Lindi me 15 Prill të vitit 1957 në fshatin Vuthaj të Plavë Gucisë, ku kreu edhe shkollën fillore. Qysh si fëmijë ishte i prirur për arte, andaj duke vazhduar ëndrrën e tij kreu shkollën e mesme dhe fakultetin e artit figurativ në Prishtinë.
Dema kishte prirje edhe në shumë fusha të tjera dhe pasi kishte një zë të bukur mësoi t’i binte çiftelisë, përmes së cilës kryesisht kishte dëshirë të këndojë këngë trimërie shqipe.
Pas shkollës, megjithëqë i kishte të gjitha mundësitë, ai nuk pranoi të punësohej në Kosovë, sepse sipas bindjeve të tij trevat shqiptare në Mal të Zi e sidomos trevat e Plavës e Gucisë kishin nevojë të Madhe për emancipim kombëtar. Atë, megjithëqë e njihte mirë gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi, ngjarjet e vitit 1981 e tronditën rëndë. Tanimë UDB-ja kishte filluar ta përcillte, sepse ai kishte rënë në sy, sidomos për këngët e tija të cilat shpeshherë i këndonte edhe në vende publike.
Me 29 nëntor të vitit 1981 Demës ia bastisin shtëpinë familjare në Vuthaj, me ç’rast i konfiskojnë libra shqip dhe flamurin shqiptar. Ai po atë ditë arrestohet dhe dërgohet në burgun hetues të Bijelo Poljes. Pasi Dema tanimë njihej si veprimtar i çështjes kombëtare prokurori i ngre akuzë me motivacionin si kishte mbajtur libra shqipe të ndaluara, flamurin shqiptar i cili poashtu ishte i ndaluar në Mal të Zi, kishte shkruar parulla në përkrahje të kërkesave të studentëve të Kosovës dhe kishte kënduar këngë patriotike, të cilat poashtu nga UDB-ja trajtoheshin si të ndaluara. Pas një periudhe disa mujore keqtrajtimi në burgun e Bijelo Poljes, gjyqi i qarkut të këtij qyteti duke e marrë të mirëqenë aktakuzën, në bazë të nenit 133 Alinea 3, e cila parashihte dënimin prej 1-10 vite burg e dënoi Demën me 5 vite burgim. Burgun e mbajti në Spuzhë të Titogradit nga i cili u lirua me 28 nëntor të vitit 1986.
Pas daljes nga burgu, Dema vazhdimisht përcillej nga UDB-ja. Ai megjithëqë ishte i vetëdijshëm për këtë në asnjë moment nuk u përkul, por vazhdimisht fliste për gjendjen e mjeruar të shqiptarëve në Mal të Zi dhe ish-Jugosllavi, e cila me kalimin e kohës po bëhej gjithnjë e më e padurueshme. Organet e sigurimit malazez nuk u mjaftuan me faktin se Dema, jo vetem që kishte mbajtur burg, por tanimë nuk kishte perspektivë për t’u punësuar në profesionin e vet e të bënte një jetë normale. Për këtë arësye ata e ndoqën Demën familjarisht, ku me 14 maj të vitit 1988, përveç tij e arrestojnë edhe vëllanë e tij më të madh, Hasanin dhe vëllanë e tij më të vogël, Naserin.
Gjyqi i Bijelo Poljes duke u bazuar në nenin 133 Alinea 1 e duke marrë si rrethanë rënduese për Demën, faktin që kishte qenë i dënuar politik edhe më parë, e dënoi Demen me 6 vite burg dhe e dërgoi përsëri në vuajte të dënimit në burgun e Spuzhës.
Në ndërkohë mënyra se si i dënonin shqiptarët në bazë të nenit 133 u muarr vesh edhe nga qarqet ndërkombëtare. Tanimë Jugosllavia, që deri në atë kohë gjoja njihej si shtet ku realizoheshin të drejtat e njeriut filloi të akuzohet për keqpërdorim të nenit 133. Për këtë arësye përfaqësuesit e Republikës së Sllovenisë në Federaten Jugosllave bënë presion dhe ia arritën qëllimit, që neni 133 të hiqet nga ligji penal jugosllav. Me heqien e këtij neni u liruan të gjithë të burgosurit politik, të cilët ishin dënuar në bazë të këtij neni, kështuqë edhe Demë Ulaj ishte një nga përfituesit dhe pas një rreth 16 muajve burg, me 31 gusht të vitit 1989 u lirua.
Qëndresa e Demë Ulajt në të dyja rastet e brugosjes së tij ka bërë bujë, kështuqë mjetet sllave të informimit publik të asaj kohe e përshkruanin Demen si një nga „nacionalistët dhe irredentistët“ e papërmirësueshëm, andaj shembulli i tij përdorej si justifikim për persekutimet e shqiptarëve në Mal të Zi.
© 2016, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply