Agim Vinca
Në 35-vjetorin e demonstratave të vitit 1981 (2)
Demonstratat e vitit 1981 e ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës dhe e bënë atë pjesë të agjendës së diplomacisë perëndimore, edhe nëse nuk gëzuan përkrahje eksplicite. Vëmendjen e opinionit botëror e tërhoqi posaçërisht parulla “Kosova Republikë”, që ishte edhe kërkesa kryesore e demonstratave.
Kjo kërkesë, historikisht e drejtë dhe politikisht reale, i pat mbështetur me shpinë për muri autoritetet jugosllave. Nuk gjenin asnjë argument valid logjik, as shkencor, as historik, as politik, as juridik, as demografik e as tjetërfare që ta kundërshtonin kërkesën “Kosova Republikë”; krejt çka bënin s’ishte veçse propagandë dhe politikë e keqe ditore.
Shkohej deri aty, madje, sa thuhej se Republika ishte kundër interesave të vetë shqiptarëve dhe të Kosovës si “njësi e barabartë e federatës” dhe në vend që kjo kërkesë të shtrohej seriozisht në tryezën e bisedimeve, kërkohej ngushtimi i të drejtave të shqiptarëve dhe heqja e autonomisë së ’74-s, gjë që edhe ndodhi, me forcë, në mars të vitit 1989.
Demonstratat e vitit 1981, pavarësisht nga ikonografia marksiste-leniniste, kishin karakter në radhë të parë kombëtar. Ato ishin shprehje e aspiratave të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi për çlirim kombëtar. Lëvizja ilegale në Kosovë nuk mund të kishte ideologji tjetër nga ajo e shtetit amë. Do të ishte areale të kërkohej diçka e tillë, ashtu siç është ahistorike të gjykohen ngjarjet e para 35 vjetëve me kriteret e sotme. Se çështja kombëtare ishte preokupim parësor i Lëvizjes dëshmon edhe një detaj: parulla e njohur: “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!”, në materialet e GRK-së shndërrohet në: “Popuj të shtypur të botës bashkohuni!”.
Është e kuptueshme deri diku që vlerësime të disfavorshme për ngjarjet e vitit 1981 të kenë ish-shërbëtorët e regjimit jugosllav, por është absurd i vërtetë kur akuza për kinse organizimin e demonstratave nga Serbia vijnë nga njerëz që pretendojnë se i kanë takuar Lëvizjes!
Është mëkat të flitet kështu për njerëzit që u dolën përballë tankeve dhe që u kalbën burgjeve: një gjeneratë e tërë!
Organizatorët e demonstratave të ’81-shit dhe ata që morën pjesë në to nuk ishin aventurierë, por atdhetarë. Ata ishin lulja e rinisë sonë e jo “plehu i Kosovës”, siç i pat quajtur, për turp, një funksionar i lartë politik. Ata nuk luftuan për poste e privilegje, por për të drejtat dhe lirinë e popullit të vet. “U ngritët ju, viganë, fisnikë/ me korrektesë e madhështi/ ngaqë kërkuat Republikë/ u shtypët si në monarki”, pat shkruar shkrimtari ynë i madh, me famë botërore, Ismail Kadare, ndërsa vogëlsia ime, në një poezi të krijuar në ato vite, duke u identifikuar me botën shpirtërore të djemve që për hir të idealit e kalonin rininë nëpër burgje, pata shkruar: “Ne ishim bij të kësaj toke/ Me plagë e halle shumë/ Lindëm në ditë të stuhishme/ U rritëm në net pa gjumë. / Ne jetën e donim shumë, s’ka dyshim/ Dhe për të luftonim/ Po jeta jonë kish një qëllim:/ Botën ta ndryshonim. / Dhe mos kujtoni se i donim më pak/ Vashat tona të bukura si flutura të kuqe/ Po ne këmbyem puthjet me plagë/ Dhe parqet i këmbyem me burgje. / Se dashuria për këtë tokë/ Më e madhe se gjithçka ish. / Ajo na bëri të hidhemi në flakë/ Dhe të mbyllemi në mure qelish. / Ne nuk lindëm trima me fletë/ Po luftën tonë s’e ndalëm. / Trima na bëri kjo tokë e sertë;/ Rininë asaj ia falëm”.
A kishin iluzione djemtë e ’81-shit? A e mbiçmonin forcën e tyre dhe a e nënçmonin, pak a shumë, atë të kundërshtarit? Sigurisht që po. Edhe pse në përgjithësi politikisht të pjekur e realistë, ata kishin edhe gabimet dhe iluzionet e tyre. Por, cila forcë revolucionare gjatë historisë, që u përpoq ta ndryshonte rrjedhën e saj, nuk i pati ato?
Pasi derdhën tonelata sharjesh kundër djemve dhe vajzave të ’81-shit kur ishin në pushtet, të cilin e humbën, megjithatë, pasi u shtrydhën si limoni, nuk mund të pritej që t’i lavdëronin ato ish-pushtetarët dhe ndjekësit e tyre në rrethanat e reja të krijuara pas rënies së sistemit të vjetër. Tani ata dolën me tezën se demonstratat e vitit 1981 kishin qenë jo vetëm “të parakoshme” e “të dëmshme”, por edhe të organizuara nga shërbimet e huaja (ruse, bullgare etj.) apo edhe nga vetë Serbia! Për më tepër, këto demonstrata, sipas tyre, e kishin ndërprerë procesin e shndërrimit paqësor të Kosovës në Republikë nën udhëheqjen e tyre (ndërkohë që s’arritën ta ruanin as autonominë!) dhe si të tilla i kishin bërë shërbim të keq Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi. Në mohimin që i bëjnë karakterit politik dhe kombëtar të demonstratave ish-pushtetarët, të gjallë e të vdekur, shkojnë aq larg sa thonë se në to nuk u dëgjua më shumë se dy-tri herë parulla “Kosova-Republikë”!
Përgjigjen më të mirë, shkencërisht të argumentuar, kësaj tendence – tendencës së zhvlerësimit të demonstratave të vitit 1981 nga ish-politikanët kosovarë, ia ka dhënë veprimtari i devotshëm i Lëvizjes, zoti Mehmet Hajrizi, në librin e tij Historia e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, botuar në Tiranë në vitin 2008, ndërsa martiri Ukshin Hoti, me formim politolog, i revoltuar nga kjo lojë e rrezikshme dhe e neveritshme, në një rast pat thënë: “O perëndi, mos e ndotni botën e ëndrrave të vitit 1981 me dallaveret e kohës”.
Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë ishin shprehje e një atdhetarizmi e idealizmi të kulluar. Dhe jo vetëm kaq. Ato ishin vazhdimësi e përpjekjeve për çlirim kombëtar të shqiptarëve të mbetur nën sundimin serb e jugosllav dhe kishin një program politik të studiuar mirë, edhe pse fillimi i tyre, me atë pjatën proverbiale të 11 marsit në Qendrën e Studentëve, ishte spontan (nëse në histori ndodh diçka rastësisht).
Demonstratat e mars-prillit të vitit 1981 hapën një epokë të re në historinë e Kosovës: epokën e luftës për çlirimin e plotë të saj. Pa këto demonstrata, të cilat u lanë me gjak nga dora e pushtetit serb e jugosllav në Beograd dhe zgjatimi i tij në Prishtinë, nuk do të kishte ndodhur as kryengritja e armatosur e UÇK-së në fund të shekullit (kujto parullën: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”) dhe Kosova nuk do të ishte kjo që është sot: e lirë dhe e pavarur. (FUND)
(Fjalë e mbajtur në akademinë përkujtimore kushtuar demonstratave të vitit 1981 në organizim të Shoqatës së Ish-të Burgosurve Politikë të Kosovës më 2 prill 2016)
© 2016, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply