•Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro komenton vendimin e Gjykatës së Apelit, pro dhënies me koncesion të kalasë, duke e cilësuar skandaloz. Forumi i Mbrojtjes së Trashëgimisë i ofron ekspertizën e nevojshme ministrisë, për të rrëzuar vendimin me veprime ligjore
Nga Valeria Dedaj
Kalaja e Lezhës do të jepet me koncesion. Vendimi i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, për anulimin e koncesionit për rijetëzimin e Kalasë së Lezhës, që u mor para dy vjetësh, asokohe i bërë publik edhe nga ministrja e Kulturës, jo vetëm u rrëzua nga Gjykata e Shkallës së Parë, por, në datë 7 korrik 2016 Gjykata Administrative e Apelit vendosi për mospranim të ankimit të paraqitur nga Ministria e Kulturës. Ky vendim është bërë publik nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, nëpërmjet një statusi që ka shkruar në faqen e saj në “Facebook”.
Mirela Kumbaro: Vendimi u mor pa asnjë njoftim për prezencë
Ministrja e Kulturës, teksa kujton debatin e madh për ndërtim motelesh brenda zonës arkeologjike të Kalasë së Lezhës në vitet 2012-2013, tregon edhe vendimin se si Ministria e Kulturës në vitin 2014 arriti “ta shpëtojë” atë thesar të trashëgimisë kulturore nga motelizimi dhe rrënimi i arkeologjisë. “Në ato kushte Ministria e Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve në vitin 2013- 2014 rimori në shqyrtim të gjitha dosjet dhe urdhërat e lëshuar për këtë projekt dhe i shfuqizoi ato, pasi konstatoi shkelje të rënda të procedurave dhe, me profesionalizëm dhe analizë ligjore dhe teknike, vuri në vend një situatë emergjente duke shpëtuar një vlerë të çmuar të pasurisë së brezave”.
Por subjekti privat e dërgoi këtë vendimmarrje në gjyq dhe, sipas Kumbaros, Gjykata e Shkallës së Parë e rrëzoi pa argumentim dhe pa marrë fare në konsideratë arsyetimin e MK-së. “Pas dy vjet zvarritjesh në dyert e gjykatave pa zë e pa vesh për vlerat kombëtare, edhe gjykata administrative e Apelit, me vendimin nr.2097, në datë 07.07.2016, në dhomë këshillimi, e në mungesë të palëve dhe pa asnjë njoftim për prezencë, vendos: Mospranimin e ankimit të paraqitur nga Ministria e Kulturës në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore”. Sipas ministres, mekëtë vendim skandaloz i jepet e drejta një subjekti pa licencë, pa procedurë, në mungesë të plotë të transparencës së kësaj vendimmarrje, të ndërhyjë brenda Kalasë së Lezhës me një projekt të kritikuar rëndë, edhe pse Ministria e Kulturës ka denoncuar disa herë radhazi shkeljet lidhur me këtë procedurë.
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore: Ministria e mbrojti me procedurë, normalisht që dhe do të rrëzohej nga gjykata
Anëtarët e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore e konsiderojnë të papranueshëm qëndrimi i Ministrisë së Kulturës. Fshehjen e faktit derisa ky proces të përfundonte negativisht e pa kthim, sipas tyre, është një faj i rëndë kulturor. “Tryeza e djeshme e Forumit ‘Trashëgimia Kulturore në Rrezik’ solli menjëherë rezultatet e para. Pas alarmit të dhënë për humbjen e gjyqit për Kalanë e Lezhës nga Ministria e Kulturës, vetë ministrja Kumbaro ka thyer heshtjen mbi këtë skandal, duke postuar me nxitim në ‘Facebook’ vendimin e Gjykatës së Apelit”, shkruajnë anëtarët e Forumit të Trashëgimisë Kulturore në faqen e tyre.
Më tej shtojnë se vendimi i Apelit ishte marrë që në 7 korrik dhe deri dje, sipas anëtarëve të Forumit, ishte mbajtur i fshehtë nga Ministria e Kulturës. “Faji, sipas ministres, është i sistemit gjyqësor, reformës se drejtësisë etj. Meqenëse është në lojë fati i kalasë, jemi të hapur për të ofruar ekspertizën e nevojshme për Ministrinë e Kulturës për të rrezuar përsëri kthimin në motel të kalasë. Kësaj here, jo me procedurë, ashtu siç e mbrojti Ministria dhe normalisht që do rrëzohej nga gjykata, por me veprime ligjore dhe vendimmarrje të qartë ekzekutive”.
Paulin Zefi: Lamtumirë kështjella e mrekullueshme e qytetit tonë të lashtë!
Për dhënien me koncesion të Kalasë së Lezhës, ka reaguar edhe -ish Përgjegjësi për Kulturën në Qarkun e Lezhës, Paulin Zefi. Sipas tij, virusi i njohur “PPP” (Partneriteti-Publik-Privat) do t’i japë frytet e tij të para pikërisht në masakrimin dhe përçudnimin e kështjellës së Lezhës, e cila nga një simbol identitar i qytetit madhështor të Lezhës.
“Tani do të transformohet në një kompleks multifunksional ku ‘kompleksi rezidencial i Princave Dukagjinas do të adaptohet si motel, mbi rrënojat e Kishës Paleokristiane të shekullit V-VI të do të ndërtohet lulishtja e oborrit të këtij kompleksi, xhamia Sulejmanie e vitit1522 e ndërtuar mbi themelet e Kishës Katolike Arbnore do të shërbejë, si kuzhinë-thertore derrash dhe dhomë frigoriferike, kompleksi ku qëndronte garnizoni i kështjellës do të shërbejë, si magazinë dhe dhoma ndërresash për stafin e punëtorëve, oborri i jashtëm do të transformohet, si fushë tenisi-volejbolli-basketbolli dhe shtresat e shumta të betonit do të varrosin të dhënat stratigrafike të mbi 2600 viteve histori e pandërprerë, që u zhvillua mbi këtë truall”, thotë Zefi.
Ministrja Kumbaro, sipas tij, nëpërmjet këtij lajmi ka dhënë alarmin duke ja faturuar këtë krim monstruoz vetëm Gjykatës së Shkallës së Parë. “Ndërkohë që vendimi i saj është bazuar pikërisht mbi normat juridike të përbindëshit PPP, një përbindësh i konturuar nga vetë udhëzimet e Ministrisë së Kulturës. Prandaj asnjë funksionar i lartë i kësaj ministrie nuk duhet që të vajtojë më lot krokodili, sepse fyen inteligjencën e çdo shqiptari e sidomos specialistët shqiptarë të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare”.
Faktet nga Ministria e Kulturës
Në vitin 2010 një subjekt privat ka hartuar një projekt për restaurimin, rigjallërimin dhe rivlerësimin, e kalasë së Lezhës. Kjo iniciativë private është paraqitur pranë sekretarisë Teknike të KKR-së, në IMK e në atë vit, për t’u shqyrtuar dhe më pas për t’u miratuar në KKR. Nuk ka asnjë justifikim të faktit se në cilin kontekst ligjor, strategjik, moral e profesional një organizëm publik shqyrton një kërkesë private, e cila në thelb ka si qëllim ndërhyrjen në një vlere kombëtare. MTKRS e kishte filluar procedurën për dhënie qiraje ndërkohë që nuk e administronte kalanë (në atë kohë në administrim të Bashkisë Lezhë);
– Nuk kishte një strategji të administrimit të vlerave kulturore
– Nuk kishte asnjë vlerësim paraprak mbi fatin e atyre pasurive kulturore që ishin dhënë me qira megjithëse kishte fakte te qarta mbi keqvlerësimin e keqadministrim e pasurive kulturore.
Theksojmë që ky veprim nuk u zhvillua në kuadër të një procedure rijetëzimi, procesi formal i së cilës, qoftë edhe i paplotë, do të fillonte veç në 2011. Ato vendimmarrje sillnin pasoja shumë të rënda për trashëgiminë kulturore:
– Shfrytëzohej pa asnjë kriter pasuria kombëtar, një prej më të vlefshmeve që kemi
– Shfrytëzohej në mënyrë ekskluzive nëntoka duke hequr monopolin e caktuar me kushtetutë të shtetit mbi pasurinë nëntokësore – kjo në dëm edhe të ekspeditave arkeologjike, nga më profesionalet, të cilat aktualisht janë pezulluar si rezultat i kësaj situate absurde të paligjshme e amorale.
– Fitonte të drejtën ekskluzive për të shkatërruar pasurinë e brezave dhe memorien tonë historike (përfshirë të famshmen portë të restauruar nga sulltani ).
Në këto kushte Ministria e Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve me bindje të plotë dhe me procedurë krejt të ligjshme në vitin 2013- 2014 i shfuqizoi ato.
Gazeta Shekulli


Leave a Reply