Çmimi i madhështisë,siç është shprehur dikur një burrë i madh shteti është përgjegjësia. Një përgjegjësi e cila kur je i pari i një qyteti a një vendi kthehet në përgjegjësi morale, komunitare dhe institucionale. -Delegimi i pushtetit prej trupit politik (popullit) dhe veshja me pushtet e një individi të caktuar prej tij i dyfishon këto përgjegjësi dhe në një sistem politik demokratik normal e bënë rritjen e kërkesës së llogarisë dhe të përgjegjshmërisë edhe më të madhe. Melsen Kafilaj
Rasti më i fundit për ta ilustruar këtë fakt është fenomeni “STEMA”. Me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Fierit është vendosur për ndryshimin e emblemës përfaqësuese të mëparëshme me një emblemë tjetër “neë”. Deri këtu gjithçka në rregull. Eshtë një e drejtë juridike e Kryebashkiakut për ta ndërmarrë këtë nismë dhe për të kërkuar prej vartësve të tij një simbol të cilin ai e mendon si të arsyeshëm dhe që përfaqëson më së miri vlerat e qytetit të vet. -Por ajo që është shqetësuese, problematike dhe “fyese” për komunitetin fierak është përdorimi i një simboli religjioz në emblemën e re të bashkisë Fier, e specifikisht ai i një kryqi.
Ndërsa patriotët, iluministët dhe intelektualët tanë të Rilindjes Kombëtare luftonin me shpirt e penë për të forcuar bashkimin ndër shqiptarë dhe për të kapërcyer dasitë krahinore e fetare,në një qytet të përbërë nga 84% banorë të besimit musliman,15% ortodoks dhe 1% katolik del një kryebashkiak(nuk e dimë kush fshihet pas tij si eminencë gri ..) i cili ngacmon sentimentin fetar të fierakëve me një kryq gjuhë-uji në qëndër të emblemës së vet “unifikuese”…
Çfarë kërkon të tregoj me këtë veprim?! -Dhe ku dëshiron të dalë?! -Të na e thotë sepse nuk ia kuptojmë dot “vizionarizmin”e vet. Eshtë fyese dhe njëkohësisht shumë e ulët që në shekullin e Shkencës dhe Progresit të bëhen këto lojra dhe prapaskena politike kaq obskure me popullin tënd. Kryebashkiaku, duhet të jetë një aktor kyç në drejtimin dhe mbajtjen e bashkuar të grigjës së tij e jo “një ujk me lëkurë dashi”(po huazoj këtu fabulën e vjetër të Ezopit.) në krye të saj.
-Dhe atyre që duan ta përçajnë këtë komunitet qytetar më dysh me të krishterë “dominant” e muslimanë “të nënshtruar”, do të më lejojnë t’ju sjell ndër mënd një fjalim të bërë nga Ali bej Këlcyra në vitin 1920. “Në Shqipëri s’ka as shumicë dërrmuese muslimane dhe as minorancë kristiane por ka shumicë dërrmuese shqiptare. -Jemi shqiptarë mbi të gjitha dhe të tjerat kanë pak rëndësi.”
Së dyti, çështja është akoma edhe më shqetësuese sepse ajo shkel karakterin laik të institucioneve të Republikës së Shqipërisë. Në Kushtetutën tonë, neni 10 thuhet shprehimisht që: “Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare” (pra është shtet laik). Kështu që ipse facto edhe institucionet e saj duhet të jenë laike si në aspektin formal ashtu edhe në atë përmbajtësor. Emblema, duke qënë një element i karakterit formal por edhe një shënjë “e dukshme” e institucionit në fjalë e jep në mënyrë të qartë dhe të pastër këtë shkelje të bërë nga kryetari ynë i bashkisë. -Një shkelje me natyrë anti-kushtetuese, mendoj unë. Bashkia e Fierit nuk është si Bashkia e Jerusalemit që të ketë si ajo një simbol fetar mbi krye. Ndërsa Izraeli është një shtet me karakter teologjiko-politik përkundrazi Shqipëria nuk është e tillë.
-Siç thekson dhe mentari i madh gjerman Jurgen Habermass, në sistemin politik perëndimor, sfera politike dhe ajo religjioze janë të ndara qartazi nga njëra-tjetra.Ato kanë autonominë e tyre dhe fushën e tyre specifike të veprimtarisë. Pse kërkon kryebashkiaku ynë ti vërë emblemës së qytetit të vet një kryq në zemër? Mos kërkon vallë ta kthejë institucionin laik dhe politik të Bashkisë në Kishë?! –Apo kërkon të na shfaq “evropianizimin”e tij me politikën e vet “pro-kristiane”?!
Por kushdo mund të bëj gabime. Madje dhe prijësit, shtetarët dhe burrat e tjerë të mënçur nuk mund ti shpëtojnë dot kësaj gracke.-Por ndryshe nga vulgu,njerëzit e mençur karakterizohen nga reflektimi, pranimi i gabimeve të tyre dhe vetkorrigjimi. Ndaj z.Kryebashkiak, mendoj që i detyroheni moralisht një falje të madhe komunitetit që përfaqësoni dhe një heqje të menjëhershëme nga emblema juaj institucionale e simbolit në fjalë. -Me këto dy veprime tregoni që jo vetëm jeni politikan “njerëzor” por gjithashtu edhe një person që e meritoni me të vërtetë besimin dhe përgjegjësinë publike me të cilën ju kemi ngarkuar.
© Melsen Kafilaj


Leave a Reply