“O Zot, mos ma lë fenë pa kulturë!”
Dr. Ismail Bardhi (letër drejtua vetvetes)
Emine A. Vezaj
Dikur Dr. Ismail Bardhi kishte shkruar një letër drejtuar vetvetes, por si titull i kishte vërë këtë formulë; “O Zot, mos më le fenë pa kulturë!” Në atë kohë e kisha lexuar madje edhe rilexuar atë letër sepse me kishte pëlqyer struktura përmbledhëse e atij punimi. Unë në fakt, nuk mendova që të bëhem precedent i tij në këtë drejtim, megjithëse mirë do të ishte sikur të realizohej ajo që ai thoshte, por pak më ndryshe nga ai do të thosha; O Zot, largojë myslimanët nga emocionet dhe demagogjitë, udhëzoi ata drejte shkencores dhe racionalizmit!.
Emocionet si pjesë përbërëse të njeriut
Emocionet, janë tërësi e përjetimeve të thjeshta e të paqëndrueshme të njeriut që shkaktohen e shfaqen nën ndikimin e brendshëm, si mallëngjimi, shqetësimi a turbullimi i thellë. Dikur arabët hershëm thoshin se; zemra është burim i emocioneve. Zemra është ajo që donë, por edhe urren, kënaqet dhe zemërohet, dëshiron dhe frikësohet, gëzohet dhe mërzitet. Kështu njeriu nga vetë natyrshmëria e tij, nuk është vetëm trup dhe gjak nuk është vetëm krijesë që ka vullnet dhe logjikë, por ka edhe anën tjetër të medaljes, ndjenjat dhe emocionet.
Ndjenjat janë pjesë e çdo njeriu, dhe nga njeriu nuk kërkohet që ti shpallë luftë ndjenjave të tij për hir të fesë, ngase janë pikërisht ndjenjat ato që njeriun e vënë në pozita të ndryshme duke krijuar mundësin, se kur duhet të urrej kur duhet ta duaj dikë, madje edhe në momentin kur adhuron Zotin çfarë përshkruan qenien e tij, pra ndjenjat janë ato të cilat janë pjesë e qenies njerëzore dhe si të tilla njeriu i posedon në proporcion me krijimin që ka bërë Krijuesi i Botëve për te. Ndjenja te njeriu janë të ndryshme, p.sh Allahu xh.sh thotë: ‘E besimtarë të vërtet janë vetëm ata, të cilëve kur përmendet Allahu, u rrëqethen zemrat e tyre, kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi’. (El-Enfal: 2). Në ajetin e cituar Allahu përshkruan ndjenjën e frikës dhe respektit që besimtari ndjen ndaj Krijuesit të tij. Dhe nga frika e besimit se a do të jenë të sinqertë në lutjet e tyre, rrëqethja në trupin e tyre vije si rezultat i emocioneve të pashmangshëm që njeriu ndien në momentin kur është në lidhje direkt me Krijuesin e tij. Besimi i tij shtohet edhe më shumë kur dëgjon Fjalën e Krijuesit të Botëve dhe prej Tij kërkon shpërblimin dhe shpreson në këtë.
Në gjendjen emocionale të cilën duhet të jetë besimtari i vërtet, duhet të jenë shembujt nga jeta e Pejgamberit a.s si dhe sahabëve të tij të ndershëm, e jo nga aktorët hoxhallarë të ditëve tona të cilët aktrojnë para xhematëve të tyre. Shembuj eklatant të adhurimit superior ndaj Zotit i kushtuan mistikët e vjetër të cilët i ishin përkushtuar besimit në format më të nënshtruara, adhuronin Zotin aq shumë saqë kishin lënë veten mbrapa krahas nënshtrimit të plotë dhe frikërespektit ndaj Krijuesit të Botëve. Larg kësaj që njeriu i ditëve tona të veprojë kështu, ngase jo që nuk mundet, por është edhe vështirë të jesh i tillë në rrethana të ballafaqimit tonë me sfidat e kohëve të ndryshme nëpër të cilat jemi duke kaluar, por së paku të mund të bëhemi siç ka thënë edhe Pejgamberi a.s për veten e tij; “Në të vërtet unë jam një njeri, kënaqem siç kënaqen njerëzit dhe zemërohem siç zemërohen, prandaj çdo mysliman që e kam ofenduar ose e kam goditur, kjo do të jetë shlyerje mëkatesh për te”. Tradita Pejgamberit a.s qartë tregon se emocionet dhe reagimet e momentit nuk mund t’i shpëtojnë asnjë njeriu, siç e pamë as edhe vet Pejgamberi a.s, pasi edhe ata gëzohen, qeshin, qajnë dhe mërziten, natyrisht janë krijesa të ngjashme me ne, përjashtimisht nga ne, janë të cilësuar si të Dërguar të Zotit dhe të ruajtur nga gabimet.
Pra, në emocionalizma bëjnë pjesë edhe emocionet negative siç janë; zemërimi, ankthi pikëllimi etj. Rast të këtij lloji emocionesh kemi Musaun a.s. Ai u zemërua për hir të Allahut të Madhërishëm pasi pa që populli tij kishte filluar të adhuronte idhujt, dhe zemërimi i tij bëri që ai t’i hidhte pllakat e Tevratit në të cilat ishin të shkruara fjalët e Allahut dhe e kapi vëllanë e tij Harunin për flokë, në ndërkohë që edhe ai ishte pejgamber sikurse edhe Musau a.s. Ketë ngjarje e përshkruan edhe Kurani ku Allahu xh.sh thotë: “E kur u kthye Musai shumë i hidhëruar te populli vet, tha: “Sa keq më paskeni zëvendësuar pas shkuarjes sime! A e ngutët (pritjen) urdhrin e Zotit tuaj? I hodhi pllakat dhe e zuri për (flokësh) koke vëllanë e vet duke e tërhequr kah vetja”.( El-A’raf: 150)
S’ka dyshim se ndjenjat janë pjesë përbërëse e njeriut dhe atyre askush nuk mund ti shmanget, njeriu nuk është robot dhe të jetë larg këtyre gjërave që janë pjesë e planit hyjnor, por njeriu duhet të dominoj mbi ato si në raste gëzimi ashtu edhe pikëllimi, sepse sikur njeriu të ndjek ndjenjat dhe vrapon pas tyre kudo që e drejtojnë ato, kështu ai ka ndjekur epshin e tij. Pra, njeriu duhet të jetë i tille që të sillet në mënyrë të qetë dhe të butë ndaj secilit që vije të konsultohet me te ashtu sikurse na ka mësuar edhe vet Pejgamberi Muhammedi a.s kur e këshilloi një njeri i cili kishte kërkuar që ta këshilloj Pejgamberi a.s, pra në mes tjerash Pejgamberi a.s e këshilloi që të mos zemërohet. Pra, nga zemërimi mund të dalin edh fjalë të cilat njeriu nuk do ti thoshte nëse ai do të ishte në gjendje të qetë, prandaj edhe gjykatësi kur gjykon duhet të jetë i qetë dhe transparent. Pejgamberi a.s në një rast kishte këshilluar “Gjykatësi nuk duhet të gjykojë mes dy njerëzve kur është i zemëruar”. Saktësia e gjykimit nuk mund të jetë trasaparente të një gjykatës që është në gjendje të tillë.
Teologëve të sotëm ju bie hise të përballen me sfida të rënda ku shpesh ndodh që të kalojnë edhe nëpër këto faza emocionale. Por, gjithmonë duhet munduar që të ruajnë personalitetin e tyre para çdonjërit që vije në xhami. Tani shtresa e xhematit tonë është heterogjene, (gjë e mirë) në xhami kemi prej intelektualit dhe deri te njeriu me i thjeshtë, secili e shikon hoxhën nga këndi i tij, dhe secili për hoxhën ka një imazh në vete. Nga një politikan, hoxha do të duket shumë i paskrupullt me mendimet e tij skandaloze rreth politikës aktuale, për një mjek, hoxha do të dukej një mostrum që flet ad hoc për mjekësin dhe simptomat e sëmundjeve që sjellë pirja e duhanit, për një historian hoxha do të dukej një injorant nëse thotë se Skënderbeu nuk është heroi ynë kombëtar. Kështu do të dukej një hoxhë në imazhin e xhamtit të tij, por si duket asnjëri nga xhematlinjët nuk ka dalë haptas të ja thotë hoxhës këto gjëra, ngase një pjesë prej tyre shkojnë në xhami vetëm për të kryer obligimin e jo për të mësuar diçka të re, ndoshta edhe pse janë mësuar me avazin e vjetër të hoxhallarëve ku secili ligjëron tema të përsëritura, madje shpesh. Por edhe ana tjetër e medaljes përgjegjësit e hoxhës. Nuk është në dorën e hoxhës mirëmbajtja ‘estetike’ e xhematit. Ndryshimi i faljes së namazit, hapja e këmbëve, shkurtimi i pantallonave pëshpëritja me zë të lartë gjatë aminit në namaz etj. Por, a është e udhës që hoxha të merë rolin e edukatorit e tu tregojë xhematit se ti duhet ti shkurton pantallonat më shumë se që duhet, duhet ta zgjasësh mjekrën, apo hoxhës i mbetet që me ligjërimin e tij të drejtë, xhematit të tij tu mbush zemrat me besim dhe t’i tregoj rrugën e drejt. A mund të konsiderohet edhe si fatkeqësi kjo që thash, apo vet hoxhallarët janë ata të cilët servirin për xhematët e tyre këso lloj temash?
Shumë teologë, hoxhallarë, krijojnë pa nevojë tregime…
Si myslimanët ashtu edhe vet hoxhallarët kanë probleme me vetveten e tyre, sepse myslimanët përderisa islamin e shohin si vlerë lokale, pjesë e traditës, i konservuar në disa interpretime të vjetruara disa shekullore të shkollave të ndryshme juridike dhe i koncentruar vetëm në disa veprime periodike, si namazi, haxhi, agjërimi, të cilat edhe shpesh bëhen sa për tu dukur atëherë, fatkeqësia nuk është vetëm te hoxha, por edhe vet myslimanët, gjithsesi se kjo do të ishte edhe një rezultat i hidhur i vet hoxhallarëve të cilët ndjekin gjithmonë precedentin e gjeneratave të vjetra. Xhamia që nga zanafilla e saj është konsideruar dhe ka qenë qendra kryesore për informim të gjithmbarshëm nga të gjitha aspektet. Ka qenë qendër informimi për mbarë botën, informim rreth shkencës, kulturës, artit historisë së kaluar etj. Nuk duhet keqkuptuar edhe këtë fakt se në xhami nuk shkohet që tu mbushet truri njerëzve me dituri ekzakte, por larg asaj që në xhami të tregohen përralla. Xhamia është vend i shenjtë, por është edhe qendër informimi për besimtarët. Ajo si e tillë që nga e kaluara edhe sot ka këtë zanafillë, informimin e sigurt të njeriut me besimin e pastër.
Islami është besim i argumentuar dhe njeriu nuk ka se çka të flas prej mendjes së tij ose të bëjë zhurmë pa nevojë në atë të cilët nuk mund ta ndryshoj. Shumë teolog hoxhallarë, krijojnë pa nevojë tregime interesante shpesh të duken edhe si përralla e një mijë e një netëve, duke e paraqit islamin si fe e trilluar dhe shpesh e argumentuar me përralla dhe trillime. Dikur, jo rastësisht hyra në xhami për të fal namazin e xhumasë, jo që nuk shkoja, por zgjodha vendin se ku të falem. Gjatë momenteve që unë isha në pritje të ligjërimin e hoxhës, pritja të ligjëronte ndonjë temë të bazuar në argument dhe fakte, ngase argumenti është mënyra e vetme të mbush mendjen e njeriut. Jo rastësisht, ai filloi një rrëfim shumë ‘interesant’ të një njeriu i cili ishte ngritur nga varri…dhe vazhdonte hoxha tregimin e tij, derisa filloi edhe të qante kinse nga emocionet që i ngriheshin gjatë tregimit, në anën tjetër mendojë me vete, sa shkencore more hoxhë është kjo tema yte, a nuk mendon se xhematin e ke shumë të formuar dhe duhesh të ndiesh krenar për këtë, dhe ata presin së paku një ditë në javë nga ty që të jesh i përgatitur si duhet, dhe t’i del këtu dhe na tregon përralla interesante. Po çka, asgjë nuk ka të keqe për hoxhën, ai do të ndihet krenar kur një xhemat ja rrah shpinën dhe i thotë; Allahu të shpërbleftë se sot na kënaqe. A është kjo një krenari që duhet ta kënaq hoxhën, apo ai ta pyet, po pse çfarë të kënaqi dhe çka mësove sot prej asaj që unë ligjërova. Një hoxhë i yni këtë nuk e bënë, jam shumë e bindur në këtë, ngase nuk merë guximin ta pyes ndokënd, ndërkaq që asgjë nuk ka folur rreth asaj që është pjesë e ligjërimit, fakti dhe argumenti. Si duket hoxhallarëve askush nuk i ka përkujtuar ajetin kuranor, ku Allahu xh.sh thotë “…Sillni argumentet tuaja (për çka thoni) po qe se jeni të drejtë?” Sërish kthehem në fillim dhe them; O Zot, mos më lërë fenë të udhëheqin demagogët. Do të duhej të na ngushëllonte edhe ky fakt, se e gjithë kjo nuk ndodh vetëm me hoxhallarët tanë, ngase Allahu në mënyrë të përgjithësuar ka thënë se: “Pra shkatërrimi është për ata që falen…”(El-Maun:4-5)
Besimi Islam nuk është vetëm dije fetare…
Kur flasim për argumentet shkencore nuk kam për qëllim që xhematit t’i ligjërohet për shkencat e natyrës apo edhe shkencat tjera, por ajo që dua të nënvizoj është dituria për të cilën ka folur edhe islami dhe dijetarët e mëhershëm. Besimi Islam nuk është vetën dije fetare siç pretendojnë dhe ngatërrohen disa. Me dituri kam parasysh çdo gjë me anë të së cilës dalin në pah të vërtetat e gjërave cilado qofshin ato, rreth gjithësisë, njeriut etj. Por me shkencore përqëllimohet edhe njohja e rizgjimit islam dhe çlirimi i tij nga emocionet e justifikimet, por vendimet tona në të gjitha sferat të burojnë nga mentaliteti shkencor. Në kohen e përparimit më të madh të shkencës dhe teknologjisë ekzistojnë të gjitha mundësit që hoxha para xhematit të tij të del sa më cilësor, duke filluar nga prezantimi i ligjërimit në mënyrën më serioze nëpërmjet projektorëve të ndryshëm, deri edhe te përgatitja e ligjëratës në mënyrë të shkruar si dhe shpërndarja e saj për të gjithë të pranishmit. Islami nuk është i mbyllur vetëm në metodën tradicionale, ai është besim për çdo vend dhe kohë, për këtë ka garantuar vet Zoti, dhe ne nuk duhet ti frikësohemi ligjërimit modern dhe dështimit për humbjen e tradicionales. Hoxha nuk ka profesion ligjërimin e tij, ai duhet të dijë se rruga e tij është mision shumë me përgjegjësi dhe për çdo gjë do të përgjigjet, andaj sa më i kujdesshëm që të jetë aq më i dashur do të jetë si për Krijuesin ashtu edhe për ndjekësit e tij, xhematin.
Pra, rruga e rizgjimit islam kërkon nga besimtari përdorimin e të gjitha metodave më të përparuar dhe më të mira për realizimin e qëllimit, duke përfituar edhe nga përvojat e të tjerëve, përfshirë këtu edhe kundërshtarët, sepse urtësia është ajo që kërkon besimtari, kudo që ta gjejë ai është më i meritueshëm për të. Por, pa harruar imitimin e verbër dhe ngurtësimin në atë që është trashëguar nga prindërit, drejtuesit dhe personalitetet e rëndësishme, pra imitimi të mos bëhet pa seleksionuar atë që është e dobishme dhe atë që është e dëmshme për individin dhe shoqërinë.
Gjithashtu me shkencore dhe racionalizëm kemi të bëjmë edhe përdorimi i shifrave nga anëtarët e rizgjimit islam. Vet Pejgamberi a.s është përpjekur të përfitoj nga statistikat që në fillim të formimit të shtetit islam në Medine. Transmetohet se Pejgamberi a.s kishte urdhëruar një sahabi të tijin që të llogarit të gjithë ata që dëshmojnë se janë mysliman “Llogarit të gjithë ata që dëshmojnë se janë myslimanë”. Me këtë myslimanët do të informoheshin se sa është forca e tyre…
Ne tani çfarë na mbetet të llogarisim. Në bazë të statistikave që posedojmë, llogaritemi si përqindje më e madhe e përkatësisë myslimane, por që nga asnjë hoxhë nuk është komentuar gjendja reale e kësaj përqindje. Ndodh që të jenë vetëm statistika, por jo edhe gjendje reale llogaritur në bazë të asaj që praktikohet tek njerëzit dhe prezencës së xhematit në xhami.
Hoxhallarët duhet planifikuar çdo gjë për rrethanat dhe kohën, t’i përgatisin dhe t’i informojnë xhematin e tyre rreth çdo situate nëpër të cilën janë duke kaluar edhe myslimanët në mbarë botën, por gjithsesi edhe duke i informuar ata me metoda të reja për përballje edhe sfidat e kohës. E gjithë kjo do angazhim serioz. Allahu do të ndihmojë të gjithë ata që përpiqen në punë të hairit si dhe ata që kontribuojnë në ngritjen e fjalës së Tij kurse fitorja do të vije si garanci për punëtorët e sinqertë dhe besimtarët besimdrejt.
Botuar në revistën “PAQJA” Nr. 14, 19 Janar 2008. Prishtinë- Kosovë


Leave a Reply