![]()
Duam të kemi gjithçka në një verandë, hapësirën për t’u ulur dhe biseduar; një moment për të ngrënë një darkë, apo servirur një mëngjes të mrekullueshëm….
Po të hedhim një sy larg në historinë e lashtë të njerëzimit kujtojmë kopshtet e varura të Babilonisë, të konsideruara si një nga shtatë mrekullitë e botës antike.
Sigurisht që koncepti i tyre atëherë ishte romantik, sot është nevojë urbane.
Benefiti më i madh për ne sot, është pasurimi me gjelbërim i mjedisit metropolitan. Gjelbërimi prodhon oksigjen të pastër dhe të freskët. Në shumë vende të botës, planifikimi i gjelbërimit dhe sistemimit të tarracave të pallateve apo shtëpive private është kthyer tashmë me shpejtësi në një fenomen global.
Pionierët e kësaj teorie janë duke transformuar çdo hapësirë të tarracave, duke krijuar “oaze” në lartësi dhe duke shfrytëzuar çdo hapësirë për mbjelljen e pemëve dhe gjelbërimit.
E gjithë paranteza e mësipërme, nuk shërben thjesht si një njohje e asaj çka bën bota sot, por si një prezantim i asaj çka duhet të bëjmë dhe ne.
Ne si individë dhe qytetarë, si mund ta oksigjenojmë qytetin për një frymëmarrje më të thellë. Si mund të bëhemi ne vetë inspirimi, dhe ta kthejmë gjithë këtë në një fenomen tashmë edhe shqiptar.
Përgjigja, siç do ta keni marrë me mend, është: – Duke filluar nga njësia jonë e banimit.
Unë do të propozoja më tepër lule me ngjyra në apartament në vazo dekoruese, por jo shumë në ballkon, verandë apo tarracë. Vizualisht kënaqësia duke i shijuar është e përkohshme, pasi janë lule stinore. Lulëzimi dhe densiteti i gjetheve të tyre ne varësi të stinës ndryshon dhe reduktohet. Duhet të jemi përzgjedhës në atë bimësi e cila nuk rrëzon gjethet në asnjë stinë.
Ja cfarë duhet të dini…
Në këtë rast do të mund të shijojmë një gjelbërim të përhershëm.
Esencën e qytetit dua ta lë mbrapa, dhe në verandë dua të shoh pemë, duke filluar që nga ulliri, një pemë përjetësisht vitale, açeri tekanjoz ndaj diellit, por që ta ka ënda duke e parë se si ndryshon tre herë gjatë vitit ngjyrat e luleve dhe fletëve, duke na dhuruar një kontrast dhe harmoni gjithmonë ndryshe. Njësoj si dafinat, nandinat, bushi dhe bambuja, deri tek pemët frutore dhe dekorative, si limoni, portokalli, mandarina dhe shega. Por është e rëndësishme për të pasuruar peizazhin që na ofrohet në verandë, do të na duhet dhe gjelbërimi në shkurre me ngjyra dhe lule aromatike.
Kjo na ndihmon vizualisht për të zbutur linjat por edhe për të sjellë aty xhunglën apo kopshtet tropikale dhe ekzotike.
Kurrsesi s’mund të mungojnë kurorat e jaseminit të lartësuar apo të varur, bukovilet kacavjerrëse, livandoja dhe trëndafilat apo tulipanët.
Në krijimin e një kopshti në shtëpi çdo hapësirë është e rëndësishme dhe jetike. Zgjedhja e madhësive të bimëve apo lloji i tyre duhet të jetë në harmoni me hapësirën funksionale.
Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në përpjesëtimin e hapësirës pozitive dhe negative, ku diferencohet hapësira e zënë, e okupuar dhe ajo e lirë.
Në projektimin e një verande aplikohen të njëjtat rregulla që aplikohen dhe në hapësirën interne në shtëpi.
Një ngjyrim me bojë sado e pjesshme, në një faqe muri apo kornizim druri, mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në kopsht.
Përdorimi i një të bardhe të ndritshme, për një hapësirë të errët apo të vogël na ndihmon që hapësira të lehtësohet dhe të duket më e madhe. Kombinimi i ngjyrave në rifinitura, veshje me pllaka, kornizime druri dhe tenda duhet të jetë e përzgjedhur.
Na duhet të krijojmë një “look” modern.
Dekorimi duhet të jetë eklektik, fryt i një imagjinate dhe stili të përzgjedhur.
Duke iu referuar linjave horizontale në nivelin e dyshemesë mund të punojmë me disnivel në rastet e verandave me sipërfaqe të mëdha. Me këtë lojë nivelesh, arrijmë të ndajmë vizualisht funksionet.
Duam të kemi gjithçka në një verandë, hapësirën për t’u ulur dhe biseduar; një moment për të ngrënë një darkë, apo servirur një mëngjes të mrekullueshëm, hapësirë magazinimi, apo hapësirën teknike, një moment shplodhës qoftë dhe me një vijë uji qarkuese…apo një moment krejt të lirë për të shijuar pamjen që ofrohet nga lart.
Disnivelet dhe loja e gjelbërimit dhe dekorimit mund të zhvillohen dhe në lartësi, me ndihmën e strukturave të lehtësuara në dru dhe rrjetave me punime në hekur.
Mund të lahet një faqe e tërë murale me gjelbërim kacavjerrës e të varur, apo mund të propozojmë dhe variante të arredimit në parete murale, të vazove të vazhduara të inkasuara konsol.
Materialet mund të vijnë nga klasikja apo nga linjat moderne.
Pllakat qeramike apo gres porcelanat, trarët e drurit që shtrojnë dyshemetë…sipërfaqje të shtruara me guralece mermeri apo zall të bardhë, dhe të kombinuara me bambu të lartësuara, sipërfaqje ujore dhe basene artificiale nga ku mund të ndiejmë tingujt e ujit, duke na sjellë dhe një moment freskie dhe shplodhjeje.
Sipërfaqet e jashtme të hapura, (ballkonet apo verandat) asnjëherë nuk duhet të dizenjohen si një mendim që vjen në fund dhe ka kohë për të, por në të njëjtin ritëm konceptual të interierit të apartamentit.
Kjo për dy arsye:
E para: Çdo hapësirë nën pronësinë tonë apo në përdorimin tonë, duhet të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë organike. Nëse je ulur brenda në sallon dhe hedh vështrimin jashtë, nuk duhet të të përshkoj ndjenja që ajo çka ndodh brenda ndërpritet në mënyrë të beftë aty dhe po aty fillon një formë dhe koncept i ri.
Ajo çka ndodh brenda në konceptin arkitektonik duhet të përcillet jashtë, dhe anasjelltas. Të gjithëve ne na duhet një sens unifikimi.
E dyta: Pasi kemi përzgjedhur ende në fazë projekti, konceptin arkitektonik dhe skemën funksionale të kopshtit (do të të doja ta quaja…kopsht në apartament), duhet menjëherë të konsiderojmë arterieret e padukshme, ndryshe, skemat e instalimeve, duke filluar që nga ato elektrike dhe hidraulike, sistemet e ujitjes, sistemet e automatizuara të sigurisë, apo grilave e tendave, dhe deri te sistemet audio.
Duhet të nënvizoj faktin, që asnjëherë nuk duhen anashkaluar hidroizolimi, i cili në rastet e verandave – kopsht, duhet të ndiqet nga teknikë të specializuar.
Duke u shkëputur pak tani nga pjesa teknike por shumë e rëndësishme, do të doja të ndalesha pak te drita natyrale.
Studioni si është e orientuar veranda, si lëviz dielli gjatë ditës, muajit dhe vitit, çfarë efektesh krijon drita natyrale ditën dhe natën. Kjo do të na ndihmojë për të kuptuar se në çfarë ore të ditës, “kopshti ynë” do të jetë më i përdorshëm dhe akomodues.
Në çfarë momenti planifikoni të hani mëngjesin, apo është më komode të përdoret në orët e mbrëmjes. Mendoj që efekti i ndriçimit natyral, por dhe i ekspozimit kundrejt diellit është bërthama e të konceptuarit të projektit, nëse duam të arrijmë maksimumin e komoditetit.
Marrë nga revista LIVING
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply