
Ministri i shëndetësisë i Maqedonisë nuk pranon të bisedojë me mjekët në grevë.
Nga Biljana Lajmanovska for Southeast European Times in Shkup
Pagat e ulëta dhe reforma e fundit shëndetësore që do t’i paguajë mjekët në bazë të pacientëve të trajtuar janë ankesat kryesore të mjekëve në grevë në Maqedoni. [Tomislav Georgiev/SETimes]
Qindra mjekë në Maqedoni po protestojnë kundër pagave të ulëta e një programi të kujdesit shëndetësor të zbatuar në shtator, që thonë se i vë shumë theks numrit të pacientëve të vizituar sesa cilësisë së kujdesit të ofruar.
Mjekët i shpunë protestat e tyre përpara Ministrisë së Shëndetësisë të hënën (19 nëntor) duke tundur shenja që lexonin “Nuk jemi të padukshëm.”
Protestat këtë javë ishin si rezultat i një deklarate nga Ministri i Shëndetësisë Nikola Todorov, i cili tha se grevat nga 1,500 mjekë nuk kanë shkaktuar ndërprerje pune.
“Sipas dispozitave ligjore, greva do të thotë ndërprerje e veprimtarive të punës. Nuk pati diçka të tillë e jam me të vërtetë i kënaqur e mirënjohës për vetëdijen e treguar nga mjekët në Maqedoni, veçanërisht ata që punojnë në klinikat e Shkupit,” tha Todorov.
Sindikata e Pavarur e Klinikave të Spitaleve në Shkup e organizoi grevën javën e shkuar, por pa mbështetjen e Sindikatës kryesore të Shëndetësisë.
Ankesa kryesore e mjekëve është pagat e tyre të ulëta, por gjithashtu reforma e shëndetësisë e futur së fundmi që do t’i paguajë mjekët në bazë të pacientëve të trajtuar.
“Në vend që të nxitet kujdesi cilësor shëndetësor, sistemi i tanishëm bën të kundërtën: ai nxit vetëm sasinë e ndërhyrjeve,” i tha SETimesDejan Stavriç, president i Sindikatës së Pavarur të Klinikave të Spitaleve të Shkupit.
Sistemi i Ministrisë së Shëndetësisë së Maqedonisë mbështetur në pagesën sipas ecurisë së punës u jep mjekëve një 20 përqind shpërblim mujor nëse përmbushin një numër të kërkuar pacientësh. Ata që nuk e përmbushin këtë do ta kenë pagën e tyre të shkurtuar me 20 përqind.
Katalina Stardelova, një nga mjekët në grevë, tha se ajo e kolegët e saj bënë disa përpjekje për të biseduar me Teodorovin, por pa sukses.
“Pagat e ulëta janë një nga problemet që ne mjekët ndeshim në kujdesin shëndetësor e këmbëngulja për t’i ulur këto paga edhe më, mbështetur në sasinë e jo cilësinë e shërbimeve tona, është një mungesë e plotë respekti për profesionin tonë,” tha Stardelova.
Todorov tha se kërkesat e udhëheqjes së sindikatës janë politikisht të motivuara.
“Do të thosha se ky është më shumë një vendim politik i një grupi njerëzish që dëshirojnë të përfitojnë politikisht. Nuk përfshij të gjithë mjekët sepse nuk besoj se të gjithë janë dakort me grevën. Nuk dua të hyj në bisedime kur në sfond ka një vendim politik për të shkuar në grevë e për të penguar bisedimet,” tha Todorov.
Todorov tha se reformat e modeli i pagesës mbështetur në efektshmërinë ka disa mangësi, por se nuk është gati të bëjë ndryshime të menjëhershme në sistemin ekzistues të pagesave.
Me qëllim që të përmirësojë pagesën ekzistuese për mjekë, tha ai, ai do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e Sindikatës së Shëndetësisë e të punonjësve të shëndetësisë, por jo me Sindikatën e Pavarur të Klinikave Spitalore.
Mjekët thanë se u përpoqën të bisedonin me ministrin e shëndetësisë, vetëm për t’u kundërshtuar.
“Ndjehem e ofenduar si një profesioniste, qënie njerëzore e grua në të njëjtën kohë. Pas vite përvoje nuk do të na detyrojnë me një fjalim të thjeshtë lidhur me problemet që kemi. Ndjehem një shtetase e shpërfillur që nuk mund të ngrejë zërin për mosqënien e saj dakort,” i tha SETimesSnezhana Georgievska, një gjinekologe.
Ligjërisht, në Maqedoni, edhe kur janë në grevë, mjekët nuk mund të ndalojnë plotësisht punën, por duhet të ofrojnë minimumin e kujdesit shëndetësor.
“Ndërhyrjet që mund të presin do të presin. Gjithçka që është urgjente është pranuar dhe trajtuar menjëherë,” tha Stavriç.
Megjithatë, disa pacientë ende shqetësohen.
“Më duhet të bëj disa analiza. Nuk janë urgjente, por tashmë mora një ditë pushim nga puna. Tani nuk jam i sigurtë nëse do t’i bëj. Nuk jam i sigurtë se i kuptoj arsyet e tyre për grevë,” i tha SETimesMarija Antevska, 47 vjeç.
“Disa prej tyre punojnë shumë, trajtojnë mjaft pacientë. Të tjerë nuk janë kurrë atje e marrin të njëjtën pagë. Duhet të ketë një sistem në vend,” tha Milan Avramovski. 37 vjeç.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk”Shkodrani


Leave a Reply