Organizata Freedom House me seli në Shtetet e Bashkuara vlerëson se Shqipëria dhe Kosova janë në mesin e vendeve me liri të pjesshme të medies.
Në raportin e kësaj organizate të publikuar të mërkurën, Kosova radhitet në vendin e 96-të me 49 pikë, ndërsa Shqipëria është në vendin e 106-të në botë me 51 pikë në raportin ku shkalla zero është rezultati më pozitiv, ndërsa ajo 100, rezultati më i keq.
Ajo radhitet prapa Malit të Zi, Serbisë, Kosovës e Bosnje e Hercegovinës dhe nga vendet e rajonit vetëm Maqedonia mbetet prapa Shqipërisë.
Një vit më parë Shqipëria dhe Kosova së bashku ishin radhitur në vendin e 98-të.
Në mesin e vendeve të Evropës juglindore, Mali i Zi zë vendin e 80-të, ndërsa Serbia vendin e 87-të. Më keq janë radhitur Bosnja në vendin e 104-të dhe Maqedonia në vendin e 136-të.
Maqedonia bashkë me Turqinë radhiten të fundit në Evropë, përkatësisht në mesin e vendeve jo të lira.
Në raport thuhet se dhuna dhe kriza e migruesve kanë mbizotëruar lajmet në Evropë në vitin 2015, por po ashtu kanë ndikuar mbulimin e tyre. Ndonëse jo në mënyrë dramatike sikurse vrasjet në Charlie Hebdo, sulmet kundër gazetarëve në Ballkanin Perëndimorë kanë ndikuar në rënien e lirisë së medias.
Në Serbi, shumë gazetarë kanë pësuar sulme fizike gjë që ka ndikuar në shtimin e vetëcensurës gjithandej sektorit të medias. Serbia ka shënuar rënie ne radhitjen e saj për shkak të retorikës armiqësore të qeverisë së (Aleksandër) Vuçiçit kundrejt gazetarëve hulumtues, censurës dhe zvogëlimit të mundësive për raportim kritik e të pavarur.
Në raport thuhet se sulmet dhe kërcënimet me vdekje në Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë, kanë shtuar shqetësimet bashkë me rastet e shumta të dhunës kundër gazetarëve që hetonin korrupsionin qeveritar. Organizata thekson se mbetet çështje e diskutueshme nëse qeveritë e këtyre vendeve janë të sinqerta në përkushtimin e tyre të deklaruar në favor të normave evropiane për median e lirë e të pavarur.
Maqedonia ka shënuar rënie edhe për shkak të zbulimit të përgjimeve të paligjshme e në shkallë të gjerë të qeverisë ndaj gazetarëve, lidhjeve korruptive ndërmjet zyrtarëve dhe pronarëve të medias dhe shtimit të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj punonjësve të medias.
Organizata vlerëson se liria botërore e medias gjatë vitit 2015 ka rënë në pikën më të ultë në 12 vitet e fundit, derisa forcat politike, kriminale e terroriste kërkojnë të kontrollojnë ose të heshtin mediat në përpjekjet e tyre për më shumë pushtet.
Vetëm 14 për qind e njerëzve jetojnë në shoqëri me media të lira.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply