektimin e ambienteve të punës dhe të drejtat e punëmarrësve. Gjithashtu, KShH vëren se duhet të intensifikohen kontrollet në sektorin privat, në drejtim të respektimit të rregullave të sigurimit të domosdoshme për ruajtjen e shëndetit dhe jetës së punonjësve. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje e rëndë, KShH ka marrë këto ditë ankesa të disa shtetasve dhe aktivistëve të minoritetit rom, lidhur me masat e marra nga Bashkia e Tiranës, për të konfiskuar mjetet e tyre të punës që shërbejnë për mbledhjen e mbetjeve urbane në koshat ku depozitohen këto mbetje.
Ankuesit pretendojnë se Bashkia e Tiranës, nëpërmjet punonjësve në terren informalisht ka ofruar vende të lira pune pranë landfillit të Sharrës, por ky variant konsiderohet i papërshtatshëm për anëtarët e komunitetit për shkak të: kushteve të këqija të punës, distanca e largët me vendbanimin dhe kostos së papërballueshme për transportin, si dhe paga disa herë më të ulëta se në pika të tjera grumbullimi. Ngjarja e rëndë me pasojë vdekjen e 17-vjeçarit në këtë landfill, ka ndikuar më shumë në vendimin e këtyre shtetasve për të refuzuar alternativën e propozuar, pasi tashmë ndihen më të pasigurta për jetën e tyre. Duke pasur parasysh ankesat dhe shqetësimet e tyre, KShH rekomandon që alternativat e punësimit që u ofrohen këtyre shtetasve duhet të jenë të sigurta për jetën dhe shëndetin ”, përfundon KShH.
(gazeta-Shqip.com)


Leave a Reply