Një nga shqetësimet më të mëdha që kanë vajzat e gratë, por edhe shumë nga burrat, është imazhi i shtrembër për trupin e tyre.
Kjo, shpesh, bëhet shkak që të bjerë dëshira për seks dhe që njerëzit t’u drejtohen, edhe kur nuk ka arsye, sallave të operacioneve plastike.
Më poshtë do ta trajtoj këtë problem, në dritën e mësimeve më të reja të seksterapisë botërore.
Çuditërisht, njerëzit janë të pakënaqur nga trupi që kanë dhe nga dukja e tyre. “Nuk jam e gjatë sa duhet”, “vithet e mia janë të mëdha”, “kush do ta dojë lëkurën time të keqe”, “gjoksi im është dërrasë”. Këto janë disa nga shqetësimet e pafundme, që kanë gratë dhe vajzat.
Vajza! Ju nuk keni arsye pse t’i fshihni gjinjtë tuaj, kur ato fillojnë të tendosin bluzën që kini veshur. Sido që të jetë gjoksi juaj, lëreni të duket. Mos u mundoni ta fshihni atë në plazh. Të jeni krenare për gjinjtë që keni. Nuk ka arsye të ndjeheni të turpëruara dhe të ndrojtura. Ato janë gjinjtë tuaj. Kështu jeni ju. Le t’u shikojnë e t’u pranojnë njerëzit ashtu siç jeni, natyrale.
Gjatë pubertetit dhe adoleshencës gjinjtë ndryshojnë. Ky mund të jetë viti i fundit që gjoksi juaj duket si i një djali. Edhe pse nuk jeni si modelet ose artistet, ju, padyshim, jeni të adhuruara nga shumë djem.
Burrat e adhurojnë gjoksin e grave dhe vajzave në bisedat, në poezitë, në historitë që tregojnë dhe në këngët që këndojnë. Ata i adhurojnë të gjitha llojet e gjinjve, por inspirohen më shumë nga soji special i gjinjve të mikes së tyre. Atyre u pëlqejnë njësoj, gjinjtë shumë të mëdhenj dhe ato që i dallon dora, por sytë nuk i shohin. Çdo vajzë e grua, do të jetë më e suksesshme, kur nuk e çan kokën për dimensionet e gjinjve të saj.
Në historinë njerëzore ka pasur gjithmonë lëvizje që vlerësonin format më të mira të trupit femëror. Por ky vlerësim ka qenë statik, jo jetësor e natyral. Artistët, politikanët, doktorët e shumë njerëz të tjerë të shquar, kanë qenë më të kënaqur kur kanë pasur të bëjnë me gra me trupa të ndryshëm, se sa vetëm me “Kukullat Barbie”.
Askush nuk ka folur për rregulla që të tregojnë se çfarë soj trupi i kënaq dhe i eksiton të gjithë burrat. Bazat e trupit, skeletin dhe muskujt që vendosen mbi të, të gjithë i kanë të trashëguara. Në qoftë se trupi nuk është si i nënës, do të jetë si e dikujt tjetër në familje. Ajo që gjithkush ka është nga familja, nga fisi dhe nga etnia e tij. Gjithkush duhet të jetë krenar për atë që ka.
Padyshim që, duke u ushqyer mençurisht dhe duke u ushtruar fizikisht, gjithkush mund ta modifikojë trupin e tij. Ushqimi i mirë dhe ushtrimet do t’i ngjeshin muskujt, do ta bëjnë lëkurën të ngrohtë dhe që të shkëlqejë, do t’i bëjnë sytë të vezullojnë.
Por, në asnjë mënyrë nuk duhet të mbani dietë të çmendur!
Ju duhet të dini se burra të ndryshëm, pëlqejnë gra e vajza me trupa të ndryshëm. Madje, i njëjti djalë pëlqen vajza me trupa të sojeve të ndryshme. Kjo nuk varet nga trupi që ka gruaja ose vajza, por nga shpirti dhe mendja që është brenda atij trupi.
Ju të gjitha keni dëgjuar se bukuria vjen nga brenda.
Një vajzë që nuk i pëlqen dhe dyshon për bukurinë e trupit të saj, le të qëndrojë para pasqyrës. E veshur, ose lakuriqe. Ta shikojë veten me admirim dhe të thotë: “Oh, jam e këndshme! Jam e vërtetë. Nuk jam një kukull”. Ta bëjë këtë sa herë që qëndron para pasqyrës. T’i thotë vetes dhe reflektimit të saj gjëra pozitive. Në fillim kjo mund të duket si shaka, por ndijimet pozitive për veten do ta infektojnë dhe ky infeksion do të shpërndahet edhe në njerëz të tjerë. Gjithmonë do të ketë burra që nuk do të lënë gjë pa bërë që ta arrijnë. Vajzat janë të lakmuara dhe të admiruara prej djemve.
Duhet të arrini mirëkuptim me trupin tuaj. Trupi dhe mendja ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Ajo që ndodh me mendjen, reflektohet tek trupi. Kur dëshpëroheni dhe preokupoheni shumë për pamjen, ky shqetësim nuk e lejon trupin të relaksohet dhe të përgjigjet seksualisht. Shumë gra, siç thamë, janë të shqetësuara se gjinjtë e tyre janë shumë të vegjël, ose shumë të mëdhenj. Disa të tjera, kur shkojnë në shtrat me partnerin, nuk ndjehen mirë. Ato mendojnë: “e kam trupin toptha-toptha me dhjamë”, ose “muskujt e mi janë të lëshuar”, ose “barku im është gjithë vijëza (strie)”.
Një vajzë adoleshente mbipeshë, e ruan këtë imazh të keq për trupin edhe kur rritet e dobësohet. Ato që vuajnë nga anoreksia nervore (një çrregullim i ngrënies që karakterizohet me rënie të theksuar në peshë), u duket vetja shumë më të shëndosha nga ç’janë në të vërtetë. Ato, dimensionet e trupit të tyre, gabimisht i perceptojnë më të mëdha nga realiteti.
Edhe obeziteti i vërtetë (kur je 20% mbi peshën, në raport me lartësinë dhe moshën), shkakton shumë probleme fizike, që e dëmtojnë jetën seksuale të personit.
Imagjinoni një burrë, ose një grua, barku i të cilëve, si përparëse, varet deri në mes të kofshëve. Burri e ndjen ereksionin, por nuk e sheh atë, nga që penisi i tij është varrosur në dhjamë. Atij i duhet një pozicion special për interkursë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një grua të dhjamosur. Obezët janë gjithmonë në ankth dhe frikë për marrëdhënien seksuale.
Njerëzit me mbipeshë e kanë të vështirë të gjejnë një partner seksual. Kjo është arsyeja pse njerëzit e dhjamosur e kompensojnë mungesën dhe paaftësinë seksuale duke ngrënë pa kufi.
“Vërtet, unë nuk kam njeri, por mua nuk më duhet askush. Të ngrënët është kënaqësi që më mjafton”, – thonë ata. Njerëzit e dhjamosur kanë dëshirë të madhe për seks, por ata janë të frikësuar, pa eksperiencë dhe të painformuar. Obeziteti ka shumë probleme seksuale. Tek burrat ereksioni arrihet me vështirësi. Gratë e kanë të pamundur të arrijnë orgazmën dhe interkurkursa është me dhimbje. Të dhjamosurit bëjnë seks gjithmonë në errësirë, të mbuluar dhe të veshur me rroba nate.
Të gjithë njerëzit kanë opinion të gabuar për mënyrën se si duhet të duket dhe të funksionojë trupi. Kjo i dëmton të gjithë në çdo ditë të jetës së tyre. Modelet “super të dobëta”, veçanërisht ato të veshjeve të brendshme, mbushin faqet e revistave. Tani të tilla revista ka pa numërim edhe tek ne. Gratë e reja dhe të moshuara përpiqen të dobësohen dhe të bëhen si ato. Kur dështojnë në këtë përpjekje të tyre, ato humbasin edhe interesin për seks. Ato insistojnë të fiket drita përpara se të zhvishen. Ato mundohen ta fshehin trupin e tyre jo perfekt në errësirën e natës. Fshehja e trupit nga partneri, e dëmton nivelin e intimitetit në një marrëdhënie. Kur e ndjen veten fizikisht jo tërheqëse, ti nuk relaksohesh, nuk ndjen të jesh vetja jote dhe kjo të pengon të bashkohesh në marrëdhënie seksuale me një person tjetër.
Sot, shumë gra kanë vlerësim dhe imazh negativ për gjenitalet e tyre. Ato shqetësohen shumë për hyrjen në vaginë, e cila nuk u duket e bukur. Ato bezdisen nga era e gjenitaleve të tyre. Ka shumë libra, kudo në botë, që tentojnë t’i kundërvihen “vetëvlerësimit gjenital” negativ. Shumica e tyre me fotografi dhe vizatime. Ato insistojnë t’u mbushin mendjen grave, për bukurinë dhe variacionet tërheqëse të gjenitaleve femërore.
Ndonëse më pak se gratë, edhe burrat ankohen për trupin e tyre. Ata shqetësohen për madhësinë e penisit. Ata janë të pakënaqur me madhësinë dhe shumë herë me dukjen e penisit të tyre. Që kjo është e vërtetë, na bindin statujat antike. Penisi në këto skulptura ka dimensione më të vogla se realiteti. Ato janë ngushëllim për ata burra, që mendojnë se e kanë organin e tyre të vogël, pavarësisht që mjeshtri ka dashur të zvogëlojë shëmtimin e organit.
Sot, në botë, është rritur shumë numri i grave që bëjnë operacione kozmetike, për të zbukuruar vulvat dhe për të zvogëluar vaginat e tyre. Operacionet plastike të vaginës janë bërë një biznes shumë i madh. Në këto operacione shkojnë shumë gra që mendojnë se i kanë të mëdha buzët e vaginës. Ka të tjera që shkojnë në operacione, sepse buzët e vaginës u varen dhe janë jo simetrike. Shumë të tjera operohen, sepse buzët e vogla dalin jashtë buzëve të mëdha.
Është gjithnjë në rritje edhe numri i djemve të rinj që kryejnë operacione për zvogëlimin e gjinjve, kur ata mendojnë se i kanë më të mëdha nga sa duhet (gjinekomastia).
Flitet shumë për operacionet që kryhen për të zgjatur dhe trashur penisin, përveç preparateve të shumta mjekësore që kanë dalë dhe që rekomandohen për këtë qëllim. Ndonëse këto operacione janë pa sukses, ose kanë sukses për pak kohë, këto janë bërë një biznes shumë fitimprurës.
Vlerësimi autokritik negativ për trupin, luan rol me rëndësi në prishjen e funksionimit seksual të bashkëshortëve, veçanërisht të gruas. Kur një grua nuk ndjehet mirë me veten, ose nuk ndjen se e ka veten nën kontroll, është shumë e vështirë t’i përgjigjet seksualisht partnerit. Kur ndjen se je e pafuqishme dhe e pavlerë, kjo të pengon të shkosh drejt seksit të mirë. Të arrish orgazmën në një marrëdhënie seksuale me një partner, është një akt shumë delikat, që mund të prishet me lehtësi. Gruaja nuk e arrin dot orgazmën kur nuk ndjehet e sigurt me veten dhe nuk bisedon dot lirshëm me partnerin për kërkesat e saj seksuale. Kur nuk ndjehet mirë me veten e saj dhe kur mendon se për këtë arsye nuk e meriton kënaqësinë seksuale, gruaja nuk kërkon nga burri që ai të bëjë për të, atë që asaj i duhet.
Përpjekjet që bëjnë shumë njerëz për t’u dukur mirë, ndonjëherë shkojnë deri në ekstrem. Nga kjo vuajnë jo vetëm gratë, por edhe shumë burra. Ata mbajnë, vazhdimisht, dietë, sepse u duket se janë të shëndoshë. Burra të tjerë marrin steroide për të bërë muskuj dhe të duken më të fortë, më të ngjeshur, më të mëdhenj dhe më “seksi”. Këto steroide mund të shkaktojnë tek djemtë impotencën seksuale, kancerin dhe deri vdekjen. Kur këto barna blihen ilegalisht në rrugë, mund të jenë të kombinuara edhe me lëndë të tjera të dëmshme. Përdoruesi e vë veten në rrezik, vetëm për t’u dukur.
Edhe problemet e lëkurës, siç janë aknet, celulitet, strijet e të tjera, kur bëhen problem dhe e prishin imazhin trupor të personit, ato dëmtojnë edhe seksualitetin e tij.
Kur dy partnerë pajtohen me trupat e tyre ashtu siç i kanë, ata do të ndjehen seksualisht mirë, pavarësisht se si duken. Duke e pranuar veten ashtu siç jeni sot, ashtu do të jeni edhe pas shumë vitesh. Duhet kuptuar mirë, se është bota e brendshme dhe ndjenja e humorit që vlen më shumë nga pamja e jashtme.
Bukuria dhe vetëbesimi seksual rriten nga brenda.
Shekulli


Leave a Reply