Shkruan – Eugen SHEHU
Ka qenë sigurisht tepër e dhimbshme për shqiptarët,që ndërsa grinin në Vlorë flamurin e pavarsisë, dy të tretat pjesë të trupit të tyre,i kishin të okupuara prej fqinjëve lakmiqarë.Malazezët mbanin të rrethuar Shkodrën dhe Lezhën,serbët kishin mësyer deri në Mat,ndërsa grekët bënin luftime për të marrë Pogradecin.Kufijtë e Shqipërisë,ishin vënë në diskutim në tryezat e Fuqive të Mëdha të cilat natyrisht duhej të vendosnin fatin e shqiptarëve. Drama,natyrisht kish nisur të luhej edhe në trevat shqiptare,në Maqedoninë Perëndimore.Kështu në Shkup,shqiptarët filluan të shiheshin me sy tjetër prej serbëve,bullgarëve dhe maqedonasve.Ata përndiqeshin në çdo hap me pretekstet nga më të ndryshmet.U mbyllën ato mësonjtore shqipe të çelura në vitet 1908-1909 si edhe u ndalua me ligj të veçantë formimi i klubeve kulturore. Edhe më e thekshme,ishte kjo dramë në Zajaz të Kërçovës. Beogradi,dërgoi në fillim të vitit 1913,në Zajaz ushtarakun Danillo Belimarkoviç i cili ishte i njohur për krimet e tij ndaj popullsisë së pafajshme.Disa javë luftimesh të zhvilluara prej forcate të tij dhe burrave të Zajazit,treguan se qëndresa shqiptare ishte tepër e vështirë për t’u zhdukur.Fillimisht vullnetarët që mbushnin radhët e çetave shqiptare ishin krejt të paarmatosur,më pas,duke u përleshur trup me trup me forcat e Belimarkoviçit,ata u armatosën më së miri.Nuk mund të gjendet,mendoj,një krahinë e tillë,kur mjaftonte një kushtrim dhe në çast të mblidheshin nga fëmija 15 vjeç e deri tek plaku 70 vjeç gati për të luftuar.
Luftimet në Zajaz,zgjatën plot dy muaj dhe në tërheqjen e sipër,Belimarkoviç kërkoi nga Beogradi përforcime të reja.Ata duke mos vonuar mbrenda disa ditëve,filloi hakmarja serbe e cila ishte e tillë sa që nuk u kursyen as fëmijët e djepit.Mjaftë banorë të kësaj treve,lanë shtëpitë dhe iu drejtuan pyjeve për t’u shpëtuar mizorive barbare.Sikur të mos mjaftonin gjithë këto,shtypi serb shkruante se shqiptarët janë popull i egër,që nuk e meritojnë paqën.Një arsye më tepër që e dëshmon dhunën psikologjike dhe fizike të serbëve ndaj banorëve të këtyre trevave,është dhe ndarja administrative e Zajazit,Kërçovës dhe Gostivarit,në vitin 1913.Ky copëzim synonte në radhë të parë,sundimin me dorë të hekurt të aparatit policor serb,e mandej rritjen e vështirësive artificiale për bashkim të shqiptarëve.Njëherazi,duke i ndarë administrativisht këto treva,forcat serbe të milicisë,do të kishin më të lehtë depërtimin e tyre.Këtu nuk duhet haruar se në mjaft raste,dhuna dhe genocidi serb,i ushtruar në trevat shqiptare të Maqedonisë Perëndimore,u shoqëruan me propagandën bajate se shqiptarët janë të lidhur me turqit e rinj,prej fesë dhe kërkojnë rrëzimin e qeverisë sonë.Kjo propagandë,anipse ishte tepër dritëshkurtër,mundete të krijonte një farë mjerrgulle në kancelaritë e ndryshme evropiane për më tepër kur Shqipëria shteti amë,ndodhej përballë rreziqeve aq të mëdha për vetë egzistencën e saj.Por pati edhe atdhetarë,që nisur nga kjo propagandë false zbuluan të vërteta të mëdha.Ata e shprehën hapur mendimin e tyre duke kumtuar se shqiptarët kurrsesi s’mund t’i hedhe në luftë,feja,por instikti i mbrendshëm i lirisë.I madhi Mid’hat Frashëri,do të spjegonte mjaftë mirë këtë në shtypin e atyre viteve kur shkruante : “Prej kohësh,Serbia ka qenë një demon në kurriz të Shqipërisë,duke zhvilluar një veprimtari të gjërë,me vepra dhe me fjalë për ta destabilizuar Shqipërinë,për të mbajtur gjallë turbullirat të përhershme,sidomos në zonën e Dibrës,duke aktivizuar hapur,më parë,agjentë xhonturq,njerëz të besuar të bandës së zezë të Konstandinopolit.Nëse serbia flet tani për intriga të xhonturqve,nuk duhet harruar se është ajo që ka mbështetur dhe përhapur këtë propagandë… Pra shihet qartë se Serbia në këto çaste,po ndjek një program të hartuar qysh prej dy vjet e gjysëm.Ky dhunim i asnjëansie shqiptare,a do të tolerohet vallë nga Fuqitë e Mëdha garante të kësaj asnjëansie të vendosur në konferencën e Londrës ? “.(Lumo Skendo,”L’Independonce Alabanaise “ 1 korrik 1915 ).
Pushteti serb,në kuadër të masave represive ndaj popullsisë së pafajshme të këtyre trevave,nxori edhe ligjin kundër kaçakëve.Sipas këtij ligji,kush prej banorëve i largohej autoriteteve serbe,apo nuk i përgjigjej thirjes së tyre,shpallej kaçak e mbi te, e krejt familja e tij rëndonin njëmijë e një mënxyra.madje në këtë ligj parashihej që i digjej shtëpia edhe atij që strehon kaçakët.Ata u përpoqën gjithashtu,që në shtypjen e ushtruar të afronin edhe parinë shqiptare të këtyre trevave,me qëllim që të mbulonin krimet makabër.Dhe kur kjo manovër u dështoi,autoritetet policore arritën deri në zhdukljen fizike të tyre siç dëften rast i Mulla Muratit prej Zajazit.Këto krime te herpashershme,jo vetëm që nuk i trembën banorët e këtyre trevave por përkundrazi ndezën akoma më shumë revoltën popullore.Janë të njohura në këto vite,revoltat popullore ku u ngritën me armë në duar mijëra burra në Gostivar,Kërçovë,Strugë e deri në Mat.Përndryshe,nga historianët serb,këto luftime u quajtën edhe Lufta e Tretët Ballkanike.
Vjeshta e vitit 1915,do të sillte të tjera ngjarje në trevat shqiptare të Maqedonisë Perëndimore.Dihet tashmë se Bullgaria po bënte pazare të mëdha me Fuqitë e Boshtit dhe këto nga ana e tyre i premtuan në fshehtësi për zgjerim të territoreve.Ky pazar nuk do të shkonte dot lehtë,ngase ngjarjet në Ballkan rridhnin me një shpejtësi të habitshme.Të lodhur prej luftërave,të pushtuar prej flakëve,të vrafër e pa shpresa shqiptarët mezi mbijetonin në kaosin e brendshëm politik.Pa e kuptuar as vetë,ata endeshin midis shpresave dhe zhgënjimeve të mëdha. Me disa penelata të shpejta,Eidt Durham, e ka paracaktuar mjaftë mirë gjendjen tonë në vitet 1915-1916 kur thotë : “Kur presidenti Uillson i deklaroi botës se ishte për vetqeverisjen dhe për të drejtën e kombeve të vegjël,shpresat u ringjellën sërish.Njerëzit menduan se tani,të gjitha traktatet e fshehta do të hidheshin në shportë dhe do të bëhej një paqë e madhe e popujve.Por as që u bë një gjë e tillë,deri në pragun e konferencës së Paqës kur Franca e tregoi hapur armiqsinë e saj,duke u përpjekur se mos lejonte përfaqsimin e Shqipërisë në këte Konferencë.Shqiptarët u ngritën në këmbë.Më në fund u pranua edhe një delegacion shqiptar i cili mori vesh vetëm një gjë : që Traktati i Fshehtë i vitit 1915,mbetej në fuqi dhe se Fuqitë e Mëdha të cilat predikonin drejtsinë dhe mosshkeljen e trakteve,tani dëshironin ta coptonin Shqipërinë,midis armiqve më të tërbuar të saj”.(Edit Durham,”Brenga e Ballkanit” dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe Shqiptarët” faqe 425).
Kështu në vjeshtën e vitit 1915,trevat shqiptare të Maqedonisë Perëndimore,veçmas Tetova,Gostivari e Kërçova,do të shëndroheshin në teatër të veprimeve luftarake midis serbëve dhe bullgarëve.Për më shumë se dy muaj nëntor-dhjetor 1915,midis forcave serbe e bullgare por edhe mes një batalioni shqiptarësh,u zhvilluan luftime mjaftë të rrepta.Formacionet e rregullta ushtarake iu nënshtruan betejave klasike ku pos të tjerave shkretohej akoma më shumë toka arbërore. E vërteta është se ndërsa bullgarët pushtonin Kërçovën,Gostivarin,Strugën dhe Ohrin,ishin serbët ata që duke u larguar plaçkisnin e vreisnin çdo shqiptar që gjenin rrugës.Po t’u shtojmë këtyre fakteve,disa rekrutime radhazi të shqiptarëve në ushtrinë serbe,bindemi për ate shkallë të mbrame tragjedie në të cilën ishte mbërthyer fati i banorëve të këtyre trevave që rronin prej shekujsh në tokat e tyre autoktone. Ndërkaq zhvilloheshin luftime të ashpra edhe në Kaçanik e Tetovë,ku kryengritësit shqiptarë,të terrorizuar në kulm nuk munguan të rrëmbenin edhe sopatat vetëm e vetëm të luftonin kundra mizorive serbe.Në raportin e komandantit të garnizonit ushtarak të Tetovës,më 28 tetor 1915,ngjarjet lidhur me luftën që zhvillonin kryengritësit shqiptarë shpjegohen kështu ;
a)- Në drejtim Shkup-Tetovë zhvilloheshin luftime me kryengritësit shqiptarë të fshatit Grupçin.
b)- Në drejtim Kaçanik- Tetovë,kryengritësit shqiptarë kishin ndërprerë lidhjen dhe që nga 26 tetori kërcënonin Tetovën.
c)- Drejtimi Prizëren-Tetovë ishte i ndërprerë nga kryengritësit shqiptarë të fshatit Veshalle dhe të fshatrave të tjera përreth.
d)- Në drejtim Gostivar – Tetovë,në perëndim të rrugës ku vepronin kryengritësit shqiptarë,të gjitha fshatrat ishin rrënuar.(M.Purlleku,”Maqedonia Perëndimore gjatë viteve 1915-1918”).
Veçanërisht të rrepta,kanë qenë luftimet e kryengritësve shqiptarë,tek Ura e Vardarit,në fshatin Kalishte.Duke përbërë një objekt tepër strategjik,kryengritësit popullorë treguan kujdes të madh ndaj urës,ku edhe patën sukses në betejë.E vërteta është se forcat serbe,u detyruan të tërhiqen duke lënë mjaftë të vrarë e duke kërkuar përfoprcime të reja.Luftime të ashpra midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave serbe,u zhvilluan në muajin nëntor edhe në fshatrat midis Tetovës e Gostivarit.Anipse të paarmatosur siç duhet,banorët e këtyre fshatrave (madje edhe gratë luanesha) mundën të rrethojnë një repart të tërë të ushtrisë serbe duke i sjellë atij humbje mjaft të mëdha.
Sidoqoftë tërheqja e ushtrisë serbe prej viseve shqiptare,në mabarim të vitit 1915 dhe fillim të vitit 1916,nuk mund të përbënte një përgjumje për shqiptarët.Edhe pse në mërgim,gjatë këtyre viteve,qeveria serbe vazhdonte të propagandonte me zell të papërbajtur Deklaratën e Nishit të vitit 1914 lidhur me “Stara Serbinë”.Sipas kësaj deklarate,pas mbarimit të luftës botërore,qeveria serbe do të bënte ç’ish e mundur për të hyrë sa ma thellë në kufijtë e shtetit shqiptar të dalë prej Konferencës së Londrës.Parë në këtë aspekt,edhe pse nën një okupacion të ri,shqiptarët e trevave të Maqedonisë Perëndimore,kurrë nuk do t’i reshtonin luftërat ndaj fqinjëve-ujq.Një tabllo edhe më e zymtë vizatohet në këto treva gjatë okupacionit bullgar.Duke njohur nga afër karakterin shqiptar,duke ditur shpirtin kryengritës të tyre,komandat ushtarake bullgare që në fillim,bënë përpjekje për çarmatimin e popullsisë.Ata suallën në krye të pushtetit vendor,nëpunës apo milicë nga Bullgaria,gjithashtu nuk mbetën pa ngritur në përgjegjsi as bullgarofilët që jetonin në këto treva.Ligjin për dorëzimin e armëve,okupatorët bullgar e përdorën jo rrallë edhe si shkak për të ndërmarrë reprezalje ndaj popullsisë së pambrojtur.
Ajo çka do të shtonte tragjedinë e shqiptarëve,që rronin në trojet e tyre,në Maqedoninë Perëndimore,është sidomos rrëmbimi i krejt pasurisë së tyre prej ushtrisë bullgare.Ky rrëmbim kryhej rregullisht dhe për këtë,askush prej shqiptarëve nuk kish ku të ankohej,ngase në çdo zyre kish vetëm nënpunës e milicë bullgarë.U vendos puna e detyruar 10 vjeç e lartë për fëmijë,gra e pleq e në rast mos pranimi masat ishin dragoniane.Ngase bastiseshin shtëpitë në mes të ditës,ngase rrëmbehej prej megjeve kilja e fundit e drithit,ngase bagëtit shkoheshin në thikë prej autoriteteve ushtarake,gjendja ekonomike e banorëve të këtyre trevave arriti në kufijtë e tragjikës.Vetë K.Bitovski shkruan në librin e tij se : Në vitin 1917,në Gostivar kishte 336 familje me rreth 2000 veta,të cilët rrezikoheshin të vdisnin nga uria”.
Tabllos së rëndë sociale,iu shtua në këto vite edhe ligji i autoriteteve bullgare mbi rekrutimin, ç’prej 16-35 vjeç,meshkujt shqiptarë duhet të mobilizoheshin në ushtrinë e rregullt bullgare për t’u përdorur në të pastajmen si mish për top nga komandat ushtarake.Ky ligj shkaktoi revolta mjaftë të mëdha ngase u kuptua që fjala ishte për zhdukje graduale të rracës shqiptare,prej trevave të tyre autoktone.Në mjaft raste,burrat u larguan prej shtëpive të tyre duke iu nënshtruar jetës së rëndë të kaçakut.Të tjerët që kishin mundësi,shkëputeshin me krejt familje duke shkuar në shtetin amë, duke lënë kështu vatrën atërore.E rëndësishme është të mos harrohet se që në fillimet e Luftës së Parë Botërore,në këto treva pat vepruar edhe Femi Bej Zavallani.Pjesmarës në dy Kongreset e Manastirit
Drejtues i komitetit për shpëtimin e Shqipërisë në këtë qytet,ky burrë me vizion të gjërë,krijoi në vitin 1915 “Komitetin për veprimtari patriotike”.Edhe në vitet që pasun,veprimtaria e këtij komiteti nuk u shua.Përkundrazi,degët e tij,u formuan prej atdhetarëve të tjerë,në Tetovë,Kërçovë,Gostivar dhe Strugë.Një prej detyrave të këtij komiteti,ishte që edhe pse në kushtet e terrorit dhe dhunës së egër serbo-bullgare,nëpër vatrat shqiptare të mësohej gjuha shqipe.Nuk mund të dyshohet aspak,se nëse gjuha jonë u shpëtoi rrebesheve aq të fuqishme,kjo flet pos të tjerave për tejpamësinë dhe guximin e atdhetarëve tanë.Gjithashtu duhet potencuar se komitetet për veprimtari patriotike luajtën rol të pazavendësueshëm lidhur me mbajtjen ndezur të vetëdijes sonë kombëtare.Në mjaft raste,pjestarë aktivë të këtyre komiteteve,bënë ç’ishte e mundur që shqiptarët të mos largoheshin prej votrave të tyre,edhe në kushtet e terrorit aq të egër.Largimi i tyre do të sillte kob e zi më të madh,është kurdoherë humbja e atdheut.Në pranverën e vitit 1917,në trevat shqiptare të Maqedonisë Perëndimore,shihet një bashkëpunim midis çetave atdhetare të Kalosh Zajazit dhe Isuf Elezit.Ndërsa i pari ishte i njohur në krejt zonën si burrë trim e i besës,i dyti,lindur e rritur në Sllovë të Dibrës,prej kohësh ishte kthyer në tmerr për ushtrinë serbe.Elez Isufi,ose gjenerali me shajak,siç i thoshnin që në fillim të shekullit pat pritur hasmin me grykë të pushkës dhe krejt ç’ka pasurie kish,ja pat falur pikërisht pavarsisë së atdheut të vet. Një bashkëveprim midis dy trimave legjendarë,do t’i trembte sigurisht autoritetet bullgare të pushtimit.Mandej lartë e poshtë,në Dibër,do të përhapeshin fjalë se ata dy burra luftojnë për flori,po kur çetat e tyre godisnin formacionet bullgare e kryengritja ishte në shpërthim,të gjithë e kuptuan se këta dy burra,bartnin në supe veç hallet e Shqipërisë. Organizimi i kryengritjes në Dibër e viset shqiptare të Maqedonisë Perëndimore,kaloi nëpër dy faza dominante.
E para ishte përpjekja për armatosjen e burrave të këtyre trevave,ngase luftërat e njëpasnjëshme dhe masat administrative serbo-bullgare kishin bërë që shqiptarët të gjendeshin gati të gjithë pa armë.Me intuitën dhe zgjuarsinë prej strategu ushtarak,Elez Isufi,gjatë muajve mars-gusht 1917,ndërmori disa aksione të shpejta e të befasishme,duke ju shmangur luftës frontale me bullgarët.Qëllimi i këtyre aksioneve të vogla,ku kishte edhe material luftarak të bollshëm.E ngjashme në këtë taktikë,ka qenë edhe përpjekja e Kalosh Zajazit në këto kohë,sidomos në zonën e Kërçovës.Anipse repartet bullgare të ndjekjes,i ranë disa herë në gjurmë këtij trimi,ato askurë s’mund ta kapnin falë trimërisë së Kaloshit por edhe dashurisë së madhe me të cilën e ruanin shqiptarët e këtyre trevave.
Faza e dytë dhe më e rëndësishmja e kësaj kryengritjeje,është padyshim,ajo e zhvillimit të luftimeve në teritore të gjëra shqiptare.Këto luftime nisën në nëntorin e vitit 1917 për të vazhduar deri në shkurtin e vitit 1918.Në kushtet e dimërit të egër,kryngritësit popullorë,treguan trimëri të pashoqë duke thyer disa herë formacione të mëdha luftarake bullgare.Të dy prijësat gjenialë,Elez Isufi dhe Kalosh Zajazi,drejtuar me sukses formacionet luftarake të tyre,duke u treguar jo vetëm serbo-bullgarëve,por krejt Evropës se shqiptarët nuk do të rreshtin kurrë së luftuari kur është fjala për trojet etnike të tyre.
Është e kuptueshme që,tërheqja e ushtrisë bullgare prej trevave të Maqedonisë Perëndimore,ka patur arsye të tjera,të lidhura me koniukturat politike të kohës.Mbarimi i Luftës Botërore do të sillte rrjedha të reja ngjarjesh e aleanca të reja.Por kjo s’do të humbase asesi vlerat e betejave që zhvilluan Elez Isufi dhe Kalosh Zajazi në Dibër,Strugë,Tetovë,Kërçovë e Gostivar.Historiografia shqiptare,u ka borxh këtyre dy prijësave,veçanërisht propagandimin e këtyre luftërave në kohë aq të vështira.Me largimin e trupave bullgare nga këto treva,u ndie sërish cikloni serb për t’u përplasur në kufijtë shqiptar.Këtë situatë e parandjenë atdhetarët shqiptarë të cilët vrapuan me pushkë në duar për të rifituar lirinë aq shumë të ëndëruar.”Përveç të tjerave,në Tetovë e Gostivar,menjëherë pas largimit të ushtrisë bullgare,u ngrit flamuri shqiptar,nga njerëzit autoritativ të kësaj ane,të prirë nga Halim Bej Deralla në Tetovë dhe Qamil Beu në Gostivar”. ( Dr.R.Nexhipi “shtypja dhe rezistenca shqiptare në Maqedoni,nëpër shekuj faqe 42 ).
Në ditët e para të kësaj lirie të ëndruar,banorët shqiptarë të këtyre trevave,nisën të rikonstruktojnë shpresën e tyre të gjakosur.Për të parën herë,pas tërë atyre viteve të kalvareve, tetovasit, kërçovasit,gostivarasit,panë flamurin e tyre kuqezi të nderet mbi krye.Pas tërë atyre viteve të mundimshme,ndjenë aromën e këndshme të lirisë.Pati plotë nga shqiptarët e këtyre trevave që kishin mërguar.Ata u kthyen me shpresën e madhe për të mos lënë që vatrën ta mbulojë hiri i harrimit.Por tepër e shkurtër do të ishte kjo jetë e lirisë.Në fund të shtatorit të vitit 1918,duke u larguar prej territoreve shqiptare,Bullgaria nënshkruante në Selanik të Greqisë armëpushimin me Antantën.Ky akt jepte dorë të lirë Serbisë,për t’u derdhur në viset shqiptare të Maqedonisë Perëndimore,ashtu siç derdhej një lukuni ujqish mbi një krijesë të gjorë,të pambrojtur.Vrasjet e dhunimet,dëbimet në masë të shqiptarëve prej tokave të tyre,ishte skenari më i zakonshëm pas mbarimit të luftës së Parë Botërore.(A thua vërtet kishte mbaruar ajo luftë ?).
Dhe sikurdoherë,atje ku ka shtypje,ka edhe revoltë,ka edhe shpërthim të vetëvedijshëm.Ndërsa në tetorin e vitit 1918,serbët pushtonin këto territore shqiptare,ishin Zajazi,Elezi,Curri,Galica e Budakova,që lëshonin kushtrimin.Pas tyre,me mijëra trima,merrnin armët,bashkonin gjokset,ngase e ndjenin së thelli se liria vjen vetëm me grykë të tyre.Ky mësim ka shërbyer e sh¨rbën ende sot,si lejtmotiv i konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve.Kryengritjet masive të viteve 1918-1920, ishin prelud i ngjarjeve kulmore të mëpasme.
Bern-Zvicër
http://www.kohanews.com/?p=35083


Leave a Reply