Ilirian Agolli – Mijëra besimtarë të krishterë shqiptarë festuan sot Pashkën ortodokse, një nga ditët më të rëndësishme të fesë së tyre fetar, që shënon ringjalljen e Krishtit dhe të besimit kristian, mesazhi kryesor i të cilës është shpresa dhe besimi.
Besimtarët ortodoksë uruan njëri tjetrin për më shumë lumturi, fat të mbarë, mirëqenie, begati e harmoni.
Ata ndoqën në mesnatë meshën e shenjtë të Pashkës, ku drejtuesit e kishës udhëhoqën ceremonialin dhe dhanë mesazhet e festës dhe domethënien e saj për ditët e sotme.
Oratorët fetarë pohuan se kjo festë e ringjalljes së Krishtit dhe besimit fetar shërben për të reflektuar dhe për të përsosur vetveten, familjen, miqtë dhe fqinjët, që kanë nevojë për solidaritet njerëzor.
Ata shprehën besimin se për çdo shqiptar e nesermja do të jetë më e mirë, me një ekonomi më të fortë, ku të mbrohen pafuqishmit, të varfërit, femijët dhe të sëmurët.
Urime për pashkët besimtarët ortodoksë i morën nga bashkëqytetarë të besimeve të tjera dhe zyrtarët më të lartë të shtetit.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, pohoi në urimet e tij se Festa e Pashkëve është dita e madhërishme e ringjalljes së Krishtit, dita e ripërtëritjes së besimit tek ai.
Urime për Pashkën ortodokse publikuan edhe përfaqësues të qeverisë dhe të politikës, duke vlerësuar po ashtu traditën e bashkëjetesës e harmonisë fetare të shqiptarëve.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply